Ç'përfaqëson agjërimi në Islam?
Agjërimi është një prej shtyllave të Islamit, por edhe një parim universal i praktikuar edhe nga popujt e epokave të tjera historike. Këtë të vërtetë na e kumton Kur'ani i shenjtë: "O ju që keni besuar, agjërimi u bë obligim për ju ashtu siç ka qenë edhe për popujt e tjerë para jush".
Dy janë mesazhet kryesore që na vijnë nga ky ajet: 'së pari, agjërimi si ibadet është ligjëruar nga Kur'ani për besimtarët myslimanë, dhe, së dyti, me këtë adhurim kanë qenë të obliguar edhe popujt e kohërave të tjera para nesh'.
Nëse i hedhim një vështrim historik agjërimit vëmë re si ai është adoptuar nga popujt e lashtë: 'romakë, asirianë, babilonas, popujt e vjetër koptë të Egjiptit, etj.'. Gjithashtu agjërim mbanin edhe përfaqësues apo pasues të rrymave të ndryshme fetare si: 'hinduizmi, judaizmi, janiizmi, zoroastrizmi, etj.'. Madje edhe vetë profeti Musa a.s. thuhet se agjëroi 40 ditë para zbulesës hyjnore. Ndërsa sot, hebrenjtë agjërojnë një javë në shenjë përkujtimi ndaj shkatërrimit të Jeruzalemit. Ata agjërojnë gjithashtu një ditë në muajin gusht dhe për këtë thuhet se janë urdhëruar në Teurat.
Agjërimi më i vjetër i kristianëve, është ai që mbahet para pashkëve. Ky lloj agjërimi bie në të njëjtën kohë me agjërimin që mbajtën Musai dhe Isai a.s..
Indianët po ashtu kanë disa ditë të shenjta në të cilat agjërojnë.
I përmendëm këto si argumente, që vërtetojnë atë që u citua në fillim nga Kur'ani, se agjërimi ka qenë detyrim edhe për popujt e epokave të shkuara, por, ajo që vlen të theksohet dhe që përbën edhe objektin e këtij shkrimi, është fakti se, agjërimi i Ramazanit ndryshon në thelb nga agjërimet që përmendëm, madje në Islam agjërimi është një institucion i gjerë. Në Islam njihen disa lloje agjërimesh, por ai që dallon midis tyre është ai i Ramazanit.
Cilat janë dallimet që ekzistojnë ndërmjet agjërimeve të praktikuara nga popujt e lashtë, ose edhe të sotëm, me agjërimin e muajit të Ramazanit? Nga studimet e bëra del se, qëllimi i agjërimit në religjionet dhe kulturat e tjera ka qenë i pjesshëm. Agjërimi i tyre ka qenë i lidhur ose me qëllime shpirtërore, ose me nevoja fizike, apo me kultivime intelektuale, por, gjithsesi, këto lloj formash nuk kanë qenë polivalente. Në Islam agjërimi është një parim universal.
- Efekti i agjërimit është i gjithanshëm, përcaktues. Agjërimi i Ramazanit e aftëson besimtarin e besimtaren t'i nënshtrohet vullnetit hyjnor dhe të sjellë në ekuilibër raportet midis trupit dhe shpirtit, pra të vendosë një bashkekzistencë paqësore në këto raporte. Tre janë komponentët që vihen në provë gjatë muajit të agjërimit: 'prova fizike, dëshirat e ndjeshmërisë dhe ato materiale', nëse jemi të suksesshëm në përballimin e tyre, kalojmë provën dhe si rezultat kemi një person më të mirë brenda vetes, të formuar me devotshmëri e të përkushtuar ndaj Allahut xh.sh..
- Agjërimi në Islam është institucion i përmirësimit të karakterit moral e shpirtëror. Islami e ligjëroi agjërimin e Ramazanit dhe nuk e pa si privim ndaj ushqimit e disa kënaqësive të tjera, por e konsideroi si hap të parë të vetëtrajnimit, të pastrimit të shpirtit të besimtarit e të besimtares, të çlirimit të tyre nga pasionet e verbra, që janë larg frymës islame.
Ashtu siç ndodh në natyrë, që stinët sjellin lulëzimin e më pas frutat, ashtu edhe muaji i Ramazanit është koha më e përshtatshme për rritjen dhe lulëzimin e mirësisë, drejtësisë, bamirësisë e dhembshurisë.
Nëse do të shpreheshim në mënyrë të figurshme, do të thoshim se miliona e miliona besimtarë myslimanë, së bashku, gjatë këtij muaji, kultivojnë kopshtin e virtytit. Në këtë periudhë kohore, secili vë më mirë në eficencë punën e tij në përsosjen e cilësive morale islame, për të mos lejuar që në kopshtin e virtytit të mbijnë e hedhin rrënjë barërat e këqija, në mes të luleve e frutave që çdo besimtar i kultivon me përkushtim, në familje, shkollë dhe gjatë gjithë jetës në vazhdimësi.
- Agjërimi i Ramazanit formon besimtarin me një vetëdije të lartë, sepse agjëruesi e mban agjërimin e tij edhe brenda qenies së tij, edhe në publik. Njeriu, nëpërmjet agjërimit, mban lidhje të drejtpërdrejta me Krijuesin e tij dhe nuk ka asnjë autoritet a kontrollor që ta ruajë e ta mbikqyrë këtë ibadet. Agjërimi ikëtij muaji përbën aspektin më të lartë për të kultivuar një vetëdije të pastër.
- Agjërimi te besimtari inicion frymën shoqërore të unitetit dhe vëllazërimit, të barazisë para Zotit xh.sh. Kur agjëron, ai ndjen se i bashkëngjitet dhe shkrihet në shoqërinë islame, i përkushtohet kryerjes së detyrës së shenjtë në të njëjtën mënyrë, për motive e qëllime të njëjta. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë një periudhë historike që të mund të krahasohet me këtë institucion të fesë islame. Kjo praktikë unike adhurimi kultivon unitet, vëllazërim e barazi në komunitetin e mbarë botës islame.
- Agjërimi i Ramazanit e bën besimtarin të kontrollojë më mirë veten dhe të ushtrojë një komandë të plotë ndaj pasioneve. Me agjërimin, besimtari është në gjendje të sigurojë vetveten, të ruajë dinjitetin dhe integritetin e tij dhe të çlirohet nga kthetrat e së keqes. Kur e arrin këtë, ai ka vendosur paqe me vetveten.
Allahu i Madhëruar në këtë muaj dhuron mirësi të përgjithshme për besimtarët e përkushtuar, për të cilët në një sentencë profetike thuhet: "... (ata) që agjërojnë ramazanin me besim të plotë dhe të sigurt, do t'i falen mëkatet e mëparshme".
Për këta besimtarë e besimtare lutjet e drejtuara Allahut të madhëruar nuk do të kthehen mbrapsht. Ato janë të pranuara tek Ai.
Autor: Halit MUHARREMI