Ka Allah ka shpresë



Histori nga jeta

Kishin kaluar 15 vjet që vuaja sëmundjen e burrit tim. Ai u paralizua një ditë pas dasmës sonë dhe unë i shërbeva atij me durim dhe shpresë se një ditë do të rikthehej si ishte.

Mirpo në atë shtëpi vetëm unë kisha shpresa. Burri thoshte se ti ia fut kot se nuk ka për të ndodhur asnjë mrekulli.

Por unë thosha: Ka Allah ka shpresË.

Vjerra ime më bezdiste shumë, duke më vështirësuar edhe më tej jetën. Motrat e burrit më shihnin si një shërbyese. Ndërkohë që unë me të drejtë edhe mund ta braktisja këtë ferr ku po jetoja. Por nuk e bëra. Durova me shpresë se një ditë do të ndodhë vërtetë mrekullia. Dhe ajo ndodhi. Burri im nisi te përmirësohej dhe me ne fund ai u kthye i shëndetshëm plotësisht.

Me rikthimin e shëndetit të tij, unë gëzohesha. Të paktën do kishim mundësi të nisnim jetën nga e para.15 vjet ishin shumë, por kur mendoja që u kthye përsëri i shëndetshëm i harroja vuajtjet e mia.

Por 15 vjet nuk ishin pak. Trupi im kishte filluar të humbte freskinë e rinisë. Flokët kishin nisur të thinjen. E megjithatë unë nuk e humba shpresën. Mendova se tani do të fillojmë një jetë të re. Por isha mashtruar kot.

Vuajtjeve të mia në atë shtëpi iu shtua edhe përbuzja e burrit. Ai kishte filluar të më shihte me sy tjetër. Pëlqente një grua më të re dhe shpesh e hidhte muhabetin se do të martohej përsëri.

Derisa më në fund nuk durova më dhe vendosa të divorcohem nga ai njeri.

Me ikjen time jo vetëm unë qava. Por edhe fqinjët nisën të qajnë, pasi i dinin vuajtjet e mia. Ata nisën të mallkojnë atë njeri mosmirënjohës. Vëllai erdhi e më mori nga aty dhe unë desha vetëm të ikja. Nuk më binte mendja për gjërat e mia që kisha lënë aty. Le ti përdorin thashë me vete.

Ka Zot ka shpresë

Rrugës për në shtëpi takuam një plak të vjetër. U afrua drejt nesh na përshëndeti dhe befasisht më tha: KA ZOT KA SHPRESË.

Kjo ishte shprehja ime e përhershme. Tani po ma thoshte ky plak që nuk e njohëm.

Pas pak kohe vëllai më gjeti një punë dhe aty nisa të harroj vuajtjet e mia. Koha kalonte shpejt. Derikur një ditë një kolegu im në atë punë i kërkon vëllait tim të martohet me mua.

Vëllai vendosi të më krijonte mundësinë e një bisede me të.

- Dua të të them një sekret, më tha ai. Jam 45 vjeç i pamartuar, sepse e di se nuk bëj fëmijë. Dua të martohem që të paktën mos e ngrys jetën i vetëm. Por nëse do më refuzosh ke të drejtën tënde. Por të lutem mos i trego kujt për sekretin tim..Po të lej tre ditë kohë të mendohesh.

- Pranoj, thashë unë pa u menduar fare. Më kish pëlqyer ai njeri.

Nuk zgjatëm shumë dhe bëmë një dasmë të madhe. Sikur të ishim dy të rinj. Për muaj mjalti ai më tha se do të shkojmë në UMRE.

Atje e lutëm Allahun që të na bekonte në këtë jetë të re që po fillonim e të na dhuronte nga mirësitë e Tij.

Pas gjashtë muajsh ndjej dobësi në vete dhe vendosëm të bëjmë testin. Doli ashtu si mendoja. Isha shtatzënë.

Doktoresha na vizitoi dhe më dha lajmin se nuk kisha një fëmijë por kisha dy binjakë brenda meje.

Burri im bëri sexhde falënderimi me lot në sy.

Ndërsa unë ngrita sytë në qiell dhe thashë me zemër.

Ka Allah ka shpresë.



Shqipëroi: Eduart THARTORI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...