Vehabistët - ushtria përballë islamit tradicional
Pamjet e jashtme me mjekrra të gjata dhe pantallona të shkurtëra, zhdukja e pikturave murale me kompozimet islame nga muret e xhamisë së Jahja Pashës, predikimet e forta e me tone të larta, njerëzit që shihen të qetë por edhe të ashpër, janë pasqyra e besimtarëve mysliman që ngrisin zërin e tyre lartë dhe ftojnë për bashkangjitje në radhët e tyre të njohur si "selefistë" apo në popull edhe si "vahabistë".
Dy djemosha të veshur me stilin oriental dhe me mjekrra të gjata rrijnë afër xhamisë së Jahja Pashës në Shkup. Ata refuzuan të kthejnë përshëndetjen, kur i përshëndetëm me fjalën shqipe "mirëdita", ndërsa vetëm me gisht na orientuan që të marrim hollësi nga udhëheqësit e kësaj xhamie, që gjithashtu refuzuan kontaktet me ekipin e gazetarëve tanë.
Dhe pikërisht njohja me botën e të ashtuquajturëve "selefive" apo të njohur ndryshe në popull edhe si "vehabistë" e "mjekërroshë" është një zonë e ndaluar, nëse nuk bëhesh pjesë e kësaj armate që po ndërmerrë përmasa të gjëra në trojet dhe vendbanimet tona për të sfiduar islamin tradicional gjashtë shekullor.
Në shumë rrethe ata që thirren mes vete si "vëllezër", duken në pamje të qetë, të pranueshëm dhe të sinqertë, kryejnë punët e tyre të përditshme duke u marrë me profesione, ato që i kanë. Por nga ana tjetër, shpeshherë të ashpër, jotolerantë dhe të pathyeshëm në debate dhe të ashtuquajtura "mexhlise", ku janë të pranishëm hoxhallarët zyrtarë, që veprojnë konform BFIM-së dhe politikës së saj.
Si u zhdukë peisazhi islam në xhaminë e Jahja Pashës
Edhe përkundër ndalesës, ne vrojtuam xhaminë monumentale historike "Jahja Pasha" që daton nga viti 1504 dhe që është një nga më të bukurat në Ballkan. Ajo është vënë nën udhëheqjen e "selefive", pasi në pamje dominon rryma e tyre.
Në këtë xhami, një rast i fundit është vlerësuar tejet tronditës për besimtarët mysliman, pasi që nëpërmjet një aksion të ndërmarrë nga "selefitë" dhe imami i kësaj xhamie, janë lyer të gjitha muret dhe janë zhdukur pikturat murale dhe kompozimet me temë peisazhin arkitekturor islam në teknikën e kohës kur është ndërtuar. Gazeta "24 orë" ditën e shtunë pas namazit të drekës ka kërkuar të marrë sqarime nga udhëheqësit e kësaj xhamie, mirëpo ka qenë e pamundur të investigohet ky rast.
Aktin e lyerjes së xhamisë e ka konfirmuar një pjesë e madhe e xhematit të kësaj xhamie. "E kanë lyer, e kanë lyer", thotë i revoltuar një besimtar i cili dëshiron të mbetet anonimin shkaku i evitimin të përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve me të ashtuquajturit vehabistët.
Predikimet me tone të forta
Predikimet nga teologët "selefi" janë shumë të forta, ato bazohen në principet dhe përmbajtjet kuranore, që e ftojnë besimtarin të përmbush rregullat strikte që ofron feja islame. Në predikimet e kësaj kategorie të teologëve ndeshet hapur lufta e Perendimit me Lindjen, kërkohet respektimi i denjë i Kuranit nga besimtarët, por nuk shpëtojnë thirrjet për armiqësi me botën perendimore, Evropën, SHBA-të, edhe pse këto vende në aspektin kombëtar konsiderohen si kontribuesit kryesor.
"Amerikanët janë xhahil, ata do të digjen në xhehnem. O besimtarë ruani veten nga ta" , është një citat nga një predikim i një teologu në youtube, i cili gjithashtu nga pamja e tij tregon se i takon grupit të të ashtuquajturëve "selefi".
Por rrënqethëse janë për shumë familje shqiptare edhe predikimet që kanë të bëjnë me gruan shqiptare, ku poashtu një teolog i mirënjohur në këto treva dhe së fundi që shfaqet në ekranet e disa televizioneve lokale ku bëjnë thirrje me tone të larta se "ato gra që nuk janë të mbuluara, do të mbulohen me zjarrin e xhehnemit". Janë edhe predikime të tjera të ndryshme, që këto teologë i bazojnë gjithnjë në thënie të nxjerrura nga Kurani famëlartë. Një pronarë i një televizioni lokal thekson se është i detyruar të jap këto predikime të këtyre teologëve që janë disqe DVD, për shkak se janë të paguara mirë.
Imamët e xhamive i shohin me sy të keq
Bashkësia Islame Fetare e Maqedonisë (BFIM) është e prerë dhe e qartë rreth kushtetutshmërisë së saj për organizimit të jetës fetare të myslimanëve në Maqedoni. Drejtues të këtij institucioni theksojnë se në zbatimin e detyrave islame, në fushën e ibadeteve aplikohet shkolla fetare "hanefite". Ata nuk merren edhe shumë me këtë rrymë të përhapur të besimtarëve që praktikojnë rregullat ndryshe.
Nazmi Muadini, vaiz dhe hatib i xhamisë "Sinan Pasha" në Kumanovë thekson mospajtimet me "selefistët".
"Gabimi është nëse ata thonë se vetëm ata kanë të drejtë dhe nuk bën ndryshe, dhe ka prej tyre që thonë kështu dhe janë radikal në qëndrimet e tyre. Këto nuk janë të pranueshme për ne. Nuk i pranojmë pohimet se mësimi islam që është praktikuar shekuj me radhë në këto troje nuk ka qenë i drejtë. Ata që mendojnë kështu e kanë gabim. Sepse për vite me radhë në xhamit tona janë mbajtur ligjërata të drejta të bazuara në librin e shenjtë Kuranin", thekson hoxhë Nazmiu.
Por, ai megjithatë mendon se lëvizjet e reja që janë paraqitur në Maqedoni dhe vende tjera të rajonit ku praktikohet feja islame nuk pengojnë, sepse sipas tij, bazat e besimit janë të njëjta, por janë disa dukuri që dallohen dhe në këtë element mund të ketë edhe ndikime politike apo ideologjike të cilat mund të jenë të dëmshme dhe të sjellin përçarje që nuk i bëjnë mirë fesë por edhe kombit. Predikimet e ndryshme fetare kanë tërhequr vëmendjen e shumë besimtarëve mysliman, të cilët para dhe pas iftarit, i drejtojnë sytë dhe veshët drejt ekraneve televizive dhe radiove se çka thotë ky hoxhë dhe cila është rruga e vërtetë e predikimeve.
Wahhabizmi - origjina e tij
Wahhabizmi si lëvizje reformuese kishte filluar para dy shekujve me qëllim të shpëtimi të shoqërive islame nga kultura dhe praktika devijuese. Fillimisht, pasuesit e Abdul-Wahhabit filluan t'i pastrojnë beduinët arabë nga sufizmi. Ajo që synohej, ashtu si edhe sot është kthimi në format e pastra të praktikimit të islamit, ashtu siç ishte në zanafillën e tij. Shumica e wahhabive të botës jetojnë në Arabinë Saudite. Në këtë vend kjo lëvizje është zyrtare. Themeluesi i saj, Al-Wahhabi, për të influencuar gadishullin arabik me idetë e tij, kishte lidhur martesë me dinastinë e Sauditëve, e cila sot e asaj dite sundojnë këtë vend.
Është interesante se hovin e kësaj lëvizje ia kishte ndërprerë shqiptari Mehmet Ali Pasha, si udhëheqës i një ekspedite osmane kundër wahhabive, aty nga gjysma e dytë e shekullit 18. Pasuesit e kësaj lëvizje në Kosovë dhe në gadishullin tonë, janë paraqitur pas kolapsit të komunizmit dhe luftave në territorin e ish-Jugosllavisë. Kjo nënkupton edhe nënshtrimin ndaj rregullave strikte. Përfshirë veshjen, lutjet, sjelljet ndaj femrave, etj.. Hyrja e kësaj rryme fetare në trojet ballkanike ka depërtuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, derisa myslimanët e këtyre trevave kanë një traditë gjashtë shekullore të shkollës juridike Hanefi, që është e organizuar nëpërmjet bashkësive fetare.
Autor: Mentor MELLOVA
_________________________
(Një speciale e punuar kohë më pare nga gazeta "INA" dhe gazeta "24 Orë" në Maqedoni, që edhe sot reflekton realitetin e ngjajshëm.)