Turbulencat e myslimanëve në Maqedoni



Në Maqedoni, sipas Uashington Postit, "pushteti i radikalizmit islam që vazhdimisht rritet shkakton përçarje në komunitetin islam të vendit duke zhvilluar luftë për pushtet brenda BFI-së mes besimtarëve të zakonshëm dhe atyre të cilët i përkasin sektit Vahabist".

Gazeta prestigjioze amerikane ka publikuar gjatë fundjavës një analizë mbi islamin radikal në Ballkan, ku theks të veçantë i është vënë Maqedonisë.

"Një video e publikuar online, në të cilën përmes këngës lavdërohet Osama Bin Laden ka shpalosur një realitet brengosës: Islami radikalist i All Kaedës dhe talebanëve po merr hovin e zhvillimit në Ballkan. 'O Osama, shkatërroje armatën Amerikane. O Osama, ngrite nderin e Muslimanëve' kanë kënduar në gjuhën shqipe, një grupë meshkujsh nga Maqedonia, në një video të postuar në You Tube vitin e kaluar e cila është vënë re nga mediet në Maqedoni në gusht të këtij viti. 'Në Shtator të 2001-shit ti fitove fuqinë. Ne të gjithë lutemi për ty', vijon teksti i këngës. Edhe pse shumica e Shqiptarëve të Maqedonisë janë myslimanë, ata në përgjithësi kanë qenë sekularë", shkruan gazeta.

Mirëpo aktualisht, ekspertët shohin një radikalizim të rritur në suaza të Bashkësisë Islame në vend, posaçërisht pas konfliktit të armatosur të vitit 2001 mes shqiptarëve të vendit të cilët përbëjnë çerekun e popullatës prej 2.1 miljon banorë dhe forcave të shtetit maqedonas.

Në qendër të çështjes qëndron sekti Vahabist, një sekt më strikt i Islamit i cili më i përhapur është në Arabinë Saudite dhe praktikohet nga Bin Ladeni dhe talibanët.

"Vahabizmi në Maqedoni, në Ballkan dhe Europë është bërë më agresiv në 10 vitet e fundit", ka thënë Jakub Selimovski, kreu i edukimit islamik në Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni. Ai ka deklaruar se Vahabistët po instalojnë prezencën e tyre në Maqedoni në të cilën më parë nuk kanë operuar dhe se "ata janë në Bosnjë, këtu, Kosovë, Serbi, Kroaci dhe kohën e fundit janë paraqitur edhe në Bullgari".

Në Maqedoni, sipas Uashington Postit, "pushteti i radikalizmit islam që vazhdimisht rritet shkakton përçarje në komunitetin islam të vendit duke zhvilluar luftë për pushtet brenda BFI-së mes besimtarëve të zakonshëm dhe atyre të cilët i përkasin sektit Vahabist".

"Një rrymë shkatërruese, radikale dhe ekstremiste është paraqitur me një qëllim të marrë përsipër drejtimin e bashkësisë islame fetare", tha Selimovski.

Sipas gazetës, autoritetet në Maqedoni ngurrojnë të konfirmojnë ndonjë kërcënim të islamit radikal në vend. Por një zyrtar i Qeverisë, duke folur në kushte anonime për shkak të ndjeshmërisë së temës, i ka pranuar Uashington Postit se "grupet radikale dhe pasuesit e tyre janë duke u ndjekur nga afër".

Siç rikujton gazeta, vitin e kaluar, tre vëllezër shqiptarë me prejardhje nga Maqedonia së bashku me një jordanez, një turk dhe një shqiptar të Kosovës që jetojnë në SHBA - kanë bashkëpunuar në një komplot me qëllim për të sulmuar bazën Fort Dix të ushtrisë së SHBA-së në New Jersey. Sulmi i paramenduar nuk u realizua në bazën e cila përdoret kryesisht për të trajnuar rezervistët e SHBA-së që nisen për në Irak.

"Maqedonia është pjesë e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ajo nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia për të vëzhguar dhe për t'iu përgjigjur çdo aktiviteti të mundshëm apo shfaqje të terroristëve", tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski.

Myslimanët e zakonshëm i kanë thënë gazetës amerikane se sekti vahabist tani kontrollon pesë xhami në Shkup edhe pse Bashkësia Fetare Islame e ka pezulluar njeriun të cilin ata pretendojnë se është kreu i sektit, Ramadan Ramadani, si imami i xhamisë Isa Beg në Shkup, dhe ia ka ndaluar atij organizimin e faljeve të namazit.

Por Ramadani, i cili ka nisur një peticion me të cilin kërkon mbështetës për të kthyer udhëheqjen e tij, kundërshton çdo akuzë për radikalizëm duke thënë se kundërshtarët e tij frikojnë popullin pa nevojë.

"Ata kanë nevojë për emrin tim që të kenë dikë për të trembur njerëzit", tha Ramadani për gazetën amerikane Uashington Post. "Unë nuk di ndonjë individ apo struktura këtu që mund të përkufizohen si Vahabist. Kjo është një përpjekje politike e etiketimit dhe stigmatizimit të njerëzve që duan reforma". Ramadani ka këmbëngulur se bashkësia islame në Maqedoni nuk ka asgjë të bëjë me këngën online mbështetëse të Bin Ladenit, dhe mohoi raportimet e medieve maqedonase se ishte lëshuar në xhami atje. "Bin Laden nuk është asgjë për myslimanët në Maqedoni", tha Ramadani. "Ai nuk është heroi ynë" shtoi ai.


Ramadani: Stigmatizohen ato që duan reforma

Por Ramadani, i cili ka nisur një peticion me të cilin kërkon mbështetës për të kthyer udhëheqjen e tij, kundërshton çdo akuzë për radikalizëm duke thënë se kundërshtarët e tij frikojnë popullin pa nevojë. "Ata kanë nevojë për emrin tim që të kenë dikë për të trembur njerëzit", tha Ramadani për gazetën amerikane Uashington Post. "Unë nuk di ndonjë individ apo struktura këtu që mund të përkufizohen si Vahabist. Kjo është një përpjekje politike e etiketimit dhe stigmatizimit të njerëzve që duan reforma".


Selimovski: Një rrymë shkatërruese

"Vahabizmi në Maqedoni, në Ballkan dhe Evropë është bërë më agresiv në 10 vitet e fundit" ka thënë Jakub Selimovski, kreu i edukimit islamik në Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni. "Një rrymë shkatërruese, radikale dhe ekstremiste është paraqitur me një qëllim të marrë përsipër drejtimin e bashkësisë islame fetare", tha Selimovski.



Përgatiti: koha, shtator 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...