Vehabitët - Reformistë apo Fundamentalistë
Këta njerëz nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Islamit të sotëm që i është adaptuar kohës dhe rrethanave të reja, por përkrahin metodën e rivitalizimit të mendimit dhe praktikës islame, që më tepër bazohet në burimet fundamentale të Islamit sesa në inspirimin e epokës moderne, që është karakteristikë e modernizmit islam.
Njerëz të moshës së re, me veshje tradicionale arabe dhe me mjekra të lëshuara, mund të shihen shumë shpesh në Shkup dhe Tetovë, por edhe në qytetet tjera me popullatë shqiptare në Maqedoni. Në shikim të parë, njeriut të rëndomtë i duket se po takon turistë nga vendet e Lindjes së Afërt. Por, kjo nuk është e vërtetë. Bëhet fjalë për shqiptarë që janë idhtarë të lëvizjes islame, të njohur si vehabistë.
Kjo lëvizje ka filluar të shndërrohet në "trend" dhe dita-ditës është duke i shtuar radhët e saj. Ka depërtuar në shkollat e mesme, në universitetet, në punëtoritë, gati gjithkund. Të shumta janë rastet kur prindërit shqetësohen nga sjelljet e fëmijëve të tyre pasi që ata ta kenë përkrahur këtë lëvizje. Meshkujt marrin pamjen e njeriut arab, ndërsa femrat mbulohen me vetëdëshirë. Pesë lutjet në ditë i bëjnë pa marrë parasysh se ku ndodhen, në shtëpi, punë apo në shkollë. Këta njerëz nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Islamit të sotëm që i është adaptuar kohës dhe rrethanave të reja, por përkrahin metodën e rivitalizimit të mendimit dhe praktikës islame, që më tepër bazohet në burimet fundamentale të Islamit sesa në inspirimin e epokës moderne, që është karakteristikë e modernizmit islam.
Ata veten e quajnë reformistë dhe arsyetojnë rimëkëmbjen islame me kthimin e fesë në Kuránin dhe Sunnetin, sepse vetëm me kthimin tek ato burime vlerësojnë se do të sigurohej shërimi i gjendjes së sëmurë në Botën Islame dhe njëherësh do të pengohej mbizotërimi i huaj.
Ky kthim, po ashtu, nënkupton domosdoshmërinë e ringjalljes së komentimit origjinal të mësimit islam, përkundër përgjasimit të zgjidhjeve tradicionale, të cilat, siç vlerësojnë vehabistët, nga shtresimet gjatë historisë kanë mjegulluar thelbin e porosisë islame. "Kjo, në fakt, është riafirmim i Islamit autentik dhe ndërtimi i shoqërisë islame mbi bazamente të shëndosha. Qëllimi themelor i reformizmit të hershëm islam ka qenë përtëritja e frymës burimore Islame kundrejt Islamit popullarizues, që e kishte ngulfatur atë frymë", thonë ata.
Sekti vehabist është themeluar në shekullin XVIII nga ana e Muhammed ibën Abdulvehabin nga Arabia Saudite. Karakteristikë themelore e kësaj lëvizjeje është dimensioni transhendent i Islamit, kriter i të cilit nuk është e kaluara islame, por aktualizimi i tanishëm moral islam, është thelbi e jo forma e Islamit, idealiteti e jo realiteti, jo ajo që kanë vepruar muslimanët, por ajo çfarë duhet të veprojnë. Ideologjia e vehabistëve është që bota arabe apo islame duhet që sërish të sundojë me botën, e cila, sipas tyre, punon në shkatërimin e fesë islame.
Në një nga librat që shpërndahen gratis ndër të rinjtë shqiptarë të Maqedonisë, i titulluar "Qëndrimet e perëndimit ndaj islamit dhe muslimanëve", pasqyrohen vendet e zhvilluara si shkatërrues të islamit dhe me aspirata për sundim të muslimanëve. "Muhamedi alejhis-selam na ka premtuar se feja islame do ta përfshijë tërë botën dhe kjo s'ka dyshim se do të bëhet. Prandaj, mos rrini me njerëzit që historia do t'i rradhitë përgjithmonë në listën e të mallkuarëve! Qëndroni me fitimtarët e përgjithmonëshëm", është një nga porositë e këtij libri.
Autor: Xhelal NEZIRI, shkurt 2003.