Pregaditje për muajin e Ramazanit



Pregaditje për Ramazan

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të krijesave, kurse paqja dhe bekimi qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed a.s., që është besnik dhe i sinqertë. O All-llahu, ne nuk dimë asgjë pos asaj që Ti na mësove. Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti. O Allah, na mëso atë çka është e mirë për ne, dhe na bën të përfitojnë nga ajo që Ti na ke mësuar dhe na shto dituritë tona. Na trego gjërat e mira si të mira dhe na ndihmo ti bëjmë ato, dhe na trego gjërat e këqija si të keqija dhe na ndihmo të qëndrojmë larg tyre. O Allah, Zoti ynë, na udhëzo nga thellësia e errësirës dhe iluzionit në dritat e diturisë dhe njohurisë dhe nga epshet e ulëta dhe të njëllosura në qiejt e të afërmve Tuaj.


Agjërimi në kohën e shokëve të Profetit a.s. (Sahabëve) dhe në kohën e sodit

Të nderuar vëllezër, ky është mësimi i njëzetë e tetë i serisë "Besimi i vërtetë dhe paimitueshmëria e Kur'anit".

Është një fakt që aktet rituale të adhurimit si: namazi, agjërimi, haxhi dhe zeqati kanë qenë të urdhëruar nga Allahu, me çka, agjërimi është akti i dytë më i madh i adhurimit në Islam. Megjithatë, problemi lind atëherë kur muslimanët adoptohen me to aq shumë sa që ata u kthehen në zakone, si rezultat, qëllimet e tyre reale fillojnë të braktisen.

Pyetja që duhet bërë është: a i kemi kryer këto akte të adhurimit ashtu si ata duhet të kryhen. A përputhet agjërimi ynë me atë që All-llahu dëshiron të jetë? Pse stacioni i Sahabëve (shokët e Profetit) është aq i lartësuar? Si mundnin ata që të bënin ibadet gjatë natës dhe të luftonin gjatë ditës? Si arritën parullat e tyre në vendet shumë larg tyre? Pse kishin ata një dashuri të thellë për njëri-tjetrin?

Në të kundërtën, muslimanët sot janë të shpërndarë, të përçarë dhe të dobët, në asnjë vend ato nuk kanë dominim. Nëse do kryenim aktet të adhurimit (ibadetet) ashtu si bënin Sahabët, me siguri do kishim arritur arritjet e njëjta siç bënë ata! Sahabët, relativisht të vogël në numër, ishin në pozicion për të dominuar botën në më pak se 25 vjet nga Parisi në Kinë, ndërsa në ditët e sotme, pesë shtete islame janë të okupuara dhe muslimanët nuk kanë dominim, bile as që kanë kontroll mbi çështjet e tyre. Pejgamberi, Allahu e bekoftë dhe i dhëntë paqe, ka thënë: "Dymbëdhjetë mijë luftëtarë kurrë nuk do të munden për shkak të numrit të tyre të pakët", (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu nga Zuhri).

Pasi popullata muslimane në botë sot është 1.5 miliardë, a nuk duhet të pyesim: Cili është dallimi midis nesh dhe shokëve të Profetit, Allahu i bekoftë dhe u dhashtë paqe?

Kur'ani është ende i njëjtë, Allahu është Zoti ynë ashtu siç ishte edhe i tyre, Kur'ani është libri ynë ashtu siç ishte edhe i tyre, Pejgamberi, Allahu e bekoftë dhe i dhëntë paqe është i Dërguari i jonë ashtu siç ishte edhe i tyre dhe Islami gjithashtu është i njëjtë. Atëherë, cili është shkaku dhe origjina e hendekut të gjerë në mes të realitetit tonë dhe atij të Sahabëve?

Ramazani është muaj i lidhjes me All-llahun:

Unë konsideroj se ata kanë kryer ibadetet ndryshe nga ajo që ne bëjmë sot. Prova ime këtu është ndryshimi drastik në muajin e Ramazanit, i cili, nga një muaj i disiplinës, drejtësisë, faljes, pendimit, lutjes së natës, namazit të përditshëm të sabahut, uljes së shikimit dhe kontrollit të gjuhës, është kthyer në një muaj i festimeve, banketeve dhe i "takimeve mbas darke - sibeteve".

Të gjitha ushqimet e begata dhe të tepruara që haeshin ditën transferohen në darkat e natës, kurse kjo nënkupton shkuarjen në tjetër drejtim nga ajo që Allahu ka për qëllim në këtë muaj. Ai dëshiron ky muaj të jetë muaj i adhurimit, veçimit, intimitetit, lidhjes me Allahun duke qenë i vetmuar me Të. Tani, përkundrazi, ai është muaj i takimeve, grupimeve, filmave dhe serialeve. Përgjegjësit e televizioneve dhe antenave kabllovike sigurojnë që gjithë mëkatet dhe kundërvajtjet të jenë në dispozicion në kanalet televizive gjatë gjithë muajit të bekuar të Ramazanit, duke qenë ky realitet i turpshëm i statusit tonë të agjërimtarit në krahasim me statusin e agjërimit të të parëve tanë të devotshëm.

Pse nuk i garanton vetes të jesh i sinqertë ndaj Allahut gjatë gjithë këtij muaji? Pse nuk i shtyen të gjitha banketet deri pas Bajramit? Çfarë të pengon që të bësh këtë?

Duke pasur parasysh që ju jeni besimtar, prisni deri pas Ramazanit, pasi ky muaj është për adhurim dhe jo për bankete.

Mos harroni se e ngrënmja e tepërt e bën të vështirë për të kryer edhe namazin e taravisë, kjo është edhe arsyeja se pse shumica e njerëzve dështojnë ta kryer atë, madje edhe nëse atë e bëjnë, namazi I tyre është formal dhe jo shpirtëror.

Ky është muaji i takimit me All-llahun, I afrimit më pranë Tij, i leximit të të gjithë Kuranit më shumë se një herë gjatë gjithë muajit, i rritjes së njohurive, pra me një fjalë, është muaji i ngritjes tënde shpirtërore. Prandaj, si e ke shëndruar atë në muaj të banketeve, takimeve, grupimeve të përziera të shoqërisë (mashkuj dhe femra), e këngëve dhe e filmave, bile, e ndjekur me pretendime për ta aritur pafajësinë sa të një fëmije?

Ajo që unë shpresoj është ky ajet Kur'anor: "Vazhdo me këshillë, (duke predikuar Kuranin, o Muhamed) sepse këshilla besimtarëve u bën dobi", ((El-Dharijat, 55).

Unë shpresoj që secili prej jush të bëj plane të mira përpara këtij muaji, pasi ashtu si nuk mundni të numroni duke kapërcyer menjëherë prej zero deri në njëqin, ashtu ju nuk mund ta bëni diçka papritur, por kjo duhet të bëhet gradualisht. Prandaj, përgaditeni veten tuaj për Ramazan dhe mos harroni të zgjidhni problemet e mëdha (nëse keni mundësi) para saj, ashtu siç thonë disa: "Ramazani nuk është për asgjë tjetër, pos për adhurim". Prandaj, shtyje ndarjen me partnerin tuaj të biznesit ose zgjidhe problemin që të shqetson para ose më vonë.

Për atë që agjëron tridhjetë ditë, kryen tridhjetë namaze të sabahun dhe namazin e taravisë, tridhjetë recitime të Kur'anit, i cili ul shikimin në mënyrë rigoroze, braktis tërësisht zbavitjen, qëndron pa luhatje në adhurim, i kushton vetvetes kujdes në bamirësi për të varfërit, ky person është i prirur të jetë në lidhje të fortë me Allahun, dhe ai që lufton kundër dëshirave të veta në Ramazan, pasi Ramazani të kalon me të gjitha këto angazhime të plotësuara prej tij, për të nuk mbetet asgjë pos shpërblimit nga Zoti.

Pejgamberi, Allahu e bekoftë dhe i dhëntë paqe, ka thënë: "Ai i cili agjëron përjeton dy gëzime: 1. ndjen kënaqësi kur vjen iftari dhe prish agjërimin dhe 2. është i lumtur me anë të agjërimit të tij kur ai takon Zotit e tij (Allahun xh.sh.)", (Buhariu dhe Muslimi).

Çdo musliman duhet të jetë i gatshëm për këtë muaj të madh:

Të nderuar vëllezër, unë e këshilloj veten dhe ju gjithashtu, për tu pregaditur për këtë muaj që fillon edhe pak. Nëse keni një problem që ju shqetëson, zgjidheni atë ose tani ose shtyjeni atë deri pas Ramazanit (nëse mundeni).

Nëse keni një mosmarrëveshje me partnerin tuaj të biznesit, një problem serioz në jetën tuaj ose një konflikt, nëse keni mundësi, zgjidheni atë sa më pare (nëse keni mundësi), me këtë rast do ti kushtoni vetes më shumë kohë në Ramazan për të qenë sa më afër All-llahut të Plotfuqishëm.

A do tu vinte e pranueshme sikur të ishit një punëdhënës dhe punonjësi juaj kërkon leje prej jush për të udhëtuar pesë orë për në një qytet të largët vetëm për të parë një nga monumentet e saj kulturore dhe pastaj të kthehet pas? A do ta miratonit menjëherë një kërkesë të tillë të pakuptimtë? Në fakt, e njëjta vlen edhe për agjërimin. A do pranonit që agjërimi juaj të vjen bashk me përgojimin, shpifjen, shikimin e filmave të ndyta dhe pjesëmarrjen me shoqëri të përzier (mashkuj dhe femra)? Ramazani është muaj i disiplinës, i uljes së shikimit dhe i lidhjes me Allahun.

Qetësia jepet për këdo që është i devotshëm në Ramazan:

Të nderuar vëllezër, ju mund të agjëroni në mënyrë si ju ndjeheni dhe si ju dëshironi, megjithatë, nëse nuk agjëroni ashtu siç dëshiron All-llahu, ju nuk do të arrini qetësinë në zemrën tuaja.

A nuk është kjo mënyrë hyjnore në përputhje me madhështinë e Allahut?

A do të pranonit një urdhër të pakuptimtë dhe të kotë? Mereni shembullin e ndonjërit që kërkon një vërtetim për pafajsi nga gjykata. Gjykata mund ti jep atij vëretimin edhe nëse ai është një kriminel, por kjo nuk e bën atë më pak kriminel sesa është në realitet. Prandaj, do të ishte e pakuptimtë, apo jo? E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin. Domethënë, në qoftë se agjërimi është thjesht formal, ku ju abstenoni vetëm nga haja dhe pija por jo edhe nga përgojimi, shpifja, pjesëmarrja në shoqëri të përzier (mashkuj dhe femra), përqeshja, shakaja dhe shikimi i filmave dhe serialeve të shthurura atëherë agjërimi juaj do të jetë i pakuptimtë dhe i kotë.

Për fat të keq, kjo është ajo që sot shumica e njerëzve bëjnë gjatë Ramazanit. Megjithatë, unë jam i përgatitur për të dhënë këshilla për gjithë ata që marrin pjesë në xhami, shkaku është se kërkuesit e diturisë duhet të jenë jashtëzakonisht të disiplinuar në mënyrë që të përfitojnë nga këto manifestimet hyjnore. Prandaj, kur ju braktisni çdo gjë për hir të All-llahut nga ajo që është e pëlqyeshme dhe e lejuar jashta ramazanit (haja, pija dhe mardhëniet intime) do t'ju jepet një qetësi e cila është e panjohur për këdo pos atyre që e shijojnë atë.

Çfarë është kjo qetësi?

Allahu përmend në Kuran këtë qetësi duke thënë se Ai e bën të zbresë atë në zemrat e besimtarëve. Prandaj, qetësia është ngushëllim për shpirtin, ndjenjë e triumfit dhe lartësi e ndjenjave. Unë shpresoj se Ramazani për ju nuk do jetë një muaj i bisedave, traditave dhe zakoneve të këqija që keni përdorur gjatë viteve të kaluara.

Ibadatet në Ramazan ju karikojë për tërë vitin:

Ramazani është një muaj i ibadeteve (akteve të adhurimit). Në këtë aspekt, ju përngjani si shembulli I një telefoni celular i cili duhet mbushur në çdo kohë. Prandaj, ju karikoheni pesë herë në ditë nëpërmjet pesë namazeve: "ka shlyerja mëkatesh prej namazit para saj deri në namazin që falet", (Ahmedi, transmeton prej Ebu Hurejres).

Përveç kësaj, gjithashtu karikohemi edhe brenda javës, përmes faljes së ditës së premte (xhuma). Prandaj, ju karikoheni si brenda ditës ashtu edhe brenda javës, saqë çdo namaz ju mbush deri në namazin tjetër, dhe çdo falje xhumaje ju mbush deri të premten në vijim. Karikimi (mbushja) ditor është vetëm për disa orë, ndërsa karikimi javor është më i thellë dhe më i gjatë. Në të njëjtën linjë, Ramazani ju karikon (mbush) në bazë vjetore deri në Ramazanin e ardhshëm, duke qenë se ju agjëroni tridhjetë ditë, faleni gjatë netëve, kryeni namazin e sabahut, kujdeseni për gjuhën (fjalorin) tuaj, ulni shikimin tuaj në mënyrë rigoroze dhe shmangni shkeljen e ligjeve islamike. Prandaj, ka shumë të ngjarë që ky karikim (mbushje) është e mjaftueshme për një vit, kurse sa i takon Haxhit ai ju mbush për gjithë jetën: "Kushdo që e kryen haxhin dhe (gjatë haxhit) nuk kryen marrëdhënie seksuale (me gruan e tij), e as nuk kryen mëkat, as nuk ka mosmarrëveshje (gjatë haxhit), ai kthehet nga haxhi (në shtëpi) aq i pastër dhe i lirë nga mëkatet sa ai që e ka sjell nëna e tij në këtë botë", (Transmeton Ebu Hurejreja).

Mëkatet e kaluara falen në Ramazan:

Diçka tjetër, o vëllezër të dashur. Më lejoni të jap një shembull nga realiteti i përditshmërisë së njerëzve. Le të supozojmë, si shembull, se ju I keni dikujt borxh një shumë të madhe parash dhe duke pasur parasysh faktin se ju nuk mund ti paguani këto borxhe ai ka ngritur kallzim penal ndaj jush përmes të cilit ju mund tju sekuestrohet pasuria, mund të mireni në pyetje, mund të gjykoheni dhe mbase edhe të mbylleni në burg, nëse në një moment dikush ju thotë: Nëse bëni një sërë aktivitetesh për tridhjetë ditë, borxhi i juaj do të shlyhet, a do ta kishit pranuar atë propozim? Kjo është ajo që Ramazani dhuron. Kjo është domethënia e thënies së Pejgamberit, Allahu e bekoftë dhe i dhëntë paqe: "Kush agjëron në muajin e Ramazanit nga besimi i sinqertë, duke shpresuar për një shpërblim prej All-llahut, do t'i falen të gjitha mëkatet e tij të kaluara", (Transmeton Ebu Hurejreja).

Megjithatë, ka nevojë të përmendet se ka mëkate që janë të falshme, ato në mes jush dhe Allahut, por ka edhe mëkate që janë të pafalshme, që përfshihen të drejtat e njerëzve. Shkelja e të drejtave të All-llahut është e falshme, ndërsa të drejtat e njerëzve janë të lidhura me pronarët e tyre. Për më tepër, ka edhe një mëkat që është absolutisht i pafalshëm, kjo është bërja e shirkut (shoqërimit shok Allahut), dhe pastaj ka edhe shirk të fshehtë, i cili është një çështje më të vërtetë shumë serioze. Allahu, më i Larti thotë: "Dhe shumica e tyre nuk besojnë në All-llahun përveç që ata i përshkruajnë Atij shok (dmth ata janë Mushrikët - politeistët)", (Jusuf, 106).

A është e mundur që ky muaji mund të të çojë në pastrimin e shirkut të fshehur? A mundeni të bëheni vërtetë një monoteist i denjë dhe a mundet vizioni juaj të jetë më i qartë?

Pasha Allahun, të dashur vëllezër, qielli është kufiri për potencialet e këtij muaji, dhe unë shpresoj për secilin prej jush të tejkaloni të gjitha traditat dhe zakonet (e këqia) që ju keni përdorur më parë dhe të bëni më të mirën në këtë muaj - ta ktheni atë në një muaj të adhurimit, të afrimit më afër All-llahut,të kërkimit falje prej Tij, të leximit të Kur'anin, të bamirësisë për të varfërit, të qenurit i prirur për lutjet e natës dhe të kryerjes së namazit të Sabahut në xhami: "Ai që fal namazin e Sabahut me xhemat do të vijë nën mbrojtjen e All-llahut deri në mbrëmje, dhe ai që fal namazin e jacisë me xhemat do të vijë nën mbrojtjen e Allahut deri në agim", (Ahmedi).

Unë shpresoj se të kuptuarit tonë për ibadete do të thellohet. Thotë Imam Shafiu: "Ibadetet (aktet e adhurimit) janë themeluar në interes më të mirë të njerëzimit".



Autor: Dr. Nabulsi
Nga gjuha angleze: Mr.Xhemail ÇUPI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...