Vënia e tabletës nën gjuhë dhe agjërimi
Para disa viteve pata dëgjuar një hoxhë (doktor i tefsirit) në njërën prej xhamive të qytetit tim duke thirrur nga qursija e tij me zë të lartë duke thënë se, vënia e tabletës (hapes) nën gjuhë nuk e prish agjërimin. Dje, të njëjtën përgjigje e dëgjova edhe nga një doktor i nderuar hanefi, të cilin e dua, e nderoj dhe e respektoj pa masë. Mirëpo dashuria është diçka tjetër dhe përgjigja në përputhje me rregullat e medhhebit hanefi dhe ulemave të tij është diçka tjetër.
Tani, sa është në rregull kjo përgjigje e lartpërmendur?
Fakihu, urtari dhe shqiptari i madh i Damaskut, shejh Vehbi Sulejman Gavoxhi në librin e tij të shkëlqyer të fikhut hanefi me titull "El-Kafi" përgjigjet kështu:
"Njeriu i sëmurë me sëmundje zemre që ka shtrëngime gjoksi e merr një tabletë të caktuar nën gjuhë, e cila tabletë pas një kohe shkrihet dhe me këtë kalon dhimbja e gjoksit, tani nëse këtë gjë e bën agjëruesi a mbetet akoma agjërues"?
Përgjigja: "Nëse tableta shpërbëhet derisa shkrihet dhe depërton në brendësi kështu kjo gjë është prishëse e agjërimit. Kjo është e njëjtë si ai që merr një kokërr sheqeri dhe e shkrinë (e tret) në gjakun e tij, edhe pse ai nuk e ha atë, agjërimi njëzëri i prishet".
Me pak fjalë, këta dy persona (shejhu më herët flet edhe për një të sëmurë tjetër, shën. i përkth.) janë njerëz të sëmurë, të cilëve Ligjvënësi ua lejon prishjen e agjërimit për shkak të sëmundjes, andaj le të mos bëjnë aventura duke bërë këtë gjë dhe në të njëjtën kohë të mendojnë se janë agjërueshëm duke u bazuar në fjalën e dikujt.
Ruajtja në fe është hak. Allahu e di më së miri.
El-Kafi fi el-Fikhi el-Hanefi, vol. II, fq. 644.
Vënia e tabletës nën gjuhë e prish agjërimin edhe sipas shejh Nidal Aleh Rashit, i cili është fakih, usuliust dhe alim me kuptimin e plotë të fjalës si dhe njëri prej myftilerëve më të mëdhenj hanefi të kohës. Pastaj këtë qëndrim e ka edhe prof. dr. shejh Ahmed El-Haxhi El-Kurdi el-Hanefi, që është fekih i madh hanefi dhe njëri ndër ekspertët kryesor të Enciklopedisë Kuvajtiane të Fikhut.
Fetfatë e këtyre dy hanefinjëve të mëdhenj nuk i shtova në tekst edhe pse i kam të përkthyera, ngase neve shqiptarëve mysliman na mjafton përgjigja e shejh Gavoxhit, fekihut më të madh hanefi që e kemi pasur në shekullin e fundit.
Autor: Hazir SELMANI


