Jetimllëku i Muhamedit alejhis-selam



Kur profeti Muhamed a.s. mbush gjashtë vjeç, i vdes nëna e tij Amine, duke mbetur jetim pa baba dhe pa nënë. Atë e merr në kujdestari gjyshi i tij Abdul Muttalibi.

Fisi i Profetit a.s. nuk ishin të pasur, pasi siguronin ushqim për të gjithë haxhilerët që vinin në Qabe. Gjithçka që kishin, e shpenzonin për këtë qëllim. Të gjithë bujarët arabë, në përgjithësi kanë jetuar të varfër, pasi gjithçka e sakrifikonin për njerëzit. Ndër më bujarët arabë, është Hatim Taij, i cili përveçse ishte bujar, ishte dhe shumë i varfër.

Profeti Muhamed a.s. u lind dhe u rrit në një familje të varfër dhe kjo me qëllim që t'i kuptojë nevojat e kësaj shtrese dhe për rrjedhojë të stimulojë ndihmën për të varfrit.

Vetë fakti që për Profetin a.s. do të kujdesej gjyshi i tij Abdul Muttalibi, ka një domethënie të rëndësishme. Abdul Muttalibi ishte ndër njerëzit më me influencë tek kurejshët. Duke jetuar me gjyshin, Profeti a.s. do të mësonte si të komunikojë me shtresa të ndryshme të njerëzve, sidomos me shtresën më të lartë të Mekes.

Abdul Muttalibi e kishte bërë zakon që të ulej pranë Qabes dhe rreth tij mblidheshin burrat e Mekes. Fëmijët e tij, i shtronin një pëlhurë që të ulej,kurse ata vetë qëndronin në këmbë. Askush tjetër nuk ulej në shtresat e Abdul Muttalibit. Profeti Muhamed a.s. shkonte dhe ulej në shtresat e gjyshit të tij. Xhaxhallarët rrekeshin që ta largojnë, por Abdul Muttalibi u thoshte: "Këtë lëreni të ulet. Ai do të ketë të ardhme të ndritur".

Duke qenë se ishte ndër njerëzit më me influencë në Mekë, rreth tij uleshin e bisedonin paria dhe shtresa më e lartë e Mekes. Për dy vite rresht, profeti Muhamed a.s. do të ulet pranë gjyshit të tij, përballë autoriteteve më të larta të Mekes. Kështu, ai mësoi komunikimin dhe etikën me këtë shtresë.

Dy vite pas vdekjes së nënës, profetit Muhamed a.s. i vdes dhe gjyshi i tij i dashur. Ai që do të kujdeset për Profetin a.s. tashmë është xhaxhai i tij, Ebu Talibi. Përveç të tjerave, Ebu Talibi trashëgoi nga i ati influencën dhe autoritetin në gjithë Meken. Ebu Talibi, ishte shumë i varfër në aspektin ekonomik dhe kishte angazhuar fëmijët që ta ndihmojnë për të përballuar jetesën e vështirë. I gjendur para një realiteti të tillë, edhe profeti Muhamed a.s. do të detyrohet të punojë. Fillimisht, ai filloi punë si bari delesh në rrethinat e Mekes. Bazuar në këtë, ai kalonte ditë e net të tëra jashtë Mekes. Nga një jetë e tillë, Profeti a.s. mësoi dhembshurinë qoftë dhe për kafshët, gjë e cila pikaset gjatë jetës së tij. Ashtu siç mësoi të siguronte jetesën nga puna e tij. Nga mosha tetë vjeçare deri kur të mbushë njëzet e një vjeç, Profeti a.s. do të punojë si bari delesh. Në një hadith, ai thotë: "Nuk ka profet që të mos ketë kullotur delet".

Dijetarët e kanë interpretuar këtë fakt, duke thënë se njeriu kur merret me kullotjen e deleve, i jepet rasti të qëndrojë i vetëm, gjë e cila aktivizon meditimin rreth gjithësisë. Sakaq ai që jeton në qytete plot zhurmë, nuk i mundësohet diçka e tillë.

Gjatë kësaj kohe, Ebu Talibi bëhet gati të niset për tregti në Sham. Pasi kishte përgatitur karvanin dhe ishte gati për t'u nisur, Profeti a.s. i kërkon me insistim ta marrë me vete. Duke parë këmbënguljen dhe dëshirën e tij, Ebu Talibi pranoi ta marrë me vete. Ishte hera e parë që Profeti a.s. dilte në një udhëtim jashtë Mekes. Kur mbërritën në rrethinat e Shamit, karvani qëndron pranë një manastiri të krishterësh. Teksa karvani po pushonte, kryemurgu Behira, hetonte gjithë interes karvanin. Ai kishte dalluar se kur karvani ishte në lëvizje, shoqërohej nga një re në qiell, gjë e cila e kishte çuditur. Ai i urdhëron vartësit e tij që ta shtojnë ushqimin e asaj dite. Nga ana tjetër, dërgon dikë që burrat e karvanit t'i ftojë për ushqim. Ai e porosit të dërguarin, që të vijnë të gjithë burrat e karvanit pa përjashtim. Ebu Talibi e pranon ftesën dhe bashkë me burrat e tjerë shkojnë tek manastiri. Tek kafshët dhe plaçkat, ai lë Profetin a.s. që t'i ruajë. Teksa njerëzit hanin, Behira hetonte në fytyrat e tyre, sikur kërkonte shenja dhe tipare të caktuara, por nuk gjeti diçka. Ai e dinte se ishte koha ku pritej të shfaqej një profet. Në një moment, Behira i pyet: "A keni ardhur të gjithë? A nuk keni lënë ndonjë tek karvani"? Dikush u përgjigj: "Jo, kemi lënë njërin prej nesh që të ruajë plaçkat". Një tjetër shton: "Për Zotin jemi njerëz të ligë. Për vete po hamë, sakaq jetimin e kemi lënë me kafshët". Ata dërguan njërin prej tyre që ta sjellë të ushqehet. Me ta parë, Behira filloi ta pyesë dhe të hetojë për shenjat. Profeti a.s. i përgjigjej të gjithë pyetjeve. Behira i tha: "Pash Latin dhe Uzzanë"! Në fakt, Behira nuk i besonte Latit dhe Uzzasë, por e shtroi këtë si provokim. Profeti a.s. iu përgjigj: "Mos mu beto në Latin dhe Uzzanë, pasi nuk kam urryer diçka siç kam urryer këto dy idhuj".

Edhe pse gjithë populli dhe familjarët e tij i adhuronin idhujt, Profeti a.s. kurrë nuk i kishte adhuruar.

Behira i thotë: "Atëherë të betohem në Zotin". Profeti a.s. iu përgjigj: "Po, betohu në Zotin".

Pas shumë pyetjeve, Behira i kërkoi të zbulojë shpinën, ku dalloi vulën e profecisë. Ajo ishte njënishan zeshkan mes dy shpatullave, me qime si lulja e gjelit dhe përreth plot quka. Kjo ka qenë një nga shenjat që i dallonte profetët e Zotit. Duke e njohur këtë shenjë, Behira kthehet nga Ebu Talibi dhe e pyet: "Çfarë të lidh me këtë"? Ebu Talibi iu përgjigj: "Është djali im". Behira përgjigjet: "Babai i këtij djaloshi, nuk duhet të jetë i gjallë". Ebu Talibi i thotë: "Në fakt, është djali i vëllait tim". Behira thotë: "Kështu po".

Në fund, Behira i thotë Ebu Talibit: "Merre nipin dhe kthehuni në Mekë, pasi, po e panë hebrenjtë në Sham, do e njohin dhe do e vrasin". Këto fjalë e frikësuan Ebu Talibin, megjithatë nuk u kthye vetë, por dërgoi dikë tjetër që ta shoqërojë Muhamedin a.s. për në Mekë.

Disa njerëz nga fiset arabe, shquheshin për intuitën e tyre të mprehtë, saqë i dallonin njerëzit me të ardhme të ndritur. Sa herë që njerëz të tillë vinin në Mekë, prindërit i merrnin fëmijët dhe ua paraqisnin atyre, me qëllim që t'u tregojnë nëse do të bëhen të suksesshëm ose jo. Kur një nga këta njerëz erdhi në Mekë, të gjithë prindërit vajtën me fëmijët e tyre. Mes tyre, ishte dhe Ebu Talibi, i cili dërgoi Profetin a.s. Fillimisht, burri nuk po e vërente Muhamedin a.s.. Por me ta dalluar, ia nguli sytë në një mënyrë, e cila e frikësoi Ebu Talibin. Kur burri u angazhua me diçka tjetër, Ebu Talibi e mori nipin e tij dhe u larguan. Pasi përfundoi punë, burri u kthye andej nga ishte Profeti a.s., por nuk e gjeti. I hutuar pyeti se ku vajti djali, por nuk i ktheu kush përgjigje. Mandej tha: "Ku është djali që ndodhej këtu? Për Zotin ai do të ketë të ardhme të ndritur".


Profeti a.s. nën kujdesin e Zotit

Përveçse Zoti e kishte ruajtur nga adhurimi i idhujve, ishte kujdesur për Profetin a.s. që të mos merrte pjesë në ato vende ku ushtroheshin punë të turpshme. Një herë, ai bashkë me një shok po kullosnin delet jashtë Mekes. Që atje dëgjoheshin ahengu dhe meloditë e një dasme. Profeti a.s. i thotë shokut të tij: "Kurrë nuk kam parë një dasmë. Kujdesu për delet e mia, sa të shoh se çfarë bëhet në një dasmë"! Shoku i tij pranoi dhe Profeti a.s. shkoi të ndjekë dasmën. Me t'u ulur diku më larg të shohë se ç'bëhet, e zuri gjumi. Thotë vetë Profeti a.s.: "Nga gjumi nuk më zgjoi gjej tjetër veçse rrezet e nxehta të diellit, ditën e nesërme".

Ditën e dytë, sërish kishte një dasmë dhe Profeti a.s. i kërkon leje shokut të tij, të shkojë dhe të shohë ç'bëhet, pasi një ditë më parë e kishte zënë gjumi. E njëjta gjë i ndodh dhe ditën e dytë. Profeti a.s. e kuptoi se nuk i shkonin për shtat gjëra të tilla. Kjo, sepse që atëherë dhe deri në ditët e sotme, dasmat shoqërohen me gjëra të pahijshme. Për fat të keq, shumë çifte e startojnë jetën e tyre bashkëshortore me gjynahe që natën e parë të martesës. Ndërtimi i një familjeje të re, fillon me gjynahe e shthurje morale. Natyra e dasmës e kërkon këngën dhe manifestimin e gëzimit, por e refuzon degjenerimin dhe shthurjen.


Tavafi rreth Qabes pa rroba

Mes banorëve të Mekes ishte përhapur dhe një fenomen negativ, tavafi rreth Qabes lakuriq. Kjo kishte ardhur si rezultat i disa rregullave që Kurejshët kishin nxjerrë për njerëzit që vizitojnë Qaben. Një ndër këto rregulla, ishte që dikush që vinte të vizitojë Qaben, nuk duhej të bëjë tavafin veçse me rroba të blera nga Kurejshët. Padyshim që kjo bëhej dhe për shkaqe ekonomike, por një arsye tjetër ishte që njerëzit të mos bënin tavaf me rroba të ndotura nga gjynahet dhe veprat e liga. Kështu, ata që i kishin mundësitë ekonomike, blinin rroba nga Kurejshët, kurse ata që nuk i kishin mundësitë, bënin tavaf lakuriq, burra e gra.

Profeti Muhamed a.s. kurrë nuk kishte bërë tavaf rreth Qabes pa rroba. Një fenomen i tillë vazhdoi deri në vitin e nëntë hixhri, vit në të cilin Profeti a.s. mori Meken. Atë vit, Profeti a.s. nxori një dekret sipas të cilit ndalohej tavafi pa rroba.

Duke qenë se ky fenomen ishte përhapur në masë, edhe vetë banorët e Mekës ndikohen dhe kur përfshiheshin në punime të rënda, i hiqnin të gjithë rrobat.

Një herë, Profeti a.s. ndodhej me shokët e tij duke mbajtur gurë për ndërtimin e Qabes. Përveçse ishte bërë normale, duke qenë se nuk kishin rroba, ata i hiqnin dhe i vendosnin mbi sup, për të mbajtur gurët. Të gjithë shokët e tij i kishin hequr të gjithë rrobat, kurse vetë Profeti a.s. jo. Ai i mbante gurët në sup, por pa vendosur nën të rroba për të mos u lënduar. Një nga xhaxhallarët e tij, Zubejri, e sheh dhe i thotë: "O nipi im! Përse nuk vendos një rrobë mbi sup, që të mbrojë nga gurët"? Kur Profeti a.s. tentoi të zgjidhë izarin (veshjen e poshtme) i bie të fikët dhe humbet ndjenjat.

Duke qenë se xhaxhai i tij Ebu Talibi ishte i varfër, edhe ushqimi ishte i pakët. Për këtë, moria e fëmijëve të tij suleshin kush e kush të përlajë më shumë nga vakti përkatës. Profeti Muhamed a.s., edhe pse fëmijë, nuk sulej bashkë me fëmijët e tjerë, por priste derisa ata të hanin. Nëse mbeste diçka, e hante, në të kundërt qëndronte pa ngrënë. Ndonjëherë qëndronte me ditë i uritur për të ruajtur etikën e të ngrënit. Kur e vuri re këtë sjellje të Profetit a.s., Ebu Talibi e urdhëron të shoqen që vaktet e tjera t'i shtrojë veçmas Muhamedit a.s..

Ndër moralet e pikasura të tij, ishte dhe të folurit drejt. Ai kurrë nuk ka gënjyer gjatë gjithë jetës së tij.

Në moshën njëzet vjeçare, profeti Muhamed a.s. mori pjesë në luftën fuxhar. Çdo luftë që ndizej gjatë muajve të shenjtë, quhej luftë fuxhar. Asokohe, fisi Hevazin sulmon Kurejshët në Mekë dhe profeti Muhamed a.s. jepte kontributin e tij në mbrojtje të Mekës. Thotë Profeti a.s.: "Asokohe, unë furnizoja xhaxhallarët e mi me shigjeta".

Gjatë kësaj lufte, Profeti a.s. sheh për herë të parë si zhvillohen luftërat, si duhej mbrojtur vendlindja dhe familja dhe kuptoi rëndësinë e edukimit fizik.

Veç luftës fuxhar, Profeti a.s. mori pjesë dhe në aleancën e mbrojtjes së drejtave (hilful fudul). Një burrë nga Jemeni, sjell në Mekë një karvan me mall dhe ia shet Asi ibnu Vail, babait të Amr ibnul As. Duke përfituar nga prestigji dhe autoriteti që gëzonte në Mekë, Asi ibnu Vaili nuk ia jep paratë e mallit duke ia zvarritur dhe mbajtur me premtime. Duke parë se nuk po i jep hakun e tij, jemenasi shkon për herë të fundit tek Asi ibnu Vail dhe i kërkon paratë, por ai refuzon dhe i thotë: "Bëj ç'të duash se nuk t'i jap". Duke qenë se ishte pa përkrahje në Mekë, jemenasi shkon tek Daru Nedve, ku reciton disa vargje nëpërmjet të cilave apelonte për zullumin që i ishte bërë si dhe fajësonte të gjithë kurejshët për heshtjen. Vargjet i mbyll me një betim se këtë çështje do e bëjë objekt bisede mes gjithë fiseve arabe. Diçka e tillë i zuri ngushtë kurejshët. Ata ishin ajka e të gjithë arabëve dhe nuk mund të lejonin të bëheshin objekt talljesh dhe ironie. Menjëherë u mblodh paria e Mekës dhe i dhanë besën njëri-tjetrin që t'i vijnë në ndihmë kujtdo që i bëhej padrejtësi në Mekë. Fillimisht ishin vetëm tre persona, ku të tre me emrin Fadl. Që këtu kjo aleancë mori emrin aleanca fudul. Një arsye tjetër që ceket me këtë rast, është se fjala "fudul" në arabisht do të thotë të drejtat. Pra, hilful fudul, do të thotë aleanca për mbrojtjen e të drejtave.

Të tre personat e lartpërmendur, i dhanë besën njëri-tjetrit se do i vinin në ndihmë çdo njeriu të cilit i dhunohen të drejtat, nga banorët e Mekës qoftë, apo jashtë saj. Kjo, edhe nëse lipsen shpatat dhe gjaku i tyre. Pas kësaj, ata u bënë thirrje dhe mekasve të tjerë për t'iu bashkangjitur kësaj aleance. Një numër i madh e pranuan thirrjen dhe u bënë pjesë e aleancës. Mes atyre që u rreshtuan në aleancën për mbrojtjen e të drejtave, ishte edhe profeti Muhamed a.s. Të gjithë aleatët, me shpata në duar u drejtuan për tek shtëpia e Asi ibnu Vail, të cilit i thanë: "Ne i kemi dhënë besën njëri-tjetrin që do të mbrojmë këdo që i dhunohen të drejtat. Prandaj kemi ardhur që t'i japësh paratë jemenasit. Në të kundërt, do të vrasim". Ishin të gatshëm të vrasin një nga fisnikët e Mekës, për të vënë drejtësinë në vend.

Kur pa gjithë ata burra me shpata në duar dhe të gatshëm të hidheshin në veprim, Asi ibnu Vail mori paratë dhe ia dorëzoi jemenasit. Kjo aleancë funksionoi për një kohë të gjatë, si para ashtu dhe pas islamit. Vetë Profeti a.s. thotë në një hadith: "Nëse mekasit do më bënin thirrje për t'i bashkuar një aleance, si ajo e fudulit, do i bashkëngjitesha".

Kjo alenacë vazhdoi funksionale edhe pas vdekjes së profetit Muhamed a.s. Gjatë kalifatit të Jezid ibnu Muavijes, guvernatori i Medines Velidi, i hyn në hak Husejn ibnu Aliut. I irrituar nga kjo, Husejni i thotë: "Pasha Zotin! Nëse nuk më kthen të drejtat e mia, do bëj thirrje për hilful fudul"!

Abdullah ibnu Zubejr ibnu Avam që ishte prezent, thotë: "Pasha Zotin! Nëse bën thirrje për hilful fudul, do të nxjerr shpatën, e cila nuk kthehet më në këllëf, derisa t'i kthehen të gjithë të drejtat, ose të vdes". I zënë ngushtë, Velidi u detyrua t'i japë të drejtat dhe hakun e mohuar.

Kjo aleancë vazhdoi funksionale për vite të tëra edhe pas islamit, pasi ajo u shërbente objektivave të sheriatit dhe fesë. Diçka e tillë përcjell një mesazh të rëndësishëm edhe për myslimanët e kohëve të sotme. Nëse myslimanëve u kërkohet të nënshkruajnë një marrëveshje, për mbrojtjen e të drejtave të një populli apo çfarëdo qenie njerëzore, mysliman qoftë apo jo, duhet të pranojnë dhe të japin kontributin e tyre.



Autor: Tarik Suvejdan

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...