Trajtesë rreth abdesit dhe manikyrit të thonjve (llakut)



Hyrje

Në këtë trajtesë do të flasim për një çështje aktuale, që ka të bëjë me marrjen e abdesit nga femrat me manikyrin që e vendosin mbi thonjtë e tyre, në mënyrë që të kuptohet drejtë se abdesi i tillë a është i vlefshëm, apo duhet patjetër të largohet manikyri së pari e pastaj të merret abdes.

Kjo çështje vjen pasi që në treg janë plasuar disa produkte me emërtime islame dhe me licenca "hallall" që pandehin se kanë sjellë në treg një manikyr krejt tjetër, ku uji depërton deri tek thonjët, pra, sipas tyre nuk ka nevojë të largohet ai manikyr para abdesit.

Normalisht një produkt i tillë tashmë gjendet edhe në vendin tonë dhe interesimi për të njohur këtë çështje është shumë i madh. Andaj, një trajtesë për këtë çështje kur femrat përdorin një produkt të tillë dhe më pas marrin abdes për namaz, është më së e nevojshme, në mënyrë që të kuptohet drejtë e qartë.


Problematika e kësaj çështjeje

Abdesi ka kondita të caktuara që nëse njëra prej tyre nuk plotësohet, atëherë ai nuk është valid. Nëse ndonjëri prej farzeve të abdesit nuk përmbushet, abdesi konsiderohet i pavlefshëm. Si rrjedhojë e kësaj, larja e duarve është njëri nga farzet e abdesit, ku Allahu i Lartësuar e përmendi atë së bashku me farzet tjera të abdesit: يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلَاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ ... - "O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë ...". [1]

Ky farz përcakton se larja e duarve fillon nga majat e gishtërinjëve e mbaron deri tek bërrylat (përfshirë këtu edhe bërrylat). [2]

Në lidhje me thonjët që janë pjesë e farzit të abdesit, dijetarët e hershëm kanë trajtuar çështje të ndryshme që i kanë takuar kohës së tyre (disa prej tyre janë akoma aktuale, me disa ndryshime të vogla), ku shembull konkret kanë përmendur bukëpjekësin i cili gjatë përgatitjes së bukës, brumi ose balta ia mbulon thonjët, andaj ai para se të merr abdes, duhet të largojë nga thonjtë e tij qoftë brumin apo baltën, përndryshe abdesi është i pavlefshëm. [3]

Dijetarët e trajtojnë edhe çështjen kur thonjtë janë të mëdhenj, ku një pjesë bukur e madhe e dijetarëve parashohin që uji të përshkon plotësisht nën thonjët. Në këtë kontekst e kanë trajtuar edhe çështjen e unazës, ku nëse ajo është shumë shtrëngueshëm në gisht, më së paku ajo që duhet të bëhet është lëvizja e saj nga vendi gjatë marrjes së abdesit, e në rastin tjetër edhe të hiqet tërësisht nga gishti. [4]

Nga këto çështje (mesele) të trajtuara nga dijetarët e hershëm dhe çështje tjera relevante që nuk i kam përmendur, bëhet e qartë se duart gjatë abdesit duhet të pastrohen mirë dhe uji duhet të përshkon që nga majat e gishtërinjve (përfshirë edhe thonjtë) e deri mbi bërryl dhe se ky veprim paraqet vetëm njërin ndër katër farzet e abdesit, ku nëse mungon cilido nga këto katër farze, abdesi është i pavlefshëm. Nëse kjo kuptohet drejtë, atëherë e kuptojmë më së miri edhe tematikën e manikyrit modern që përdorin femrat mbi thonjët e tyre, ku përdorimi i manikyrit të zakonshëm, i cili është përdorur tash e sa vite, ka pamundësuar depërtimin e ujit në thonjë.


Kronologjia e manikyreve moderne

Deri në vitet e fundit kryesisht ka qenë një lloj manikyri apo disa lloje thuajse me përmbajtje të përafërt, ku nga ai llak është formuar një shtresë sikur plastikë gjë që ka bërë të pamundur depërtimin e ujit në thonjë. Ai produkt është larguar me substancën "aceton" apo të ngjashme me të.

Në vitet e fundit është bërë një revolucion në kozmetikë, ndaj edhe kompani të ndryshme kanë hedhur në treg manikyr të ndryshëm, ku disa kanë marrë edhe licencën "hallall", siç është një kompani e madhe duke lëshuar produktin "Amanda O2" apo "O2M", i cili është bërë nga një material polimer që lejon të kalojnë oksigjenin dhe avullin e ujit deri në thonjë.

Kjo kompani e prodhimit të kozmetikës ka lëshuar një produkt të ri për llakun e thonjve –sipas tyre- në përputhje me mësimet islame. Kompania "Inglot" për kozmetikë ka arritur të prodhojë një diçka të ngjashme me llakun e përdorur nga femrat, por me një material tjetër, që dallon shumë nga llaku i zakonshëm. Kompania e quajti "O2M" produktin e ri, i cili është bërë nga "polimer", që përdoret në prodhimin e lenteve të kontaktit me sy, dhe lejon që oksigjeni dhe avulli i ujit të arrijnë deri tek thonjtë.

Diçka ngjashëm kishte ndodhur edhe në Malajzi kur një kompani tjetër aplikoi për produktin e tyre të manikyrit për t'u pajisur me licencën "hallall", mirëpo "Jakim", që është Autoriteti i Certifikimit Hallall në Malajzi, kishte lëshuar certifikata "Hallall" për disa produkte në kozmetikë që kryesisht ndërlidhen me kujdesin e lëkurës, ajo nuk pranoi të lëshojë një certifikatë të tillë për produktin e llakut të thonjve. Sipas "Jakim", e cila është një referencë për licencat "Hallall", nuk do t'i jepet asnjë "produkti ose ushqimi që do të ndikonte negativisht në fe". Arsyeja e mos-licencimit të saj qëndron në faktin se nuk është dëshmuar që plotësisht uji i vendosur mbi atë produkt ka depërtuar në thonjë.

Disa produkte të kësaj natyre që janë bërë në kohët e fundit zbehen automatikisht gjatë aktiviteteve të përditshme, por jo tërësisht nga përdorimi i ujit. Ajo që është fakt tashmë, është çështja se manikyri që përdoret në thonjë ka pësuar ndryshime të mëdha në kohët e fundit, duke eliminuar manikyrin e vjetër në formë të ngjyrës apo plastikës së fuqishme, ku i pamundësohej ujit të depërtojë brenda, si dhe duke sjellë në treg manikyr të ri që realisht uji depërton brenda, por mbetet të shqyrtohet detajisht nga institucionet përkatëse se a e ka përshkuar të tërin apo një pjesë. Në kuadër të kësaj, një kompani kineze kohët e fundit prodhoi një lloj të ri të llakut të thonjve që është lehtësisht e heqshme pa qenë e nevojshme të përdorni "aceton", pasi ky produkt ishte shumë i popullarizuar tek gratë në Egjipt, veçanërisht pasi mbante emrin "manikyr islamik".

Përdorimi i emrit "manikyr islamik" dhe licenca "hallall" nuk nënkuptojnë patjetër që ato janë ashtu siç paraqiten, ngase në kohën moderne emërtimi "produkt islamik" mund të jetë më tepër për apetite biznesore se sa realisht për përmbajtje të pastër islame. Së fundmi një sallon bukurie për femra në Dubai, ka lansuar një produkt manikyri për thonjtë duke pandehur se uji depërton lirshëm në thonjë, fare pa u larguar manikyri. Mirëpo autoriteti përgjegjës në Dubai ka lëshuar një dekret (fetwa) në lidhje me këtë produkt dhe ka konstatuar se e tëra është një pretendim biznesi, e asgjë më tepër.

E, megjithë këto produkte që servohen krejtësisht hallall, autoritetet përgjegjëse myslimane kanë qenë shumë të matura, tejet të rezervuara dhe nuk kanë rënë pre e disa produkteve që në treg kanë depërtuar me emra "islam" e me logo "hallall" të vendosura për qëllime (për)fitimi dhe biznesi. Në këtë kontekst duhet pasur kujdes sidomos nga tregu elektronik që ka një rritje të jashtëzakonshme dhe ku mashtrimet nuk janë të pakta.


Llojet e manikyreve dhe gjërave që vendosen mbi thonjë

E tëra që mund të thuhet sa i përket përdorimit të manikyrit të thonjve është fakti se nëse uji nuk depërton në brendësi dhe nëse nuk i përshkon thonjtë, çfarëdo qoftë ai manikyr, konsiderohet i pavlefshëm dhe abdesi me të është i pavlefshëm, ngase kusht i vlefshmërisë së abdesit është përshkimi i ujit në pjesë të caktuara, pa ndonjë pengesë, përfshirë këtu edhe gishtërinjët.

Sa i përket manikyrit apo atë çfarë zakonisht femrat vendosin mbi thonjët e tyre, mund ta ndajmë në kategori apo grupe të ndryshme:


E para: Manikyri më i përdorur deri tani është ai në formë të plastikës, gjegjësisht llaku i cili formon një shtresë (trup) mbi thonjët

Realisht ky lloj produkti pamundëson depërtimin e ujit nën atë shtresë dhe si rrjedhojë e kësaj, përdorimi i tij para abdesit apo para pastrimit (guslit) e bën të pavlefshme si abdesin ashtu edhe namazin, mirëpo nëse përdorët pas abdesit apo pas pastrimit, atëherë çdo gjë është në rregull, me kusht që në abdesin e radhës, duhet të largohet nga thonjët.


E dyta: Vendosja e thonjve artificial është në të njëjtën kategori me atë të llakut që e përmendëm në grupin e parë

Abdesi me thonjë artificial është i pavlefshëm sepse e pamundëson depërtimin e ujit. Thonjët artificial duhet të largohen kur femrat dëshirojnë të marrin abdes, përndryshe abdesi me to është plotësisht i pavlefshëm.


E treta: Vendosja e kënes apo ngjyrave të ngjashme me kënen

Kjo realisht nuk e pengon depërtimin e ujit në thonjë dhe abdesi me të është i vlefshëm, ngase uji përshkon tërësisht thonjët dhe këna apo ngjyra e ngjashme me të nuk e pengon depërtimin e ujit mbi thonjë!


E katërta: Manikyret moderne me substanca apo materiale të ndryshme

Këto materiale me substanca të ndryshme, nuk i takojnë grupit të parë që uji nuk depërton assesi në thonjë, por që nuk i takojnë as grupit të tretë që uji përshkon lehtë thonjët. Pra, kemi të bëjmë me një material tjetër që ende realisht nuk është dëshmuar në praktikë se uji përshkon tërësisht thonjët mbi atë substancë. Përderisa kompanitë që e prodhojnë dhe e shesin atë produkt, pandehin se uji përshkon plotësisht thonjët, autoritetet fetare ende mbesin të rezervuara në lidhje me këtë, duke pretenduar se ende nuk është dëshmuar plotësisht se uji përshkon thonjët, e sipas tyre është depërtimi i oksigjenit dhe kalimi i avullit të ujit deri në thonjë.

Nëse uji i hedhur mbi këtë produkt, lëshon vetëm lagshti nën të (mbi thonjë), atëherë kjo është e pamjaftueshme për abdes dhe realisht abdesi në atë mënyrë është i pavlefshëm, sepse nevojitet që uji të përshkojë atë pjesë, e jo vetëm lagështia. Kjo bazohet në hadithin e përcjellur nga sahabët, ku njërit nga sahabët i kishte mbetur një pjesë shumë e vogël e këmbës pa e përshkuar uji, e i Dërguari i Allahut e urdhëroi atë të merr abdes dhe të falet përsëri: حَدَّثَنَا حَيْوَةُ بْنُ شُرَيْحٍ، حَدَّثَنَا بَقِيَّةُ، عَنْ بَحِيرٍ هُوَ ابْنُ سَعْدٍ، عَنْ خَالِدٍ، عَنْ بَعْضِ أَصْحَابِ النَّبِيِّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، «أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ رَأَى رَجُلًا يُصَلِّ وَفِي ظَهْرِ قَدَمِهِ لُمْعَةٌ قَدْرُ الدِّرْهَمِ، لَمْ يُصِبْهَا الْمَاءُ فَأَمَرَهُ النَّبِيُّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَنْ يُعِيدَ الْوُضُوءَ وَالصَّلَاةَ». - "Na ka treguar Hajvetu ibën Shurejh, na ka treguar Bekijjeh nga Behiri (ibën Sa'di), ky nga Halidi, e ky nga disa sahabë se 'i Dërguari i Allahut e pa një njeri që falej e në pjesën e prapme të këmbës së tij kishte mbetur një pjesë e vogël që nuk e kishte përshkuar (depërtuar) uji, andaj i Dërguari i Allahut e urdhëroi që ta përsëris abdesin dhe namazin'". [5]

Nisur nga kjo, pjesa dërmuese e dijetarëve dhe studiuesve muslimanë kanë konsideruar se llaku i thonjve nuk është i përshtatshëm për gratë myslimane, sepse krijon një pengesë që parandalon ujin të arrijë tek thonjtë gjatë abdesit. Prandaj, gratë myslimane që dëshirojnë të zbukurohen me manikyrin e thonjve, e heqin atë para çdo namazi, gjegjësisht para se të marrin abdes, në mënyrë që të bëjnë abdesin e tyre krahas kushteve të caktuara. Kozmetika dhe manikyri formojnë një barrierë për ujë dhe realisht nëse uji gjatë abdesit nuk depërton në pjesët e caktuara, praktikisht abdesi është i pavlefshëm, e kur të jetë abdesi i pavlefshëm, edhe namazi është i tillë!

Përkundër kësaj janë disa teologë, si në Egjipt dhe gjetiu, të cilët pandehin se (disa nga) produktet e reja të manikyrit e lëshojnë ujin të depërtojë në thonjë, dhe se sipas tyre përdorimi i produkteve të tilla është plotësisht në pajtim me mësimet e Islamit. Megjithatë mendime të tilla mbesin opinione të tyre dhe janë subjekt diskutimi, mirëpo përderisa nuk është dëshmuar ende se produktet e tilla lëshojnë tërësisht ujin në thonjë, atëherë vlen mendimi tjetër i pjesës dërrmuese.

Megjithë avancimin e madh në botën e kozmetikës, prapëseprapë manikyri në fjalë, nuk është vërtetuar 100% se lëshon ujin mbi thonjë, përkundër pretendimeve të disa prodhuesve se uji përshkon tërësisht, dhe se përderisa nuk është siguruar një gjë e tillë, mbetet me plot dyshime marrja e abdesit mbi atë produkt. Si rrjedhojë e kësaj, mendoj se është bërë një revolucion i madh në këtë fushë dhe ka mbetur një punë e vogël deri tek një produkt më efikas, i cili e lëshon ujin pa ndonjë pengesë në mënyrë që përdorimi i manikyrit të tillë të jetë lehtësim për femrat, me theks të veçantë për ato që përdorin manikyr të tillë dhe marrin abdes për t'u falur.



Autor: Dr. Ejup HAZIRI



_________________________

[1] - Kur'ani, el-Maide: 6.
[2] - Samerkandij, Ebu Bekër Alaudin, Tuhfetu-l fukaha, bot.II-të, daru-l kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1994, v.I, f.36, ebu-l Mealij, Mahmud ibën Ahmed ibën Mazeh el-Buharij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, bot. I-rë,Dar Ihjau-t Turath el-Arabij, Bejrut-Liban, 1424h-2003m, v.I, f.35.
[3] - Ebu-l-Mealij, El-Muhitu-l-Burhanij fi-l-Fikhi-n Nu'manij, v.I, f.35-36.
[4] - Rrazi, Zejnudin, Ebu Abdullah Muhamed ibën ebi Bekër ibën Abdul-Kadir, Tuhfetu-l muluk, bot.I-rë, daru-l beshair el-Islamijeh, Bejrut-Liban, 1417h, f.27, Bedrudin el-Ajni, Ebu Muhamed Mahmud ibën Ahmed ibën Musa, El-Benajetu Sherhi-l Hidajeh, bot.I-rë, daru-l kutub el-ilmijeh, Bejrut-Liban, 1420h-2000m, v.I, f.164, ebu-l Mealij, El-Muhitu-l Burhanij fi-l Fikhi-n Nu'manij, v.I, f.36, Samerkandij, Ebu Lejth, Ujunu-l Mesail, me recenzim nga: Salahudin En-Nahi, Matbeatu Es'ad, Bagdad, 1386h, f.6.
[5] - Ebu Davudi në Sunen v.I, f.45, nr. i hadithit 175, Ahmedi në Musned, nr.15495, Bejhekiu në Sunen el-Kubra, nr.392. Dijetarët kanë dhënë vlerësime të ndryshme sa i përket kategorisë së këtij hadithi, ku disa kanë thënë se hadithi është sahih (Hakimi), përderisa disa tjerë kanë thënë se në senedin e tij ka dobësi, disa tjerë mendojnë se hadithi është mursel (Ahmedi dhe të tjerët).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...