Pamjet e ndryshme të Hënës
Kjo është prej çështjeve për të cilën dijetarët gjatë gjithë historisë islame kanë patur mendime të ndryshme, për shkak të lindjes së diellit dhe perëndimit jo në të njëjtën kohë për të gjitha vendet e botës, gjithashtu edhe për daljen e hënës së re jo në të njëjtën kohë për të gjitha vendet e botës.
Arsye kjo që e bënë të natyrshme që të ketë mendime të ndryshme rreth kësaj çështje
Për këtë, gjatë gjithë historisë islame dijetarët islamë kanë dhënë dy mendime:
Shumica e dijetarëve të fikhut (jurisprudenca islame) janë të mendimit se: "Nëse vërtetohet pamja e hënës në një vend prej vendeve të botës obligohen të gjitha vendet muslimane të agjërojnë me atë pamje".
Duke u bazur në Hadithet në kuptimin e përgjithshëm që të agjërohet, ose të bëhet bajram me anë të kësaj pamje. Argument i këtij grupi është hadithi i Muhamedit a.s.: "Agjëroni me pamjen e saj (të hënës) dhe hani me pamjen e saj, e nëse është mjegull plotësojeni muajin Shaban tridhjetë ditë".
Kurse një pjesë tjetër e dijetarëve të fikhut (prej tyre dijetarët e medh'hebit shafii dhe disa te medh'hebit hanefi) mendojnë se: "Çdo vend obligohet të ketë pamjen e vet të hënës".
Sipas tyre, p.sh.:, "nëse e shohin hënën e re banorët e Mekës nuk obligohen për agjërim banorët e Egjiptit, ...".
Argument i këtij grupi është hadithit i Kurejbit që e transmeton Muslimi 1087, Ahmedi 306/1, Ebu Davudi 2332, Tirmidhiu 693, Nesaiu 131/4 e të tjerë ku thotë se: "Ummul Fadl e kishte dërguar te Muaviu në Sham ku thotë: Shkova në Sham (Damask) dhe e kreva punën e saj ku filloi ramazani duke qenë unë atje dhe e pashë hënën natën e së premtes dhe pastaj erdha në Medine në fund të muajit. Më pyeti Abdullah ibnu Abasi duke e përmendur hënën dhe më tha? Kur e patë hënën? I thashë: E pashë natën e së premtes. Më tha ti e pa? I thashë: Po, bile e panë edhe të tjerët dhe agjëruan e agjëroi edhe Muaviu. Ai më tha: Mirëpo ne e kemi parë natën e së shtunës dhe vazhdojmë të agjërojmë derisa të plotësojmë tridhjetë ose ta shohim. I thashë: A nuk të mjafton pamja e Muaviut? Tha: Jo, kështu na ka urdhëruar Pejgamberi, sallahu alejhi ve selam".
Nga kjo kuptohet se të dy mendimet janë të sakta dhe të argumentuara për veprim, edhe pse dijetarët kanë thënë se më mirë është të veprohet me mendimin e parë sepse në kohën tonë mjetet e informimit mundësojnë që e gjithë bota të informohet për pamjen e hënës dhe të fillohet muaji me atë pamje.
Mirëpo nuk lejohet që një vend, i cili e ka pa hënën me pamje të saktë të mos e fillojë muajin duke e pritur ndonjë vend tjetër, p.sh.: "Arabine Saudite ose ndonjë vend tjetër që të fillojë me të, sepse ata me pamjen e tyre obligohen që të fillojnë agjërimin ose edhe për prerjen e kurbanëve në Kurban Bajram".
Dijetarë të shumtë në mesin e tyre edhe Ibni Tejmije kanë tërhequr vërejtjen se pjesëtarët e një shteti islamik duhet të agjërojnë me shtetin e tyre, dhe të mos ndahen brenda shtetit të tyre që të agjërojnë disa me atë shtet e disa me ndonjë shtet tjetër, pavarësisht se a e kanë filluar agjërimin më herët ose më vonë, dhe kjo që të mos vie deri te përçarja brenda një populli.
Në Librin "Redul muhtar" i njohur si Hashijetu Ibnu Abedin, në pjesën e tretë, fq. 325, pas paraqitjes së mendimeve të shumë dijetarëve, në koment thuhet kështu: "Kuptohet nga thëniet e tyre në kapitullin e Haxhit se ndryshimi i hënës është i pranueshëm. Nuk obligohet dikush me diçka edhe pse merret vesh se është pa hëna në një vend tjetër një ditë para tyre. Pra, a mund të thuhet kështu për prerjen e kurbanëve jashta haxhinjëv. Ajo çka qartë mund të kuptohet se edhe kjo është sikur kohët e namazit, obligohet secili popull që të vepron me kohën e tyre, dhe kështu lejohet prerja e kurbanit në ditën e trembëdhjetë të Dhulhixhes (ditën e katërt të bajramit e që sipas medh'hebit shafi dhe disave lejohet deri ne fund të kësaj dite) edhe pse me pamjen e të tjerëve është dita e katërmbëdhjetë. Allahu e din më së miri".
Po i njëjti burim, në të njëjtën faqe, tregon edhe për distancën se sa duhet të jetë largësia që ka të drejtë një vend të dallon nga tjetri për fillimin e muajit të ri hënor. Sipas kësaj, dallimi në mes vendeve nuk guxon të jetë më pak se 24 ferseh , që i bie diku rreth 120 km.
Pra sipas kësaj dy vendet fqinje nuk kanë arsye që të kenë ramazanin ose bajramin në dy ditë të ndryshme.
Autor: Mr. Ragmi Destani
Literatura:
Reddul Muhtar - Hashijetu ibnu Abedin, El-Fikhul hanefi fi thewbihil xhedid, El-Fikhul Vadih, El-Lubab fi sherhil kitab, etj..