Parimet bazore të lëvizjes vehabiste



Një vështrim analitik doktrinës vehabiste do të nxirrte në shesh tre parime kryesore, të cilat edhe do të trajtohen shkurtimisht. [35]


1). Parimi i tevhidit - monoteizmit të pastër

Vehabizmi thërret në parimin e tevhidit, të monoteizmit të pastër, i cili ka të bëjë me bazat themelore të besimit, respektivisht vehabistët thërrasin në konfirmimin e "tevhidit" dhe në mohimin e "shirkut", duke kërkuar që shenjtëria dhe adhurimi të redukohet vetëm për Allahun e lartëmadhëruar. [36]

Me "shenjtëri" dhe "adhurim" në vehabizëm nënkuptohet çdo respektim, qoftë ai që zë fill në traditë apo miqësi. Ngritja e mauzolejeve, vizitimi i rregullt i tyre dhe qëndrimi me përunjtësi para tyre nuk është rrugë deri në idhujtari dhe politeizëm, por është vetë idhujtaria. Këtu qëndron edhe faktori i ndarjes ndërmjet vehabistëve dhe të tjerëve, sepse, mendojnë të tjerët, vehabistët e teprojnë në kërkesat e tyre rigoroze, duke e quajtur veten "ehl'ut-tevhid" (unitarist), kurse të gjithë të tjerët jashta tyre i quajtën "ehl'ul-shirk" (politeist). Mirëpo, "të tjerët", i quajnë vehabistët si kokëfortë, ekstremë dhe zemërngushtë në të perceptuarit e tevhidit, sepse ndërtimi i mauzolejeve dhe vizitimi i tyre nuk është edhe idhujtaria e arabëve parakur'anor.

Jovehabistët pohojnë se idhujtaria moderne nuk konsiston në adhurimin e gurit dhe objekteve tjera, as në vizitimin e varrezave, por në moskrijimin e ndjenjës së barabarësisë ndërmjet të gjithë njerëzve, në mosrealizimin e vëllezërisë dhe bashkëpunimit ndërmuslimanë, ndërmjet individit dhe grupit, në mosrealizimin e parimeve tjera islame në mjediset, shoqëritë dhe bashkësitë muslimane. [37]


2). Parimi i afarizmit - fikhut

Vehabistët rimëkëmbjen e shohin sipas modelit të Kartës së Medinës, ku respektoheshin në përpikëri Kur'ani dhe Sunneti i Pejgamberit a.s.. Këtyre dy burimeve ata i shtojnë edhe veprimet e brezit të parë (selef'us-salih). Karaktetistikë tjetër e tyre është insistimi në Sunnet dhe në praktikën e selefi-salihit. Këtë parim vehabistët, mendojmë, ia kanë borxh shkollës së Ibn Hanbelit. [38] Meqë hadithet përfundimisht janë kodifikuar gjatë shekullit III h./IX, vehabistët janë detyruar që ta pranojnë ixhmain e tre shekujve të parë. [39]

Ata nëpërmjet theksimit të ixhtihadit nuk dëshiruan të lirohen nga konstrukcionet e gatshme të shkollave juridike dhe të lidhen me mendimet e juristëve të parë, për të cilët mendonin se janë më afër origjinalit të Muhammedit a.s. dhe në këtë mënyrë u bënë robër të një praktike tjetër, duke mos kontribuar me zgjidhje origjinale. [40]

Ata mendojnë se edhe afarizmin duhet zhvilluar sipas parimeve që ka ndjekur Ibn Hanbeli. Ata në parim pranojnë fikhun e ehli sunnetit, por jo edhe fikhun shi'it dhe dhahirit. Fikhun shi'it e refuzojnë sidomos për shkak të bindjes së shi'itëve se imami është i pagabueshëm në fjalë dhe vepra dhe se ixhtihadi i imamit është obligativ. Meqë këto virtyte i posedon vetëm pejgamberi, fjalët dhe veprimet e imamit muxhtehid nuk janë obligative për të tjerët, pos për vetë atë. [41]


3). Parimi shkencor dhe intelektual

Vehabizmi lufton kundër tendencave të ndryshme ideologjike islame, sikur lufta kundër filozofisë, ngjashëm çfarë ka bërë edhe Ibn Tejmijje dhe El-Xhevziu dhe lufta kundër bindjeve shi'ite në pagabueshmërinë e imamit dhe besimin në ndërmjetësimin që e bën imami shi'it në botën tjetër.

Vehabistët mendojnë se ndërmjetësimi si i tillë ka hyrë në shoqërinë muslimane nëpërmjet neoplatonizmit, mirëpo vehabistët neglizhojnë faktin se ndërmjetësimin e pranojnë edhe sisteme e shkolla të tjera islame. [42]

Sa i përket problemit të imamit apo halifit, ata shkojnë edhe më tutje. Jo që refuzojnë imametin shi'it, por refuzojnë edhe "institucionin e hilafetit", duke pohuar se hilafet universal nuk duhet të ketë. Ibn Abdulvehhabi mendon se në territorin e caktuar duhet shpallur sundimin e të drejtës së Zotit, dhe aty të ketë imam, e jo edhe të ketë halif universal për tërë botën. Me këtë ata provonin ta privojnë nga legjitimimi fetar Perandorinë Osmane, [43] duke e eliminuar "halifin" dhe duke e promovuar "imamin".



Autor: Nexhat S. IBRAHIMI,
Boton: Zëri islam - Prizren, 2004.



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "Natyra e Vehabizmit".

[35] - Shih rreth doktrinës dhe pikëpamjeve tjera: Abdurr-rrahman ibn Alij El-Arinij, Esh-Shejh Muhammed ibn Abdulvehhab ..., në: Min a'lami't-terbijjeti'l-arabijjeti'l-islamijjeti, pjesa IV, Rijad, 1409 h./1999, fq. 197-226.
[36] - Sidomos kanë qenë kundër kultit të personalitetit, shenjtorëve në sufizëm dhe eksagjerime të ngjashme. Madzid Fahri, Filozofija i teologija od 8 veka do danas, në: Oksfordska Istorija islama, op. cit., fq. 303.
[37] - Gjerësisht: Muhammed El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 11. Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup - Prishtinë, Tiranë, 2004, fq. 9-13.
[38] - F. Karcic, Drustveno pravni ..., op. cit., fq. 63.
[39] - F. Rahman, op. cit., fq. 275. Shih: El-Abud, I, op. cit., fq. 277-278.
[40] - F. Karcic, Drustveno pravni ..., op. cit., fq. 63. Abdul Hamid Siddiki, Muhammed bin Abd al-Wehhab i njegov pokret, op. cit., fq. 431.
[41] - Gjerësisht: M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao, nr. 27/1981, Sarajevë, fq. 12.
[42] - Gjerësisht: M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, op. cit., fq. 12.
[43] - Erwin I. J. Rosenthall, Islam in the Modern National State, Cambridge, 1965, fq. 15, sipas: F. Karcic, Drustveno pravni ..., op. cit., fq. 63.
Në vitin 1787 emiri Abdulazizi e proklamoi administratën e pavarur shtetërore dhe e futi sistemin trashëgues të sundimit (hukm wirathi), duke i siguruar vend të birit Saudit të bëhet halif pas tij. Muhammed ibn Abdulvehhabi ishte i pranishëm në këtë promovim, mirëpo si duket, kishte harruar thënien e Muhammedit a.s.: "Nëse i jepet zotimi (bej'at) dy halifëve, mbytne të fundit prej atyre dyve". Sipas: Dehlan, etj., op. cit., fq. 42.
Fatkeqësisht, sistemi trashëgues, sipas shembullit politik, kaloi edhe në rrafshin fetar. Pas vdekjes se Muhammed ibn Abdulvehhabit më 1792, trashëgues u bë i biri i tij. Dehlan, etj., op. cit., fq. 43.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...