Vendimi në prag të Ramazanit



Porsa dola nga xhamia, mbas namazit të drekës, kur qe Hakiu përballë, shoku im i fëmijërisë ... Edhe ai dilte nga mejtepi i xhamisë, ku zhvillojnë mësime disa paralele të një shkolle të mesme të qytetit. Hakiu në mejtep jep lëndën e pedagogjisë, pra është pedagog. Kur ishte student qe dënuar për veprimtari "armiqësore", ishte anëtar i një grupi "marksist-leninist" - që përpiqej për çlirimin e Kosovës ... Edhe sot është si dikur, por është transformuar, por ka mbetur ende ateist! Mbasi më përshëndeti me tungjatjeta, më pyeti si me tallje:

- Kur është Ramazani? Ne po hyjmë në Evropë, ju kur po hyni në Ramazan? Pa ia përfillur talljen dhe pyetjet aq përbuzëse, mbasi njiheshim moti, iu përgjegja me butësi:

- U afrua muaji i bekuar! Sa të duket Hëna e Re hyjmë në Ramazan!
- Pse e quan të bekuar këtë muaj të huaj?! A mos në lidh me ndonjë ngjarje kombëtare?
- Është i bekuar, Haki i dashur, sepse në këtë muaj ka filluar të zbresë e Vërteta!
- Po ç'është e vërteta? Ku gjendet? A ekziston? Shkencërisht dihet se çdo gjë është relative! Kështu pyeste dhe u përgjigj vetë shoku im ateist, por pedagog ...! Hëëë, ç'thua ti?
- Haki i dashur, - i thashë i qetë. - Përpjekjet njerëzore nuk kanë pasur sukses në gjetjen e së vërtetës, megjithëse i kushtuan shumë punë, energji e mund gjatë gjithë jetës!

Demokriti, që nderohej si më i madhi i filozofëve të lashtë, tha:

"E vërteta është varrosur thellë ... Ne nuk dimë asgjë me siguri". Parmenidi, që është konsideruar si Ati i metafizikës evropiane, besonte se "njohuria e vërtetë është e paarritshme". Sokrati, më i nderuari prej të gjithëve, tha se:

"Gjithçka që dinte, ishte se nuk dinte asgjë". E sheh, pra, kur nuk e gjetën alamet filozofë evropianë të vërtetën, ku e gjetët ju muslimanët?! A mos e gjetët në Azi?

- Të lutem edhe pak durim, Haki i dashur, sabër edhe pak! E mora me të mirë ...!
- Vazhdoni, fol, fol, - më tha me shumë nervozizëm ...
- Për dallim nga filozofia e lashtë, Haki i dashur, filozofia e kohës së re është me karakter racional. Arsyeja pranohet si burim i parë dhe më i lartë i së vërtetës.

Francis Bekon-i (1561-1626), themelues i shkencës moderne, pohoi:

"E vërteta gjendet në filozofi dhe se filozofia është depo e së vërtetës, por njohja më e thellë e filozofisë, pat thënë Bekoni, na kthen përsëri te religjioni ...".

E citova Bekonin, jo vetëm pse fjalët e tij kanë rëndësi të përhershme, por për simpatinë që ka ndaj evropianëve, mikut tim ateist dhe për t'ia zgjuar dëshirën për besim. Religjioni ka për bazë, fundament, Librin Hyjnor, shpalljen ose Zbulesën Hyjnore.

Pikërisht në muajin Ramazan filloi Shpallja e Fundit e Plotësuar e Përsosur e Zbulimit Hyjnor. Pra, filloi të zbresë Kur'ani, i frymëzuar nga shpirti i shenjtë, Besnik, nëpërmjet Muhammedit (a.s.).

Muhammedi (a.s.) është i Dërguari, i Zgjedhuri i fundit nga Perëndia për të shpallur, udhëhequr e sqaruar rrugën e drejtë mbarë njerëzimit. Kjo argumentohet me Fjalën e All-llahut, i Cili urdhëron e thotë:

"Muaji i Ramazanit, që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë ...", (2:185).
"... iu shpallë Muhammedit, e ajo është e vërteta prej Zotit ...", (47:2).

- Kur'ani dhe Qitapi a janë një dhe ç'kuptim kanë në gjuhën shqipe?
- Po, një janë. Kur'an d.m.th. lexim, këndim, recitim dhe Kur'ani është libri më i lexuar në botë! Qitapi rrjedh nga fjala El-Kitab që ka kuptimin: Një shkrim i kompletuar! Kur'ani, mik i dashur, ka mbi tridhjetë emra dhe çdo emër ka kuptim të veçantë, sepse pasqyron diçka të veçantë!
- Më tregoni ju lutem disa emra të Kur'anit dhe kuptimin e tyre, - më tha Hakiu, por tani me zë të butë e me sy pak të përlotur!
- Kur'ani quhet Furkan (25:1), që d.m.th. Dallues i së Vërtetës nga rrena, mashtrimi.

Kur'ani quhet:

Dhikër (15:9) - Përkujtues për njerëzimin ...
Shifa (10:57) - Një libër që të Shëron ...
Huda (73:13) - Një libër që të Drejton, Udhëzon ...
Hikmet (17:39) - Një libër që të sjellë Dituri, Urtësi ...
Tenzil (26:192) - Një libër i Zbuluar, Zbulesë Hyjnore ...
Rahmet (2:105) - Një libër Mëshirues ...
Ruh (2:52) - Një libër që i jep Shpirt jetës njerëzore ...
Hair (3:103) - Një libër që të dhuron Mirësinë ...
Bejan (3:137) - Një libër Shpjegues, Sqarues ...
Ni'met (93:11) - Një libër që të sjellë Begati, Dhunti ...
Nur (7:157) - Një libër plot Dritë, por që nuk shuhet ...
Hakk (17:81) - Një libër i Vërtetë, nga e Vërteta, Zoti ...
Mexhid (50:1) - Një libër i Madhërueshëm, nga i Madhërueshmi ...
Mubarek (6:93) - Një libër që kush e lexon e Bekon ...

Këta janë vetëm disa nga emrat e Kur'anit, Haki i dashur, dhe kuptimi i tyre në gjuhën tonë të ëmbël! Me pak fjalë, këtu gjendet e Vërteta e Perëndisë, që filloi të shpallet në Ramazan e që përkujtohet me agjërim gjatë muajit të bekuar.

Muslimanët, që janë besimtarë të sinqertë, të devotshëm në Kur'an bazohen dhe jo në besëtytni e kulte të rrejshme, në ideologji të ndryshme mashtruese ...

Kur'ani, po të lexohet me vëmendje, të kuptohet drejt e të zbatohet në jetën praktike, në të gjitha fushat e saj, na fuqizon, na mbush me shpresë aq sa na jep mundësi të qëndrojmë të vendosur, të pathyeshëm në çdo sprovë të jetës, nga çdo armik. Kush është më i nevojshëm se Shqiptari, që është i masakruar, i dëshpëruar, i hutuar, i fyer, i lodhur nga premtimet e thata, herë nga Lindja dhe tani nga Perëndimi, që të kthehet nga e Vërteta, nga Zoti, se pa Liri Shpirtërore nuk vjen asnjë liri tjetër ...

Me sy të përlotur, miku im ateist, Hakiu, më përqafoi përmallshëm, më shtrëngoj fort me të dy duart dorën time, duke më thënë:

- Më fal, ma bëni hallall! Deri sot kam menduar e jetuar si shqiptar! Prej sot, ja këtu ndër xhami, po marr vendim: jam shqiptar besimtar! Do ta lexoj Kur'anin e po vendosi që ta agjëroj edhe Ramazanin!

Fjalët e mikut pedagog, atdhetar, tani edhe besimtar, më prekën thellë, nuk munda të përmbahem, m'u mbushën sytë me lot ...

Vendimi i mikut tim më preku thellë, diçka të tillë kurrë s'kisha përjetuar, por më hapi edhe horizonte të reja në besim, në prag të muajit të bekuar, Ramazanit ...!

Hakiut, më në fund, i thashë:

- Emri yt në gjuhën shqipe do të thotë "i vërtetë"! Nga zemra të uroj dhe të përgëzoj që e gjetët të Vërtetën! E vërteta vjen nga Zoti dhe Atij i lutemi që të na udhëzojë. Amin! Ashtu u bëftë!

E lamë të takohemi të nesërmen dhe u ndamë, duke u përshëndetur me Selam! Kur don All-llahu çdo gjë bëhet ...!

Për mua, ky Ramazan do të jetë i veçantë, dhashtë Zoti edhe për të gjithë besimtarët vullnetmirë ...!



Autor: Mexhid YVEJSI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...