A është instaluar dhe apo instalohet interpretimi dhe mentaliteti vehabistë-sauditë në Kosovë?!
Që nga paslufta, publikisht kemi deklaruar se në Kosovë dhe gjerë në rajon ka filluar vrullshëm instalimi i frymës së një interpretimi fetar të Islamit, e cila është duke u mbështetur fuqishëm përmes donacioneve të jashtme, kryesisht të Arabisë Saudite dhe të disa vendeve të Gadishullit Arabik.
Që nga ajo kohë, kjo frymë e jashtme dhe ky ndikim jo që është zvogëluar, por ditë e për ditë është rritur dhe po vazhdon me po të njëjtin ritëm, për të mos thënë edhe më të madh.
Aktualisht, janë mbi 80 studentë nga Kosova që studiojnë për fenë islame në qytete të ndryshme të Arabisë Saudite, dhe të cilët pas kthimit të tyre nesër do të kërkojnë vend pune në institucionet e BIK-së.
Është jo logjike dhe e pa mundur, që ne t'i sanksionojmë individët për mos shkuarjen e tyre atje, apo edhe të bëjmë përzgjedhjen e vendit nga ana e jonë se ku ata do të duhej të studionin, por gjithë atë që mund të bëjmë në këtë drejtim është sugjerimi dhe këshilla e jonë e sinqertë dhe vëllazërore për ta.
Arabia Saudite është një aleat i fuqishëm i shumë vendeve të mëdha dhe me ndikim në botë, përfshirë edhe e vendin tonë, por ajo as nuk ka qenë dhe as nuk është as sot si një vend i vetëm ideal për studimin e Islamit.
Shumica e studentëve tanë, këtë vend vazhdojnë ta përzgjedhin për shkak të bursave dhe akomodimit të cilin ky shtet ua ofron atyre në përgjithësi, dhe kjo në fakt për ta është joshja kryesore, kurse një pjesë tjetër mendon se pikërisht atje është vendi i saktë ku duhet të studiohet Islami për shkak të shtrirjes së dy vendeve të shenjta, Mekës dhe Medinës.
Është shumë e vërtetë, se nga gjithë këta studentë që masovikisht po ia mësyjnë këtij vendi, ka prej tyre të cilët i shpëtojnë ndikimit të formës interpretuese të fesë islame sipas versionit lokal të pedagogëve sauditë, mirëpo nga përvoja e deritanishme tregon se shumica e tyre kanë rënë dhe vazhdimisht po bien nën ndikimin e ideologjisë së ngurtë vehabiste-selefiste, të cilët edhe pas kthimit të tyre në vend vazhdojnë të besojnë se ajo është formë e vetme e pranuar dhe saktë e Islamit!
Problemi tjetër kryesor i studentëve të kthyer nga Arabia Saudite është poashtu edhe mosarritja dhe mosvigjilenca e tyre në kohë, për të bërë dallimin e Islamit nga kultura, zakonet dhe traditat e mishëruara me interpretime lokale të fesë islame.
E mira së mirës do të ishte, që për Islamin në të ardhmen të studiohet në vendin dhe rajonin tonë, dhe pse jo edhe në universitet tjera në botë të cila janë më të hapura dhe më tolerante ndaj mendimit dhe filozofisë islame në përgjithësi.
Ndryshe, në një të ardhme të afërt, instalimi i një mendimi dhe interpretimi të ngurtë dhe jo tolerantë të mësimeve islame në vendin tonë do të jetë i pashmangshëm, i cili si i tillë është treguar dhe po tregohet jo produktiv edhe në vet vendin nga ku ka buruar, dhe të cilin së fundi vet regjimi i Arabisë Saudite ka filluar t'a ndryshojë, duke marr edhe masa konkrete në këtë drejtim.
Arabia Saudite është një vend i cili fuqishëm ka mbështetur pavarësinë e vendit tonë, mirëpo për formën dhe mënyrën e interpretimit të fesë islame është mirë të na kursej tani dhe në të ardhmen, duke na lënë të lirë në rrugëtimin tonë drejtë kultivimit dhe zhvillimit të mësimeve fetare islame, në bazë të rrethanave tona autoktone si dhe pozicionit tonë gjeografik dhe gjeopolitik.
Autor: Xhabir HAMITI