Çka po ngjan në Bashkësitë Islame Shqiptare?




 -I-


Të gjithë ata të cilët i kanë përcjellë ngjarjet në Kosovë, e dinë se kohëve të fundit janë përsëritur raste të dhunës ndaj punonjësve dhe zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo shkaktoi frikë, shqetësime, revoltë të besimtarët dhe qytetarët në përgjithësi. Sikur të mos mjaftonte kjo dhunë fizike e psikike ndër islame, një gazetë e përditshme kosovare, boton ligjëratën e hoxhë Shefqetit, ku mes tjerash kishte thënë fjalë fyese për Nënë Terezën, për çka në reagimet e shumta u dënua ligjërata si skandaloze dhe në kundërshtim me parimet islame.

Ndoshta kjo pikëpamje e hoxhës në fjalë, është formuar dhe forcuar duke pasur parasysh keqpërdorimin e emrit të Nënës Terezë, nga disa shqiptarë në Kosovë, të cilët shiten më katolik se Papa, por, askush nuk duhet të bie në nivele të tilla, për shkak se dikush para tij ka rënë në këto nivele. Dijetarët e mirëfilltë islam, duhet ta dinë mirë çka është në dorën e njeriut dhe çka në dorën e Zotit. Të tillët duhet ta dinë se asgjë në këtë botë nuk bëhet pa dëshirën dhe vullnetin e të Gjithëfuqishmit. Të tillët duhet ta dinë se çdo gjë e krijuar, e improvizuar pa vullnetin e Zotit, nuk do të ketë jetë të gjatë në këtë botë.

Neve nuk po na ndjekin të këqijat, ato po i ftojmë vet, ose po u shkojmë pas atyre. Hoxhët e tillë si hoxhë Shefqeti, në vend se të dëshmojnë devotshmëri ndaj Zotit, dhe veprime të kulturuara në frymën islame, se si duhet dashur e afruar të gjithë njerëzit, ai fyen dhe nënçmon në kundërshtim me parimet islame. Dhe, pa marrë parasysh faktin se kur dhe ku janë thënë këto fjalë, ky lloj fjalori nuk i takon kulturës islame, as nënqiellit shqiptarë. Të tillët nuk e mbrojnë, por e shkatërrojnë imazhin e islamit.

Do të ishte fatbardhësi e madhe për të gjithë shqiptarët, sikur të kishim pas edhe një figurë shqiptare-myslimane, të afirmuar në botë, e të shpallur përsonalitet i shekullit XXI-të.


 -II-

Ngjarjet tronditëse dhe të turpshme ndodhën dhe po ndodhin edhe në Bashkësinë Islame të Maqedonisë. Kjo pasqyrohet me ndërskamsa, fyerje, akuza dhe shantazhe të shkaktuara nga disa imamë, myfti dhe kryetari i BIM. Kërkesa e disa imamëve që myftiu Taxhedin të inicoj hetimet kundër Kryetarit të BIM-it, Sulejma Rexhepi, duke supozuar të jetë spiun dhe udbash i vjetër, letra të hapura me akuza për keqpërdorime të ndryshme, me shkarkime dhe dorëheqje të myftiut Taxhedin Bislimi dhe turpe tjera, të cilat s'kan lidhje me besimin dhe etikën islame, me vite po shkaktojnë shqetësime dhe brengosje ndër xhematë dhe në opinion publik.




 -III-


Zgjedhjet e marsit për kryetarë të Komunitetit Mysliman Shqiptarë në Tiranë, u shoqërua me moskënaqesi dhe protesta, por edhe ankesa në Gjykatën e Tiranës. Shumë imamë atje dolën në kundërshtim të rizgjedhjes së Selim Muçës, duke e ngulfatur paraprakisht vullnetin e besimtarëve, gjegjësisht votën e tyre. Edhe këtu pati akuza e kundërakuza ndër më të ndryshmet, e të cilat janë në kundërshtim të plotë me të gjitha parimet islame.


 -IV-

Ngjarjet në Sanxhak, dhe lufta e udhëheqësve fetarë se kush do ta ketë sundimin në BI të Serbisë, janë ngjarje të cilat dëshmojnë se në bashkësitë islame, me myslimanët nuk është asgjë në rregull. Myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukorliqi, i lidhur me Bosnjën, apo Adem Zilkiqi, imam nga Tutini, aktualisht Reis ul-Ulema i Serbisë, i lidhur me familjen Jusufspahiq dhe me Beogradin. Kush ka të drejtë në këto ngjarje dhe sa janë këto në pajtim me parimet islame? Kjo nuk don shumë koment, sepse diçka nuk po shkon konform parimeve islame, gjegjësisht në rrugën e Zotit.


 -V-

Është fakt se kohëve të fundit, rinia po kthehet në praktikimin e islamit të shëndoshë, duke u bazuar në Kur'an dhe synet. Kjo po ndodh gjithandej në shtetet përreth Kosovës dhe në Kosovë. Edhe më parë është praktikuar islami në Kosovë, të cilin e kemi njohur si islam burimor dhe asnjëherë nuk ka pasur kontradita për të. Myslimanët të cilët kanë jetuar nën sundimin komunist, të ri e të vjetër, ndoshta pa kuadra shumë të arsimuara, por sipas mundësive i mbetën besnik islamit burimor. Ata nuk iu kishin dhënë shkas kundërshtarëve të fesë-komunistëve, për t'i cilësuar si vehabistë, selefist, ekstremistë, etj.. Atëherë nuk kishte përçarje të xhematit, nuk kishte armiqësi, nuk rriheshin njerëzit në xhamia, nuk rriheshin të punësuarit e BI-me dhe zyrtarët e institucioneve fetare, sikurse që po ndodh sot në Kosovë, edhe pse pa prezencën dhe pushtetin komunist. Sot liria e shprehjes dhe e besimit është shumë e madhe, ndërtohen shumë objekte fetare, por ato sikur dikujt i shërbejnë për ta prishur-rrënuar xhematin!

"Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e Allahut, e mos u përçani"! (Kur'an, 3:103)

Këtë ajet e përsërisin vazhdimisht të gjithë imamët, hoxhallarët, teologët dhe përfaqësues të ndryshëm, të cilët flasin dhe udhëheqin në emër të fesë islame. Thirrja është e njëjtë nga të gjithë, për të gjithë myslimanët, por, mjerisht praktika, realiteti, është ndryshe, si te shqiptarët ashtu edhe në botën islam në përgjithësi. Kjo është shumë brengosëse, sepse praktika nuk po shkon bashkë me thëniet e Zotit.

Disa vehabistë, p.sh.: (shkaktarë të përcarjeve të myslimanëve), thirren në hadithin: "Janë ndarë çifutët në shtatëdhjetë e një grupe dhe janë ndarë të krishterët në 72 grupe, kurse umeti im do të ndahet në 73 grupe (nuk i cekin cilat janë ato v.i.)".

"Të gjithë ato janë në zjarr, përveç njërës". E pyetën, "cili është ai?", i Dërguari u tha: "Ata që do t'i përmbahen asaj në çka jam unë dhe shokët e mi sot". Vallë, me përçarje dhe me veprime të këqija, myslimanët duhet t'ua tejkalojnë të tjerëve? Kjo a nuk është në kundërshtim edhe me Hadithet e të Dërguarit?

Cili është ai grup, qoftë vehabi, selefi, shi'it, bektashi ... dhe çfarë rëndësie ka kjo për fenë, në krahasim me shifrën prej 1.5 miliard myslimanëve dhe jetën e tyre sot? Besimtari duhet të ndien dhimbje, jo krenari, që një grup (vehabistë-selefist e kushdo qoftë) myslimanë, do të shpëtojë, kurse të gjithë të tjerët do të përfundojnë në Ferr. Kjo do të ishte dështim i misionit të fesë. Zoti na ruajt.

Pa e komentuar vërtetësinë e hadithit që cekëm më lartë, të përkujtojmë ngjarjen e vitit 1802, ditën e shenjtë të Ashures. Sipas Reza Asllan, mendimtar i dalluar dhe shumë dijetarëve të tjerë, me këtë rast, përkrahësit e Abdylvehabit, sulmuan qytetin e Kerbelasë dhe masakruan 2000 shiitë (myslimanë), që luteshin në celebrimin e muajit Muharrem. Pas Luftës së parë Botërore, Mbreti Abdyl-Aziz ripushtoi Meken dhe me lejen e vehabistëve, ekzekutoi publikisht 40 000 kundërshtarë, natyrisht të gjithë këta ishin myslimanë.

Edhe pse kanë kaluar shekuj, pasojat e ndarjeve, armiqësive e përçarjeve të myslimanëve në: shi'it, vehabistë-selefist, si në Irak, Liban, Afganistan, Pakistan ... ku me atentate vetëvrasëse, ..., në emër të fesë, duke e keqinterpretuar atë, edhe nëpër xhamia po vriten me dhjetëra e qindra njerëz të pafajshëm! Përkundër kësaj, vehabistët-selefistë, të cilët mendojnë se po e ndjekin rrugën e pastër të Pejgamberit, heshtin duke shikua masakrat ndër myslimane, derisa nuk i sulmojnë armiqtë e tyre të njëmendtë, sepse kështu ua do interesi i tyre.


 -VI-

Krahas të gjitha këtyre tmerreve që po ndodhin në botën islame ne nuk duhet të jemi indiferent dhe të relaksuar. Edhe në dyert tona po troket ora e ligë. Është i pa pranueshëm qëndrimi kontradiktor i disa hoxhallarëve e teologëve, të cilët theksojnë se nuk ka vehabistë në Kosovë. Dr.Sefqeti p.sh. e mohon prezencën e vehabistëve, por e cilëson atë si "lëvizje islamike", pa dhënë sqarime se për çfarë lëvizje është fjala dhe cila është nevoja për një lëvizje të tillë. Vite më parë Albert Haziri-Zejdi (i prezantuar në media, si përfaqësues më të përgatitur të selefistëve (vehabistëve) në Kosovë), kishte mohuar prezencën e vehabistëve, duke treguar arsyen pse ata nuk pëlqejnë të quhen vehhabi, duke thënë: "Ngase nuk jemi te tillë ...", pa dhënë arsyen se prej nga atëherë po vijnë përçarjet dhe konfrontimet në vetë bashkësitë islame? Kurse Resul Rexhepi, në cilësinë e këshilltarit të BIK-ut, për paraqitjen e vehabive thotë: "Ka futur përçarje". Çka ka këtu islame e të sinqertë?

Është lehtë të kuptohet prezenca e vehabive në Kosovë dhe rajon dhe mungesa e vullnetit të mirë për zgjidhjen e këtij problemi, i cili vazhdimisht po ushqen ndjenja dominimi dhe disponim përçarës te myslimanët.

Edhe në BI në Sanxhak shihen në sipërfaqe tendencat e përçarjes ndër islame, e që vjen si rezultat i prezencës së kësaj dukurie. Myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukorliq lidhur me fenomenin e vahabive thotë: "Organizata e Vehabistëve e ka përfaqësinë e vetë në Kosovë", ndërsa të gjithë në Kosovë e dinë për prezencën e këtij sekti dhe askush nuk e thotë se kush janë ata.

Me rastin e konfliktit që ndodhi lidhur me caktimin e imamit për xhaminë Hatunxhikllar në Shkup, nga Kabineti i Reis ul Ulemës, thuhej: "Atëbotë, në emër të një levizje radikale, e njohur në rajon (pra edhe në Kosovë vr.im.) si Vehabizëm, nën kërcënim të armëve, e detyruan Reis ul Ulemën e atëhershëm Arif Eminin, të nënshkruaj disa vendime pune, ndër të cilat edhe vendimin e Xhavit Hotit, për të qenë imam i xhamisë Hatunxhikllar ... Me këtë rast, qartë del në pah strategjia e vjetër e lëvizjes në fjalë, me epiqendër në Sanxhak. Besimtarët e atjeshëm përballen me dhunë, të pa parë, vrasje, plagosje ...", kanë deklaruar zyrtarët nga Kabineti. Çka fshihet pas gjitha këtyre qëndrimeve kontradiktore të këtyre titullarëve?! Si duhet të sillemi, t'i qasemi këtij problemi, i cili fshihet nga ata që e dinë dhe e njohin më së miri këtë dukuri? Ku është qendra e këtij sekti, në Kosovë, Maqedoni apo në Sanxhak?!


 -VII-

Vallë, a mund të vështrojmë e të shtiremi se asgjë nuk po ndodh në islamin tonë tradicional, të cilin për interesa karrieriste, personale, grupore dhe sektare, po e shkatërrojnë disa grupe shumë të dyshimta. Me këtë, ata po e shkatërrojnë edhe imazhin pozitiv të popullit shqiptar dhe islamit në përgjithësi, edhe atë, në emër të fesë, të institucioneve fetare, dhe të besimit. Opinioni me të drejtë është i shqetësuar, ka frikë, huti e brengosje, prandaj kërkohet angazhim për zgjidhjen (jo zhagitjen) e problemeve ekzistuese në institucionet e bashkësive islame, jo vetëm në Kosovë. Pasiviteti, indiferentizmi dhe neglizhenca ndaj dukurive të dëmshme duhet të marr fund në mesin e udhëheqësve të institucioneve islame.

Myftiu Tërnava, në Ferizaj, me rastin e manifestimit të ditëlindjes së Muhamedit a.s., mes tjerash tha: "Nuk do të tolerojmë ndërhyrjen e askuj për të futur përçarje e ndasi mes nesh. Nuk do të largohemi asnjë milimetër nga parimet që na urdhëron Kur'ani dhe Muhamedi a.s., por ato parime janë të shëndosha që na shtyn të respektohemi mes vete, të respektojmë besimet tjera, na bëjnë që të jetojmë në tolerancë e paqe me të tjerët". Kjo është e bukur, por si qëndron puna në realitet në vetë Bashkësinë Islame të Kosovës? Respekt për institucionin që përfaqësojnë këta udhëheqës, por, derisa z. Tërnava i toleron imamët e pa disiplinuar dhe keqpërdorues, atëherë largimi nga parimet islame tashmë ka ndodhur me kilometra. Për këtë është shkruar edhe hera tjera, por, si duket këta udhëheqës janë bërë imun nga kritikat. Sikurse në nivele politike, edhe në rrafshin e besimit, për më tepër përkrahen imamë destruktiv dhe të tillë që devijojnë nga ajo që është traditë në këtë nën qiell.

Të flasësh për shqiptarët e besimit islamë dhe ngjarjet rreth tij, nuk mund të kufizohesh vetëm në kufijtë e Kosovës. Gjithë aty ku ka shqiptarë ka edhe besim islam, ka interesa fetare dhe kombëtare. Këtyre interesave, në emër të Zotit, sinqerisht, drejtë e pa hile, ne të gjithë duhet tu shërbejmë, pa prapavija që shkojnë në shërbim të armiqve të shqiptarëve dhe të islamit.



Autor: Nafi BAXHAKU, qershor 2009.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...