Ajo është një Grua e divorcuar!
- I -
Po i shkruaj këto fjalë për t'i treguar shoqeve të mia se duhet të vlerësojnë partnerët e tyre, pavarësisht problemeve që ju dalin përpara.
Jam 32 vjeçe. Ish-bashkëshorti im dhe unë ishim të martuar për 6 vjet rresht. Ishim shokë shumë të mirë. Pasi shoqëroheshim në universitet, ne u martuam pasi ai mbaroi studimet dhe filloi punë. Si rezultat, kemi një djalë 7 vjeç tani.
Ndonjëherë burri im bëhej i padurueshëm, por problemet filluan kur unë desha t'i tregoj atij se ai nuk mund të më kontrollojë mua. Sa herë që ziheshim, unë bëja gati valixhen dhe shkoja te familja ime dhe iu ankohesha atyre. Motrat e mia e telefononin burrin tim dhe e ofendonin atë. Pastaj unë ia bëra të qartë: "Nuk të nënshtrohem, më divorco po deshe". Kështu e sfidoja shpesh. Por në vetvete, kurrë nuk e doja divorcin. Unë thjesht isha shumë krenare me veten. Nuk doja të dukesha si një femër e dobët dhe dështake.
Një ditë e zemërova aq shumë sa ai, për herë të parë, më gjuajti me shpullë dhe më nxori jashtë shtëpisë. Unë shkova tek babai im dhe ai bëri denoncimin në polici. Unë sillesha para tyre sikur më kishte abuzuar. Por, të jem e sinqertë, isha unë që e abuzoja burrin tim emocionalisht. Atë e arrestuan dhe e mbajtën në qeli për disa ditë. Pastaj, familja e tij më lutej që të tërheq akuzën. Aty e ndjeva se kisha gabuar dhe e kisha tepruar vërtetë. Burri im nuk ishte kurrë i dhunshëm. Ajo që bëri atë ditë, ndodhi sepse unë e provokova deri në atë masë. Madje e përplasa atë pas muri. Dhe pse ai më toleronte. E tërhoqa akuzën dhe u ribashkuam.
Pas tre muajsh, për një zënkë të vogël, unë mora valixhen dhe ika nga shtëpia, për tek babai. Ai mbeti vetëm. Dy ditë më vonë mora mesazhin se ishte shtruar në spital. Familja më tha të mos shkoj te ai, sepse i binte sikur po i lutesha atij. Ndërsa motrat e mia më thonin se ai shtiret. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk i shkova asnjëherë në spital. Të gjithë mendonin se unë isha viktima dhe ai abuzonte me mua. Një javë më vonë më erdhi një kërkesë për divorc prej tij. Doja t'i thoja jo divorcit, por nuk më linte krenaria ime. Doja që ai të ndërronte mendje e të më lutej mua. E mora në telefon dhe i thashë: "Do ta jap divorcin se ma ke bërë jetën ferr". Në Gjykatë më hipi inati, andaj i thashë Gjykatës se dua gjysmën e pasurisë së tij. Por ai më befasoi. Gjithçka që kemi fituar gjatë martesës tonë, do t'ia jap asaj të gjithën. Vetëm le të ndodhë ky divorc. U ndamë zyrtarisht pak javë më vonë. Tani burri im është martuar prapë. Ndërsa unë jam këtu e vetme, e shkallmuar. Familjarët e mi më përflasin pas shpine. Jetoj vetëm me të ardhurat që ish-burri im më jep për djalin tonë, diçka sa për të mbijetuar.
E di, martesën time e shkatërrova vetë, me kokën time. Këto rreshta po i shkruaj për të gjitha ato gra që të kenë kujdes martesën e tyre e të mos dëgjojnë fjalët e të tjerëve lart e poshtë. Mos e fut familjen në martesën tënde. Mosni të dashurat e mia. Unë u dogja vetë. Ju mos u digjni. Të dashurat motra më të vogla se unë, që sapo keni nisur martesën. A e dini se motrat e mia që më bënin si grifsha dje, sot nuk ma hedhin sytë? Shohin jetën e tyre. Dje ishin ato që më nxisnin ta divorcoja. Sot më përbuzin dhe thonë: "Ti vetë nuk dite ta mbash martesën tënde". Të nderuara gra dhe motra e shoqe, ruajeni martesën tuaj. Lëreni mënjanë krenarinë tuaj para burrit tuaj. Mos e sfidoni krenarinë e tij. Sepse nëse e sfidoni, dy rrugë janë: Ose do të të mundë krenaria e tij dhe do e pësosh si unë. Ose do ta mundësh krenarinë e tij dhe do ta shburrërosh. Atëherë nuk të hyn më në punë. Në çift nuk mund të ketë dy krenari. Dhe krenaria i takon burrit tënd, atij që është dashuria dhe jeta jote. Shpeshherë nuk është faji i burrave. Është faji i krenarisë tonë të sëmurë dhe i njerëzve që ti i ke lejuar të të ndërhyjnë në jetën tënde. Prandaj bëhuni të zgjuara, ruajeni martesën tuaj. Zoti ju ruajtë nga krenaria e tepruar dhe nga njerëzit e këqinj që ju ndërhyjnë. Ju dua fort.
- II -
Pas shkrimit të parë më kanë ardhur shumë rekomandime duke më treguar një realitet të kundërt nga ai që përmenda. Po, është e vërtetë se ka femra tekanjoze, me ide feministe, që kanë një ego të çmendur dhe prej kësaj shkatërrojnë edhe familjet e tyre. Por do të isha i padrejtë të mos shkruaja edhe për anën tjetër të monedhës, atëherë kur burrat u hyjnë në hak grave të tyre, dhe fenomeni i zullumit ndaj femrave, është i dukshëm sidomos tek femrat muslimane.
Nën pretekstin se lejohet poligamia, shumë burra hedhin sytë tek gratë e tjera. E nëse gruaja nuk e pranon këtë realitet, atëherë i tregojnë rrugën. I tregojnë rrugën nënës së fëmijëve të tij, se ai tipi ka para dhe mund ta mbajë fëmijën e tij me 100 mijë lekë. Por harron se ato gra janë vajza të dikujt, motra të dikujt, dhe mbi të gjitha janë krijesa të nderuara tek Zoti dhe kanë dua të pranueshme tek Zoti.
Ti, mor shok, që mendon se ia del duke gjetur një grua tjetër, dy gjëra mos i harro:
1. - Sapo i ke shkatërruar jetën një femre muslimane që i falet Allahut. Një femre që kishte ëndrra të bukura dhe po rritë me dashuri fëmijët tuaj të përbashkët. Ti ia prishe ëndrrat e saj, ia trondite psikologjinë e saj, ia shkaterrove të ardhmen që ajo e kishte ëndërruar me ty dhe fëmijët e saj. Ti, mor mik, që po fluturon prej qejfit nëpër lokale me dikë tjetër, ke bërë një femër të derdhë lot padrejtësie. E çdo pikë e lotit të saj është llogari e rëndë për ty. Ti mendon se do t'ia hedhësh me hadithin se: "Divorci është e lejuara më e urryer tek Allahu". Por jo, ndalu beg se je në hendek. Divorci është i lejuar kur nuk ke mundësi të gjesh një gjuhë të përbashkët edhe për faj të femrës. Por jo thjesht për tekat e tua. Kjo është zullum i madh. E Allahu nuk i do zullumqarët. Nuk i do as ata që shkatërrojnë jetë njerëzish. Si rezultat, për t'u pajtuar me Allahun, nuk mjafton që ti falësh 5 vaktet. Nuk mjafton as që ti japësh sadaka dhe të bëhesh xhentilmen. Do të ngecesh në rrjetën e zullumit tënd pa hyrë në xhenet. Sepse një grua është atje tej, që ka një të drejtë të madhe për të marrë prej teje. Janë shumë vite të një jete të vështirë që i ke shkaktuar. Lotët e saj dhe të fëmijëve të saj.
Sa për ty tjetrin, mor kodosh, që nuk të bie në mendje as t'i paguash paratë e muajit, ti e ke edhe më të vështirë llogarinë me Zotin. Deshe grua tjetër ti? E sot mirë që je me atë tjetren, mirë që ia ke thyer zemrën dhe shkatërruar jetën kësaj të parës. Por çfarë faji të ka kjo e shkreta dhe fëmijët e tu që nuk u jep të drejtat e tyre? Kush je more ti kodosh që hapesh rrugëve dhe ke lënë ca jetima me baba gjallë, e ke lënë një krijesë të dobët që po vuan në këtë shoqëri të egër shqiptare? Aq të egër sa edhe ne burrat e kemi vështirë ta çajmë, e jo më femrat, aq më pak femrat muslimane. Ti mendon se do të bëjnë dobi namazet dhe agjërimet e tua dhe haxhi yt? Jo, harroje. Një pikë loti e asaj gruaje është më e rëndë se namazi yt, se agjërimi yt dhe se haxhi yt.
2. - Një femër e divorcuar, që për fatin e keq janë më shumë viktima të maskaradës epshore të burrave të tyre, etiketohet nga njerëzit që ka përreth.
Po, ne jemi një shoqëri e egër e pamëshirshme, edhe pse falemi dhe agjërojmë, edhe pse i ngremë duart lart duke iu lutur Allahut. E duam që Allahu t'u përgjigjet lutjeve tona.
Por si mund t'i përgjigjet Allahu nevojës tënde, kur ti ke përbuzur një grua me njëqind halle që ka qenë viktimë e zullumit, sidomos gratë e tjera?
Madje disa prej tyre i shohin me përbuzje dhe mundohen t'i largojnë nga shoqëria e tyre, sepse kanë frikë se mos ua marrin burrat e tyre. Por jo, mosni. Mosni, pashë Zotin.
Të jeni të bindura se ato do hyjnë në xhenet para jush. Ato janë ato heroinat e heshtura kokëulur që rrisin jetimat e vet me baba gjallë, ndërsa ju nuk jeni as sa gjysma e tyre.
Ju keni burrin që ua sjell ushqimin tek shtëpia, por ato duhet të lodhen për të sjellë në shtëpi gjysmën e ushqimit tuaj.
Ju keni burrin që jua çon me makinë fëmijën në spital, kur ka temperaturë, por ato trimëresha nuk kanë kënd të thërrasin në mes të natës.
Mos harroni se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Xhenetin do ta hap unë i pari, por sapo të bëj ta hap, aty nxiton një nënë jetimesh që don ta hapë para meje", (për vlerën e madhe që ka tek Zoti).
Së fundi do t'i kthehem dhe një herë atyre burrave kodoshë që i kanë braktisur.
Krahas gjykimit të vështirë që do të keni tek Zoti, ka edhe një dënim të rëndë në këtë botë.
Se Zoti i ka vënë gjërat në ekuilibër.
Ndërsa ti e ke qejfin dhe suksesin në rini, vjen dita dhe do plakësh. Vitet ikin shpejt dhe vjen pleqëria. Atëherë kur do kesh nevojë për fëmijët e tu që i ke braktisur, ata nuk do të jenë më aty për ty. Do të braktisin si një plehrë pa vlerë.
Ndërkohë për këtë fisniken, gjërat do vijnë duke u lehtësuar.
Ajo do të plaket, por edhe fëmijët do të rriten. Ajo tashmë që vitet kanë kaluar, është bërë më e fortë, vetë. Është bërë më kërkuese me veten dhe me fëmijët e saj. Jeta e ka bërë të tillë. E fëmijët do të rriten dhe nënën do ta duan më shumë. Do ta duan shumë dhe do ta bëjnë krenare e do ta gëzojnë.
Por ti nuk do jesh pjesë e gëzimit të tyre. Do jesh duke vuajtur duke lypur pak mëshirë.
Shikoni se këto që po ju them, janë gjëra të provuara nga jeta.
Kam parë me sytë e mi, sesi burra të tillë kanë vdekur vetëm në një garsoniere të vjetër dhe në mjerim, sepse fëmijët nuk e falën për hakun që i kishte hyrë nënës së tyre.
Fjala ime e fundit është kjo:
Mosni, pashë Zotin, mosni!
Mos i prishni familjet tuaja. Duajini gratë tuaja. Janë amaneti i Allahut që e keni marrë me përgjegjësi.
E të gjithë ne të tjerët, ndihmojini gratë e divorcuara, se ato kanë nevojë shumë. Nevojtari më i nderuar tek Zoti, është ai që ka nevojë dhe nuk e tregon nevojën e tij.
E këto gra janë të tilla fisnike.
I kërkoj hallallin atyre motrave të divorcuara që janë ndjerë të dëshpëruara për pjesën e parë të shkrimit tim në këtë temë.
Po, në Shqipëri ka më shumë divorce për faj të burrave dhe jo të grave.
Padrejtësia është errësirë në këtë jetë dhe zjarr në jetën e përhershme.
Allahu e di më mirë!
Përktheu: Eduart THARTORI