Myftiu Tërnava u flet nxënësve të Medresesë për Mevludin



Myftiu i Kosovës mr. Naim Tërnava me rastin e 12 rebiul evelit, në një takim që pati me nxënësit e medresesë më 5 mars 2010, u foli atyre për traditën e manifestimit të datëlindjes së pejgamberit tek ne.

"Të flasë për Medresenë është privilegj, të jesh nxënës në Medrese po ashtu është privilegj, ndërsa të shkruash për Medresenë përpos që është privilegj është edhe përgjegjësi" - u tha nxënësve në fillim të fjalës së tij, Myftiu Tërnava për të vazhduar:

"Të nderur nxënës e nxënëse!, Ju që keni fatin të jeni nxënës të Medresesë nuk dalloni diç nga kolegët tuaj në shkollat e mesme, me të vetmin ndryshim që ju këtu mësoni edhe për mësimet hyjnore, e më pas këto mësime ju do i përcillni tek masa e gjerë.
Jemi tubuar sot këtu për të kujtuar datëlindjen e pejgamberit, Muhamedit a.s..
Manifestimi i datëlindjes në forma të ndryshme e shënojnë myslimanët anë e kënd botës"
.

Ndërsa për traditën e festimit të datëlindjes së pejgamberit a.s. gjatë historisë ndër ne, Myftiu u shpreh:

"Tek ne tradita e manifestimi të datëlindjes së pejgamberit është e kamotshme, është manifestim i mishëruar me popullatën tonë, i cili datëlindjen e pejgamberit 12 rebiul evelit e ka shënuar dhe respektuar në mënyrën më të mirë. Për këtë qëllim ylemat tanë kanë krijuar vepra artistike, si në prozë ashtu edhe në poezi.
Tek ne është i njohur manifestimi i mevludit, qoftë si krijimtari, qoftë si manifestim. Një traditë e tillë duhet të vazhdoj sepse ajo shpreh përkushtimin e besimtarëve tanë ndaj pejgamberit, Muhamedit a.s."
.

Myftiu në fjalën e tij vlerësoj lartë organizmin e nxënësve të medresesë për datëlindjen e pejgamberit, përse tha: "Edhe aktivitetet tuaja për këtë ngjarje duhet parë në vazhdën e traditës së kamotshme, jam i impresionuar me organizmin tuaj për shënimin sa më madhështor të datëlindjes së pejgamberit a.s.. Puna juaj është për tu vlerësuar, përse u përgëzoj dhe u uroj suksese në jetën tuaj edhe në të ardhëm".



Përgatiti: BIK, mars 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...