Jomedhhebizmi të shtyn për dëme të mëdha në fe



Ka kohë që në botën islame flitet për një rrymë të re (jomedhhebizmi), që hedh pas krahëve medhhebet dhe mbështetet vetëm tek argumenti (delil). Si e shikoni këtë dukuri dhe çfarë i këshilloni muslimanët në lidhje me këtë gjë?

"E para lojë me medhhebet ka ndodhur në kohën e khalifit el-Muktedir" [1], kur një person i solli një libër, në të cilin kishte përzier pjesë të medhhebit Hanefi me atë të medhhebit Maliki, etj.. Muktediri, thirri dijetarin dhe kadiun Ismail, të cilin e pyeti për atë libër. Kadiu, kur e lexoi dhe kuptoi se çfarë ka në të, tha: "Ky libër meriton të digjet"! Khalifi pyeti: "A mos vallë në të ka gënjeshtra?". Kadiu tha: "Jo, por ai ka përzier në të medhhebet Hanefi me atë Maliki, prandaj nuk duhet shpërndarë ndër njerëz, pasi mund t'u krijojë atyre trazime në çështjet e fesë". Dhe u dogj.

Pasi ndërroi jetë Pejgamberi (a.s.), njiheshin vetëm 152 muxhtehidë, ndër 130.000 sahabë, që ishin mukal-lidë. Kaluan kohë dhe dijetarët sëbashku me masën islame ranë dakort për të ndjekur dhe për të pasuar katër medhhebet e katër imamëve të mëdhenj dhe e mbyllën derën e jomedhhebizmit, sepse ishte dhe vazhdon të jetë me të vërtetë një rrezik që e gris petkun e fesë.

Jomedhhebizmi të shtyn për dëme të mëdha në fe, si për shembull: "Një Hanefi, i shtyrë nga kjo rrymë, mund të mos japë zekatin e tregëtisë, duke ndjekur Ibni Hazmin, që ka thënë se nuk jepet zekat për mallrat e tregtisë", e sa e sa mendime të tjera të devijuara.

Prandaj atyre që thonë se ne e lidhim këtë lojë (jomedhhebizmin) me argumente dhe dogma, ndjekim delilin, etj., dhe nuk lëmë ndokënd të tallet me fenë, u themi: "A jeni ju në atë gradë sa të bëni ixhtihad?", por ata me të vërtetë ndjekin interesin e tyre!

Shkolla medicinale amerikane ndryshon nga ajo gjermane dhe njëkohësisht ata nuk përzihen me njëra-tjetrën. Një i sëmurë që shkon tek një mjek, ai pasi t'i ketë përcaktuar sëmundjen do t'i japë disa ilaçe, mirëpo nëse ai do të shkojë tek një tjetër mjek, edhe ai do t'i japë ilaçe, por do t'i thojë të sëmurit që të mos i përziejë të dyja së bashku.

Tema e jomedhhebizmit është e gjerë dhe e gjatë dhe nuk po zgjatem më tepër, por po përmend shkurtas se çfarë ka thënë dijetari Muhammed Zahid el-Keutheri, zëvendës i Meshihatit në Stamboll, përpara të ngratit Ataturk: "Jomedhhebizmi është rrugë për në jofetarizëm". Ose siç ka thënë Dr. Muhammed Said Ramadan el-Buti: "Jomedhhebizmi është risija më e rrezikshme që kërcënon sheriatin islam" [2] [*].

Kulmin e modestisë së tij Shejkh Vehbiu e shpreh në fund të kësaj letre, ku më përgjigjet për pyetjet e drejtuara, duke thënë: "Shpresoj se t'u përgjegja, aq sa pata kohë e letër, e ndoshta këto fjalë shkruhen dhe njerëzit avamë (ne jemi avamë) i lexojnë. Kurse dijetarët kanë fjalë më të gjata dhe me shembuj përkatës, për përcaktimin e rrezikut të këtij bidati". Kjo përgjigje, shoqërohet edhe me një letër tjetër në vete, ku Hoxhë Vehbiu ka sjellë disa njohuri përforcuese të përgjigjes së tij për jomedhhebizmin, të shkruara në arabisht, në fillim të së cilës më shkruan: "Mirë është që ti të përkthesh atë që po të shkruaj këtu, si përforcim i përgjigjeve të mija".



Nga monografia e thirrësit islam: Muhamed Sytari,
"Vehbi Sulejman Gavoçi - dijetar nga dijetarët e ymmetit", Prishtinë 2005.



_________________________

[1] - Quhet Xhafer el-Muktedir bil-Lahi ibnul-Mu'tesim ibn Ahmed ibnul-Mutevekkil, vëllai i khalifit el-Muktefi, lindi në vitin 282 h. dhe u besua si khalif menjëherë pas vdekjes së vëllait të tij në vitin 295 h. Qëndroi në postin e tij, deri sa u vra në vitin 320 h. Drejtoi shtetin abasit 24 vjet, 11 muaj e 16 ditë, (Shih: Shejkh Muhammed el-Khudari, "Ed-Deuletul-Abbasijje", fq. 287).
[2] - Doktori i nderuar në lidhje me këtë temë ka botuar edhe një libër, të cilin e ka titulluar: "El-lamedh-hebijjetu akhtaru bid'atin tuheddidush-sheriatel-islamijje". Në brendësinë e tij studentët e dijes mund të thellohen edhe më tepër në lidhje me këtë temë dhe çështjet e lidhura me të.
[*] - P.S.: - Libri "JOMEDHHEBIZMI" nga Dr. El-Buti, është i përkthyer në gjuhën shqipe nga Dr. Naser Ramadani, dhe është botuar nga shtëpia botuese "ASR-Tetovë", (stafi).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...