Ramazani në traditën shqiptare
Çfarë nënkupton tradita dhe zakoni në historinë shqiptare?
Historia shqiptare në të vërtetë nuk përfshin vetëm të dhënat historike të hapësirës gjeografike mbi të cilën gjenden të gjitha territoret shqiptare por edhe hapësirat e tjera të banuara nga shqiptarët e që kanë kaluar duke emigruar jashtë kufijve të viseve iliro-shqiptare, që dikur në suazat e Sulltanatit Osman kanë krijuar një tërësi.
Viset e banuara me shqiptarë kanë pasur traditë të njëjtë, duke dalluar pak më pak kuptohet nga vendet e afërta në mes vete, dhe pak më shumë në mes krahinave më të largëta.
Tradita është vepër që është e pranuar njëzëri nga i gjithë populli dhe veprohet në të njëjtën kohë. Adeti-zakoni nënkupton veprat që i përsërit dhe trashëgon brez pas brezi një person apo një popull. Nëse një shoqëri vazhdon ta punojë vazhdimisht një vepër duke e rikthyer atë në adet, ajo vepër tashmë shndërrohet në traditë. Edhe pse ndoshta ndryshon koncepti i fjalëve adet dhe traditë, në të vërtetë ato posedojnë kuptim të njëjtë. Prandaj tradita dhe zakoni nuk kanë shumë dallim në kuptimin mes tyre.
Çfarë nënkupton tradita në Islam?
Katër imamët: Imam Ebu Hanife, Imam Shafiu, Imam Maliku dhe Imam Ahmed ibn Hambeli përfaqësojnë mendimin se tradita është një zakon i cili pranohet nga i gjithë populli dhe zbatohet nga të gjithë. Ndërsa adeti (zakoni) është vepër e cila përsëritet nga individët dhe shoqëria në përgjithësi. Nëse një shoqëri e bën adet një vepër dhe ajo veprohet vazhdimisht, atëherë ky zakon shndërrohet në traditë. Edhe pse zakoni dhe tradita kanë koncepte të ndryshme ato sërish kanë bërthamë të njëjtë.
Edhe dijetarët hanefij edhe ata malikij traditën e marrin si argument dhe e pranojnë si bazë në shkencën e Usuli Fikhut. [1] Dijetarët malikij i japin traditës një vend më të respektuar se sa hanefinjtë, sepse në Fikhun Maliki si argument bazë merret Mesalihu, e që s'ka dyshim se duhet pasur kujdes edhe në traditë. Tradita radhitet si një nga llojet e maslahat-it, fakihu nuk mundet ta anashkalojë atë, por duhet ta marrë edhe këtë parasysh.
Sipas dijetarëve malikij, kijasi (analogjia) e cila has në kundërshtim me traditën duhet të refuzohet. Kurtubiu në kapitullin e istihsan-it thotë: "Të refuzuarit e kijasit (analogjisë) për shkak të traditës nënkupton se ky është një lloj i tij, d.m.th. i istihsan-it".
Nga kjo shihet se edhe dijetarët shafi'ij e vlerësojnë traditën kur nuk ka argument. Sepse dispozita e traditës është e shquar, e përhapur dhe e arritshme. Njerëzit i përmbahen asaj duke e vepruar si një lloj shprehie, kuptohet nëse nuk ka ndonjë argument që e ndalon këtë traditë, dhe të vepruarit sipas saj nuk paraqet ndonjë ndalesë. Bile kur nuk ka ndonjë argument ndalues ai duhet marrë parasysh. Ibni Haxheri thotë: "Tradita e cila nuk e kundërshton argumentin, nënkupton zbatimin e saj, ose vazhdimin e veprimit të saj".
Prandaj, sipas mbështetjes së fukahave traditën e ndajmë në tri lloje:
1. Tradita të cilën e mbështesin të gjithë fukahatë, kjo është tradita e cila është në përputhje me argumentin (nass), prandaj edhe merret parasysh sepse ka pajtueshmëri mes tyre.
2. Tradita e cila është e ndaluar sipas argumentit (nass), ose tradita e cila bie në kundërshtim me vaxhibin (detyrat e Allahut). Kjo traditë sipas ixhma-it (konsensusit) nuk është e vlefshme dhe nuk merret parasysh. Ajo është një traditë e shkatërruar (fasid), e cila duhet ndaluar së zbatuari nga opinioni. Nëse zhduket një traditë e tillë shkatërruese i ndihmohet të mirës (hajrit) dhe devotshmërisë (takva). Nëse heshtet në këtë rast është njësoj sikur të heqësh dorë nga urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja (El-emru bil ma'ruf ven-nehju anil munker). Nëse pëlqehet një traditë në kundërshtim me argumentin simbolizon ndihmë ndaj gjynahut (ithm) dhe së keqes (ma'sijeh).
Kur kemi të bëjmë me traditën (urf) që nuk është e ndaluar me argument (nass), dijetarët hanefij dhe malikij e marrin këtë dhe e llogarisin si një bazë të ndarë (mustakil). Sipas hanefive, tradita e përgjithësuar (urful umumijj) të përgjithshmen (A-amm) e bën të veçantë (tahsis), ndërsa të patjetërsueshmen (mutlak) e bën të rregullt (takjid). Tradita është bazë ose mbështetje (terxhih) në analogji (kijas). Gjithashtu edhe sipas malikive, tradita (urf) të përgjithshmen (A-amm) e bën të veçantë (tahsis), ndërsa të patjetërsueshmen (mutlak) e bën të rregullt (takjid). Tradita është një lloj (nev') i maslahat-it.
Imam Gazaliu në librin e tij të quajtur "Muslesfa" thotë kështu: "Tradita dhe zakoni janë dy gjëra të cilat janë vendosur në zemër me anë të direktivave të mendjes, ajo është një gjë që e pranon natyra e shëndoshë. Ndërsa shpjegimi i saj në të shkruar nënkupton: "Adet domethënë përsëritja e një gjëje gjatë gjithë kohës". Mbi çështjen e traditës në librin e tij voluminoz, fakihologu i madh Ibn Abidini, thotë: "Kur adeti vazhdon e qëndron gjatë pra duke u përsëritur vazhdimisht vendoset në zemrat e njerëzve dhe bëhet i pranuar në mesin e tyre, dhe sipas kuptimit terminologjik tradita dhe adeti kanë kuptim të njëjtë".
Pra, sipas fukahave-ekspertëve të jurisprudencës islame tradita dhe adeti kanë kuptim të njëjtë, edhe nëse kanë koncepte të ndryshme, ato posedojnë kuptim të njëjtë.
Parapërgatitja për Ramazanin sipas traditës islamo-shqiptare
Shtrohet pyetja: "Si pritet muaji i bereqetit, mëshirës (rahmetit), pra Ramazani sipas traditave shqiptare, cilat janë parapërgatitjet për këtë muaj"?
Në të kaluarën në këto troje në kohën e iftarit kërciste topi. Në kohën e iftarit sërish binin daullet për t'i përkujtuar njerëzit se është koha e iftarit, ndërsa në kohën e syfyrit gjithashtu i bihej daulleve nëpër rrugët e qytetit dhe fshatrave, e njëkohësisht këndohej edhe me këngë: "Zgjohuni për syfyr", ku zakonisht merreshin emrat e fëmijëve dhe këndoheshin në formë poezie. Daulleve u binin kryesisht jevgjit, që pastaj në ditën e Fitër-Bajramit kërkonin kompensimin apo shpërblimin e kryerjes së kësaj detyre. Në derë vinin e këndonin sërish fëmijët por duke ia bërë të ditur të zotit të shtëpisë se duhej larë borxhi (haku) i tyre. Këto parapërgatitje fillonin qysh herët, madje muaj më parë.
Sa i përket shtëpisë përgatitja e saj fillonte madje një muaj më herët, laheshin rrobat në përgjithësi duke filluar nga kostumet e deri te rrobat e brendshme, hekurosej deri në gjënë më të vogël, fërkoheshin dërrasat e shtëpive, pastroheshin me përpikëri shtëpitë, qilarët (kthinat ku mbaheshin ushqimet për t'u mos u prishur), kontrolloheshin edhe një herë në detaje, hapeshin raftet që ekzistonin në to për t'u radhitur ushqimet që përgatiteshin për iftar dhe syfyr, pazari kryhej herët d.m.th. malli blihej me shumicë për gjithë muajin e Ramazanit, gjërat e shqepura dhe gjithçka që kishte nevojë të qepej, qepej dhe rregullohej qysh më parë. Kur bëjmë fjalë për qilarët (kthinat e ndërtuara me gurë jashtë shtëpisë), [2] duhet të dimë se gjyshet tona madje edhe nënat fillonin pastrimin e tyre qysh herët, sepse kjo pjesë ishte pjesa më e vështirë për t'u pastruar, bile shumë më e vështirë dhe më e komplikuar se e gjithë shtëpia.
Depoja e ushqimeve ishte dhoma ku ruheshin ushqimet e shumta në të cilën shpesh ngatërroheshin e humbnin sende, sepse dhoma e quajtur qilar ishte një lloj kuzhine e madhe pa fillim e pa mbarim, e tëra e ndërtuar nga guri, në të cilën kishte lloj-lloj gjërash.
Kjo ishte dhoma e ushqimit dhe e furnizimeve e cila e zëvendësonte kuzhinën e sotme, por kjo gjithmonë ishte e mbushur plot, gjërat ishin njëra mbi tjetrën, turrë, në formë pirgu, e që për pastrimin e saj nevojitej kohë dhe kujdes i madh. Qilari ishte një vend i shndërruar në depo të florës apo në një kopsht ku çdo gjë që të shkonte në mend mund të shkoje dhe ta merrje. Aq shumë përkujdeseshin pronarët që mos të harxhohen gjërat ushqimore saqë po të harxhohej një ushqim menjëherë do të vinte në vendin e tij ushqimi zëvendësues, sikur të ishte ndonjë dorë e shpejtë e cila kishte marifet (njohuri) që do t'i vendoste gjërat në vendin e duhur. Ushqimi dhe pijet thuajse çdo ditë e më shumë shtoheshin. Kjo i përkiste familjeve me të ardhura të mëdha ekonomiko-bujqësore, por edhe familjet e mesme dhe të varfëria përgatiteshin në maksimum që gjatë këtij muaji madhështor të mos iu mungonte asgjë.
Po të kthehemi dhe të analizojmë përgatitjen për muajin Ramazan të një familje me kushte të mesme ekonomike, do të mund të shohim edhe këtu se kuzhina e tyre do të pastrohej përfundimisht, duke marrë shkëlqim në të katër anët e saj. Sofra po ashtu do të lahej veçanërisht për këtë muaj, por edhe shtrojat (shiltet) që do të vihen në sofër, do të merreshin dhe do të pastroheshin, do të riparoheshin dhe nëse kishte nevojë do të ndërrohej pjesa e jashtme e tyre. Kompletet e mbulesave të fjetjes (çarçafët, jorganët dhe mbulesat e jastëkëve) laheshin, sexhadet (shtrojat) për namaz përtëriheshin, bile edhe për respekt ndaj Ramazanit shtoheshin edhe dy sexhade (shtroja për t'u falur) të reja gjatë këtij muaji të shenjtë. Të gjitha mbulesat dhe ndërresat e shtëpisë, ndërroheshin, laheshin dhe hekuroseshin duke u vendosur secila në vendin e tyre.
Këto parapërgatitje janë një pasqyrë se populli musliman shqiptar shfaqte pëlqim, mirëpritje, admirim, vlerësim dhe kujdes të posaçëm për këtë muaj madhështor. Këtë respekt të madh dhe të pakrahasueshëm nuk mund ta gëzonte asnjë mysafir dhe rob tjetër, madje edhe nëse do të vinte nga skaji i botës.
Nuk është i kotë i gjithë ky respekt dhe vlerësim ndaj muajit të shenjtë të Ramazanit, kjo popullatë përgatitej në këtë mënyrë me seriozitet që kishin për qëllim shumëfishimin e sevabeve dhe vlerësimin e tij, sepse është një muaj që ditët dhe netët e tij kanë një mëshirë dhe shpërblim të veçantë.
Ka edhe disa gjëra të tjera që populli shqiptar duhet t'i kryejë para se të vijë Ramazani, aty bën pjesë përgatitja shpirtërore dhe fizike. Ashtu siç përgatitemi kur duam të dalim para audiencës, në këtë rast mundohemi që mos të jemi të mangët në asnjë aspekt, ose kur shkojmë në ndonjë tubim gjithashtu nuk mbajmë rrobat e shtëpisë, por kemi rroba të veçanta për atë takim. Edhe kur shkojmë natën për të fjetur përgatitemi, dhe veshim rrobat e fjetjes, por edhe gjatë ditës kemi rrobat e ditës, ndërsa në mëngjes kur zgjohemi bëhemi gati për në punë dhe për rrugë njëkohësisht kemi rroba të tjera. Kur falim namaz duhet që së pari të marrim abdes, pastaj të fillojmë të falim namazin. [3] Natyrisht edhe para ardhjes së këtij muaji madhështor ky popull i fillonte përgatitjet për këtë muaj qofshin njerëzore që kanë të bëjnë me këtë botë por edhe ato islame që kanë të bëjnë me botën tjetër (Ahiretin) dhe me shpirtin (ruh). [4]
Është një karakteristikë shumë e veçantë për këtë popull se me ardhjen e muajit të Ramazanit, bile qysh me ardhjen e muajit Rexheb dhe Sha'ban (muajve të mëdhenj), populli fillonte dhe largohej nga gjynahet, si për shembull burrat largoheshin nga pijet alkoolike, ndërsa e gjithë popullata pa marrë parasysh gjininë e tyre mundohej që të eliminonte mangësitë ose gjynahet edhe më të vogla që i kryente më parë, duke u penduar dhe dorëzuar me një dorëzim të plotë tek Allahu i Madhëruar. Kjo quhet pendim i sinqertë (teubeten nesuhaten). [5] Edhe pse ndoshta nuk do të largoheshin përgjithmonë nga një veprim i tillë i mëkateve, në shumicën e rasteve ndodhte që edhe pas kalimit të Ramazanit të mos e përsërisnin gjynahun që kishin bërë deri atë ditë. Kjo ishte një mundësi e konvertimit të jetës nga ana e tyre dhe vendosjes së një planprogrami të ri jetësor. Nëse kemi persona me të cilët në të kaluarën kemi pasur mosmarrëveshje, me ata duhet medoemos që të ndërhyhej për ndreqjen e marrëdhënieve. Kjo i shtynte të vepronin në këtë mënyrë sepse ishin fjalët që kurrë nuk i harronin, pra fjalët e Allahut dhe të Pejgamberit të Tij që rekomandonin duke thënë se: "Bukuria e ibadeteve humbet nëse ato kryhen kur personi vazhdon të jetë i hidhëruar dhe me marrëdhënie të ndërprera me të tjerët".
Ky popull më shumë se në çdo kohë tjetër në kohën e Ramazanit afrohej tek Allahu, duke e përmendur Atë, duke u larguar nga gjërat që janë në kundërshtim me Sheriatin dhe duke vepruar vepra të tjera të rëndësishme, duke i lënë në një qoshe veprat e këqija, e gjithnjë duke u afruar më shumë afër porosive të muajit të Kur'anit, mëshirës (rahmetit) dhe bereqetit. Sjelljet janë pasqyrë e shpirtit, prandaj populli shqiptar kishte një shpirt të lidhur me Allahun i cili me sjellje manifestonte dhe shfaqte brendinë e sekretit të zemrës, sepse agjërimi është vepër që në të nuk ka hipokrizi (rija'), ashtu siç thotë Pejgamberi a.s.: "Agjërimi nuk ka hipokrizi (rija')", prandaj Allahu na premton shpërblim të shumëfishtë duke na dhënë sihariq me fjalët: "Agjërimi është për Mua dhe Unë e shpërblej robin aq sa dua".
Kuptohet se kishte grupe të mëdha njerëzish që nuk e kalonin vetëm Ramazanin në formë të tillë por tërë jetën e tyre në përpikëri me rregullat e Sheriatit Islam, duke e rikthyer një jetë të tërë në atmosferë Ramazani dhe të tre muajve, duke mos vepruar asnjëherë punë dhe vepra të kota, duke pretenduar gjithmonë largimin nga fjalët e kota.
Në muajin Ramazan fytyrat e njerëzve shndërroheshin në fytyra që vazhdimisht përuleshin nëpër sexhade duke i bërë sexhde Allahut, ndërsa zemrat drejtoheshin me një drejtim të drejtpërdrejtë tek Allahu, duke larguar edhe grimcën më të vogël të urrejtjes, shpërfilljes, xhelozisë dhe cilësive që të çojnë në shkatërrim.
Populli ishte i frymëzuar shumë në këtë muaj me fjalë hyjnore, mundohej që punën e sotme të mos e shtyjë për nesër por të vraponte një ditë e më parë pas të mirave, sepse nuk e dinte se në ç'vend dhe kur do të vinte fundi i jetës së tij.
Edhe dora e ndihmës shtrihej shumë në këtë muaj duke i ndihmuar me furnizim të ngratët, jetimët, të varfrit, skamnorët dhe ata pa përkrahje, duke u mbështetur në thënien e Pejgamberit a.s.: "Më e vlefshme është dora e cila jep sesa dora e cila merr". Andaj Ramazani ishte një rast ideal, muaj i shndërruar në flijim ndaj shtresës së mjerë.
Ky popull mbase ishte i frymëzuar edhe nga fjalët e Hazreti Mevlanas (Xhelaluddin Er-Rumiut), i cili para shumë shekujve kishte thirrur në këtë mënyrë: "O besimtar, mos thuaj nesër, sa shumë të nesërme kaluan. Punën dhe detyrën kryeje me kohë që mos të vijë e të kalojë koha e të korrurave nga fillimi e deri në fund. O udhëtar, ec dhe marsho me dashurinë ndaj Allahut, shfaq durim në rrugën e Allahut, sepse koha po kalon. Dielli i kësaj jete është afruar në moçalin e vdekjes". [6]
Autor: Dr. Hatixhe AHMEDI
_________________________
[1] - Shkenca e cila studion bazat e Fikhut (Jurisprudencës Islame).
[2] - Vend i ndarë në pjesën e poshtme të shtëpisë, tërësisht a pjesërisht nën tokë, ku mbahen ushqimet në të ftohtë për të mos u prishur, zakonisht mbahej bulmeti dhe prodhimet e tij. Shpesh në popullatë e hasim fjalën qilari i bulmetit.
[3] - Tahir Büyükkörükç: "Mübarek Ramazan ve Oruç", botuar në Konja-Turqi, 1961, f. 17-2.
[4] - Deklaratë gojore nga grupe të ndryshme njerëzish.
[5] - Deklaratë gojore nga njerëz të ndryshëm.
[6] - Abdülkadir Süphandağı: "Allah Dostlarından Ramazan Hatıraları", botim i Timaş, 2006, f. 52.