Përrallat Vehabiste
Në botën e qytetruar, përmes fakteve argumentohet e drejta për një çështje. Andaj dituria e argumentuar është ajo që duhet ndëgjuar dhe pasuar. Ata që nuk bazohen në argumente dhe nuk i posedojnë ato, siç janë imamët radikal, përdorin përralla dhe tregime të ndryshme për të manipuluar me dëgjuesit e tyre.
Përmes degradimit të logjikës mundohen të afrohen me xhematin, tregojnë gjepura përmes së cilave synojnë t'i realizojnë qëllimet e tyre të fshehta. Kurse tregimi i përrallave në emër të fesë është një mjet që u shërben për realizimin e atyre qëllimeve. Kemi patur rastin kur në internet u shfaq një video inçizim nga Siria, ku shihej një person me rroba të bardha duke shpëtuar një tjetër person nga breshëria e plumbave.
Videoja propagandistike thoshte se ai person në të bardha ishte melek i Zotit, i cili kinse po u ndihmonte xhihadistëve. Disa imam shqiptar mediokër në profesionin e tyre, me shpejtësi transmetuan këtë lajm të sajuar. Këta imam vehabist me eufori flisnin gjatë hytbeve dhe ligjeratave, ku thonin se Zoti po dërgon melek për t'iu dalur në ndihmë xhihadistëve. Me këto lloj përrallash është tentuar që fillimisht të legjitimohet fetarisht lufta ISIS-it dhe të manipulohen besimtarët që t'i bashkangjiten kauzave terroriste.
Manipulimet e tilla përmes tregimit të përrallave shumë kujt i kanë kushtuar me jetë. Përrallat se si po luftohet në emër të fesë, dhe si Zoti do t'i begatoj me sundim absolut ndaj të "pafeve", dhe se do të kenë mbretëri të lavdishme mbi tokë dhe e cila do të jetë makth për "pabesimtarët", është një retorikë demagogjike që as ata vetë nuk e besojnë, por e shikojnë nga prizmi se a e "han pazari" propagandistik. Përmes ngjalljes së emocioneve të të tjerëve, mundohen që t'ua manipulojnë ndjenjat besimtarëve dhe kështu vetën ta vendosin në avanazh.
Shumë prej përrallave me karakter fetar ngjasojnë me tregimet e ndryshme mitologjike. Në rastin më të mirë, ekstremistë hiperbolizojnë ngjarjet e ndryshme, kurse mjerisht në rastet më të shpeshta, ata trillojnë komplet gjëra të paqena dhe ngjarje nga më të ndryshmet që asnjëherë nuk kanë ndodhur, por që prekin ndjenjat fetare të njerëzve.
Këta individ trillojnë për të përfituar materialisht, trillojnë për të pëfituar politikisht, trillojnë për të indoktrinuar dhe përçarë njerëzit, trillojnë për të krijuar konflikte që të përfitojnë më pas nga luftat, dhe trillojnë për të promovuar kauza djallëzore nën petkun e fesë dhe devotshmërisë. Për këtë arsye duhet shtuar vigjilenca ndaj predikimeve me karakter 'radikalo-përrallor' sepse kur do t'ju dal gjumi nga amullia disave, do të jetë shumë vonë për ta.
Xhihadi për Virgjëresha
Tregimi i përrallave në emër të fesë është një mjet që sot pëdoret shumë nga radikalët fetar. "Dijetarët" e vetëshpallur sot përdorin përrallat si mjet interpretues të fesë dhe shërbehen me to për të indoktrinuar njerëzit naiv. Disa prej interpretimeve janë aq eksplicite dhe me gjuhë të papërshtashme, saqë njeriu turpërohet nga dëgjimi i tyre, e mos të flasim nëse këto interpretime dëgjohen në një vend ku ka dëgjues nga te dy gjinitë.
Një ndër përrallat më banale është edhe përshkrimi plotë vullgaritet i xhenetit që i bëjnë ekstremistët. Sipas tyre xheneti është një shoqëri e shthurur moralisht dhe se cdo gjë aty është ekskluzive vetëm për kënaqësinë e xhihadistëve. Për këto kënaqësi tashmë është propaganduar shumë, duke proklamuar se xhihadistët do të kenë në dispozicion plotë 72 virgjëresha, të cilat do t'u shërbejnë me pasion ekstremistëve. Është absurde kur i dëgjon njeriu ligjeratat e imamëve ekstremist, se si i përshkruajnë ato virgjëresha, deri në pjesë edhe më intime të trupit.
Kjo është indikacion se këta njerëz janë të shfrenuar, kurse fenë e përdorën për t'i arsyetuar edhe pëdhunimet e shumta që kanë ndodhur në vazhdimësi në vendet ku ekstremistët po terrorizojnë në emër të islamit. Banalizimi i jetës së përtejme në xhenet, ka ngjallur reagime të shumta të njerëzve, kritika, zemërim, por edhe tallje. Si rrjedhoj e kësaj mund të konkludojmë se mjerisht kemi të bëjmë me një situatë e cila sa është tragjike, është po aq edhe komike.
Tragjikomedia e cila flet për vetvrasësit që fitojnë virgjëresha shkaku i sakrificës për kauzën e tyre "sublime fetare", ka lënë të stepur njerëzit, e sidomos besimtarët që habiten nga interpretimet e shthurura që i bëjnë fesë ekstremistët. Kur është pyetur Muhamedi a.s. për xhenetin, ai ka thënë se është vend aq i mrekullueshëm, sa që mrekulli të tillë syri i njeriut nuk ka pa, veshi nuk ka dëgjuar dhe mendja e njeriut nuk ka mundësi për ta fantazuar. Pra është me rëndësi ta dijmë se shpërblimi në xhenet do t'i tejkaloj fantazitë tona për mirëqenie, dhe kjo duhet të na mjaftoj. Zoti është në dijeni se për çfarë lëngon trupi, mendja dhe shpirti i njeriut dhe atij nuk do t'i mungoj asgjë nga ato në jetën e përtejme.
Më me vend do ishte sikur të ndaleshin njerëzit dhe të mendojnë se sa janë meritor për të shijuar ato mirësi, ngaqë padrejtësia, mizoria dhe tirania ndaj të tjerëve dhe vetës, sjell vetëm ndëshkimin nga Zoti, e asesi shperblimin. Xheneti nuk është vend përrallor me shoqëri të shthurur moralisht, siç e përshkruajnë ekstremistët. Insistimi i vazhdueshëm në trajtim të kësaj çështjeje na bënë me kuptuar se xhihad po bëhet vetëm pë një gjë dhe një gjë të vetme, e ajo është "72-shi i shenjtë". Virgjëresha dhe vetëm virgjëresha, për to po luftohet, për to po vdiset.
Në njërën anë shkatërrojnë e në anën tjetër thonë: 'ishte sprovë nga Zoti'
Shpeshherë njeriu në çështjet që janë në dorën dhe vullnetin e tij i kryen në kundërshtim me dëshirën Hyjnore, duke arsyetuar veprimin si vullnet dhe sprovë e Zotit. Ndoshta dhe mund të kemi keqkuptime rreth nocionit sprovë apo kjo ishte sprovë nga Zoti. Jeta e kësaj bote ka anën e saj të mirë por edhe vështirësitë e shumta me të cilat përballet njeriu. Por ajo që duam të shkruajmë në këtë opinion tonin është pyetja se a është vullnet i Zotit dhe sprovë e Tij që njerëzit të vriten, të dhunohen dhe të shtypen.
Shohim vrasjet dhe terrorin që një grup fetar thirret në të drejtën e Zotit dhe lufton kundër një apo më shumë grupimeve tjera në emër të asaj se po mbrojmë Zotin dhe në rast të fatkeqësive të shumta që ndodhin, "fajin" për këtë i japin atyre që u thanë se është vullnet i Zotit apo se Zoti do të na sprovojë dhe ishte sprovë e Tij. A mund të themi se vrasjet e njerëzve, civilëve dhe fëmijëve e pleqëve janë sprovë dhe test i Zotit për shkallën e besimit të tyre?!
Si mund të thuhet se fëmiu i vrarë në konfliktet midis grupimeve fetare të quhen sprovë e shkallës së besimit. Për çfarë niveli të besimit të fëmijëve mund të flitet, kur dihet se intelekti i fëmiut për Zotin është minimal. Ndoshta edhe mund të thonë që nëpërmjet vrasjeve Zoti po na sprovon dhe pastron nga mëkatet. E për çfarë mëkatesh të flitet dhe të arsyetohet. Cili është mëkati i fëmiut në shkollë, i qytetarëve që janë në punë, rrugë, xhami, kishë, treg apo fusha sportive? Nuk mund të arsyetojmë vrasjen e tyre në emër të asaj se Zoti po na pastron nga mëkatet. Nga mëkati në shkatërrim dhe cenim i jetës së shenjtë të njeriut. Lideri i organizatës 'Al-Nusra' pati thënë që ne nuk po fitojmë me armët tona, por Zoti është Ai që po na sjellë fitoren sepse lufta është vullnet i Tij.
A dini se për çfarë fitoreje flet ky lider i terroristëve. Nëse është fitore mbytja e njerëzve në rrugë dhe vende tjera publike dhe kudo, kësaj nuk i thuhet fitore, por quhet krim dhe gjenocid. Nuk ka asnjë thirrje Kur'anore që për të qenë i dashur te Zoti duhet të jesh vrasës. Nga e sollën këtë formulë që arsyeton dhe legalizon cenimin e jetës së njerëzve. Asnjë njeri me intelekt nuk mund të thotë se lufta është vullnet i Zotit, ne themi se Paqeja është vullnet i Tij dhe duhet të punojmë për paqen.
Fundja, njeriu që nuk ka kryer obligimet ndaj Zotit, është dëshirë e Zotit dhe vullnet i Tij se si të veproj ndaj tij. Mos thoni se këto krime janë vullnet i Zotit sepse Zoti nuk pastron nga mëkatet nëpërmes krimit, por pastron ato pasiqë njeriu të jetë orientuar drejt paqes dhe mirëqenies së të gjithëve. Lereni njeriun të jetoj jetën e tij dhe të ndërtoj personalitetin, familjen dhe t'i shërbej vendit të vet, në harmoni dhe paqe me të gjithë.
Përgatiti: foltash