Namazi i Xhenazes
Mesele rreth namazit të xhenazës
Namazi i xhenazes për dallim nga namazet tjera, nuk përbëhet prej reqateve, por përbëhet prej katër tekbireve që sipas shkollës juridike hanefite konsiderohen rukne të namazit të xhenazes. Me nocionin "rukn" në shkencën e Usuli fikhut nënkuptohet: "Çështja prej së cilës varet ekzistimi i dispozitës dhe është pjesë përbërëse e veprimit".
Argument se namazi i xhenazes përbëhet prej katër tekbireve është transmetimi nga Imam Ebu Hanife, nga Hammadi, ky nga disa tabiinë, të cilët thonë se Omer b. Hatabi r.a. i ka mbledhur as'habët e Pejgamberit dhe i ka pyetur mbi tekbiret në namazin e xhenazes, e më pas u tha: "Verifikoni xhenazen e fundit që i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e ka falur, gjegjësisht sa tekbire ka bërë"? Ata verifikuan dhe gjetën se Pejgamberi Alejhis-selam ka bërë katër tekbire dhe ashtu mbeti deri në vdekjen e tij. Atëherë Omeri Radiall-llahu anhu u tha: 'Bëni nga katër tekbire'.
Nijeti i namazit të xhenazës
Falja e xhenazes sipas hanefijve, është si vijon: Imami qëndron para gjoksit të të vdekurit dhe bën nijet me këto fjalë: 'Vendosa që ta fali këtë namaz të xhenazes për hir të All-llahut, eda, u drejtova kah kibla (xhemati shton: iu drejtova këtij Imami)'.
Namazi xhenazes falet si vijon:
- Tekbiri Fillestar:
Më pas merr tekbirin fillestar i cili është rukn i namazit në të cilin ngrihen duart sikur në namazet e tjera, lidhen po ashtu sikur në namaz e pastaj këndohet lutja e cila në terminologjinë e fikut njihet me emrin "duau ethinai" e që është: Subhaneke All-llahume ve bi hamdike ve tebareke ismuke ve teala xhedduke ve xhel-le thenauke ve la i lahe gajruke, pra duke i shtuar fjalën "ve xhele-thenauke", e pastaj merr tekbirin e dytë, pa i ngritur duart.
- Tekbiri i dytë:
Pas tekbirit të dytë lexohen Salavatet Ibrahimije, (All-llahume sali allahume barik) e pastaj merr edhe tekbirin e tretë.
- Tekbiri i tretë:
Pas tekbirit të tretë lexon lutjen e të vdekurit, që është: "O Zoti ynë, fali të gjallët dhe të vdekurit tanë, ata që janë prezent dhe ata që nuk janë prezent, të mëdhenjtë dhe të vegjlit tanë, meshkujt dhe femrat tona. O Zot i ynë, fale atë (të vdekurin), mëshiroje atë, mbroje atë dhe fale nga dënimi, begatoje zbritjen (rënien) e tij në varr, zgjeroje hyrjen e tij, pastroje atë me ujë, bëje të pastër sikur bora dhe akulli, pastroje nga mëkatet ashtu siç pastrohen rrobet e bardha nga papastërtia, kompensoj me vendua-nimin më të dobishëm se sa vendbanimi i tij, me familje më të mirë se që e ka pasur, me një bashkëshort më të mirë se sa e ka pasur, fute në Xhennet dhe largoje-mbroje nga dënimi i varrit dhe dënimi i zjarrit".
- Tekbiri i katërt:
Pas tekbirit jepet selam në anën e djathtë, pastaj në anën e majtë dhe kryhet namazi i xhenazes.
Mos fol kotësi!
Gjatë përcjelljes së xhenazes nuk është mirë të bisedohet, por më mirë është të mendohet rreth vdekjes. Është sunnet që xhenazen ta bartin nga katër persona, e nëse është fëmijë, atëherë mund ta bartë edhe vetëm një person. Abdullah b. Mes'udi r.a. ka thënë: 'Sunnet është që ta mbash arkivolin (tabutin) nga katër anët, ndërsa çka bënë më shumë se kjo, ajo është nafile'. Gjatë përcjelljes së xhenazes është mekruh ngritja e zërit me lutje, dua apo edhe lexim të Kur'anit, andaj nëse bënë lutje duhet bërë në vete. Gjithashtu është mekruh llafosja gjatë përcjelljes së xhenazes.
Autor: Jusuf ZIMERI
_________________________
- Shkëput nga libri: "Fikhu Islam".