Meditime dhe mësime rreth hixhretit



Kuptimet themelore të fjalës hixhret

Hixhreti (الهِجرَةَ) është ndër temat që flitet e përflitet pandërprerë dhe asnjëherë nuk shteron. Për të flet njeriu i përditshëm pa përgatitje intelektuale, për të flet zanatliu, për të flet intelektuali i përgjithshëm, për të flet profesionisti. Çdonjëri prej tyre shpalos një pikëpamje në mënyrën e tij, por sërish hixhreti është i freskët për ritregim.

Por, të fillojmë përmbledhtazi nga kuptimi gjuhësor i fjalës.

Hixhreti është fjalë e derivuar nga rrënja hixhr me kuptimin: braktisje, largim, lëshim, ndarje. Leksikografi i njohur Ragib Isfahani në veprën e tij El-Mufridat pohon se kjo fjalë në kuptimet e shumta ka kuptimin e braktisjes, lëshimit, ndarjes në tri mënyra:

1. Ndarja fizike, trupore, siç thotë Kur'ani: "... madje largohuni nga shtrati ...", (En-Nisa, 34).
2. Ndarja shpirtërore: "O Zot im, vërtet, populli im e konsideroi këtë Kur'an si (diç) të hedhur! ...", (El-Furkan, 30).
3. Ndarja gjuhësore, ndarja dhe braktisja verbale: "O Zot imi, vërtet, populli im e konsideroi këtë Kur'an si (diç) të hedhur! ...", (El-Furkan, 30).
4. Ndarja dhe braktisja e plotë e tjetrit: "Dhe kij durim ndaj asaj që të thonë dhe largohu nga ata i matur". (El-Muzemmil, 10), dhe: "Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën (bën hixhret) ...", (El-Bekare, 218).

Ajeti i fundit ofron kuptimin e lëshimit të hapësirës së pafesë dhe arritjen, vendosjen në hapësirën e fesë, por edhe braktisjen e mosnënshtrimit ndaj Zotit dhe kthimi me veprim ndaj nënshtrimit të mirëfilltë. [1]

Hixhreti në historinë islame, rrjedha e tij

Hixhreti i Pejgamberit a.s. nga Meka në Medinë bën pjesë në ngjarjet më të rëndësishme në historinë islame. Ai ndodhi ditën e parë të muajit Rebi'ul-evvel, atëherë kur jobesimtarët e fisit kurejsh synuan ta vrasin Muhammedin a.s. Me propozim të Ebu Xhehlit, çdo fis kishte përfaqësuesin e tij, me qëllim që t'i shmangen mundësisë së hakmarrjes. Mirëpo, Krijuesi i madhërishëm e njoftoi Muhammedin a.s. me komplotin e përgatitur nga kurejshitët. Pejgamberi a.s. vendosi të largohet, duke marrë rrugën e Jethribit bashkë me Ebu Bekrin r.a. Në shtratin e tij e la Aliun r.a. si mashtrim për kundërshtarët. Vendndalimi i parë për të pushuar por edhe për t'u strehuar ishte shpella Theur, jo fort larg Mekës.

Hixhreti gjatë viteve të para të Islamit në Medinë luajti rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e fesë së re në Siujdhesë e më vonë edhe përtej në Arabi. Ajo është ngjarje universale, kthesë radikale në ruajtjen e dinjitetit njerëzor shpirtëror dhe fizikë.

Në anën tjetër, hixhreti pati rrjedhën e tij kohore dhe hapësinore. Ai nuk ndodhi me shkop magjikë, me veprime të stilit "abraka dabra", por realisht në histori, duke u ballafaquar me frikën, guximin, maturinë, urtësinë, shpresën, bindjen dhe besimin. Për këtë arsye, ai (hixhreti) shërben për shkollë gjatë tërë historisë, pa marrë parasysh sistemin e qeverisjes, gjininë, moshën, ngjyrën, gjuhën, mjedisin gjeografikë.

Kronologjia e ngjarjes, shkurtimisht, është si vijon:

Dita e parë, e enjte, 26 Safer, viti i parë hixhrij apo 9 shtator 622. Largimi nga Meka dhe qëndrimi treditor në shpellën Theur, jo larg Mekës.
Dita e pestë: e hënë, 1 Rebi'ul-evvel, viti i parë hixhrij apo 13 shtator 622. Largimi nga zona e Mekës dhe nisja për rrugë të Jethribit.
Dita e dymbëdhjetë, e hënë, 8 Rebiu'ul-evvel, viti parë hixhrij, apo 20 shtator 622. Arritja në vendin Kuba, jo larg Jethribit.
Dita e gjashtëmbëdhjetë, e premte, 12 Rebi'ul-evvel, viti i parë hixhrij apo 24 shtator 622. Ardhja në Jethrib për ta kryer namazin e xhumasë dhe kthimi i sërishëm në vendin Kuba.
Dita e njëzetegjashtë, e hënë, 22 Rebi'ul-evvel, viti i parë hixhrij apo 4 tetor 622: Shkuarja në Jethrib, i cili prej çastit të shkuarjes do të quhet Medine, përkatësisht Medinet'un-Nebij - Qyteti i Pejgamberit. [2]

Llojet e hixhretit dhe dobitë prej tij

Hixhreti ka domethënie shumëpërmasash, por dy janë përmasat kryesore, fizikë (trupor) dhe shpirtëror (kulturor).

Hixhreti fizikë apo trupor do të thotë ndryshim vendi, hapësire dhe mund të korrespondojë me xhihadin e vogël, angazhimi kundër rreziqeve fizike, armikut fizikë. Ky lloj hixhreti është atëherë kur njeriu në vendin e tij nuk mund të mbijetojë si besimtar, kur nuk mund t'i ekspozojë simbolet fetare dhe manifestimin e tyre në publik.

Allahu xh.sh. thotë: الَّذِينَ آمَنُواْ وَ هَاجَرُواْ وَ جَاهَدُواْ فِي سَبِيلِ اللّهِ بِأَمْوَالِهِمْ وَ أَنفُسِهِمْ أَعْظَمُ دَرَجَةً عِندَ اللّهِ وَ أُوْلَئِكَ هُمُ الْفَائِزُونَ. - "Ata të cilët besuan, migruan dhe luftuan me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e Allahut, ata kanë pozitë më të larët te All-llahu dhe vetëm ata janë fatlumë", (Et-Tewbe, 20).

Disa mufesirë këtë lloj hixhreti e lidhin edhe me fjalët e Ibrahimit a.s.: إّني مُهَاجِرٌ إِلَى رَبِّي . - "... Unë shpërngulem atje ku më udhëzoi Zoti im ...", (El-Ankebut, 26).

Në këtë rast Ibrahimi a.s. e braktisë vendlindjen dhe ikë në dhe të huaj, për t'i eliminuar pengesat drejt monoteizmit: مَن فَرَّ بِدينِهِ مِن أرضٍ إلي أرضٍ و إن كانَ شِبراً مِنَ الأرضِ إستَوجَبَ الجَنَّةَ. - "Kush ikë për shkak të fesë nga një vend në tjetrin, qoftë sa edhe në pëllëmbë, e meriton xhenetin". [3]

Muhammedi a.s. stimulonte për një jetë aktive, dinamike: أيُّهَا النّاسُ، هاجِرُوا و تَمَسَّكُوا بِالإسلامِ فَإنَّ الهِجرَةَ لاتَنقَطِعُ مادامَ الجِهادُ . - "O ju njerëz, bëni hixhret dhe mbahuni për Islamin, dhe mos hiqni dorë nga hixhreti deri sa të ketë xhihad". [4]

Hixhreti shpirtëror, frymor është i natyrës së rafinuar, ezoterike, të brendshme dhe mund të quhet hixhreti i madh që përndryshe korrespondon me xhihadin e madh. Hixhreti shpirtëror domethënë lufta e brendshme e njeriut, lufta kundër unit, arritja e shkallës së virtytit të drejtësisë dhe vetëdijes së plotë për Zotin etj.. Hixhreti i madh nënkupton largimin nga çdo e keqe, ikjen nga terri në dritë, nga mosdija në dije, nga jobesimi në besim, nga mëkati në mosnënshtrim në nënshtrim dhe dëgjueshmëri ndaj Krijuesit. Kjo është porosia e të gjithë të dërguarve, testament universal i të gjitha librave qiellore. [5]

Në këtë pikëpamje kemi tekste të shumta të Muhammedit a.s.: أفضَلُ الهِجرَةِ أنْ تَهجُرَ ما كَرِهَ اللَّهُ . - "Hixhreti më i mirë është braktisja e gjerave që Allahu i urren". [6]

الهِجرَةُ هِجرَتانِ: إحداهُما أن تَهجُرَ السَّيِّئاتِ و الأخري أن تُهاجِرَ إلَي اللَّهِ و رَسولِهِ و لاتَنقَطِعُ الهِجرَةُ ما تُقُبِّلَتِ التَّوبَة. - "Hixhreti është dy llojesh: e para prej tyre është hixhreti nga mëkatet dhe e dyta është hixhreti drejt Allahut dhe Pejgamberit të Tij dhe kjo është e mundur të bëhet deri sa të pranohet pendimi". [7]

Kontributi dhe efektet e hixhretit janë të shumta. Dijetarët me përpikëri kanë dhënë shenjë në këto aspekte. Në pamundësi të shtojmë hollësitë e temës, ne vetëm do t'i numërojmë disa:

a. Hixhreti sjellë lirinë, paqen dhe rehatinë për njeriun.
b. Hixhreti sjellë faljen e mëkateve, por edhe shpresën dhe mëshirën e Krijuesit.
c. Hixhreti mundëson daljen nga mjedisi dhe atmosfera jobesimore.
d. Hixhreti i mundëson njeriut shpërblimin e Krijuesit, në këtë dhe në botën tjetër. [8]

وَ مَن يَخْرُجْ مِن بَيْتِهِ مُهَاجِرًا إِلَى اللّهِ وَ رَسُولِهِ ثُمَّ يُدْرِكْهُ الْمَوْتُ فَقَدْ وَقَعَ اَجْرُهُ عَلى اللّهِ وَ كَانَ اللّهُ غَفُورًا رَّحِيمًا. - "... Kush lë shtëpinë e vet, duke emigruar për Allahun dhe Pejgamberin e Tij, pastaj t'i vijë vdekja, (në rrugë), Allahu me siguri do ta shpërblejë atë. Se Allahu është falës dhe mëshirues", (En-Nisa, 100).

E kundërta, nëse njeriu duhet të bëjë hixhret, por këtë nuk e bënë, ai vetes i ka shkaktuar dhunë dhe padrejtësi. Në këtë gjendje kur nuk mund të jete besimtar efektiv dhe i nënshtrohet gjendjes së pabesimit, individi i këtillë nuk do ta ketë mëshirën e Allahut: إِنَّ الَّذِينَ تَوَفَّاهُمُ الْمَلآئِكَةُ ظَالِمِي أَنْفُسِهِمْ قَالُواْ فِيمَ كُنتُمْ قَالُواْ كُنَّا مُسْتَضْعَفِينَ فِي الأَرْضِ قَالْوَاْ أَلَمْ تَكُنْ أَرْضُ اللّهِ وَاسِعَةً فَتُهَاجِرُواْ فِيهَا فَأُوْلَـئِكَ مَأْوَاهُمْ جَهَنَّمُ وَ سَاءتْ مَصِيرًا. - "Engjëjt që ua morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetes ju thanë: "Ç'u bë me ju? Ata thanë: Ne ishim të shkelur në tokë"! (Engjëjt thanë): "A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migroni në të"? (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit). Vendi i tyre është Xhehenemi dhe sa vend i keq është ai!", (En-Nisa, 97).


Në vend të përmbylljes

Është e vështirë të përmbyllet meditimi për hixhretin, sepse ai rrjedh siç rrjedh gjaku në trupin e njeriut. Megjithatë, duke e përmbyllur ligjërimin për hixhretin do të themi se ai ndër të tjera është edhe pozitivë dhe negativë. Hixhreti pozitivë nënkupton braktisjen e të keqes dhe miratimin e të mirës, braktisjen e shejtanit dhe miratimin e Mëshirës, hixhret është çdo dashuri dhe armiqësi në emër të Zotit, çdo thirrje për të mirë dhe pengim nga e keqja. Pozitivë është edhe rruga drejt mësimit të mësimit hyjnor dhe mësimi i të tjerëve me këtë dije. Në anën tjetër, hixhreti negativë është braktisja e të mirës dhe dhënia pas të keqes. Ne këtë grup bënë pjesë një pjesë e konsiderueshme e muslimanëve. Ky lloj hixhreti përshkohet me hidhërim, egoizëm, pasione të tepruara, mostolerancë dhe përçarje, shoqërimi me miq të vlerave të dyshimta. Njeriu i arsyeshëm do ta zgjedh mënyrën pozitive, atë të mirësisë dhe vlerave, atë që e ndryshoi botën në fushën e besimit, moralit, politikës, ekonomisë, shkencës dhe jo mënyrën negative, atë të rrënimit besimor dhe moral. Le të mbeten mësim për ne fjalët e të Dërguarit a.s.: الإِيمَانُ بِالنِّيَّةِ وَاللِّسَانِ ، وَالهِجْرَةُ بِالنَّفْسِ وَالمَالِ . (حديث مرفوع) . - "Imani manifestohet nëpërmjet qëllimit dhe fjalës, kurse hixhreti me angazhimin personal (shpirtëror) dhe me pasuri". [9]



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - Shih: Isa Memishi, Fjalor arabisht-shqip, II, Prishtinë, 2011, fq. 1930; Mohammad Ali Barzanooni, Hidžra u historiji islama, në: http://www.ibn-sina.net/bs/tekstovi-i-predavanja/1500-hidra-u-historiji-islama.html.
[2] - M.A. Barzanooni, po aty.
[3] - Shih: Bihar'ul-Enwar, XIX: 31.
[4] - Shih: Mizan al hikmah, vëll. 52, fq. 21.
[5] - Nexhat Ibrahimi, Islami vlerë universale, Shkup, 2012, fq. 97-102.
[6] - Sipas: Kanz ul'ammal, hadithi 46293.
[7] - Sipas: Kanz ul'ammal, hadithi 46292.
[8] - Nexhat Ibrahimi, po aty.
[9] - Teksti i plotë i hadithit: Sipas: http://www.islamweb.net/hadith/display_hbook.php?hflag=1&bk_no=2026&pid=359505.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...