Myftiu i Egjiptit, a ka lindur i vdekur!?



Të nderuar lexues, me këtë shkrim timin modest nuk kam ndërmend të vihem në mbrojtje të dijetarit të shekullit XX dhe XXI, eminencës së tij, profesorit të shquar dhe Muftiut aktual të Egjiptit, Dr. Alij Xhumua, sepse sinqerisht mendoj dhe jam shumë i bindur se dijetarët e kalibrit të tillë nëse bien në atë shkallë që unë të jem në mbrojtje të tyre, atëherë vaj halli për ta. Me këtë shkrim të shkurtë, kam për qëllim të reflektojë mbi metodologjinë e gabuar të rrymës vehabiste për devalvimin e Islamit dhe të dijetarëve muslimanë në përgjithësi.

Ajo që më nxiti për të shkruar dy tre rreshta është deklarata publike e kryevehabistit në Egjipt, Ebu Is'hak El Huvejni, i cili pa fije turpi dhe pa fije edukate islame tenton që të përmes shpifjeve të tija të bindë opinionin egjiptas se "Muftiu i Egjiptit, Prof. Dr. Alij Xhumua, ka lindë i vdekur".

Kjo nuk është hera e parë, e sigurisht se as e fundit që neovehabistët të sulmojnë dijetarët muslimanw bashkëkohorë, sepse ngjashëm me devijim i kishin akuzuar edhe dijetarët e tjerë të Az'harit, se kisnse, sipas tyre, të gjithë dijetarët e Az'harit kanë akide (besim) të devijuar për shkak se janë Esharij!

Të akuzosh Az'harin, respektivisht dijetarët e Az'harit, për njëherë me akide të devijuar, reflekton vetëm psikopatinë e akuzuesit ose injorancën e tij, ose misionin që e ka marrë mbi supe, alternativë tjetër nuk ka!

Si do që të jetë, unë vetëm po përkujtojë se Universiteti i Az'harit, deshëm ne apo nuk deshëm, është qendër arsimore dhe shkencore ku më shumë se një milenium ka prodhuar kuadro të mirëfilltë islam, saqë sot lirisht mund të thuhet se, nuk ka vend në botë, ose nuk ka institucion që merret me çështje islame, e të mos ketë kuadër nga ky universitet. Kjo qendër shkencore islame që, ndryshe nga dijetarët islamë, njihet edhe me emrin "Menaretul ilmi (Minarja e diturisë)" ose "Kibletul Ilmi" (Kibleja e diturisë), shekuj me radhë i ka përballuar sfidave të shumta dhe asnjëherë nuk është përulur, andaj ky ishte edhe motivi ku qendrat anti-islame, ku hartojnë elaborate për rrënimin e islamit, në mesin e digave që pengojnë projektet e tyre është edhe kjo qendër Islame e quajtur Az'har.


A ka lindur i vdekur Dr. Alij Xhumua?

Vehabistët ose nuk dinë çka është jeta ose nuk dinë çka është vdekja, as nuk dinë për kuptimin e jetës as për kuptimin e vdekjes, pra u janë përzier aq shumë çështjet, saqë nuk mund ta bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes.

Profesori i nderuar, Dr. Alij Xhumua, është njëri nga dijetarët musliman që ndoshta ka vepruar sipas parimit "Arsyeto lindjen, për ta merituar vdekjen" që në kuptimin alegorik nënkupton se njeriu duhet të kuptojë qëllimin e lindjes për të mos vdekur kurrë, sepse disa njerëz as nuk mund ta arsyetojnë lindjen e as nuk e meritojnë vdekjen. Dijetari në fjalë, a e ka arsyetuar lindjen dhe jetën e tij, flasin veprat e tij, e jo unë.


Kush është Alij Xhumua?

Prof. Dr. Alij Xhumua ka lindur më 03 Mars 1952 në Beni Svif në Egjipt. Është dijetar nga shkolla juridike shafiite, me akide sunnite të shkollës esharite. Sot me diturinë dhe kapacitetin e tij intelektual është nga figurat qendrore islame dhe me të mburret, jo vetëm Az'hari dhe Egjipti, por e tërë bota islame, me një fjalë Ummeti islam. Andaj, mendoj se nuk është rastësi kur vehabistët e Huvejnit e sulmojnë pa mëshirshëm për të devalvuar këtë dijetar eminent islam, kur dihet qëllimi i tyre.

Prof. Dr. Alij Xhumua, kishte studiuar në fakultetin e Studimeve Islame dhe arabe në Universitetin e Az'harit, kurse studimet posdiplomike i kishte kryer në Fakultetin e Sheriatit pran Universitetit Alz'har në Kajro, ku vitin 1985 kishte magjistruar nga lënda e Usuli Fikhut me sukses të lartë, kurse vitin 1988, po ashtu, kishte doktoruar në këtë fakultet në lëndën e Usuli Fikhut.


Veprimtaria

Prof. Dr. Alij Xhumua kishte punuar edhe si ligjërues i lëndës së Usuli Fikhut pranë Fakultetit për studime Islame dhe arabe në Az'har. Prej 28 Shtatorit 2003 e deri më sot është Mufti i Egjiptit. Ishte anëtar i Akademisë për Kërkime Shkencore Islame pran Universitetit të Az'harit, anëtarë i akademisë së Fikhut, pran Kongresit islamik në Xhedde, anëtar i kongresit të Fikhut Islam në Indi etj..


Punimet shkencore

Të flitet për veprimtarinë shkencore islame të Prof. Dr. Alij Xhumua, këtij gjiganti të madh, duhet të studiohet veprimtaria e tij me vite të tëra, por ne, në këtë rast po përmendim vetëm disa prej tyre. Dr. Alij Xhumua veprimtarinë e tij shkencore e kishte shumëdimensionale, ngase ishte aktiv jo vetëm në arenën e vendit por edhe në arenën ndërkombëtare. Ne po numërojmë vetëm disa nga to, që janë:

- Kishte arritur të fitojë titullin më të lartë shkencor që ia kishin dhuruar dijetarët muslimanë nga lëmia e fikhut dhe hadithit.
- Pjesëmarrës në më shumë se 100 kongrese shkencore nëpër botë.
- Me ligjeratat e tij ishte prezent në më shumë se 30 shtete nëpër botë.
- Kishte debatuar dhe diskutuar në më shumë se 70 disertacioneve shkencore dhe islame nëpër shumë universitete islamike në botën islame.
- Anëtar i komisionit për themelimin e Fakultetit të Sheriatit në Sultanetu Oman.
- Anëtar i hartimit të planprogramit shkencor pran Universitetit të shkencave islame dhe shoqërore në Vashington.
- Ligjërues edhe në Universitetin Islamik në Malejzi.
- Ligjërues nderi në Universitetin e Oksfordit, në katedrën e shkencave islame dhe arabe.
- Ekspert në akademinë e gjuhës arabe, për përgatitjen e enciuklopedisë terminologjike nga lëmia e Usulit, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
- Ligjërues në Universitetin e Harvardit - dega në Egjipt, në katedrën e studimeve për lindjen.

Nga veprimtari a etij shkencore e Dr. Alij Xhumua, gjejmë se penda e tij ishte e pa lodhur në shkrime shkencore dhe islame. Dr. Alij Xhumua ka shkruar dhe botuar deri tani jo më pak se 42 vepra shkencore, e në mesin e tyre më të njohura janë: El Hukmu esher'ij inde usulijin, etheru dhihabi-l mehali fil hukmi, el medhal li diraseti el medhahib el fikhijeti el islamijeti, alakatu sulil fikhi bil felsefeti, En-nsehu inde usulijin, el ixhmau inde usulijin, el kijasu inde usulijin, et-tariku ila et-turathi, dhe shumë të tjera.

Krahas kësaj Dr. Alij Xhumua, kishte pjesëmarrje aktive edhe në hartimin e enciklopedive siç janë: Enciklopedia islame e përgjithshme, enciklopedia kuranore e veçantë, enciklopedia e shkencës së hadithit, enciklopedia e ngritjes së mendimit islam, enciklopedia e civilizimit islam, dhe enciklopedia e fetava ibni Tejmije, të gjiktha këto të botuara nga Mexhlisul eala li shuunil islamijeti në Egjipt.

Po ashtu ishte edhe redaktues i shumë revistave shkencore dhe islame si psh. Revista "El Iktisadul islamij" revista "Rabitatu el xhamiat el arabijeti" revista El Muslim el muasir", etj..

Në mesin e veprimtaris së tij shkencore Alij Xhumua, kishte bërë Tahkik edhe këto vepra:

- Rijadu es-salihin nga Imam En-Neveviju,
- Xhevherutu et-tevhid nga El Baguri,
- Sherh elfijetu esijere nga El Exhhuriju,
- El Muarenat et-teshriijetu nga Mahluf El Menjavi,
- El Mukarenat et-teshriijetu nga Abdullah Husejn Et-tejdij.

Sa ia përket punimeve të tija të boptuara nëpër revista të ndryshme në vend dhe jashtë ato janë të shumta.

Në fund, pas tërë kësaj që e thamë për kapacitetin intelektuar të këtij gjiganti islam dhe për veprimtarinë e tij, që në krahasim me atë që e ai ka punuar ne kemi theksur vetëm një përqindje të vogël, po parashtroj këtë pyetje për lexuesin, e ai vetë të vlerësojë:

A PASKA LINDUR I VDEKUR DR. ALIJ XHUMUA, MUFTIU I EGJIPTIT, apo ndoshta kjo është vetëm shpifje vehabiste ndaj këtij dijetari eminent islamë?!

Unë mendoj dhe jamë shumë i bindur se dijetarët e kalibrit të tillë kanë lindur vetëm një herë dhe kurrë nuk do të vdesin, ata do të jenë të gjallë përgjithmonë, e te Allahu të shpërblyer me xhennet, inshalla..



Autor: Jusuf ZIMERI, nëntor 2011.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...