Dëmet e Predikuesve Injorant



Nuk lejohet që të merret me predikime dhe këshillime ai që nuk është dijetar, sepse kjo sjell dëme të mëdha dhe vjen në kundërshtim me hadithet e Pejgamberit s.a.v.s., pasiqë ai s.a.v.s. na ka urdhëruar që për ç'do çështje t'autorizojmë atë që është kompetent për të dhe thotë: "Nëse i besohet një çështje jokompetentit atëherë prite ditën e fundit (kijametin)", Sahihul Buhari, libri mbi diturinë, kapitulli II, hadithi nr. 59.

Hadithi sikur do të thotë se autorizimi dhe dhënia e ndonjë çështjeje atij që nuk është kompetent, arrijnë shkallën e fatkeqësisë dhe aludon në ditën e kijametit (dita e shkatërimit të gjith çkaje).

Me këtë hadith vërtetohet se një gjë e tillë, angazhimi i injorantit me vaiz e këshilla, është nga mëkatet e mëdha dhe vërteton se i padituri nuk është i përshtatshëm për predikime dhe këshillime, por kjo detyrë është e veçuar vetëm për dijetarët kompetent dhe se nuk duhet lejuar injorantët të merren me të.

Njëra nga dëmet që mundet të shkaktojnë injorantët është ajo se këta njerëz munden të gabojnë në ndonjë çështje dhe mos e vërejnë gabimin që kanë bërë edhe pse ka nga ata që ruhen shumë, por është e qartë se nuk mund të ruhen deri në atë masë që ta kalojnë nivelin e tyre intelektual. Pasiqë nuk kanë dituri të mjaftueshme për atë lëmi, andaj mundësia për gabime ekziston.


Dëmet e predikuesve (vaizëve) injorant

Nëse kjo kategori njerëzish (injorantët) merren me predikimin e fesë, njerëzit do t'u drejtoheshin për shumë çështje të fesë pasiqë i konsiderojnë për dijetarë, e këta nuk janë zemërgjërë (të sinqertë) që të deklarojnë se janë të padijshëm në fe dhe se nuk janë kompetent për një gjë të tillë (ne e dijmë se ditët e sodit nuk gjenden lehtë zemërgjërit, të sinqertit). Këta njerëz, i japin të drejtë vetes per fetfa dhe tu përgjigjen të gjitha pyetjeve që u parashtrohen atyre duke u bazuar në mendimin e tyre të lire. Kështu që përgjigjet e tyre në të shumtën e rasteve do të jenë të gabuara. Ka disa injorant të shkathët (oratorë dhe manipulant) të cilët përgjigjen në atë mënyrë që nuk i jep zgjidhje pyetsit, por në të njejtën kohë nuk e shfaq injorancën e tij.

Na ishte dikur në Kanku, një fshat në provincën Saharanpur të shtetit Punxhab (Punxhab është njëri nga 28 shtetet e Indisë së sotme, i cili gjendet në veri të Indisë dhe në afërsi tw Pakistanit, shënim i përkth. në gjuhwn shqipe) një injorant që jepte fet'va. E pyeti një herë Rashid Ahmed El-Ganguhi, dijetar i madh, muhaddith dhe fekih, i cili atëherë ende ishte i ri në moshë: "Lejohet apo nuk lejohet martesa e gruas shtatzënë e cila nuk ka burrë"? Kurse ai u përgjigj: "Martesa e saj është si ngritja e një muri të lartë rreth saj". Kjo përgjigje e paqartë, nuk e kënaqi pyetsin, pasiqë nuk e kuptoi se a lejohet martesa apo jo dhe në të njejtën kohë nuk e paraqiti injorantin si të tillë. Të atilla janë përgjigjet e injorantëve, që nuk i kuptojnë masa e gjerë dhe shkojnë drejt gabimeve të shumta.

Ndodhë që predikuesi injorant të thotë se do të përgjigjet për ndonjë çështje të parashtruar pasiqë tu referohet librave që janë përkthyer në gjuhën urdu në kohën tonë, mesele të shumta janë përkthyer në gjuhen urdu, por unë do të kisha thënë, disa çështje përmenden në dy kapituj të ndryshëm, në njërin konsiderohet çështje e pakufizuar (mutlak) kurse në tjetrin si çështje e përkufizuar (mukajjed). Këto regulla dhe norma të sheriatit janë të vështira edhe për dijetarët e zakonshëm (joprofesionist) e lere më për injorantët.

Këta dijetarë të mangur, shpeshherë e ngushtojnë xhematin gjatë këshillimeve që ju bëjnë duke ju thënë: "me të vërtetë All-llahu xh.sh. ua ka garantuar robërve të tij rizkun". Prapëseprapë, njerëzit kanë frikë dhe nuk janë të sigurt për një gjë të tillë dhe ndonjëherë mendojnë se nuk do tu arrijë rizku i All-llahut xh.sh.. Në këtë rast, këta pseudointelektual e akuzojnë popullin duke u thënë se u është dobësuar imani duke e argumentuar këtë me shembullin e atij që është i ftuar në ndonjë banket ku i ftuari është i sigurt se do ta hajë atë ushqim edhe pse atë ia ka premtuar një njeri, kurse nuk beson në premtimin e All-llahut. Por këta dijetarë jo aq të mprehtë, duhet ta dinë se kjo që thonë ata nuk ka të bëjë me dobësinë e imanit, por me dobësinë e temperamentit (natyrës) të njeriut.


Mes dobësisë në iman dhe dobësisë në temperament

Ka dallim mes dobësisë në iman dhe dobësisë në temperament. Së këndejmi, nuk ka musliman që nuk beson në premtimin e All-llahut xh.sh., kurse shembulli që përmendet për të sqaruar çështjen në fjalë është i gabuar, për arsye se nuk lejohet kijasi (analogjia) në mes premtimit të All-llahut dhe premtimit të njeriut.

Personi që përgatitet për një banket (gëzim familjar) e di kohën se kur do të ndodh një gjë e tillë dhe me këtë do ta njoftoj edhe të ftuarin për kohën e tij. Sikur premtimi i Allahut xh.sh. të ishte në këtë mënyrë, i qartë dhe i kufizuar në kohë, atëherë muslimanët do t'i besonin më tepër premtimit të Tij sesa premtimit të njeriut.

Premtimi i All-llahut xh.sh. në lidhje me rizkun (furnizimin) nuk është i definuar në kohë, mënyrë dhe sasi. Ndoshta rizku i All-llahut nuk arinë ditën e nesërme, por arrin të pasnesërmen. Prandaj themi se premtimi i All-llahut është i padefinuar. Në anën tjetër, ai që i fton njerëzit në një banket, zakonisht e cakton edhe kohën e saktë të tij. Prandaj themi se luhatshmëria e robit të All-lahut për çështjen e furnizimit hyjnor, nuk vjen si rezultat i dobësisë së imanit të tij, por si rezultat i dobësisë në temperamentin e tij. Po sikur të ishte ftesa e atij personi (që i fton njerëzit në banket) e padefinuar në kohë dhe mënyrë, atëherë i ftuari në banket do të ishte shumë më i pasigurt se sa në premtimin e All-llahut. Sa faqezi është ai predikues që i akuzon muslimanët për dobësi të imanit, në kohën që kjo dobësi vjen si rezultat i dobësisë në temperamentin e tij dhe jo si rezultat i imanit të tij të dobët.


Çështja e blerjes së arit dhe argjendit

Na ka ndaluar sheriati që të bëjmë mbivlerësim në llojet (sendet) e ngjashme, si p.sh.: blerja e arit me ar, apo blerja e argjendit me argjend. Në këto raste vlerësimi duhet të jetë i njejtë dhe ndalohet ta mbivlerësojmë njërin ndaj tjetrit, kurse injoranti këtë çështje e shtron ashtu siç duket në pamje të parë.

Ndodh që në një kohë të caktuar, të mos jetë e njejtë vlera e argjendit me vlerën e "rupit", por 10 gr. argjend të jetë e barabartë me 10 "anat" rupi, kështu që blehet argjendi me një vlerë më të madhe se rupi. Në këtë rast, predikuesit injorant nuk dinë tjetër pos rregullit se nuk lejohet të mbivlerësohet njëra nga dy sendet që janë të të njejtit lloj. Kështu që, ose nuk do të blejnë argjend përpos se të jetë i barabart me rupin, në këtë rast do t'i injoroj populli (pasuesit e tyre), ose t'i detyrojnë muslimanët e tjerë që most të blejnë argjend përpos se të jetë e barabartë me rupin. Në të dyja rastet do ta akuzojnë sheriatin duke thënë se sa e çuditshme është kjo mesele (çështje): "argjendi mund të blehet më tepër me të njejtat rupi, kurse sheriati thotë se sasia e saj duhet të jetë e njejtë me të rupit"?!

Ky konfuzion (paqartësi) vjen si rezultat i injorancës së tyre. Njohësi i mirë i sheriatit kur e sqaron këtë çështje thotë: në kohën kur blehet argjendi me rupi dhe vlera e tij ështe më e madhe së rupi, mos e bleni argjendin me rupi, por ndrojeni (këmbejeni) atë me paiso (1 rupi=100 paiso) dhe blejeni argjendin me ta, sepse paisot (në formë monedhe) përmbajnë në vete argjend dhe metale të tjera veç argjendit. Në këtë rast argjendi vjen si këmbim me argjendin që gjendet në një paiso, kurse pjesa shtesë e argjendit vjen si kudervlerë e metalit që gjendet në paiso. Në këtë rast ndryshon lloji, prandaj lejohet mbivleresimi i njërës ndaj tjetrës . Ky ishte një shembull se si predikuesit injorant ua komplikojn çështjet masës së gjërë.


Çështja e divorcit

Tani do ta parashtroj para jush çështjen e talakut (divorcit) dhe shembullin e varshmërisë (tekjidit) që e përmenda më herët. Ka të bëjë me kapitullin mbi aludimet, ku fukahatë kanë llogaritur fjalën "ihtarii" (zgjidh, drejtuar gruas) nga aludimet e divorcit dhe e kanë përmendur në kapitullin e aludimeve për divorc, por kanë thënë se divorci mund të ndodh vetëm nëse mutaliku (divorcuesi) e ka për qëllim divorcin.

Në shikim të parë duket se divorci mund të ndodhë vetëm me nijetin e divorcuesit, ndonëse fjala "ihtari" nënkupton realizimin e divorcit, por që kushtëzohet me një kusht tjetër që përmendet në kapitullin e autorizimit ku e kanë përmendur dhe ku thuhet se "ihtari" nuk mundet të ndodh vetem me nijetin e divorcuesit i cili e shpreh nijetin e tij me fjalë, por një gjë e tillë mund të realizohet (të plotësohet divorci) nëse gruaja e zgjedh divorcin në të njejtën kohë kur është theksuar divorci nga ana e divorcuesit (burrit të gruas). Fukahatë, kushtin e zgjedhjes së divorcit nga ana e gruas nuk e kanë përmendur në kapitullin e aludimeve por e kanë përmendur në kapitullin e autorizimit. Në këtë rast, nëse dikush mundohet që të sqarojë çështjen "ihtari" duke iu referuar vetëm kapitullit të aludimeve, do të gabonte gjithsesi, sepse do të pohonte për vlefshmërinë e divorcit si rezultat i qëllimit të divorcuesit të shprehur me fjalë, a ne e dijmë se kjo është gabim. Në këtë çështje kanë gabuar edhe dijetarët, një gjë të tillë e ka pohuar edhe dijetari Shami (Imam Ibën Abidini), i cili tregon për një fekih që ka gabuar në këtë çështje.


Dallimi mes shprehjes së pakufizuar (el-mutlak) dhe te kufizuarës (el-mukajjed)

Ndodh që një çështje të jetë e pakufizuar (mutlak) në ndonjë libër dhe e kufizuar (mukajjed) në një libër tjetër. Për këtë arsye, nuk i lejohet myftiut që të japë fetfa për ndonjë çështje, duke u bazuar vetëm në atë që e ka lexuar në një libër të vetëm, por të japë fefva pasi të ketë hulumtuar në më tepër libra dhe burime të ndryshme.

Në fakt, shkenca e fik'hut është tepër precize, dhe është shumë e sigurt se munden të gabojnë në çështjet që kanë të bëjnë me të, ata injorantë që i këshillojnë (u japin fetfa) të tjerët.

Mënyra më e mirë për t'i sprovuar këta predikues injorant është që në mexhliset e tyre të ulet ndonje dijetar, tre apo katër herë, por të qëndrojë diku i fshehur. E kushtëzoj qëndrimin e këtyre dijetarëve me tre apo katër herë, sepse ndodh që predikuesit injorant të mos të gabojnë në të parën herë, por e kanë të vështirë të mos gabojnë për një kohë të gjatë. Pas gjithë kësaj, nëse i pyet dijetarët për madhësinë e gabimeve të tyre do ta kuptoje të vërtetën mbi ta (se sa injorant janë këta predikues).

Mu për këtë arsye, këshilloj që ky mision most tu lihet në dorë injorantëve dhe jokompetentëve. Unë nuk them se dijetari nuk gabon dhe se nuk mundet që nga ai të dal asnjë gabim. Ata janë njerëz dhë mundësia për të gabuar është e pranushme, mirëpo gabimet e tyre do të jenë të pakta dhe të vogla e nuk do të jenë të shumta dhe të mëdha. Për shembull: "nëse dijetari jep njëqind keshilla, ai ndoshta vetëm njërën nga ato nuk do ta qëllojë edhe atë rallëherë, kurse gabimet e injorantit janë të shumta dhe të mëdha kur ai i këshillon të tjerët". Gjithashtu, nëse dijetari gabon ai gabimin e tij do ta përmisojë në ndonje mexhlis (tubim) tjetër, sepse është i vetëdijshëm për gabimin e tij, kurse nga injoranti nuk mund të pritet një gjë e tillë.

O ju të nderuar! Ndoshta juve nuk ju ka bë vaki, por mua po, prandaj ju them se jokompetentit nuk duhet lejuar që të merret me vaiz (këshillime) dhe hutbe (ligjerata). Pasha Allahun, injornca sjell dëme të shumta dhe rreziqe të mëdha.

Ja një shembull: "Një njeri nga qyteti i Kanpurit (qytet në Indinë e sotme) kishte bërë kurban një dele e cila nuk kishte asnjë gjymtyrë të shëndoshë dhe kur të tjerët i thanë se kjo dele nuk lejohet për kurban", ai u përgjigj: "gruaja ime ka dhënë fetfa se kjo dele lejohet për kurban". Pastaj shkoi te gruaja e tij dhe i tha se njerëzit thonë se e ke gabim fetfanë. Ajo kishte lexuar një përkthim të librit Sherhul-Vikaje në gjuhën urdu. Pasi e gjeti librin ku gjendeshte çështja në fjalë (meselja), shkoi me të para masës dhe u tha: "lexoni këtë pjesë" dhe në të shkruante se nëse një e treta e gjymtyrës së kafshës është e këputur, lejohet të bëhet kurban. Kështu gruaja tha: "Cila gjymtyrë e saj është e këputur më pak se 1/3 dhe nuk është më tepër se aq?" edhe pse gjymtyrët e saj ishin të këputura në tërësi. A ka çmenduri më të madhe se kjo?! Gruaja ishte bërë myfti vetëm se kishte lexuar një përkthim të "Sherhul Vikaje" në gjuhën urdu!



Autor: Hakimul Umme Eshraf Ali Thanevi,
Përktheu: Bedri Kasami.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...