Ramazani - dhuratë e Zotit për ne



Ne kemi ardhur nga një kohë e pafundme, do të kalojmë këtë përvojë dhe do të kthehemi në një kohë të pafundme. Kur Allahu përshkruan Veten, thotë se asgjë në këtë krijim nuk e ngre apo e ul Atë. Ai i dërgon shpirtrat në zjarr dhe nuk dëmtohet. Ai i dërgon shpirtrat në parajsë dhe kjo nuk ndikon tek Ai. Ai është Allahu, dhe nuk ka nevojë për asgjë.

Nga dashuria e Tij, ai e shfaqi këtë krijim që të njihet dhe të adhurohet. Ai mblodhi shpirtrat e të gjitha krijesave dhe i pyeti nëse Ai ishte Zoti i tyre. Ata të gjithë u përgjigjën "Po"! Kjo gjë është ngulitur në çdo qenie të gjallë.

Çdo ruh është i mbuluar me nefs dhe nëpërmjet zemrës (pasqyrës) pasqyron botën rreth nesh. Drejtoje zemrën (pasqyrën) drejt asaj që ushqen dijeninë (për ekzistencën e Zotit) dhe urdhëroje ta "njohë Zotin" dhe ajo do të shndrijë me dritën e kësaj përmbushjeje. Drejtoje zemrën (pasqyrën) drejt asaj që e largon nga pranimi i ekzistencës së Zotit dhe do të vuajë në errësirë dhe në rrugë të gabuar. Zemra nga natyra e saj është shumë e gjerë, mund të kalosh një përjetësi duke e mbushur me kënaqësitë dhe argëtimet e kësaj bote dhe përsëri nuk do të jesh i kënaqur. Zemra është bërë, që të përmbajë vetëm dritën e Allahut, prandaj është pikërisht zemra organi kryesor ku Allahu e bën veten të njohur.

Allahu me bujarinë e tij të madhe dhe të pamasë e ka pajisur njerëzimin me mjetet për të përmbushur qëllimin e Tij, duke e shpallur mëkëmbësin e Tij në këtë botë.

Islami është mjeti i dhënë dhe artikulimi i qartë dhe universal i rrugës për të përmbushur dashurinë e Tij, që Ai të njihet dhe të adhurohet.

Në muajin e Ramazanit Allahu e ushqen njeriun së brendshmi dhe së jashtmi. Ai i jep atij mjetet për të kuptuar fuqinë e Tij dhe përfshirjen e plotë të të gjithë çështjes sonë.

Allahu e krijoi botën mbi një themel të dyfishtë, që përshkon çdo përvojë dhe mundësi.

Ndërsa zhvillohemi si qenie njerëzore, ekzistojnë aspekte të përqendruara të energjive themelore të natyrës sonë, që përbëjnë dhe luajnë një rol madhor në jetët tona. Ato bazohen në ligjin universal të dualizmit. Kjo dinamikë universale e shpreh veten në përvojën tonë njerëzore në shumë mënyra. Mënyra kryesore, me të cilën përjetojmë natyrën e dyfishtë të gjërave, është nëpërmjet shtytjes dhe tërheqjes.

Që para se të lindim, përjetojmë shtytje dhe tërheqje. Mpihemi, lëvizim. Lodhemi, flemë gjumë. Kemi uri, kërkojmë ushqim. Ndërsa zhvillohemi nga lindja në fëmijëri, këto dëshira dhe vendimet e tyre ndërlikohen në një personalitet shumë të zhvilluar të quajtur "unë". Secili prej nesh zhvillohet në mënyra të ndryshme, por baza është e njëjtë për të gjithë ne. Për shumicën prej nesh, mënyra si plotësohen këto tërheqje dhe zmbrapsje bazë, ka rezultuar në njollosjen e vetëdijes (që e ka çdo njeri) për të zbuluar sundimin e Tij. Kështu që hëngrëm, të shtyrë nga uria, duke kërkuar përmbushjen (tërheqjen) me një ushqim që mund të jetë ose jo më i miri për ne. Këtu nevojiten mësimet e urta të Islamit për të bërë zgjedhjen e duhur, por kur jemi fëmijë dhe më vonë të rritur nuk na jepet gjithmonë më e mira dhe as ne nuk zgjedhim më të mirën. Rezultati i gjatë i këtyre zgjedhjeve dhe ekspozimeve të pakontrolluara ndikon në zhvillimin tonë, të shëndetit ose sëmundjes.

Ramazani është kura për këto zhvillime. Ai i drejton këto energji themelore përtej asaj që na motivon. Këto janë gjumi, ushqimi, marrëdhëniet intime.

Gjatë Ramazanit zgjohemi atëherë kur duhet të jemi duke fjetur. Hamë në kohë jo të zakonta dhe kryejmë marrëdhënie intime atëherë kur lejohet, sipas mësimeve të urta të Ramazanit. Të gjitha këto qendra të energjive themelore ndikohen, duke bërë të mundur që modelet e vjetra dhe negative të prishen dhe të transformohen. Agjërimi i muajit të Ramazanit bën të mundur rindërtimin e këtyre energjive themelore, duke hapur një rrugë të re për shëndetin dhe mirëqenien e shpirtit.

Rezultati i natyrshëm i uljes së këtyre energjive themelore është se na bën më të ndjeshëm, të aftë për të perceptuar pa vështirësi natyrën e mprehtë të qenies tonë. Mos përmbushja e këtyre energjive të fuqishme themelore (duke agjëruar) na çliron që ta drejtojmë përqendrimin tonë në qëllimin e zemrës dhe të qenies. Është sikur na janë hequr nevojat trupore, duke sjellë përqendrimin tek nevojat e shpirtit, është në njëfarë mënyre një shembull i kuptimit të "La ilahe il Allah" (nuk ka Zot tjetër përveç Zotit). Rruga e oreksit të nefsit mbyllet dhe hapen rrugët e dritave ushqyese. Nga shtrëngimi vjen zgjerimi dhe duke praktikuar agjërimin, ngrihemi në një shkallë të lartë vetëdijeje.

Ramazani është një dhuratë e madhe dhe nëse hyn në të me qëllimin e agjërimit vetëm për hir të Allahut, do të shpërblehesh për atë që ke pasur për qëllim.



Autor: Haxh Mustafa Ali El-Haydari

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...