Toka e sheshtë apo e rrumbullakët?
Babai ideologjik i vehabistëve, Ibni Tejmije (vd. 728h/1328), në trajtesën e tij të famshme er-Risaleh el-'Arshijeh, diskuton pyetjen se a është bota e rrumbullakët apo e sheshtë.
Ai shkruan: '[Se] trupat qiellor janë të rrumbullakët (ar: istidaaratul-eflaak)' - siç është dhe mendimi i astronomëve dhe matematikanëve (ehlu'l-haj'ah we'l-hisab) - kjo është [poashtu] edhe fjala e dijetarëve të muslimanëve, Ebu'l-Hasan ibn el-Menaadi, Ebu Muhammed ibn Hazm, Ebu'l-Ferexh ibn el-Xhewzi dhe tjerët kanë cituar: 'që të gjithë muslimanët janë në pajtim [që të gjithë trupat qiellor janë të rrumbullakët]'.
Vërtetë Allahu i lartësuar ka thënë: "Ai është që krijoi natën e ditën, diellin e hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë [ar: felek]", (21:33).
Ibn Abbasi në interpretimin e këtij ajeti thotë: "'feleke' si rrotë që sillet". (Shënim: Ibn Abbasi është prej gjeneratës së parë, shokëve të Pejgamberit, dhe njëkohësisht djali i xhaxhait të tij. Ai konsiderohet si komentuesi nr. 1 i domethënieve të ajeteve të Kur'anit).
Ibn Tejmije vazhdon: "Fjala 'felek' [në arabisht] ka për kuptim atë që është e rrumbullakët (rrethore)", (Vëll. 6, fq. 566-567).
Në një pasazh më të hershëm (Vol. 6, fq. 565-566), Ibni Tejmije diskuton pse ata në anën tjetër të botës nuk janë 'poshtë nesh' siç ne nuk jemi 'poshtë tyre'.
Ai shkruan: "Sa për anën tjetër të botës ajo është e mbuluar me ujë. [Shënim: Ibni Tejmije, si dijetarët tjerë të kohës së tij, nuk ishin në dijeni për 'amerikanët' dhe besonin që bota e vjetër ishte e mbuluar me oqean.] Nuk ka qenie njerëzore ose diçka të tillë atje [në atë anë]. Edhe nëse do paramendonim që ka njerëz në atë anë të botës, këta individ prapë do ishin në sipërfaqe të tokës. Ata në atë anë nuk do jenë poshtë atyre që janë në këtë anë, sikurse këta në këtë anë nuk janë poshtë atyre në atë anë. Ngase të gjithë trupat sferik rrethojnë një pikë qendrore (merkez), asnjë anë e trupit sferik nuk është nën tjetrën ...".
Në një tjetër pasazh (Vëll. 5, fq. 150) Ibn Tejmije qartazi deklaron se toka është sferike.
Diçka tjetër me rëndësi, Ebu Ja'la në veprën e tij Tabakat-ul-Hanebileh (fjalor biografik i dijetarëve të shkollës juridike hanbelite) citon konsensusin unanim (ar: Ixhma') të të gjithë dijetarëve musliman që toka është e rrumbullakët.
Ky konsensus është përmendur nga dijetarët e gjeneratës së dytë (nxënësit e shoqëruesve (sahabëve) të Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe është bazuar mbi shpjegimin e Ibn Abbasit për ajetet 21:33 (që u cita sipër) dhe dëshmi tjera.
Përgatiti: Fatih IBRAHIMI