Rëndësia e ditës së xhuma dhe devijimi nga esenca e saj nga myslimanët e sotshëm



Në kohën kur më së shumti njerëzit kanë nevojë për afërsi njerëzore, për ndërtim raportesh të mirëfillta ndaj njëri tjetrit, për shtimin e komunikimit, për ofrimin e ndihmës së të tjerëve në nevojë, për eliminimin e urrejtjeve, mospëlqimeve, apo thashethëmeve për njëri tjetrin, xhumaja si mekanizëm për mundësimin e gjithë këtyre virtyteve të lartpërmendura, ka filluar të shndërrohet në kohët e tanishme thjesht në një rit fetar i cili duhet të kryhet njëherë në javë.

Xhumaja në Islam paraqet një nga shtyllat më të rëndësishme si në aspektin e obligimit fetar dhe adhurimit dhe lutjes ndaj Allahut Fuqiplotë, ashtu edhe në aspektin e rrafshit ndërnjerëzor dhe rëndësisë së saj për socializimin e njerëzve ku do që janë.

Njeriu është para se gjithash qenie intelektuale që e dallon nga gjithë krijesat tjera për shkak të aftësisë së arsyeshmerisë dhe kapacitetit për të menduar e rezonuar. Mirëpo gjithashtu, njeriu, është edhe qenie shoqërore, që nënkupton domosdoshmërinë për bashkëpunim me të tjerët, nevojën për jetuar me të tjerët, për të ndarë gëzimin dhe dhembjen së bashku, për ti menaxhuar situatat e vështira e po ashtu edhe momentet e lumturisë. Dhe duke qene se xhumaja është obligim komunitar, që duhet të kryhet me patjetër në bashkësi, dikton pikërisht këto nevoja.

Pra, xhumaja paraqet mundësinë për besimtarët gjithkund në botë, që ata gjatë kësaj dite përveç kryerjes së adhurimit ndaj Allahut të Gjithëmëshirshëm, të kultivojnë edhe virtytin e bashkësisë. Të rrisin bashkëpunimin me njëri tjetrin duke u njohur dhe u afruar me njëri tjetrin, duke komunikuar dhe rrëfyer brengat dhe hallet e përbashkëta.

Jemi dëshmitarë se kohët e fundit ky adhurim shumë i rëndësishëm për shëndetin shpirtëror të njerëzimit, ka filluar te zhvishet nga spiritualiteti i vet dhe madje është shndërruar në një rit mekanik të cilin njerëzit shkojnë veç sa për ta kryer. Në vend se para, gjatë, dhe pas kryerjes së këtij ibadeti, të shohim devotshmëri, përkushtim, shpirtgjërësi e solidaritet në mes të njerëzve, ne shohim të kundërtën, fytyra të zymta, besimtar që ju vjen mërzi pse dikush u thotë të i drejtojnë radhët, pse dikush u flet të mos bëjnë zhurmë dhe të dëgjojnë ligjëratën e hutbës, e kështu me radhë.

Shohim edhe disa të tillë që presin në kafenetë përreth derisa të fillon falja, dhe kur fillon ata vijnë pranë me një arrogancë verbuese që nënkupton se atyre do të duhej t'u takojnë rreshtat e parë me apriori, sepse janë me status të 'ndritur' si profesor, udhëheqës, dekan, këshilltar, etj., e të tillët edhe vet e dinë që në Islam e vetmja përparësi tek Zoti është devotshmëria.

Kryerja e obligimeve në formë të tillë, d.m.th. shumë strikt mekanike, e privon besimtarin dhe rrjedhimisht edhe shoqërinë nga zhvillimi i vërtetë i saj, madje e privon edhe depërtimin e rëndësisë së këtij riti shumë domethënës sikurse është xhumaja nga shpirti i saj i vërtetë. Si rrjedhojë, humbin virtytet e bashkëpunimit dhe ndërveprimit tek shoqëria, dhe përhapen veset e vështira si smira, urrejtja, etj.. Së këndejmi, shoqëria humb fuqinë e zhvillimit te natyrshëm të saj, dhe shfaqen fenomenet destruktive siç janë humbja e respektit dhe solidaritetit, madje edhe me keq, shtohet injoranca, humbet dituria e mirëfilltë, e cila është rruga kyçe për zhvillimin e një shoqërie të caktuar.

Do të doja që te ju rikujtoj të gjithë besimtareve dhe të gjithë ligjëruesve fetarë para së gjithash, se respektimi i plotë dhe përkushtimi i sinqertë tek esenca dhe rëndësia e madhe e ditës se xhuma, do te ndikojë drejtë për së drejti tek ne si shoqëri. Andaj le te kthehemi te virtyti i saj i plotë, dhe kryerja si duhet e këtij obligimi esencial.



Autor: Imran RASIMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...