Pasojat juridike Islame nga vepra penale e abortit



Sipas parimeve dhe principeve të përgjithshme të jurisprudencës islame, çdo veprim i njeriut që është në kundërshtim me imperativin tekstual - ligjor (Ku'anin apo sunetin) në aspektin fetar konsiderohet veprim i irrituar dhe mëkat, kurse në aspektin e implementimit praktik të jurisprudencës islame konsiderohet veprim penal, për të cilin parashihet sanksion i përcaktuar ose diskrecional.

Aspekti fetar është më i gjerë në gjithëpërfshishmërinë e saj nga aspekti i implementimit praktik të jurisprudencës islame, sepse në të përfshinë të gjitha veprimet që janë në kundërshtim me imperativin ligjor, qofshin publike që mund të dëshmohen përmes provave fizike para organit kompetent që është gjykata, apo qofshin interne - sekrete të pa publikuara për opinionin e gjerë, siç janë mëkatet që nuk i din askush tjetër përveç kryerësit të saj dhe Krijuesit të tij.

Nga kjo nënkuptohet se ekzistojnë disa veprime që në esencë janë veprime penale, por që nuk mund të dëshmohen dhe vërtetohen në procedurën penale, porse pamundësia e vërtetimit në procedurën penale nuk nënkupton se kryerësi i veprës është i liruar nga përgjegjësia në aspektin fetar para Allahut xh.sh.. Ta marrim si shembull, nëse një njeri ka ushtruar veprën penale të prostitucionit, porse vërtetimin e kësaj vepre penale në procedurën gjyqësore është i pa mundur, në mungesë të fakteve dhe provave siç janë dëshmitarët apo vetëpranimi. Në këtë rast, ndaj kryerësit të veprës penale nuk mund të sillet aktvendim për ekzekutimin e sanksionit për këtë vepër, por kjo nuk donë të thotë se kryerësi i tillë nuk do të sanksionohet para Allahut të lartëmadhërishëm, sepse procedura e vërtetimit të veprimeve para Gjykatësit absolut ndryshon nga vërtetimi i veprës para gjykatësit në jetën e kësaj bote.

Është krejt normale se të gjitha veprimet në kundërshtim me imperativin ligjor nuk janë të një kategorie, porse ato rangohen varësisht nga madhësia e veprës penale, kurse sanksionet përcaktohen në harmoni me veprën.


Abortimi veprim penal

Një nga veprat që është në kundërshtim me imperativin ligjorë dhe në kundërshtim me principet dhe parimet universale islame, e që në jurisprudencën islame konsiderohet veprim penal, dhe për të parashihet sanksion, është edhe çështja e abortimit. Arsyeja thelbësore që abortimi sipas jurisprudencës islame të konsiderohet veprim penal është ataku që i bëhet jetës, si vlerë që islami dhe jurisprudenca e saj është përcaktuar në mbrojtjen e saj. Në legjislacionin islam e drejta e jetës është e drejtë vetoje që Allahu e ka rezervuar vetëm për veten e Tij, dhe askush tjetër nuk posedon të drejtën që dikujt tjetër t'ia uzurpojë këtë të drejtë. Jo vetëm kaq, por islami shkon edhe më larg nga kjo, sepse këtë të drejtë edhe vetë bartësit të jetës nuk ia dha të drejtën që ta shuaj jetën e vet përmes vetëvrasjes, sepse edhe ky veprim islamikisht konsiderohet veprim penal për dallim nga e drejta pozitive.

Nëse në të kaluarën e largët, prindërit të nxitur nga rrethanat dhe traditat barbare të shoqërisë së tyre i mbytnin fëmijët e tyre të porsalindur duke i varrosur të gjallë, sot, në kulmin e botës së modernizuar dhe të civilizuar kryhet i njëjti veprim vetëm se me metoda më të sofistikuara përmes abortit teraupetik, duke ia marrë, jo vetëm jetën fetusit në vendbanimin e tij të ngrohtë, por edhe duke e masakruar atë. Për të qenë krimi dhe ironia edhe më e madhe apo e dyfishtë në botën bashkëkohore përmes abortit fëmijët në të shumtën e rasteve vriten vetëm e vetëm që të zhdukën gjurmët e tradhtisë dhe prostitucionit.

Juristët islam - fukahatë nga e drejta penale islame duke biseduar për këtë krim të pa moralshëm dhe antinjerëzorë konstatuan se aborti është disa lloje që janë:

1. Aborti i cili kryhet brenda periudhës kohore dyzet ditëshe nga momenti kur zë fill shtatzënia. Ky lloj i abortit sipas juristëve islam është i lejuar [1] islamikisht nëse bëhet me pajtimin e dy bashkëshortëve, dhe nëse qëllimi i abortimit nuk është frika nga varfëria, si dhe kushtëzohet edhe leja apo kontrollimi i mjekut specialist musliman i cili do të konstatojë se ky abort nuk do të sjellë pasoja. Dispozitat juridike të këtij lloji të abortit janë të ngjashme me dispozitat për përdorimin e masave preventive - kontraceptive për shtatzënësi, siç është mos hedhja e spermës në mitrën e gruas.

Ajo që na e tërheq vëmendjen neve është se për lejimin e këtij aborti kushtëzohet që kjo shtatzëni të jetë fryt i kurorës së shëndoshë bashkëshortore, sepse, prej prostituimit nuk ka shtatzëni legale, që do të thotë se, nuk konsiderohet shtatzëni ajo që del prej prostituimit andaj edhe nuk ka të drejtë aborti.

2. Aborti i cili kryhet pas periudhës dyzet ditëshe nda dita e vendosjes së spermatozoidit në mitrën e femrës e deri në ditën e njëqind e njëzet (120). Ky lloj i abortit në këtë periudhë të zhvillimit të fetusit sipas mendimit më të përkrahur islam nuk lejohet, vetëm se nëse atë e kërkon nevoja dhe atë pas konstatimit të dy mjekëve ekspertë dhe muslimanë për faktin se barra e shtatzënisë është duke e dëmtuar femrën.

3. Abortimi i fëmijës i cili ndihet gjallë në barkun e nënës, pra, pas 120 ditëve shtatzënie, nuk lejohet. Nëse femra shtatzënë në këtë periudhë është në gjendje të mirë shëndetësore, asaj assesi nuk i lejohet abortimi, sepse në këtë rast foshnjës i sigurohet e drejta e jetës ashtu siç i sigurohet e drejta e jetës edhe nënës së saj. Foshnja pasi që t'i vijë shpirti ka jetë të plotë. Sipas së drejtës islame as një shpirti nuk i jepet prioritet ndaj shpirtit tjetër. Ai i cili kërcënohet nga vdekja nuk ka të drejtë që ta vrasë një shpirt tjetër edhe pse jeta e këtij shpirti rrezikohet nga vdekja e tij. Në këtë rast, mendimi i akëcilës nënë se, nëse e aborton fëmijën mund të shpëtojë nga rreziku i vdekjes, nuk është i arsyeshëm. [2]


Sanksioni i abortit

Sanksioni për veprën penale të abortit që parasheh kodi penal islam është:

1. Pagimi i dijes [3]

Nëse dikush bëhet shkaktar që gruaja shtatzënë ta hedhë fëmijën e vet, e drejta islame - Sheriati për të parasheh dënime të rënda. Nëse dikush e rrah gruan shtatzënë, e frikëson, e sanksionon me uri, apo i ofron ndonjë erë që e shkakton abortin etj., pavarësisht se me këto masa apo veprime, kryerësi i tyre kishte për qëllim abortin e saj apo jo, shkaktari i veprës nuk lirohet nga sanksioni që është pagimi i Dijes. Ky dënim i paraparë e përfshinë si vetë gruan shtatzënë për fëmijën e saj, ashtu edhe dikë tjetër që e shkakton abortin me apo pa dashje. Për shembull, nëse një grua përdor ndonjë ilaç pa udhëzimin dhe këshillën e mjekut, me ç'rast shkaktohet aborti, atëherë kjo vepër konsiderohet krim dhe për të ajo grua mbanë përgjegjësi dhe obligohet të paguajë dije. Për dallim nga rasti kur gruaja shtatzënë përdor ndonjë ilaç me udhëzimin dhe këshillën e mjekut me qëllim të shërimit të ndonjë sëmundje, ndërsa një ilaç i tillë tek ajo shkakton abort, kjo nuk konsiderohet krim dhe për të nuk mbanë përgjegjësi juridike dhe nuk obligohet të paguaj dije. [4]

Për të qenë obligim pagimi i dijes është kusht që fetusi të ketë kaluar fazën e tretë (120 ditë) të zhvillimit të vet (El-Mudgatu - copë mishi i ngjizur) dhe të ketë filluar ta marrë formën e njeriut. Kjo duhet të konstatohet edhe prej dy gjinekologëve muslimanë. Por, nëse fëmija nuk e ka kaluar këtë fazë, porse është ende El-Alekatu (gjak i ngjizur), apo është El-Mudgatu por ende nuk e ka marrë formën e njeriut, atëherë shkaktari i abortit nuk është i obliguar të paguaj dije. [5] Dështimi i shtatzënisë, gjegjësisht aborti nga gruaja shtatzënë mund të jetë:

- hedhja e fëmijës së vdekur,
- hedhja e fëmijës së gjallë.

a. Hedhja e fëmijës së vdekur

Nëse fëmija abortohet i vdekur nga nëna, atëherë shkaktari i këtij krimi sanksionohet me pagim të dijes e cila në terminologjinë e jurisprudencës islame quhet (Girre) që është në vlerë të pesë deveve, apo në kundërvlerë prej pesëdhjetë dinarë [6] ari ose pesëqind dërhem argjend siç parashihet në shkollën juridike hanefite.

Argument për këtë kemi hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra i cili thotë: "Derisa rriheshin mes veti dy gra nga fisi Hudhejl, njëra prej tyre e gjuajti tjetrën me gurë dhe e mbyti edhe atë por edhe fëmijën që gjendej në barkun e saj. Me këtë rast lënda për procedurë gjyqësore u ngrit te Pejgamberi (Alejhis-selam) i cili gjykoi duke sjellë aktvendimin se: "Dija e fëmijës së saj është 5 deve, dhe dijen e gruas (së vrarë) duhet ta paguajë familja e vrasëses 100 deve"".

Në zgjidhjen e problemit në procedurë si dhe për shkakun e vdekjes së fëmijës për të vërtetuar se është pasojë e kriminelit apo jo, rol të rëndësishëm në procedurë ka edhe gjinekologu, apo medicina gjyqësore. Në bazë të analizave dhe konstatimeve të tij mund të gjykohet për pagimin apo për mos pagimin e Dijes. S'do mend se, në rast të krimit, nëse gruaja aborton dy fëmijë binjakë apo më shumë, atëherë edhe numri i dijes jepet sipas numrit të fëmijëve.

Dijen si sanksion duhet paguar familja e shkaktarit të krimit apo fisi i tij. Imam Bejhekiu na rrëfen se si një ditë Omeri, i biri i Hatabit (radiall-llahu anhu), e ftoi një grua që të vijë deri te ai. Kur dëgjoi për këtë ajo u frikësua pa masë duke thënë: E mjera unë, ç'ka Omeri me mua!? Derisa ishte duke shkuar rrugës, nga frika për atë që e kishte ftuar Omeri në rezidencën e tij, ajo abortoi fëmijën i cili pas një vaji të shkurtër vdiq menjëherë. Pastaj për ta zgjidhur këtë problem Omeri r.a. filloi të kërkojë këshilla dhe sugjerime juridike islame prej shokëve të Pejgamberit (Alejhis-selam). Disa prej tyre i thanë se Omeri nuk është i obliguar të paguaj dije për këtë rast. Lirimin nga përgjegjësia e bënë duke u arsyetuar në faktin se është Halif dhe edukator i muslimanëve. Mirëpo, gjatë tërë kësaj kohe Aliu (radiall-llahu anhu) rrinte manash dhe heshtte. Pastaj Omeri u kthye kah ai dhe e pyeti: Ç'thoni ju, o baba i Hasanit? Atëherë Aliu (radiall-llahu anhu) iu përgjigj: "Nëse këta e thanë mendimin e vet, mendimi i tyre është i gabuar, e nëse këtë e thanë vetëm për hir tëndin, nuk të këshilluan mirë, sepse t'i në këtë rast je i obliguar që ta paguash dijen, sepse këtë grua e frikësove ti, dhe prej frikës ajo e hodhi fëmijën". Omeri tha: "Po të betohem që të mos lëvizësh nga vendi përderisa dijen ta ndajmë në popullin tënd".


Kush trashëgon dijen e abortit?

Me qenë se dija është pasuri e viktimës, atëherë e drejta islame parasheh se dijen e foshnjës së mbytur mund ta trashëgojnë vetëm trashëgimtarët juridikë të cilët i parasheh jurisprudenca islame.

Shkaktari i krimit nuk mund të trashëgojë asgjë, madje sikur të ishte edhe ndonjë i afërm fare i afërt. Sikur për atë dështim (abort) fajtorë të ishin baba apo nëna, nuk kanë të drejtë në trashëgimin e dijes, sepse në këtë rast ata trajtohen si vrasës të padrejtë. Këtë e argumenton edhe një hadith i Pejgamberit a.s. që thotë: "Vrasësi nuk trashëgon". Nëse vetë gruaja shtatzënë është shkaktare për abortin e fëmijës, atëherë ajo obligohet ta paguajë dijen dhe atë mund ta trashëgojnë të gjithë anëtarët tjerë trashëgues, por jo edhe ajo.

b. Hedhja e fëmijës së gjallë

Nëse për shkak të ndonjë agresiviteti apo sjellje barbare gruaja e hedhë fëmijën të gjallë dhe pastaj vdes ai fëmijë, pas konstatimit të dy gjinekologëve vrasësi obligohet që ta paguajë dijen, porse kësaj radhe dija duhet të jetë e plotë, e jo e asaj sasie që jepet për fëmijën. Në këtë rast, dije e plotë do të thotë që pagesa të bëhet në vlerë të njëqind deveve, apo në kundërvlerë prej njëmijë dinarë ari ose dhjetëmijë dërhem argjendi. [7] Shkaku për një pagesë të tillë të plotë qëndron në atë se, fëmija në bark të nënës pas dyzet ditëve, apo sipas disa mendimeve tjera, pas njëqind e njëzet ditëve, e gëzon të drejtën ligjore për të jetuar.

Ngritja apo zbritja e dijes prej asaj të plotës në atë të fëmijës bëhet për dy shkaqe:

1. Nëse lind dyshimi i thjeshtë se, shkaku i vdekjes së fëmijës apo hedhjes së tij është diku gjetiu, pra, jashtë armiqësisë së shprehur ndaj nënës shtatzënë, dhe,
2. Nëse konstatohet se armiqësia i është shprehur drejtpërsëdrejti nënës shtatzënë, e jo fëmijës që bie viktimë e kësaj armiqësie.


2. Kefareti për abortim

Kefareti është sanksioni i dytë i abortit, andaj kur jemi te kjo temë, që në fillim të potencojmë se për këtë kefaret vlejnë dy dispozita juridike islame, hukme, që janë:

- kefareti mendub,
- kefareti farz.

Nëse fëmija abortohet, hudhet i vdekur, atëherë kefareti është mendub. Por, nëse fëmija abortohet, hudhet i gjallë e pastaj vdes prej pasojave të marra nga sjelljet antinjerëzore, atëherë kefareti është obligim, pra, farz.

Kefaretin e ka caktuar Allahu xh.sh. i Cili thotë: "E kush mbytë gabimisht një besimtar, ai është i obliguar të lirojë një rob besimtarë dhe shpagimin do t'ia dorëzojë familjes së tij përpos nëse ia falin ... E kush nuk ka mundësi, le të agjërojë dy muaj rresht pa ndërprerë si pendim ndaj Allahut. Allahu është më i dituri, ligjdhënësi më i drejtë", (En Nisa, 92).

Sipas këtij ajeti nënkuptojmë se në kohën e sotshme për mbytje jemi të obliguar që në shenjë kefareti të agjërojmë dy muaj rresh pa ndërprerë.

Nëse gjatë agjërimit të kefaretit paraqitet ndonjë arsye juridike e Sheriatit Islam që e ndërpret agjërimin, siç është rasti te femrat gjatë menstruacioneve, kjo nuk konsiderohet shkëputje, dhe, menjëherë pas kalimit të kësaj pengese obligohet të vazhdojë edhe më tej agjërimin prej aty ku ka ngelur. Mirëpo, nëse shkaku është aksidental, ta zëmë, sëmurja, atëherë ndërpritet agjërimi dhe pasi të kalojë sëmundja, agjërimi bëhet i obligueshëm për t'u përsëritur prej fillimit.

Po ashtu duhet përmendur se, obligimi i kefaretit nuk e liron prej pagesës së dijes shkaktarin e krimit, pavarësisht se a është kefareti mendub apo farz. [8]

Allahu e din më së miri!



Autor: Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Në medhhebin Hanefij është edhe një mendim tjetër sipas të cilit lejohet abotimi përderisa shtatzënia nuk e arrin ditën e njëqind e njëzetë. Mirëpo mendim më i pranueshëm është ai që abortimin e parasheh deri në ditën e dyzetë.
[2] - E drejta familjare në islam - Grup Autorësh, Mexhlisi Shura i BIM, 1996.
[3] - Dije është pasuria e obliguar që duhet të jepet për krimin apo që i përket llojit të krimit, siç është aborti.
[4] - E drejta familjare në islam - Grup autorësh. Mexhlisi Shura i BIM, 1996.
[5] - I njëjti burim.
[6] - Një dinar ari është baras me pesë gram ari. 50 dinar janë 250 gram ari.
[7] - Një dinar ari është baras me 5 gram ari, që do të thotë se 1000 dinarë janë 5 kg. ari. Kurse një dërhem ka 3.5 gram argjend.
[8] - I njëjti burim.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...