Mbi antropomorfizmin e Ibën Tejmijës



- I -

Sipas Ibën Tejmijës: Pafillimshmëria në lloj e disa krijesave

Shejhu Ibën Tejmije r.a. ka mohuar që Allahu i madhëruar të jetë i amshueshmi i vetëm në EZEL (pafillimshmëri). Kur i ka parë fjalët e Ibën Hazmit në librin "Meratib Ixhma" se: "Allahu i madhëruar ishte ekzistenti i vetmi në pafillim dhe s'kishte asgjë më Të", i ka kundërshtuar duke thënë: "Kjo fjalë e Ibën Hazmit nuk është në librin e Allahut dhe nuk i mvishet as profetit, paqja qoftë mbi të dhe si shprehje nuk është e njohur as prej sahabëve, tabeinëve e as prej imamëve të myslimanëve". [1.1]

Them: Fjala e Ibën Tejmijës është në kundërshtim me hadithin e saktë që e ka transmetuar Buhariu, ku profeti a.s. ka thënë: "Ishte Allahu (ekzistent) e nuk kishte asgjë tjetër pos Tij". [1.2]

Gjithashtu, ka koncenzus (ixhma) të dijetarëve islam rreth përmbajtjes së këtij hadithi të saktë para se të vinte Ibën Tejmija dhe ta thyej ixhmanë.

Ja si shembull po sjell vetëm disa emra të dijetarëve, të cilët njëzëri deklarojnë se kur Allahu ekzistonte në Ezel, nuk kishte asgjë pos Tij:

1. - Imam Ebu Hanifeja, i cili vdiq në vitin 150 hixhrij.

2. - Jezid ibën Haruni, i cili vdiq 206 hixhrij, prej mësuesve të Imam Ahmedit.

3. - Imami i madh i medh'hebit hambeli, Ahmed ibën Hambeli, i cili vdiq në vitin 241 hixhrij.

4. - Imam Tirmidhiu, autori i Sunenit të njohur, vdiq në vitin 279 hixhrij. Ky përmend në Sunen fjalët e Jezid ibën Harunit që përmendëm më lartë dhe i pranon pa kundërshtim.

5. - Muhamed ibën Xherir Taberiu, autori i tefsirit të njohur, vdiq në 310 hixhrij.

6. - Ibën Huzejme, autori i Sahihut, vdiq në vitin 311 hixhrij. Në librin e tij të Teuhidit argumenton me të njëjtin hadith: "Ishte Allahu e nuk kishte asgjë tjetër pos Tij".

7. - Ebu Xhafer Tahaviu, i cili ka vdekur në vitin 321 hixhrij.

8. - Ibni Hibani, autori i Sahihut dhe librit Thikat, që vdiq në vitin 354 hixhrij.

9. - Axhurri, autori i librit Sheria, vdiq në vitin 360 hixhrij, i cili e transmeton të njëjtin hadith: "Ishte Allahu e nuk kishte asgjë tjetër pos Tij", në librin e tij dhe nuk e pason me asnjë kundërshtim.

10. - Fekihu hambelist Ibën Batta, i cili vdiq në vitin 387 hixhrij. Këtë shejh e madhërojnë shumë tejmijstët, mirëpo në këtë pikë as ai nuk pajton me ta!

11. - Kadiu i njohur malikij, Ebu Bekër Bakilaniu, autori i librit Temhid dhe Insaf, i cili vdiqnë vitin 403 hixhrij.

12. - Ebu Mensur Abdulkadir ibën Tahir Bagdadiu i cili ka vdekur në vitin 429 hixhrij.

13. - Fekihu dhe usulisti i njohur shafij Ebu Muhamed Xhuvejni, Abdullah ibën Jusuf, djali i Imamit të dy Haremeve në kohën e tij, i cili vdiq në vitin 438 hixhrij.

14. - Shejhu dhe asketi i madh, Ebu Hasen Alij ibën Omer Kazviniu, që vdiq në vitin 442 hixhrij.

15. - Ebu Naser Sixhziu, Ubejdullah ibën Seid, që vdiq në vitin 444 hixhrij. Në Risalen e tij (mesazhin) e tij me titull Risale men Enkere Harf ve Savt.

16. - Ibën Hazëm Endelusiu, autori i librit Muhala dhe Meratib Ixhma, i cili ka vdekur në vitin 456 hixhrij. Për këtë mesele ai thotë se ka ixhma në mesin e gjithë dijetarëve.

17. - Kadiu Ebu Jala, Muhamed ibën Husejn ibën Ferra, shejh hambelist, që ka vdekur në vitin 458 hixhrij. Në librin Mutemed ndër tjera ky shejh deklaron: "Krijesat kanë fillim dhe të gjitha janë krijuar prej Allahut, përdallim nga ajo që thonë kafirët (mulhideh)".

18. - Ibën Abdil Berr Endelusiu, autori i komentit të Muvetasë së imam Malikut me emrin "Temhid". Ky dijetarë vdiq në vitin 463 hixhrij.

19. - Ebu Mudhafer, Tahir ibën Muhamed Isfrajiniu, që vdiq në vitin 471 hixhrij.

20. - Imam Begaviu, autori i Sherh Sunet dhe Tefsirit të njohur, vdqi në vitin 516 hixhrij.

21. - Ebu Kasim Asbahaniu, Ismail ibën Muhamed ibën Fadël, autori i librit Huxhe fi Bejani Mehaxhe, vdiq në vitin 535 hixhrij. Në këtë libër ai thotë: Medh'hebi i pasuesve të synetit dhe dijetarëve të vjetër të selefit është se: "Allahu ka qenë qysh në pafillimsi, e nuk ka pasur diçka tjetër me Të".

22. - Kadiu Ebu Bekër ibën El-Arabiu, autor i librit Aridatul Ahvedhij,i cili vdiq në vitin 543 hixhrij.

23. - Ibën Asakiri, Ebul Kasim Alij ibën Hasen ibën Hibetullah, autor i librit të njohur Tarih Dimeshk, që sot ka 79 volume .Ky kolos vdiqnë vitin 571 hixhrij.

24. - Ibën Xheuzi Hambeli, autor i tefsirit Zadul Mesir dhe librit Mevduat Kubra, i cili vdiq në vitin 597 hixhrij.

25. - Hafizi Abdulganij ibën Abdulvahid Makdisij Hambelij, vdiq në vitin 600 sipas hixhretit. Ky ka thënë: Ishte Allahu se nuk kishte vend (كان الله و لا مكان). Këtë fjalë të tij e përmend hafiz Ibën Rexhebi në "Dhejl Tabakat Hanabile" dhe hafiz Dhehebiu në "Sijer" dhe "Tarih Islam".

26. - Fekihu hambelij, Ahmed ibën Hamdani, vdiq në vitin 695 sipas hixhretit.

Pas këtyre erdhi shejh Ibën Tejmija -Allahu e faltë- i cili mohoi se "Ishte Allahu pafillim dhe s'kishte diçka tjetër pos Tij" dhe doli kundër gjithë këtyre dijetarëve të mëdhenj, fjala e të cilëve nuk njihte kundërshtim para Ibn Tejmijës. Nga kjo kuptojmë se Ibën Tejmije besonte që Allahu nuk është i vetmi ekzistent në Ezel dhe se ai pretendon pafillimësinë e llojit të disa krijesave!!!

__________________________________________________

[1.1] - Nakd Meratib Ixhma,vëll.1,fq.303.
[1.2] - Buhariu (3191,7418).
قال الأستاذ الإمام البيهقي رحمه الله : قوله : " كان الله ولم يكن شيء غيره " يدل على أنه لم يكن شيء غيره ، لا الماء ولا العرش ولا غيرهما ، وكل ذلك أغيار ، وقوله : " وكان عرشه على الماء " يعني به : ثم خلق الماء وخلق العرش على الماء . وبيان ذلك في حديث أبي رزين العقيلي عن النبي صلى الله عليه وسلم حين قال : " ثم خلق العرش على الماء " *.




- II -

Sipas Ibën Tejmijës: Allahu ulet mbi Arsh!

Ibën Tejmije pretendon se Allahu i madhëruar do ta ulë pejgamberin tonë bashkë me Të mbi Arsh! Këtë gjë ai e argumenton me një lajm që transmetohet nga Muxhahidi r.a., e të cilin e shënon hadithologu Ibën Ebi Asim në librin e tij "Kitabu Sune", nga Ibën Fadli, nga Lejthi, nga Muxhahidi i cili ka thënë: Fjala e Allahut [... Zoti yt do të ngrejë ty (o Muhamed) në një vend të lavdishëm] (Isra,79), ka kuptimin: "Do ta ulë bashkë me Të mbi Arsh"!

Ibën Tejmija e miraton këtë haber, duke harruar se Lejthi, që është Lejth Ibën Ebi Sulejm është transmetues i ngatërruar (mukhtalit), të cilit i janë pas përzier hadithet. Ibën Tejmija lere që nuk e kundërshton zinxhirin e hadithit, por nuk e kundërshton as tekstin e tij, bile e pranon dhe e beson një gjë të tillë! [2.1]

Këtë e konfirmon edhe në një vend tjetër ku thotë: "Lajmi i uljes së profetit mbi Arsh është i vërtetë. Ai na përcillet nga Muxhahidi dhe disa selefë tjerë. Selefi dhe dijetarët e kanë transmetuar atë dhe e kanë pranuar pa kundërshtim". [2.2]

Them: Ibën Tejmije këtu nuk na tregon se cilët ishin ata dijetarë të selefit që e transmetuan, nuk e kundërshtuan dhe e konsideruan të pranuar këtë lajm?! Ai nuk përmend asnjë transmetim tjetër, pos këtë transmetimin e Muxhahidit!

Ky shejh nuk përmend asnjë mendim të dijetarëve të gjeneratave të hershme të selefit, që të dimë se cilët ishin ata që patën një mendim të tillë dhe ta përzgjedhim fjalën e tyre!

Selefi ishin tri gjeneratat e para të arta, dhe Muxhahidi është prej tyre ,sepse ishte tabein, mirëpo Ibën Tejmija këtu nuk përmend asnjë njeri tjetër, asnjë sahabij apo tabein tjetër apo edhe tebi tabein që ka besuar një besim të tillë, e sa për transmetimin e Muxhahidit thamë se ai nuk është i vërtetë, por i dobët.

Duhej që transmetimet e dobëta t'mos i fuste në AKIDE!

Në realitet, këtë doktrinë e gjejmë tek krishterët -pasuesit e librit-, të cilët një vend të ngjashëm ia kanë dedikuar qysh moti profetit Isa, paqja qoftë mbi të. Ky besimi i Ibën Tejmijës si duket i ka rrënjët tek këto lajme izraelitëshixhrij. Po sjellim disa tekste nga libri i tyre që ata e konsiderojnë si Libër të Shenjtë:

"Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell", madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time", ( Veprat e Apostujve 2-34).

"Kujt fiton do t'i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij", (Zbulesa 3:21).

"Ai(Jezu Krishti), përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë", (Letra e Hebrenjve 10:12), etj..

Duhet të dimë mirë se kjo akide është akide krishtere e devijuar. Krishterët janë ata që e thanë të parët këtë në të drejtë të Isait a.s., e pastaj disa mysliman të gjorë u mashtruan dhe e futën në anën e myslimanëve, duke ia mveshur Muhamedit, paqja qoftë mbi të.

Në ungjillin e tyre të devijuar thuhet edhe kjo: "Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë", (Marku, 16:19).

Komentimi i ajetit kuranor në këtë kuptim, pra, sështë tjetër vetëm se ngjasim me akiden krishtere, s'ka të bëj fare me atë që na mësoi dhe edukoi profeti ynë.

- Transmeton imam Buhariu në Sahihun e tij, nga Katadja e ky nga Enes ibën Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me ta, se profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: "Besimtarët Ditën e Gjykimit ndalen në vendgjykim (mahsher),dhe pas një pritjeje thonë: Sikur të shkonim tek babai ynë Ademi alejhi selam dhe të kërkonim prej tij ndërmjetësim që të rehatohemi nga ky vend, pastaj shkojnë tek Ademi ... pastaj tek Nuhu ... e pastaj i shkojnë Ibrahimit ... Musait ... e pastaj shkojnë tek Isaja, e ai u thotë: Nuk jam unë për këtë, por shkoni tek Muhamedi, robi të cilit Allahu i madhëruar ia ka falur gjynahet e kaluara dhe të ardhme, dhe ata pastaj shkojnë tek ai ... Atëherë (thotë Muhamedi) unë ngrij kokën, e falënderoj dhe madhëroj Zotin tim me atë madhërim që ma mëson Ai dhe më lejohet ndërmjetësimi, derisa do të nxjerr nga zjarri çdo kë, përpos ata që i ka ndaluar Kurani", dhe këndoi ajetin: [Dhe është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një pozitë të lavdishme], (Isra,79).

- Transmeton imam Buhariu gjithashtu në Sahihun e tij, nga Ibën Omeri se ka thënë: "Në ditën e kiametit njerëzit do të jenë grupe, secili popull shkon tek profeti i tij dhe thonë: O filan, ndërmjetëso për neve,derisa ndërmjetësimi të përfundoi tek Muhamedi, paqja qoftë mbi të. Kjo është dita kur Allahu i dhuron atij "Vendin e Lavdisë"".

- Imam Sujutiu në tefsirin e tij voluminoz "Durr el Menthur" përmend shumë transmetime, që janë thënë në po të njëjtin kuptim. Ndër tjera, Sujutiu thotë: "Shënon Ahmedi, Tirmidhiu, Ibën Xherir Taberiu, Ibën Ebi Hatimi, Ibën Merdavejhi, Bejhekiu në Delail nga Ebu Hurejra r.a. se profeti, paqja qoftë mbi të", kur është pyetur për ajetin: [... Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm], (Isra,79), ka thënë: "Vendi i lavdishëm është pozita e lartë kur ndërmjetësoj për ymetin tim".

- Shënon Taberiu, Taberaniu, Ibën Merdavejhi gjithashtu nga Ibën Abasi r.a. se ai në lidhje me ajetin [...Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm], (Isra,79), ka komentuar: "Ky vend i lavdishëm është ndërmjetësimi".

Sipas këtyre haditheve dhe transmetimeve të sakta, vendi i lavdishëm që i është dhuruar profetit tonë është SHEFATI, e jo siç pretenduan të devijuarit.

__________________________________________________

[2.1] - Shiko: Fetava Kubra, vëll.6, fq.410. - Mexhmul Fetava, vëll.4, fq.374. - Ikametu Delil ala Ibtali Tahlil, vëll.5, fq.88.
[2.2] - Deru Tearudi Akli ve Nakli, vëll.3, fq.19.




- III -

Sipas Ibën Tejmijës: Allahu përbëhet prej pjesëve që nuk pranojnë shkëputje!!!

Shejh Ibën Tejmije ka lejuar për Allahun xh.sh. të përshkruhet si tërësi e përbërë prej pjesëve. I ka parë disa transmetime në të cilat thuhet se "Allahu zbuloi një pjesë të Tij", dhe pastaj ka shkuar dhe i ka saktësuar ato dhe i ka mbrojtur fuqishëm duke thënë: "Nëse dikush mohon duke u arsyetuar se nuk bën të thuhet termi "pjesë" për cilësitë e Allahut, themi se kjo është e kotë, sepse këtë term e kanë përmendur dhe transmetuar imamët e sahabëve, tabeinëve dhe tebi tabeinëve". [3.1]

Shikoni se si e përmend këtë, pa i shqyrtuar këto zinxhire!

Ai pastaj përmend edhe fjalët e kadiut hambeli-Ebu Jala i cili kishte thënë: "Fjala "Allahu ekspozoi një pjesë të Tij", kuptohet literalisht dhe si cilësi kthehet tek Qenia, se Ai ka ekspozuar një pjesë të Qenies së Tij. Kuptimi i këtij teksti në anën e tij sipërfaqësore s'është diç e pamundur për cilësitë e Tij dhe as përshkrim i Tij me diçka që se meriton. Përshkrimi i Zotit me një atribut të tillë s'ka asgjë të keqe, përderisa kjo gjë nuk çon në pretendimin se pjesët e Tij mund të ndahen dhe shkëputen nga Qenia, sikurse që nuk ndalohet përshkrimi i Tij me dorë "jed" dhe fytyrë "vexh'h", jo në kuptimin se ato janë pjesë të ndashme, që pranojnë shkëputje". [3.2]

Ibën Tejmija i përmend këto fjalë pa kundërshtim.

Sipas tij nuk ndalohet që "Zoti të shfaqë një pjesë të Tij", dhe kjo "në mënyrë literale", dhe pjesa këtu të jetë "cilësi e Qenies", përderisa nuk çon në pretendimin se "pjesët e Tij mund të ndahen dhe shkëputen"!

Mendoi fjalët e tij dhe çuditu!!!

Lajmi që është përcjellur në këtë çështje është transmetimi i Ibën Abasit, dhe në zinxhirin e tij gjendet Amër ibën Uthman el Kulabi, të cilin:

- E ka përmendur Ibën Hibani në librin e tij "Thikat" dhe pastaj ka thënë: Ka ndodhë që ka bërë gabime përgjatë transmetimeve të haditheve (rubema akhta').

- Ebu Hatim Rrazi në lidhje me të ka thënë: "Ka qenë një shejh që s'ka parë mirë dhe u tregonte njerëzve hadithe të dobëta (munkerah) nga mbamendja".

- Ukajli dhe Darekutniu e kanë konsideruar të dobët (daif).

- Kurse Nesaiu dhe Ezediu kanë thënë: "Nuk i merret hadithi (metrukul hadith)".

Si ka mundësi që një sened të këtij rangu -Allahu e faltë- ta konsideronte argument në akide!!!

__________________________________________________

[3.1] - Fetava Kubra, vëll.6, fq.409. - Ikametu Delil ala Ibtali Tahlil, vëll.1, fq.435.
[3.2] - Fetava Kubra, vëll.6, fq.413. - Ikametu Delil ala Ibtali Tahlil, vëll.5, fq.95.




- IV -

Sipas Ibën Tejmijës: Një pjesë e Qenies së Tij është me e lartë se pjesa tjetër!!!

Ibën Tejmija ka besuar se Allahu xh.sh. është lartë mbi çdo krijesë, dhe një pjesë e Qenies së Tij është me e lartë se pjesa tjetër!!!

Kur flet për Allahun, ai ndër tjera deklaron: "Qëllimi ynë është që t'mos jetë askush më lartë se Ai, por të jetë Ai më lartë se çdo gjë tjetër.Pas kësaj, nëse dikush vlerëson se disa pjesë të Tij janë më lartë se pjesët e tjera, kjo nuk konteston përsosurinë e Tij, sepse mbi Të nuk është lartësuar askush tjetër, pos pjesa e vetes së Tij. Kjo gjithsesi duhet të besohet dhe s'ka si të jetë ndryshe. Obligimi ynë është ti pohojmë cilësitë sa më shumë që të jetë e mundur dhe të besojmë se gjërat si kjo janë përsosuri e lartësisë (uluvit). Nuk ka të metë për Allahun që një pjesë e Tij të jetë mbi pjesën tjetër, sepse në këtë rast mbi Të nuk është lartësuar askush tjetër, pos pjesa e vetes së Tij". [4.1]

Ibën Tejmia flet për Allahun këtu sikur të ishte i përbërë prej substancave, ku disa prej tyre të jenë lartë disa tjerave, dhe pjesët që qëndrojnë lartë pjesëve të poshtme nuk janë tjetër pos pjesë të Tij!!!

Meditoje mirë fjalën e tij (nuk ka të metë për Allahun që një pjesë e Tij të jetë mbi pjesën tjetër, sepse në këtë rast mbi Të nuk është lartësuar askush tjetër, pos pjesa e vetes së Tij).

Qoftë i pastër Allahu nga ajo që ka thënë Ibën Tejmija!

__________________________________________________

[4.1] - Der Tearud Akli ve Nakl, vëll.3, fq.293.
Me këto fjalë Ibën Tejmija mundohet ta kundërshtojë dijetarin Fahrudin Rrazin, i cili ishte duke i polemizuar antropomorfistët e kohës së tij dhe duke u thënë se: "Nëse ju pohoni lartësinë fizike për Allahun, kjo nënkupton që pjesët e Tij (qoftë i pastër nga kjo e metë) të jenë të ndryshme në përsosmëri, sepse pjesa më e lartë e Tij presupozon të jetë më e përkryer sesa ajo që është nën të, e kështu me radhë".




- V -

Sipas Ibën Tejmijës: Allahu flet me zë dhe zëri i Tij ngjason me atë të bubullimës!!!

Shejh Ibën Tejmije nuk sheh ndonjë pengesë të përmend transmetime në të cilat përngjasohet fjala e Allahut me zërat e krijuar. Jo vetëm kaq, por ai e pohon këtë.

Ai ka deklaruar: "Ahmedi përcjell nga Zuhriu se (profeti) ka thënë: "Kur Musai dëgjoi fjalët e Zotit të tij tha: O Zot, këtë fjalë që dëgjova, a është fjala jote?! Tha: Po o Musa, kjo është fjala Ime, të kam folur me fuqinë e dhjetë mijë gjuhëve. Unë kam forcën e të gjitha gjuhëve dhe kam fuqi të flas me zë më të fuqishëm se ky, mirëpo të fola me aq sa ti mund ta durosh. Sikur të flisja më zë me të lartë, ti do të vdisje". Pastaj (profeti) tha: "Kur Musai u kthye të populli i vet, i thanë: Na e përshkruaj fjalën e Zotit tënd. Tha: Subhanallah, po si kam mundësi tua përshkruaj juve këtë? I thanë: Na e shëmbëlle me diçka. Tha: A i keni dëgjuar bubullimat, zërin me të ëmbël të tyre që keni dëgjuar, ashtu disi"". [5.1]

Ibën Tejmija pasi përmend këtë transmetim, e pohon dhe e miraton atë, dhe thotë pastaj: "Ky hadith është i qartë, që vërteton se Zoti i foli Musait me zë dhe (i qartë se) ka mundur ti fliste me zë më të lartë sesa ky apo edhe më të ulët". [5.2] Kështu tha!

Ajo që ia vlen të kujtojmë këtu është se Musai -sipas këtij hadithi- nuk ka kundërshtuar kur i është kërkuar ta ngjasojë "zërin" e Zotit, bile e ka shëmbëllyer atë!

Themi: Së pari, nuk është e saktë se këtë fjalë e ka thënë imam Ahmedi. Ibën Tejmija kur e cek këtë, nuk e pason metodologjinë e hadithologëve për saktësimin e fjalëve të tilla, por mjaftohet vetëm me përmendjen e tyre, ashtu, pa kurrfarë zinxhiri, që të bën të mendosh se ato fjalë të tyre vërtetë janë të sakta.

Këto fjalë që i atribuohen Ahmedit, gjendën në dorëshkrimin e librit që i vishet atij. Ky libër titullohet "Red Ala Zenadika ve Xhehmije", dhe dorëshkrimi që gjendet sot në duart tona na është përcjellur nga: Ebu Bekër Abdulaziz ibën Xhafer Gulam Halal, nga Ebu Bekër Ahmed ibën Muhamed ibën Harun Halal, nga Hidër ibën Muthenna, nga Abdullah ibën Ahmed, nga babai i tij-Imam Ahmedi.

Hidër ibën Muthenna: E ka përmendur Ebu Jala kur ka folur për bibliografitë e dijetarëve hambeli, dhe për të nuk ka cekur as fjalë thumbuese (xherh) e as fjalë miradie (tadil).

Ibën Rexhepi në librin e tij "Kavaid" në lidhje me këtë person thotë se është i panjohur (mexh'hul), i cili është veçuar me transmetimin e haditheve të dobëta dhe të urryera (menakir) nga djali i imam Ahmedit (Abdullahu), dhe prandaj nuk pasohet në to.

Imam Dhehebiu mendon se libri në fjalë i është mveshur imam Ahmedit. [5.3]

Hidër ibën Muthenna siç vërehet është i panjohur, i cili është veçuar me transmetime të dobëta nga djali i imam Ahmedit, për këtë arsye hadithi i Musait që përcjell ky person është i dobët dhe i pavlerë.

Është çudi me disa njerëz të cilët lënë mënjanë argumentin e qartë dhe kapën për fjalët e disa dijetarëve që e paskan saktësuar librin në fjalë se qenka libër e imam Ahmedit. Kjo gjë nuk u bën punë fare këtu në këtë vend, edhe nëse pohohet ajo fjalë e atyre dijetarëve, sepse ka dallim të madh mes vërtetimit të origjinës së një libri dhe mes vërtetimit të dorëshkrimit që na ka arritur neve nga ai libër. Kuptoni!

Është gjithashtu e çuditshme që të kapësh për fjalët e Ibën Kajimit në librin e tij "Ixhtima Xhujush Islamijeh", që transmeton se Halali ka thënë: "E kam kopjuar këtë libër (Red Ala Xhehmijeti ve Zenadika) nga shkrimi i djalit të imam Ahmedit-Abdullahu, dhe djali i Ahmedit e ka kopjuar atë nga shkrimi i babait të tij - imam Ahmedi", pa na treguar asnjë tekst që përmban ai dorëshkrim që e paska pas bartur Halali nga Abdullahu, që ta dimë se a ekzistonte aty ky hadithi i Musait, a jo?

Murselin e Zuhriut që e cek ibën Tejmija, e ka përmend Bejhekiu në librin "Esma ve Sifat", nga Abdurrezaku, nga Mameri, nga Zuhriu, nga Ebu Bekër ibën Abdirrahman ibën Harith nga Xherir ibën Xhabir Huthamij nga Ka'b el Ahbari.

Pa dyshim se ky tekst, i tëri është me origjinë nga transmetimet izraelite, që të bën të dyshosh se fjala e Zotit dhe bartja e tij tek Musai ishte përmes tingullit material aq të fuqishëm, forca e të cilit arrinte fuqinë e dhjetë mijë gjuhëve dhe se Allahu mund të flasë më zë edhe me të lartë se ky, zë të cilin lejohet ta ngjasosh, ta ngjasosh me zërin e bubullimës së bukur kur ajo shkreptinë!!!

Ja, ky transmetim -tek Ibën Tejmia- konsiderohet argument në akide pa marrë parasysh kush e transmeton dhe prej kah e ka burimin zinxhiri i tij, edhe për kundër faktit se ai është nga lajmet izraelite të pavlera, që kanë depërtuar në fenë tonë!!!

Bejhekiu ngjashëm me këtë transmetim shënon edhe dy transmetime tjera nga Alij ibën Asim, e ky nga Fadël ibën Isa, nga Muhamed ibën Munkedir, nga Xhabir ibën Abdilah, e ky nga profeti, paqja qoftë mbi të.

Në zinxhirin e këtyre transmetimeve gjendet:

- Alij ibën Asim (Vasitij), i cili është transmetues i dobët, që gabonte dhe bile këmbëngulte në gabim, e kjo gjë ka çuar që disa dijetarë të shkencës së "XHERH ve TADIL" ta akuzojnë me gënjeshtër.

- Fadël ibën Isa (Rrikashi), për të cilin janë pajtuar se është po ashtu transmetues i dobët. Bile disa për të kanë thënë se transmeton hadithe tepër të dobëta (munker hadith). Ndërsa të tjerët për të kanë thënë: Nuk është i besueshëm (lejse bi thikah).

Rezultati: Zinxhiri (isnadi) i këtij hadithi siç e shihni edhe vet është i pavlerë, që nuk vlen as për pesë pare (talif).

__________________________________________________

[5.1] - Xhevab Sahih limen Bedele Dinel Mesih, vëll.4, fq.11. - Der Tearud Akli ve Nakli, vëll.1, fq.377 & vëll.2, fq.407. - Fetava Kubra, vëll.6, fq.431, ffq.450. - Mexhmul Fetava, vëll.6, fq.154.
[5.2] - Fetava Kubra, vëll.6, fq 450.
[5.3] - Shiko: Sijer Alamu Nubela, vëll.11, fq.286.




- VI -

Sipas Ibën Tejmijës: Pejgamberët lejohet të kenë rënë në mëkate të MËDHA!!!

Ibën Tejmije ka menduar se është e lejuar që pejgamberët të bëjnë gjynahe të mëdha dhe të vogla. Ajo që nuk lejohet në të drejtën e tyre -sipas tij- është vetëm moskomunikimi i shpalljes dhe gjynahet e tyre të konsiderohen të lejuara!

Kur ka folur për pejgamberët e Allahut, të cilët ishin elita e njerëzimit, ai ndër tjera ka thënë:

Sa i përket ruajtjes së profetëve nga mëkatet (el-ismetu) në çështjet që s'kanë të bëjnë me komunikimin e shpalljes,dijetarët kanë rënë në mospajtim se:

- A pohohet pagabueshmëria e tyre me logjikë apo vetëm me tekst sheriatik?

- A ishin të mbrojtur nga të gjitha gjynahet e vogla dhe të mëdha, apo vetëm nga disa prej tyre?

- Mbrojtja e tyre a ishte vetëm në aspektin se mëkatet e tyre nuk miratoheshin (u tërhiqej vërejtja dhe pendoheshin), e jo se ata nuk i vepronin ato, apo nuk obligohet të themi se ata ishin të pagabueshëm, përpos në çështjen e komunikimit të shpalljes?

- Dhe: A ishte kusht që ata të mos bëjnë kufër dhe gjynahe para së tu vinte shpallja, apo jo?

Këto çështje e kemi sqaruar gjerësisht në disa vende tjera.

Mendimi të cilin e përkrahin shumica e njerëzve -e i cili përputhet edhe me transmetimet e selefit- është pohimi se pejgamberët ishin të pagabueshëm në aspektin se mëkatet e tyre nuk miratoheshin, pa marrë parasysh a ishin ato mëkate të mëdha apo të vogla. Ne kundërshtojmë ata që thonë se lejohej miratimi i mëkateve të tyre.

Nëse i shqyrtojmë argumentet e atyre që kanë thënë se profetët janë të mbrojtur nga gjynahet, rezultojnë në këtë mendim (që ne përzgjodhëm), ndërsa argumentet e atyre që kanë mohuar pagabueshmërinë e profetëve, nuk tregojnë se gjynahet e tyre miratoheshin, por tregojnë se sa here kanë bërë gjynahe, u është tërhequr vërejtja dhe janë penduar. [6.1] (Këtu përfundon tekstualisht fjala e tij).

Themi: Shejh Ibën Tejmije nuk na tregon se cilët ishin ata dijetarë që paskan lejuar rënien e pejgamberëve në gjynahe të mëdha, dhe kush prej tyre paska menduar se lejohet të miratohen gjynahet e profetëve, dhe çfarë qëllimi kanë lajmet e transmetuara nga selefi në këtë mesele!

Nuk e dimë as cilën palë kundërshtare e synonte në fjalën e tij: "Ata kishin mospajtim se a janë të mbrojtur nga gjynahet e vogla dhe të mëdha, apo vetëm nga disa prej tyre. Apo, mbrojtja e tyre ishte vetëm në miratimin e mëkateve të tyre, e jo në veprimin e tyre, apo nuk obligohet thënia se ata ishin të pagabueshëm përpos në çështjen e komunikimit të shpalljes"?

Ata të cilët kishin mendime të tilla, a vërtetë paskan qenë prej dijetarëve myslimanë?!!!

A përnjëmend disa dijetarë myslimanë paskan thënë se pejgamberët nuk janë të mbrojtur prej gjynaheve të mëdha,por vetëm u tërhiqet vërejtja në momentin kur i veprojnë ato?!!!

Shejhu siç po e vëreni nuk thotë se pejgamberët janë të mbrojtur prej gjynaheve të mëdha dhe të vogla.

Pagabueshmëria e tyre -sipas tij- është që Allahu i madhëruar t'ua tërheq vetëm vërejtjen kur ata i veprojnë ato!!!

Mendimi se profetët mund të bëjnë gjynahe të mëdha, gjendet vetëm në librat e devijuara të çifutëve, paramendoje!!! [6.2]

__________________________________________________

[6.1] - Fetava Kubra, vëll.5, fq.259. - Mexhmuul Fetava, vël.10, fq.292-293.
[6.2] - Jehudët nuk besojnë se profetët janë të mbrojtur prej gjynaheve dhe thonë se ata lejohet që të bëjnë mëkate të mëdha dhe të vogla. Sipas tyre, profetët kanë rënë në gjynahe të mëdha dhe për këtë bazohen në tekstet e shumta të Tevratit të devijuar.




- VII -

Sipas Ibën Tejmijës: Allahu është trup i mbushur që nuk ka zgavër përbrenda!!!

Ibën Tejmije e sheh të lejuar për Allahun të përshkruhet se Ai nuk ka zbrazëtirë, dhe kjo cilësi -sipas tij- nënkupton se Qenia e Tij nuk ka mundësi të ndahet dhe prej saj nuk del diçka, dhe e pranon të argumentuarit me këtë se Allahu është trup, bile trup i mbushur (musmet), siç deklaron.

Fillimisht fjala "Musmet" arabisht do të thotë: Ai i cili është i mbledhur, i rrasur mirë dhe i ngjeshur fort, që nuk ka zbrazëti apo boshllëk në brendësinë e tij, kompakt, sikurse përshembull guri apo hekuri.

Fjala se Allahu është (musmet), i mbushur, i cili nuk ka zbrazëti, është cilësi e trupave, dhe thanësi i kësaj fjale është fundosur në doktrinën e TEXHSIMIT, sepse ka konsideruar se Zoti është trup, i lartësuar qoftë Allahu nga kjo mangësi!

Ibën Tejmija-Allahu e faltë, tekstualisht ka thënë: Për emrin (e Zotit) SAMED, gjeneratat e hershme (selefi) kanë dhënë komente të ndryshme, që mund të kuptohet nga dikush se ato janë jounike, që kundërshtojnë njëra tjetrën, mirëpo kjo nuk qëndron, por të gjitha janë të sakta. Prej tyre,kemi dy si më të njohurat:

Njëri koment prej tyre thotë se: SAMED është ai i cili nuk ka zgavër. I dyti thotë se: SAMED është Strehimtari apo Zotëria për të Cilin ka nevojë çdo krijesë, e Ai nuk ka nevojë për asgjë.

Komenti i parë është mendimi i shumicës së selefit, prej sahabëve, tabeinëve dhe një pjesë të gjuhëtarëve, ndërsa komenti i dytë është mendim i një pjese të dijetarëve të selefit dhe halefit dhe shumicës së dijetarëve të gjuhës. Prejardhja gjuhësore e fjalës dëshmon për të dy mendimet, edhe pse, mendimin e parë e dëshmon më shumë!!! [7.1]

Dhe ka thënë: Është transmetuar me zinxhire të sakta nga sahabët dhe tabeinët se "SAMED" d.m.th. "Ai i cili nuk ka zgavër". Kjo cilësi nënkupton se për Allahun nuk lejohet ndarja dhe se prej Tij nuk del diçka, përndryshe do mohohej të qenurit e Tij Samed, dhe ky është fakti me të cilin është argumentuar se Ai është trup i mbushur (xhismun musmet). [7.2]

Allahu i madhëruar e përshkruan vetën se Ai është SAMED, ndërsa Ibën Tejmija e përshkruan se Ai është MUSMET!!!

Kaptina e Ihlasit është e njohur si kaptina e Teuhidit, ndërsa Ibën Tejmija e kthen atë në kaptinë shirku, përngjasimi dhe antropomorfizmi, Allahu na ruajtë!

Themi: Në fjalët e sipërpërmendura të Ibën Tejmijës u pa se ai e lejon ta përshkruajmë Allahun me: "I Cili nuk ka zgavër", dhe sipas tij ky mendim është mendimi më i përzgjedhur për komentimin e emrit të Allahut Samed, dhe se ky mendim transmetohet me zingjire të sakta nga sahabët!

E vërteta është se s'ka asnjë hadith të saktë nga sahabët që e pohon këtë.

Ai gjithashtu pretendon se nga kjo cilësi e Zotit nënkuptohet se Qenia e Tij nuk pranon ndarje dhe prej saj nuk del asgjë, siç del jashtëqitja përshembull prej barkut të njeriut!

Zoti -sipas tij- sikur na qenka një qenie, substancat e të cilit i paska të bashkuara, që nuk lejohet të shkëputen njëra nga tjetra!!!

Bile pohon se me këtë mund të argumentohet se Ai është trup, edhe atë, Trup (musmet) - i dendur dhe i mbushur, që s'paska zbrazëti!!!

Fjala e tij kur thotë se (origjina gjuhësore e fjalës Samed dëshmon për të dy mendimet, bile, për mendimin e parë dëshmon më shumë) është krim edhe ndaj gjuhës arabe dhe fjalorëve të saj, sepse baza e kësaj fjale tregon se kuptimin i "Samed" është zotëria të cilit i drejtohen nevojtarët për ti kërkuar ndihmë, e nuk e ka kuptimin se "Samed" është diçka që s'ka zgavër, e lerë më që ky kuptim të jetë më i përafërti - siç pretendon Ibën Tejmija.

Tefsiri i fjalës SAMED me "Ai që nuk ka zgavër", që përmendet nga disa tabeinë, nuk përkon me origjinën e fjalës, por është futur në disa libra gjuhe, dhe nuk meriton që të jetë rrënje e fjalës Samed, asnjëherë.

Edhe nëse vërtetohet nga tabeinët se fjala "Samed" d.m.th. diçka që s'ka zgavër dhe bark, kjo do kishte kuptimin se Allahu nuk han e as nuk pi, pra nuk ka nevojë për diçka tjetër, e jo se ai është qenie e mbushur nga brenda - qoftë i lartësuar nga kjo e metë!

Ibën Tejmija -Allahu e faltë- në një vend tjetër thotë: "Thënia se Allahu i madhëruar është i përbërë prej pjesëve dhe copave dhe se Ai pranon ndarje, copëtim dhe shkëputje", është e kotë me tekste sheriatike dhe logjikë, sepse e mohon të qenurit e Tij SAMED, pa marrë parasysh se me këtë a është synuar se copat e Tij kanë qenë të ndara pastaj janë bashkuar apo se ato kanë qenë të bashkuara në të kaluarën, por mund të ndahen njëra nga tjetra, sikurse në trupin e njeriut apo trupat e tjerë. Njeriu edhe pse i ka pjesët e bashkuara, atij mund ti ndahen disa pjesë nga disa, mirëpo Allahu është i pastër nga kjo, pasi përmendëm se Atij i takon plotësia e të qenurit SAMED. Kjo lejohet vetëm për dikë që mund ti zhduken disa pjesë apo për dikë që mund të asgjësohet.

Ai i cili pranon shuarjen dhe shkatërrimin, nuk mund të jetë Ekzistent i Domosdoshëm (Vaxhib el Vuxhud) sipas qenies së Tij dhe as i Vjetër në amshim (Kadijm, Ezelij), sepse atij që i vërtetohet vjetërsia, është e pamundur të shkatërrohet. Po kështu edhe cilësitë e Tij me të cilat përshkruhet, ato janë domosdoshmëri e Qenies së Tij dhe supozimi i shkatërrimit të cilësisë së domosdoshmit është e pamundur, përpos nëse supozohet shkatërrimi i vetë të Cilësuarit. Për këtë arsye, disa prej selefit kanë thënë se Samed është Ai i Ngahershmi (Daim), dhe është Ai i Përjetshmi i cili mbetet pasi të shkatërrohet krijesa e Tij (El-Baki), dhe se një përshkrim i tillë është domosdoshmëri e Samedisë, sepse sikur të pranonte asgjësimin, atëherë Samedia e Tij nuk do t'ishte domosdoshmëri e Tij dhe do të lejohej e kundërta e Samedisë, pra nuk do të mbetej Samed. Të qenurit Samed të Tij nuk ka mundësi t'i mohohet, vetëm nëse lejojmë asgjësimin e Tij, e kjo është e pamundur. Të qenurit e Tij Samed nuk do t'ishte obligim për Të, përpos nëse kjo cilësi do t'ishte domosdoshmëri e Tij, e kjo detyrimisht mohon asgjësimin e Tij, dhe i pohon Atij cilësinë e Samedit.

Allahu të qenurit Samed nuk e ka cilësi të përfituar - i lartësuar qoftë, sepse kjo të kishte nënkuptuar se ai ka qenë i shkapërderdhur dhe pastaj është bashkuar, apo se Ai është i bërë dhe i krijuar nga dikush tjetër. Kjo cilësi i takon krijesave, ndërsa Krijuesi i cili është i Vjetër në amshim, s'ka mundësi të përshkruhet me të tilla cilësi në asnjë mënyrë. Kjo nuk i lejohet Atij.

Kështu pra, na u bë e ditur se Ai ishte Samed qysh në amshim,dhe Samed do të mbetet përgjithmonë.Nuk lejohet për Të që të themi se Ai ishte i ndarë, pastaj është bashkuar, apo se lejohet të ndahet në të ardhmen,bile as të themi se prej Tij del diçka apo në Të hy apo depërton diçka.Për këtë janë pajtuar të gjitha grupet e myslimanëve. [7.3] (Përfundoi fjala e tij).

Pata dëshira ta plasoj këtë tekst kështu komplet, që të njoftoheni për së afërti me metodën e argumentimit që përdorë Ibën Tejmija për akiden e tij. Ai këtu mundohet të kundërshtojë një doktrinë të kotë, që askush prej myslimanëve se ka thënë dhe as që ka qenë ndonjëherë temë diskutimi mes grupacioneve. Edhe ata që kanë thënë se Zoti është trup, nuk kanë menduar ndonjëherë që pjesët e Tij mund t'i ndahen. S'kishte nevojë të zgjatej dhe ta përsëriste kaq shumë një çështje të tillë,e në anën tjetër të heshte për supozimin tjetër, i cili po ashtu është i kotë fare. Ai këtu fshehurazi bën shenjë për akiden e tij të cilës i beson, edhe pse çështja kërkonte më shumë sqarim.

Heshtja aty ku kërkohet sqarimi, është sqarim.

Ai qartë deklarohet se: "Thënia se Allahu i madhëruar është i përbërë prej pjesëve dhe copave dhe se Ai pranon ndarje, copëtim dhe shkëputje, është e kotë me tekste sheriatike dhe logjikë, sepse e mohon të qenurit e Tij SAMED,pa marrë parasysh se me këtë a është synuar se ato copa kanë qenë të ndara pastaj janë bashkuar, apo se ato kanë mbetur të bashkuara,por mund të ndahen njëra nga tjetra".

Ai këtu sikur jep shenjë se lejohet të thuhet për Allahun e madhëruar se Ai është i përbërë prej copave të pandashme dhe se pjesët e Tij nuk pranojnë shkëputje, sepse sikur ta shihte këtë gjë të pamundur, duhej të thoshte: "Thënia se Ai është i përbërë prej pjesëve, është e kotë sheriatikisht dhe me logjikë", e jo ti vente fjalisë së Tij kushte. Mirëpo ai e kushtëzon të pamundur vetëm të thenurit se: "Ai pranon ndarje dhe shkëputje në Qenien e Tij"!!!

Në këtë kushtëzim vërejmë një shenjë të qartë nga Ibën Tejmija se Allahu i madhëruar -sipas tij- është i përbërë dhe pjesëbashkuar, i cili nuk pranon shkëputje e as ndarje dhe se pjesët e Tij vazhdojnë të jenë tok qysh nga Pafillimësia (Ezeli), në kuptimin se ato nuk ishin të ndara që pastaj të jenë bashkuar, dhe nuk mund të shkëputen njëra prej tjetrës as në të ardhmen!!!

Gjitha këto fjalë, që ta arsyetojë texhsimin e Tij!!!

Ai vet ka thënë se doktrina e texhsimit nuk është e urryer, kur ka deklaruar se: "Askush prej selefit nuk e ka kundërshtuar dikë se ai është muxhesim-antropomorfist, dhe ata as që i kanë urrejtur muxhesimët"!!! [7.4]

Pretendimi se Zoti i lartësuar është trup i dendur ishte mendim i antropomorfistit përngjasues rafidij Hisham Ibën Hakemit - Allahu e vraftë.

Dijetari Mutahir ibën Tahir Makdisiu në librin "Bed ve Tarih", kur flet për besimin në Allahun e madhëruar, thotë se: "Hisham ibën Hakemi dhe Ebu Xhafer el Ahvali -i njohur me nofkën "Koka e Shejtanit"- kanë pretenduar se Allahu është trup, që ka kufij". Hishami ka thënë: "Ai është trup kompakt, i mbushur dhe i dendur, e jo trup i zgavruar apo i shprishur".

I lartë dhe i pastër qoftë Allahu i madhëruar nga kjo e metë.

__________________________________________________

[7.1] - Mexhuul Fetava, vëll.17, fq.214, fq.215. - Bejan Telbis Xhehmije, vëll.1, fq.511, në botimin tjetër e gjeni: vëll.3, fq.54, fq.55.
[7.2] - Bejan Telbis Xhehmije, vëll.1, fq.48, fq.49, në botimin tjetër e gjeni: vëll.2, fq.50, fq.51.
[7.3] - Mexhmuul Fetava, vëll.17, fq.297-298.
[7.4] - Bejan Telbis Xhehmije, vëll.1, fq.100, në botimin tjetër është: vëll.2, fq.105.



Autor: Drilon ef. Gashi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...