Ndalohet përjashtimi 'inshaAllah' në besim
- (الإستثناء في الإيمان) - (Shpjegim akaidologjik i thënies së Ebu Hanifes r.h.)
- قوله: و المؤمن مؤمن حقا و الكافر كافر حقا، و ليس في الإيمان شك كما أنه ليس في الكفر شك لقوله تعالي: أُولَئِكَ هُمُ الْمُؤْمِنُونَ حَقًّا و أُولَئِكَ هُمُ الْكَافِرُونَ حَقًّا. - Imam Ebu Hanife r.a. ka thënë: "Besimtari është besimtar i vërtetë, ndërsa jobesimtari është jobesimtar i vërtetë. Brenda imanit, nuk mund të ekzistojë dyshimi, sikurse që brenda kufrit nuk mund të ekzistojë dyshimi", sipas fjalës së Allahut të Lartësuar: "Të tillët janë besimtarë të vërtetë ..." [1], dhe: "Të tillët janë jobesimtarët e vërtetë ..." [2]. [3]
Hyrje
Besimi - imani, paraqet besueshmërinë e vërtetë dhe të sigurt të njeriut në Allahun e Lartësuar. Si i tillë nuk lejohet të lëkundet asnjëherë dhe në asnjë rrethanë. Është obligim i besimtarit, që ta ruajë karakterin e besimit të tij të mirëfilltë. Në këtë aspekt, ai duhet të tregojë vendosmëri në besim dhe të refuzojë çdo veti që e luhatë besueshmërinë e tij. Sepse luhatja është vetë dyshimi, ndërsa dyshimi drejtpërdrejt shpie në mosbesim.
Përkufizmi i çështjes
Imam Ebu Hanife r.h. në thënien e tij të sipërthënë, potencon një çështje të rëndësishme besimore, e cila në shkencën e Kelamit njihet si "përjashtimi në besim" - (الإستثناء في الإيمان) -, dhe ka të bëjë me frazën "inshaAllah" - (nëse do Allahu). Domethënë, në pyetjen ndaj një njeriu se: a je besimtar?, ai përgjigjet: "unë jam besimtar inshaAllah" - (أنا مؤمن إن شاء ألله) - . Kjo mënyrë e përgjigjes, respektivisht shtimi i frazës "inshaAllah", është poenta e çështjes, që disa prej dijetarëve e kanë lejuar, e disa të tjerë e kanë ndaluar rreptësisht.
Si gjithnjë Ebu Hanife r.h. prinë në çështjet delikate të besimit. Edhe në këtë çështje, Imami Adham Ebu Hanife r.h. ndalon që besimtari të thotë: "unë jam besimtar inshaAllah", sepse paraqet dyshim në besim, ndërsa dyshimi në besim është mosbesim. Por, besimtari duhet të thotë: "unë jam besimtar i vërtetë" - (أنا مؤمن حقا) -. Pra, në vend të fjalës "inshaAllah" - (nëse do Allahu), duhet të thotë "hak-kan" - (i vërtetë).
Le të themi se kjo çështje, për nga ndërlikueshmëria, i bashkangjitet atyre çështjeve të nxehta akaidore, që kanë qenë edhe arsye për disa dijetarë të cekët (me theks të veçantë pretenduesit e jomedhhebizmit) që ta akuzojnë për gabim të madh, dijetarin e të gjitha kohërave, imamin e medhhebit tonë hanefij, Ebu Hanife, Allahu e ndriçoftë varrin e tij. Mirëpo, më poshtë, do të shohim se qëndrimi i Ebu Hanifes r.h. është mendimi dominant, i bazuar në fuqishmërinë e argumenteve tradicionale dhe të arsyes.
Qëndrimet e dijetarëve rreth përjashtimit në besim
Rreth çështjes së përjashtimit (inshaAllah) në besim, dijetarët ndahen në dy grupe:
1). Ata që e lejojnë "përjashtimin" në besim. Të këtij mendimi janë një pjesë e selefit, madje sahabë dhe tabiinë sikurse kjo tregohet nga Shafiu r.a., të cilët mbrojnë qëndrimin se lejohet "përjashtimi" - (inshaAllah) - në iman, e që shprehet duke thënë: "unë jam besimtar inshaAllah" - (أنا مؤمن إن شاء ألله) - [4]. Të këtij mendimi janë edhe të gjithë fraksionet konservatore, që ftojnë në "jomedhhebizëm" - (mohim të shkollave juridike), dhe që tekstet tradicionale i marrin në aparencën e tyre, pa u thelluar fare në studimin e objektivave të fesë, dhe
2). Ata që e ndalojnë "përjashtimin" në besim. Të këtij mendimi janë pjesa dërrmuese e selefit, prej tyre Ebu Hanife r.a. dhe nxënësit e tij, të cilët mbrojnë qëndrimin se nuk lejohet "përjashtimi" në iman, por besimtari duhet të thotë: "unë jam besimtar i vërtetë" - (أنا مؤمن حقا) -, për të eleminuar çdo lloj dyshimi [5].
Shprehja "inshaAllah" dhe përdorimi i saj
Më lartë pamë se objektivi i çështjes është thënia "inshaAllah" me rastin e deklarimit të imanit. Pra, kur njeriu thotë se "unë jam besimtar", ia shton menjëherë edhe përjashtimin "inshaAllah" - nëse do Allahu. A lejohet të thuhet ky "përjashtim" apo nuk lejohet? Prandaj, për ta kuptuar çështjen e lejimit apo ndalimit të "përjashtimit" në iman, nevojitet ta njohim frazën "inshaAllah" dhe domethëniet e saj relevante.
1. Fraza inshaAllah, është shprehje e gjuhës arabe dhe përbëhet nga tri pjesë: "in + sha + Allah", që do të thotë: "nëse + do + Allahu". Folja "sha - do", referon dëshirën apo vullnetin e Allahut. Ndërsa dëshira apo vullneti i Allahut është çelsi i ekzistimit të çdo gjëje që ekziston në gjithësi, përfshirë njeriun, veprimet e tij, perceptimet, mendimet etj.. Në këtë aspekt, dijetarët e kanë themeluar parimin për të cilën janë të një mendimi edhe "selefi (të parët)" edhe "halefi (të mbramët)" se: - [مَا شَاءَ اللَّهُ كَانَ وَمَا لَمْ يَشَأْ لَمْ يَكُنْ] - "Çka ka dashur Allahu ka ekzistuar dhe çka nuk ka dashur nuk ka ekzistuar" [6].
Sipas këtij parimi, konkludojmë se shprehja "inshaAllah" - nëse do Allahu, në kuptimin e saj të vërtetë, eskluzivisht ka për qëllim vërtetimin e ekzistimit të një gjëje nga dëshira e Allahut. Mohimi i këtij parimi apo të kontestuarit e tij, konsiderohet kontradikë e besimit (imanit). Sepse nëse nuk e vërtetojmë dëshirën e Allahut për çdo gjë që ekziston, atëherë lë të kuptohet se në krijimin e Allahut mund të ndodhuaka edhe ajo që nuk është vullnet i Tij, gjë që konsiston pafuqishmërinë e të Lartësuarit. Prandaj, meqë shprehja "inshaAllah", aludon ekzistimin e subjekteve nga dëshira e Allahut, po kështu me rastin e deklarimit të imanit, ajo referon esencën e imanit, me të gjitha atributet e tij.
2. Shprehja "inshaAllah", konsiston dyshimin dhe pandehmën. Përjashtimi si nocion nuk përdoret në sferën e arritjes në njohje dhe dije, por ajo përdoret në sferën e dyshimeve dhe pandehmave - (لأن الإستثناء لا يستعمل في موضع الإحاطة و العلم، و إنما يستعمل في موضع الشكوك و الظنون) - [7].
3. Shprehja "inshaAllah" konsiston pasigurinë e njeriut për një veprim që akoma s'ka ndodhur [8]. Allahu na ka mësuar në Kur'an, se shprehja "inshaAllah" implikon dëshirën e njeriut për ekzistimin e një çështjeje e cila akoma nuk ka ndodhur dhe jo për një çështje e cila ka ndodhur. I Lartësuari thotë:
- {وَلَا تَقُولَنَّ لِشَيْءٍ إِنِّي فَاعِلٌ ذَلِكَ غَدًا إِلَّا أَنْ يَشَاءَ اللَّهُ وَاذْكُرْ رَبَّكَ إِذَا نَسِيتَ وَقُلْ عَسَى أَنْ يَهْدِيَنِ رَبِّي لِأَقْرَبَ مِنْ هَذَا رَشَدًا} -, "Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: "unë do ta bëj këtë nesër!". Vetëm (nëse i shtoni): Në dashtë Allahu!. E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij", (El-Kehf, 23-24).
Pra, çdo çështje që e aspirojmë për ta bërë, atë e ndërlidhim për dëshirën e Allahut. Nëse do Allahu ajo çështje do të ndodhë, e nëse do Ai ajo nuk do të ndodhë. P.sh. studenti thotë: "inshaAllah e kam dhënë provimin", apo "inshaAllah në muajin e ardhshëm do ta kryej fakultetin", dhe shembuj të tjerë. Mirëpo, nuk është metodike dhe e drejtë që të themi "inshaAllah" për një punë që e kemi bërë. Një libër të cilin e kemi lexuar, nuk themi: inshaAllah e kemi lexuar, sepse nuk ka kuptim të bëhet një gjë e tillë, kur dihet sigurt se e kemi lexuar dhe se e kaluara deri në momentin që po flasim, është mëse e sigurt se ka ndodhur me krijimin dhe dëshirën e Allahut.
Argumentet e dijetarëve, që lejojnë "përjashtimin" në iman
Dijetarët që e mbrojnë këtë qëndrim, sjellin argumente nga Kur'ani dhe Sunneti.
Argumentet nga Kur'ani:
Allahu i Lartësuar në Kur'an ka thënë: - {لَقَدْ صَدَقَ اللَّهُ رَسُولَهُ الرُّؤْيَا بِالْحَقِّ لَتَدْخُلُنَّ الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ إِنْ شَاءَ اللَّهُ آَمِنِينَ مُحَلِّقِينَ رُءُوسَكُمْ وَمُقَصِّرِينَ لَا تَخَافُونَ فَعَلِمَ مَا لَمْ تَعْلَمُوا فَجَعَلَ مِنْ دُونِ ذَلِكَ فَتْحًا قَرِيبًا} -, "Allahu ëndrrën e të Dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e Allahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar, të rruani flokët e kokave tuaja, t'i shkurtoni e nuk do të keni frikë! Pra, Ai ka ditur atë që ju nuk e dinit, andaj, para kësaj ju dha një fitore të shpejtë", (El-Fet'h, 27). Dhe ajeti tjetër: - {وَلَا تَقُولَنَّ لِشَيْءٍ إِنِّي فَاعِلٌ ذَلِكَ غَدًا إِلَّا أَنْ يَشَاءَ اللَّهُ وَاذْكُرْ رَبَّكَ إِذَا نَسِيتَ وَقُلْ عَسَى أَنْ يَهْدِيَنِ رَبِّي لِأَقْرَبَ مِنْ هَذَا رَشَدًا} -, "Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: 'unë do ta bëj këtë nesër!'. Vetëm (nëse i shtoni): Në dashtë Allahu!. E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij", (El-Kehf, 23-24).
Argumentet nga Hadithi:
1. Prej haditheve, është hadithi i Aishes r.a., e cila ka thënë: Pejgamberi a.s. në pjesën e fundit të natës dilte në varrezat "el-beki" dhe thoshte: - [السَّلَامُ عَلَيْكُمْ دَارَ قَوْمٍ مُؤْمِنِينَ وَأَتَاكُمْ مَا تُوعَدُونَ غَدًا مُؤَجَّلُونَ
وَإِنَّا إِنْ شَاءَ اللَّهُ بِكُمْ لَاحِقُونَ اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِأَهْلِ بَقِيعِ] -, "Es-selamu alejkum (shpëtimi i Allahut qoftë mbi ju) o ju besimtarë, ajo që ju është premtuar, do t'ju vijë nesër në afatin e caktuar. Edhe ne, inshaAllah (nëse do Allahu) do të vijmë pas jush. O Allah, fali banorët e varrezave bekie ..." [9].
2. Hadithi i shefatit (ndërmjetësimit) në Ditën e Gjykimit, ku Pejgamberi a.s. ka thënë: - [عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لِكُلِّ نَبِيٍّ دَعْوَةٌ مُسْتَجَابَةٌ فَتَعَجَّلَ كُلُّ نَبِيٍّ دَعْوَتَهُ وَإِنِّي اخْتَبَأْتُ دَعْوَتِي شَفَاعَةً لِأُمَّتِي يَوْمَ الْقِيَامَةِ فَهِيَ نَائِلَةٌ إِنْ شَاءَ اللَّهُ مَنْ مَاتَ مِنْ أُمَّتِي لَا يُشْرِكُ بِاللَّهِ شَيْئًا] -, "Për secilin pejgamber ka një lutje që do të gjejë përgjigje, dhe secili pejgamber e ka ngutur bërjen e lutjes së vet. Ndërsa unë e kam fshehur lutjen time, që ajo të jetë ndërmjetësim për popullin tim, dhe ajo do t'i arrijë në dashtë Allahu secilit prej ymetit tim që ka vdekur duke mos i bërë me asgjë rivalitet Allahut" [10].
Argumentet që ndalojnë "përjashtimin" në iman
Argumentet e dijetarëve që e ndalojnë 'përjashtimin' në iman, janë të mirëfillta, që burojnë nga Kur'ani dhe Sunneti.
a). Argumentet nga Kur'ani:
1. Allahu i Lartësuar, në mënyrë të prerë ka dëshmuar për besimin e atij që beson në Allahun dhe të dërguarit e Tij, pa e ndërlidhur këtë me përjashtimin "inshaAllah" - (nëse do Allahu). I Lartësuari ka thënë: - {آَمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنْزِلَ إِلَيْهِ مِنْ رَبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَ كُلٌّ آَمَنَ بِاللَّهِ وَمَلَائِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِنْ رُسُلِهِ وَقَالُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ الْمَصِيرُ} -, "I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij dhe thanë: Iu përgjigjëm (thirrjes) dhe respektuam (urdhërin). Kërkojmë faljen tënde o Zot ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë", (El-Bekare, 285).
2. Allahu i Lartësuar, i ka lavdëruar besimtarët për qëndrimin e tyre të prerë në besim, përsëri pa e ndërlidhur këtë me shprehjen e përjashtimit "inshaAllah" - (nëse do Allahu). I Lartësuari duke përmendur qëndrimin e besimtarëve ka thënë: - {رَبَّنَا إِنَّنَا سَمِعْنَا مُنَادِيًا يُنَادِي لِلْإِيمَانِ أَنْ آَمِنُوا بِرَبِّكُمْ فَآَمَنَّا رَبَّنَا فَاغْفِرْ لَنَا ذُنُوبَنَا وَكَفِّرْ عَنَّا سَيِّئَاتِنَا وَتَوَفَّنَا مَعَ الْأَبْرَارِ} -, "Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thonte): të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i falë mëkatet tona, na i mbulo të metat tonë dhe paas vdekjes na bashko me të mirët!", (Ali Imran, 193).
Në këto ajete (dhe shumë të tjera), Allahu nuk i ka urdhëruar besimtarët, që të thonë përjashtimin "inshaAllah" në besim [11].
b). Argumentet nga Hadithi:
1. Imam Ebu Hanife r.a., në veprën e tij "El-Fikhu'l-Ebsat" (kaptina mbi kaderin), ka thënë: "Njeriu duhet të thotë: unë jam besimtar i vërtetë, për të vërtetuar se nuk dyshon në imanin e tij". I është thënë: A mund të jetë imani i tij, i ngjashëm me imanin e melaikëve?. Ebu Hanife ka thënë: Po . I është thënë: A edhe nëse ka mangësi në zbatimin e veprave ai është besimtar i vërtetë? Ebu Hanife tha: ma kanë transmetuar hadithin e Harithit kur me një rast Pejgamberi a.s. i ka thënë atij: - [قال له: كيف أصبحت؟ قال أصبحت مؤمنا حقا، قال أنظر ما تقول فإن لكل حق حقيقة فما حقيقة إيمانك؟ فقال عزفت نفسي عن الدنيا حتي أظمات نهاري و أسهرت ليلي. فكأني أنظر إلي عرش ربي، و كأني أنظر إلي أهل الجنة يتزاورون فيها، و كأني أنظر إلي أهل النار حين يتعلوزن فيها. فقال رسول الله صلي الله عليه و سلم أصبت فألزم، أصبت فألزم، ثم قال من سره أن ينظر إلي رجل نور الله تعالي قلبه فلينظر إلي حارثة ثم قال: يا رسول الله أدع الله لي بالشهادة، فدعا له بها فإستشهد.] -, "Si u zgjove nga gjumi? (Harithi) tha: jam zgjuar si besimtar i vërtetë. (Pejgamberi a.s.) Tha: ke kujdes çka po thua, sepse çdo e vërtetë e ka të vërtetën e vet, cila është e vërteta e imanit tënd? (Harithi) Tha: jam distancuar nga kënaqësitë e kësaj bote, gjersa ditën e kalojë me etje (agjërim) e natën me pagjumësi (ibadet). Më duket sikur po e shoh Arshin e Zotit tim, pastaj sikur po i shoh banorët e xhennetit duke vizituar njëri tjetrin, dhe banorët e xhehennemit në kohën kur përpëliten në të. I Dërguari s.a.v.s. tha: ia ke qëlluar, përmbaju kësaj, ia ke qëlluar, përmbaju kësaj!, pastaj vazhdoi: kush dëshiron që ta shoh një njeri, të cilit Allahu ia ka ndriçuar zemrën e tij, le ta shikojë Harithin! (Harithi) Tha: o i Dërguari i Allahut lute Allahun për mua që të bi dëshmor. (Pejgamberi a.s.) u lutë për të dhe ai vdiç dëshmor" [12].
2. Transmeton Abdullah bin Zejd El-Hatmij, se Pejgamberi a.s. ka thënë: - [إذا سئل أحدكم أمؤمن أنت فلا يشك] -, "Nëse dikush nga ju pyetet: a je besimtar?, të mos dyshojë në besimin e vet".
3. Transmeton Alij bin Ebi Talibi, i cili ka thënë: - [كنا جلوسا عند النبي إذ دخل علينا عويمر أبو درداء فقال: يا نبي الله إني أقول أنا مؤمن حقا، فقال: يا أبا درداء إن لم تقل حقا فكأنك قلت أنا مؤمن باطلا] -, "Kemi qenë ulur te Pejgamberi a.s., kur ja hyri Uvejmir Ebu Derdai dhe tha: O Pejgamber i Allahut, unë e deklaroj besimin duke thënë: "unë jam besimtar i vërtetë". (Pejgamberi a.s.) Tha: o Ebu Derda nëse nuk thua "i vërtetë", atëherë sikur po thua "unë jam besimtar jo i vërtetë".
Dhe hadithe të tjera.
Konfrontimi i argumenteve
Duket qartë, se argumentet e dijetarëve që e lejojnë përjashtimin në iman, respektivisht ajetet dhe hadithet e sjellura më lartë përkitazi për këtë, nuk kanë kurrfarë relevance me çështjen në fjalë. Sepse, fraza "inshaAllah" - (nëse do Allahu), e cila konsiderohet frazë e përjashtimit në besim, në citatet e lartëcekura, nuk ka të bëjë me gjendjen momentale të besimit te muslimani. Ndërsa, diskutimi i çështjes fokusohet nga këndvështrimi përse "përjashtimi" në besim ndodh pikërisht në gjendjen momentale të besimtarit. Kur besimtari e thotë frazën e përjashtimit: unë jam besimtar inshaAllah, ai në fakt e ka vënë në pikëpyetje gjendjen momentale të besueshmërisë së tij, e jo gjendjen e ardhshme. Pra, poenta e çështjes është gjendja momentale e besueshmërisë së muslimanit e jo ajo e ardhshmja.
Prandaj, "Allahu ëndrrën e të Dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e Allahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar...", (El-Fet'h, 27), aludon në një sukses që do të ndodhë në të ardhmen, dhe nuk ka kurrfarë relevance me gjendjen momentale. Për këtë ajet, respektivisht për synimin e përjashtimit "inshaAllah", Imam Maturidiu, jep disa komentime, gjersa përaprakisht thotë se të vërtetën e tij më së miri e di Allahu i Lartësuar. Ai thotë:
1. Është një lajm, të cilin (Pejgamberi a.s.) e ka lajmëruar se është thënie e Allahut dhe jo e tij, prandaj nuk ka thënë: letedhulenne in shitu - do të hyni nëse dua unë, por ka thënë: "inshaAllah - nëse do Allahu", për të bërë me dije se është thënie (premtim) i tjetërkujt (Allahut).
2. Allahu e ka mësuar të Dërguarin e Tij, që ta thotë atë (ëndrrën), dhe ta shoqërojë me përjashtimin (inshaAllah), pasiqë ajo (hyrja në xhaminë e shenjtë), është premtim i Allahut. Me këtë rast sikur i Lartësuari ka thënë: "Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: "unë do ta bëj këtë nesër!". Vetëm (nëse i shtoni): Në dashtë Allahu! ...", (El-Kehf, 23-24). Pasiqë Allahu "hyrjen" e ka mbështetur te Vetja e Tij, dhe ajo është premtim, përjashtimi (inshaAllah) vjen për ta eleminuar frikën për një gjë të tillë.
3. Pejgamberi a.s. i ka informuar shokët e tij për hyrjen në xhaminë e shenjtë, por kohën e saktë nuk e ka pasur të qartë, prandaj e ka shoqëruar me përjashtimin "inshaAllah", dhe mendime të tjera [13].
Po kështu është edhe me hadithet e Pejgamberit a.s., të cilat, më drejtpërdrejt referojnë veprimet që do të ndodhin në të ardhmen, dhe atë në botën tjetër.
Prandaj, ajetet dhe hadithet, në të cilat përmendet "përjashtimi" - (inshaAllah), referojnë një realitet të caktuar që do të ndodhë në të ardhmen. E për të ardhmen, është shumë e vërtetë se jemi të thirrur, madje të obliguar që të themi "inshaAllah - nëse do Allahu", sipas ajetit (El-Kehf, 23-24). Në lidhje më këtë, njëri ndër dijetarët eminent të maturidizmit, imam Gaznevij El-Hanefij thotë:
"Nëse thuhet: do të jem besimtar inshaAllah, do të vdes besimtar inshaAllah, konsiderohet iman i pranuar nëse do Allahu të ndodhë dhe është veprim i arsyeshëm. Sepse, gjithmonë besimtari duhet të jetojë ndërmjet frikës dhe shpresës, dhe në mënyrë të veçant frikës së përfundimit të jetës. Kjo është prej çështjeve më të rëndësishme për të ardhmen e besimtarit. Njeriu nuk mund ta dijë nëse do ta përfundojë jetën e vet me iman apo me kufr. Në këtë pikë më së shumti kanë qarë ata që i kanë frikën Allahut. Nga ky aspekt, obligohet që të shprehet fraza e përjashtimit "inshaAllah" - (فمن هذا الوجه يجب الإستثناء) -. Mirëpo, konsiderohet dyshim - (شكا) -, kur ndodhë për vërtetimin e ekzistimit të imanit, vazhdimësinë e tij dhe pranimin e esencës së tij" [14].
Sa i përket atyre që thonë se fraza "inshaAllah" përdoret për qëllim të kërkimit të mirësisë - (ألتبرك) -, kjo është jorelevante, sepse në pyetjen: a jeni besimtar?, nuk po kërkohet përgjigja për mirësinë e besimit, por për deklarimin e identitetit të përkatësisë, dhe përgjigja duhet të jetë: "po jam besimtar". E nëse shtrohet: "a jeni besimtar i vërtetë?", përgjigja duhet të bëhet sipas pyetjes: "po jam besimtar i vërtetë". Sikurse atij që i bëhet pyetja: "a jeni burr?" Përgjigja është: "po jam burr", e nuk lejohet të thotë "po jam burr inshaAllah".
Pikat konkluduese që e ndalojnë përjashtimin "inshaAllah" në iman
Argumentet, që e ndalojnë përdorimin e përjashtimit "inshaAllah", janë të gjithanshme.
Pikat në vijim e vërtetojnë atë që dëshirojmë ta themi:
1. Është parim i prerë deklarimi i imanit dhe identifikimi me të dhe braktisja e përjashtimit në besim (elistithnau) [15]. Sepse, përjashtimi (elistithnau) si nocion nuk përdoret në sferën e arritjes në njohje dhe dije, por ajo përdoret në sferën e dyshimeve dhe pandehmave - (لأن الإستثناء لا يستعمل في موضع الإحاطة و العلم، و إنما يستعمل في موضع الشكوك و الظنون) -. Allahu i Lartësuar i ka tërhequr vërejtjen për këtë me Fjalën e tij "thumme lem jertabuu" "Besimtarët janë vetëm ata që i besuan Allahut, të Dërguarit të Tij, e mandej nuk dyshuan ...", (El-Huxhurat, 15), dhe e ka lavdëruar qëndrimin e prerë në besim, me urdhërin e Tij: "Ju (besimtarë) thuani: Ne i besuam Allahut ..." (El-Bekare 136). Ndërsa transmetohet nga Pejgamberi s.a.v.s. se është pyetur për veprën më të vlefshme dhe ka thënë: - [أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ سُئِلَ أَيُّ الْأَعْمَالِ أَفْضَلُ قَالَ إِيمَانٌ لَا شَكَّ فِيهِ وَجِهَادٌ لَا غُلُولَ فِيهِ وَحَجَّةٌ مَبْرُورَةٌ] -, "Më e mira vepër është: një besim (në Zotin) që është i palëkundur, lufta e shenjtë (xhihadi) të cilën nuk e shoqëron kurrfarë hamendje, dhe haxhi i cili kryhet sipas rregullave të parapra" [16]. [17]
2. "Përjashtimi (inshaAllah) e shkakton dyshimin dhe asgjësimin e bindjes dhe si pasojë e këtyre ai shpie në kufër (mosbesim) në mënyrë të prerë", - (الإستثناء يورث الشك و عدم اليقين و ذلك يؤدي إلي الكفر قطعا) - [18]. Po edhe nëse nuk vërtetohet kufri (mosbesimi), në këtë rast më së paku që mund të thuhet është fjala "haram" - ndalohet përjashtimi, sepse në mënyrë të drejtpërdrejt është dyshim - (لأنه صريح في الشك) -, më se dhe nuk përdoret në atë që është e sigurtë - (ألمُحَقَّقُ) - në gjendje momentale, si p.sh. nuk thuhet: "unë jam djal inshaAllah" - (انا شاب إن شاء الله) - [19]. Apo , sikurse ai që është i gjallë në jetë, nuk i lejohet të thotë: "unë jam gjall inshaAllah" - (أنا حي إن شاء الله) -. Pra ai është besimtar te Allahu i Lartësuar për shkak të ekzistimit të besimit tek ai në moment në të cilin ekziston, pa marrë parasysh se Allahu e di se ai në një moment tjetër më vonë mund të kalojë në mosbesim. Sikurse që Allahu e di se i gjalli është i gjallë sepse e posedon gjallërinë, edhe nëse e di se pas pak do të vdes. Madje ne themi: Iblisi ka qenë besimtar dhe fatlumë në kohën kur e adhuronte Allahun, edhepse Allahu e ka ditur se ai do të mohojë pas kësaj. Thënia e Allahut: - {وَكَانَ مِنَ الْكَافِرِين} -َ "ishte prej pabesimtarëve", (El-Bekare, 34), me të synohet: "u bë prej pabesimtarëve" - (صار من الكافرين) -, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar për djalin e Nuhit a.s.: - {فَكَانَ مِنَ الْمُغْرَقِينَ} -, "... ishte prej atyre të mbyturve në ujë", (Hud, 43), do të thotë: "e ai (djali) u mbyt në ujë" [20].
3. Nocioni iman është emër për besimin e plotë - "et-tasdik", që e arrinë bindjen e prerë në besueshmëri. "Tasdiki" është prej fjalëve, që kanë domethënie të vërtetë dhe të ditur, e cila kur përvetësohet ndaj një objektivi, obligohet cilësimi me të, sikurse është, qëndrimi në këmbë, qëndrimi ulur, e zeza dhe e bardha. Nuk ka dyshim se kur këto cilësime i ka dikush apo një send, është e drejtë të thuhet ndaj tij se: është në këmbë, është i ulur, i zi apo i bardhë, dhe nuk ka vend për të bërë përjashtim (si p.sh. është në këmbë inshaAllah, apo është i ulur inshaAllah ...). Ngjashmërisht është edhe me imanin. Kur një njeri e deklaron besimin, është e drejtë të thuhet se ai është besimtar i vërtetë, e jo të thuhet është besimtar inshaAllah [21]. Sepse, gjersa për një send, të cilin e shohim me sy se është i bardhë, themi bindshëm se është i bardhë, dhe nuk ka vend të dyshojmë në bardhësinë që duket, nuk themi: është i bardh inshaAllah. E tillë çështja është edhe për besimin. Gjersa besimi është akt i prerë dhe besimtari është i sigurtë për të, duhet të thotë se është besimtar i vërtetë, e jo të thotë "inshaAllah".
4. Përjashtimi "inshaAllah" kur i bashkohet fjalës së thënë, e ndërprenë vazhdimësinë e pohimit të asaj që e ka thënë më parë - (منع مضيه علي ما تفوه به) -, siç është me rastin e deklarimit - (ألإقرار) -, marrëveshjeve - (ألعقود) -, premtimeve - (ألمواعيد) - [22], lirimit të robit - (ألعتاق) -, kurorëzimit - (ألنكاح) -, dhe shitblerjes - (ألبيع) -. Po kështu ai e eleminon edhe lidhjen e imanit - (فكذلك يرفع عقد الإيمان) - [23].
5. Shprehja (inshaAllah), për nga përmbajtja e saj, nuk përdoret për veprimin që është kryer, por për veprimin që ende nuk është kryer. Bazuar në këtë rregull besimor, për të kaluarën dhe për kohën e tashme deri në momentin e tanishëm, nuk thuhet "inshaAllah". Sepse, bëhet kontestim formal i dëshirës së Allahut dhe vullnetit të Tij, për sa kohë që obligohet besimi se e kaluara dhe e tashmja ndodhin me dëshirën e Allahut dhe vullnetin e Tij. Ndërsa kontestimi i dëshirës së Allahut për ekzistimin e një gjëje, është mosbesim i pastër. Në këtë rrafsh, kur e analizojmë deklarimin: unë jam besimtar inshaAllah, që në logjikën e nje veprimi të kryer i bie: nëse Allahu ka pasur apo ka dëshirë për këtë, del një frazë e gabuar, e ndaluar dhe tërësisht e panevojshme. Sepse po thuhet inshaAllah për një akt që ka ndodhur, e ajo që ka ndodhur, nuk dyshohet se është me dëshirën e Allahut.
Vetë deklarimi "unë jam besimtar" është një akt i krijuar, i cili që nga momenti kur deklarohet, kalon nga akti i tanishëm në atë të kaluar. Shtimi "inshaAllah", nënkupton pasigurinë e njeriut në ndodhien e këtij akti. Kjo është rreptësisht e ndaluar. Kjo i bie sikurse ai që është i gjallë në jetë të thotë: "unë jam i gjallë inshaAllah". Kjo nuk ka kuptim, sepse ai është i gjallë në moment, dhe se gjersa është i tillë, kjo padyshim se paraprakisht është me dashjen e Allahut. Apo për njeriun, që ka vdekur dhe është varrosur, të thuhet "ka vdekur inshaAllah". Apo , sikurse thotë Imam Maturidiu, të thuhet: "eshhedu en la ilahe il-lall-llah inshaAllah", ose "Muhamedun Resulul-llah inshaAllah", dhe kështu me radhë për të gjitha konditat tjera të besimit [24]. Pastaj, për zbritjen e Kur'anit, të thuhet: "i ka zbritur Muhamedit a.s. inshaAllah". Në të gjitha rastet, përdorimi i frazës "inshaAllah" është i gabuar dhe i ndaluar.
Autor: Mr. Orhan BISLIMAJ
_________________________
[1] - Kur'ani, (El-Enfal, 4).
[2] - Kur'ani, (En-Nisa, 151).
[3] - Ebu Hanife "Kitabu'l-vesijeti", sipas: Doç. Dr. Mustafa Öz, "Imam-i A'zamın beş eseri, El Alim ve'l muteal-lim, El Fikhu'l Ebsat, El Fikhu'l Ekber, Risaletu Ebi Hanifete, El-Vesijeh", Stanboll, 1992, fq. 87.
[4] - El-Mulla Alij bin Sulltan, El-Kari El-Hanefij, "Sherhu Kitabi'l fikhi'l ekber", me tahkik të Alij Muhamed Dendel, boton: "darul kutubi'l ilmijeh", botimi i parë, Bejrut-Liban,1995/1416, fq. 239.
[5] - Shih: El-Al-lametu Mes'ud bin Umer bin Abdullah, Sa'dud-din Et-Taftazanij, "Sherhu'l mekasid", botimi i parë, 2001/1422, boton: "darul kutubi'l ilmijeh", Libon Bejrut, vëll. 3, fq. 450.
[6] - Pjesë e hadithit (shih: Suneni i Ebu Davudit, "kitabu: Es-sunnetu", (babu: Luzumus-suneti), hadithi nr. 3996).
[7] - Belkasim El-Gali "Ebu Mensur El-Maturidi - hajatuhu ve arauhu el-akdijetu" boton: "darut-turkij lin-neshri" 1989, Tunis , fq. 247.
[8] - Po ashtu, përdoret për ndodhien e asaj që ka premtuar Allahu se do të ndodhë ose i Dërguari i Tij, Muhamedi a.s.. Kur, fraza inshaAllah vjen në ndonjë citat kur'anor apo hadith të Pejgamberit, me të synohet mbështetja e të ardhmes te Allahu Lartësuar. P.sh. ajeti: "inshaAllah (me vullnetin e Allahut) do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar...", (El-Fet'h, 27). Mirëpo, ky aspekt, nuk është objekt shqyrtimi, sepse e vërteta e kësaj është e padiskutueshme dhe nuk përmban kurrfarë dyshimi në atë që i referohet fraza "inshaAllah".
[9] - Sahihul Muslim, "Kitabu El-xhenaizu" (babu: ma jukalu indeed-duhulil kuburi ved-dua liehliha), nr.1718.
[10] - Muttefekun alejhi sipas hadithit të Ebu Hurejres, "Sahihu'l Muslim" op.cit. "Kitabu Imani", hadithi, Nr. 490.
[11] - Dr. Muhamed bin Abdur-Rrahman El-Ham-mis, "Usulud-din inde'l-Imami Ebi Hanifete", boton: "darus-samii'ij", botimi i dytë 1428/2007, Rijad, fq. 417.
[12] Ebu Hanife "El-Fikhul Ebsat" (kaptina mbi kaderin), cituar sipas: Doç. Dr. Mustafa Öz, "Imam-i A'zamın ..." op.cit. 52.
[13] - Ebi Mensur Muhamed bin Muhamed bin Mahmud, El-Maturidij Es-Semerkandij, "Kitabut-Tevhid", boton: "ISAM-i" (Turkiye Diyanet Vakfi) me nr.318, botimi i parë, 1423/2003, Ankara, fq. 624.
[14] Xhemalud-din Ahmed bin Muhamed, El-Gaznevij El-Hanefij, "Kitabu usulid-dini", tahkik ed-duktur Omer Vefik Da'uk, boton: darul "beshairi'l islamijeh", botimi i parë, 1998/1419, fq. 264.
[15] - El-Maturidij Es-Semerkandij, "Kitabut-Tevhid", op.cit. fq. 629.
[16] - Sahihul Buhari, "Kitabul imani", Suneni i Nesaiut, "Kitabuz-zekati", (babu: Xhehdul mekal), nr. 2479.
[17] - Belkasim El-Gali, "Ebu Mensur El-Maturidi - hajatuhu ve arauhu el-akdijetu", boton: "darut-turkij lin-neshri" 1989, Tunis , fq. 247.
[18] - Belkasim El-Gali, "Ebu Mensur El-Maturidi ..." op.cit. fq. 246.
[19] - El-Gaznevij El-Hanefij, "Kitabu usulid-dini", op.cit.fq. 264.
[20] - Esh-Shejh'ul Imam Nurud-din Es-Sabuni, "Kitabu'l-bidajeti mine'l-kifajeti fi'l-hidajeti fi usulid-din", tahkik Dr. Fet'hullah Hulejf, boton: "darul mearif" Egjipt, 1969, fq. 155-156.
[21] - "Tebsiretul edil-leti", cituar sipas: El-Ham-mis, "Usulud-din inde'l-Imami Ebi Hanifete", op. cit. fq. 416.
[22] - El-Maturidij Es-Semerkandij, "Kitabut-Tevhid", op.cit. fq. 624.
[23] - El-Ham-mis "Usulud-din inde'l-Imami Ebi Hanifete", op. cit. fq. 418.
[24] - El-Maturidij Es-Semerkandij, "Kitabut-Tevhid", op.cit. fq. 624.