Xhamia e Kalasë së Prizrenit ka qenë funksionale deri në vitin 1912



Xhamia e Kalasë [1] që nga ndërtimi i saj në shekullin e XV, dhe pas rindërtimit të saj në vitin 1828 dhe gjerë në vitin 1912 i ka shërbyer qëllimit për çfarë është ndërtuar. Aty janë falur vaktet e namazit dhe ka qenë në funksion të plotë sikurse xhamitë e tjera të qytetit të Prizrenit. Ajo ka qenë e hapur për faljen e namazit për çdo qytetar të interesuar dhe jo vetëm për banorët e Kalasë. Prejudikimet se xhamia ka qenë e dedikuar vetëm për ushtrinë, është tërësisht anakronik dhe i pa saktë. Në të vërtetë, ajo ka mundur ta ketë këtë rol vetëm në fazën fillestare të saj, shekulli XV-XVI, kur pranimi masovik i Islamit nga shqiptarët ka qenë në proces e sipër. Por, nuk mund të themi se xhamia ka qenë e tillë përgjithmonë, e sidomos pas shekullit XVI, kur feja Islame bëhet fakt përfundimtar në Prizren dhe më gjerë. Pra, ne po flasim për periudhën afatgjate të xhamisë, deri në vitin 1912. E vërteta është se xhamia, absolutisht, ka qenë e hapur prore për të gjithë besimtarët islamë, jo vetëm për ushtrinë dhe, vetë pozita e saj në mes të Kalasë dhe afër derës kryesore të saj, e dëshmon një gjë të tillë. Banorët e Prizrenit i transmetojnë fjalët e gjyshërve të tyre, që janë falur në xhaminë e Kalasë, sidomos ata që i kanë pasur pronat në pjesën mbi Kala.

Përveç këtij fakti, në dokumentet historike autentike, gjejmë të dhëna se për funksionimin normal të xhamisë janë kujdesur disa punëtorë, dhe pagimi i tyre është bërë nga buxheti i Vakfit (Bashkësisë Islame), sikurse edhe për xhamitë e tjera të Prizrenit. Përveç imamit dhe muezinit, në xhami kanë qenë të angazhuar edhe dy punëtorë të tjerë: "Shërbyesi dhe Mbikqyerësi i xhamisë (mutevelia)".

Në vakëfnamenë e Mahmud Pashë Rrotllës, e cila ruhet në zyret e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizenit jepen shumë detaje rreth jetës fetare të asaj kohe si dhe mirëmbajtjes të shumë xhamive të Prizrenit përfshirë edhe xhaminë e Kalasë. Në këtë dokument, Mahmud Pasha, Allahu e mëshiroftë me xhenneti firdevs, vë kushte rreth ndarjes së mjeteve nga pasuria e lënë vakëf, dhe atë: "Myezinit të xhamisë në Kala 60 groshë, shërbyesit të xhamisë në Kala 40 groshë, orëtarit të orës së Kalasë, gjatë vitit 60 groshë ...", në të njëjtën vakufname, Mahmud Pasha, ndanë mjete nga pasuria e tij edhe për mutevelinë në mënyrë që: "në haremin e xhamisë së Kalasë, le t'i shtrijë shtrojat" si dhe "për ndriçimin e xhamisë në Kala, le të vendosë gazin në kandila, e në dritare letër". Përveç kësaj, Mahmud Pasha e ka paraparë edhe zbukurimin e xhamisë së Kalasë me kandila ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave, mevludeve, Regaibeve dhe Beratit. Kështuqë, mutevelia e ka patur obligim që të vendosë "në haremin e xhamisë në kala shtatë kandila" si dhe kur "xhamia në kala ka nevojë për hasra, myteveliu le t'i ofrojë për shtruarje". Po ashtu, Mahmud Pasha, e obligon muteveliun që "të kujdeset për meremetimin e xhamisë së Kalasë", e nëse bëhet fjalë për ndonjë shumë të madhe, atëherë duhet të gjejë ndonjë formë tjetër për meremetim. [2]


Xhamia është menaxhuar nga Bashkësia Islame

Të dhënat e lartëcekura nga Vakufnameja e Mahmud Pashë Rotllës, mund të themi se kanë një rëndësi të veçantë, pasiqë përgjithësisht na ofrojnë një përfytyrim ekzakt rreth funksionimit të xhamisë asokohe, përfshirë edhe juridiksionin mbi menaxhimin e saj. Në këtë aspekt, nga ky dokument vakufnor, i lënë nga Mahmud Pasha, mund të nxjerrim disa përfundime:

1). Emërtimi: Xhamia e Kalasë njihet si "xhamia në Kala", e që dëshmon se në atë kohë nuk ka pasur ndonjë emërtim të veçantë.

2). Pronësia: Xhamia ka qenë në pronësi dhe administrim të institucionit të Bashkësisë Islame. Kjo vërtetohet, sidomos nga dy arsye: E para: "kur pushteti serb më 1912 kishte shkatërruar xhaminë e Kalasë, imam dhe hatib në ditën e xhumasë ishte ish-Myftiu i Prizrenit, haxhi Rrystem efendiu", [3] dhe e dyta: "Me vetë faktin që Mahmud Pasha (Allahu ia faltë xhennetin) ka lënë pasurinë e tij vakuf - pronë e xhematit (bashkësisë myslimane), dhe ka vë kusht, duke kërkuar nga udhëheqësia fetare e asaj kohe, që të ardhurat nga kjo pasuri të dedikohen për punonjësit fetarë, në këtë rast edhe për punonjësit e Kalasë", jep të kuptojmë se xhamia ka funksionuar nën juridiksionin dhe strukturën e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Në rastin e kundërt, Mahmud Pasha nuk do kishte nevojë që të lente pasurinë e tij "vakuf - hajrat" në Bashkësinë Islame, për një objekt që nuk e ka në pronësi apo menaxhim. Mbi këtë argument, Këshilli i Bashkësisë Islame - Prizren, detyrimisht shpallet trashëgimtar ligjor i xhamisë së Kalasë, sipas parimit të automatizmit, pavarësisht titullarin e pronësisë.

3). Organizimi i brendshëm: Nga aspekti i brendshëm organizativ, xhamia ka funksionuar normalisht, sikurse që funksionojnë edhe sot xhamitë e qytetit të Prizrenit. Bile, në xhaminë e kalasë, përveç imamit, muezinit, mutevelisë, ka qenë i angazhuar edhe një punëtor tjetër i quajtur si "shërbyes".

4). Manifestimet fetare. Në xhami janë shënuar festat fetare dhe janë organizuar tubime fetare. Kujdesi i veçantë për ndezjen e kandilave ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave dhe netëve të mëdha, argumenton funksionimin normal të xhamisë, madje edhe si një xhami e privilegjuar.

5). Shumësia e xhematit. Besohet se xhamia ka pasur shumë xhemat. Me vetë faktin që mutevelia është këshilluar për shtruarjen e hasrave, kjo do të thotë se xhamia ka pasur mjaft shumë xhemat, pra edhe jashtë xhamisë. Sepse, "hasrat" zakonisht shtrohen në oborrin e xhamisë, për t'u falur xhemati, në rastet kur nuk ka hapësirë të mjaftueshme brenda në xhami. Një gjë e tillë aplikohet edhe sot në xhamitë e Prizrenit.

6). Meremetimi i xhamisë nga vakfi. Xhamia është mirëmbajtur teknikisht nga pasuria e lënë hajrat (vakfi), e sipas nevojës edhe nga donacionet e tjera, zakonisht që i dhurojnë besimtarët islamë, pra, jo nga buxheti i shtetit.


Rrënimi i xhamisë herën e fundit (1912)

Xhamia e Kalasë ka qenë funksionale gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, dhe ka vazhduar deri në largimin përfundimtar të saj nga Prizreni, në vitin 1912, kur nga Kalaja tërhiqet ushtari i fundit osman Jashar Hoda, të cilin prizrenasit e quanin Karajashari, [4] që do të thotë Jashari i zi. [5]

Sikurse dihet, më datë 21.10.1912, ushtria serbe e riokupoi Prizrenin dhe bëri krime të pa para deri atëherë. Lazër Mjeda - arqipeshkvi katolik i Shkupit, në një raport dërguar Romës, më 24 janar 2013 shkruante se në Ferizaj kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15 vjeçare, se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, kurse Gjakova ishte shkretuar tërësisht. Ndërsa kur flet për Prizrenin, ai thotë: "Rasti më i tmerrshëm kishte ndodhur në Prizren, i cili si Gjilani ishte dorëzuar në mënyrë paqësore. Qyteti duket si një mbretëri e vdekjes. Ata trokasin në dyertë e shtëpive shqiptare, i marrin meshkujt dhe i pushkatojnë menjëherë. Para disa ditësh numri i të vrarëve arriti në 400. Sa u përket grabitjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve më mirë të mos përmenden, që atëherë urdhëri i ditës ishte: "kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë - jo vetëm që lejohet por edhe kërkohet dhe urdhërohet". Dhe, me gjithë këto tmerre të llahtarshme, komandanti ushtarak, Bozho Jankoviq, e detyroi parinë e qytetit, me revole në dorë, që t'i dërgonte mbretit Petër një telegram falënderimi".

Arqipeshkvi konstatoi se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë deri në atë kohë ishte 25.000. [6] Përveç, këtyre tmerreve të llahtarshme kundër shqiptarëve, serbo-sllavët ushtruan edhe kulturocid kundër trashëgimisë kulturo-historike të shqiptarëve të Kosovës. Në shënjestër ka qenë, sidomos institucioni i Bashkësisë Islame - Myftinia e Prizrenit, përfshirë pronën dhe kulturën islame në përgjithësi, të cilin e konsideronte si burim shpirtëror për shqiptarët në frontin e rezistencës kundër serbëve. Një raport i hollësishëm i konsullit austriak në Prizren, i janarit të vitit 1914, bën një rezyme të kushteve në Kosovën e asaj kohe. Konsulli shkruante: "Nga të 32 xhamitë në Prizren, 30 sosh u shndërruan në baraka ushtarake, depo municioni dhe stalla ...", [7] "Vetëm nga Myftinia e Prizrenit u konfiskuan 60 hektarë tokë". [8] Në shënjestër kanë qenë edhe paria fetare, hoxhallarët, të cilët janë përndjekur njësoj si xhamitë. Shkatërrimet kanë qenë të gjithanshme. Pronat u janë dhënë serbëve.

Në kuadër të shkatërrimeve të përgjithëshme, një kulturocid shfarosës e ka përjetuar edhe Kalaja e Prizrenit dhe xhamia. Disa studiues thonë se xhamia e kalasë është rrënuar në vitin 1913, [9] porse një gjë është e sigurt, se ushtria okupatore serbe, menjëherë pas okupimit të Prizrenit, pra në vitin 1912, e shkatërroi xhaminë si dhe objektet e tjera në Kala. Nuk ka të dhëna se kush ishte imam i fundit në xhaminë e Kalasë për kohët e namazeve ditore, por ajo që dihet, natyrisht sipas mbamendjes kolektive, se në kohën e rrënimit të xhamisë, imam - hatib për namazin e xhumasë ka qenë haxhi Rrystem ef. Shporta. Po ashtu, dihet se më 1913, me urdhërin e gjeneralit Bozho Jankoviç, komandant i Armatës II serbe u hoq ora nga Sahat Kulla në Kala. [10]

Por, ç'e do që minareja e xhamisë, ka mbijetuar për disa vite pas rrënimit të objektit të xhamisë. Si dëshmi e kësaj është një foto e minaresë, e vitit 1917, [11] në të cilën duken qartë rrënojat e objektit të xhamisë, gjersa minareja qëndron e padëmtuar, me përjashtim të kulmit të saj (piramidës), që është punim nga druri.

Mendoj, se kanë qenë dy arsye për mbijetesën e saj edhe për disa vite më vonë. E para është vetë kompleksiviteti për rrënimin e saj, pasiqë një gjë e tillë ka ndodhur, ta zëmë, edhe me minarenë e xhamisë "Arasta" në pjesën urbane të Prizrenit, gjersa, sot, fatmirësisht ekziston minareja. Dhe, e dyta, me rrënimin e objektit të xhamisë, në fakt ishte përmbushur aspirata kulturocide e pushtuesit, e çështja e minaresë, megjithatë ka mundur të mos jetë preokupim urgjent, për shkak të luftrave ballkanike, ku secili shtet ishte kapur për brengën e vet dhe kishte prioritete të tjera mbrojtëse. Ky konstatim, mund të jetë relevant, me vetë faktin që serbët, pas një kohe të shkurtër, pra më 26 nëntor 1915 u detyruan të largohen dhunshëm nga Prizreni, duke e lënë teritorin nën okupim të bullgarëve.


Rrënimi i minaresë në vitin 1917

Sakaq, fati i keq për minarenë e Kalasë, fillon pas vitit 1915, kur Prizreni bie nën okupimin e bullgarëve. Nismën shkatërrimtare të çdo gjëje shqiptare dhe islame, që e nisën serbët, në vitin 1912, e vazhduan bullgarët me intenzitet të njëjtë dhe më shumë. Periudha prej vitit 1912 deri në vitin 1918, kur është vendos "armëpushimi" rajonal, që i hapi rrugë mbajtjes së Konferencës së Paqës, në Versajë të Parisit, 8 qershor 1919, ka qenë periudha më e errët e historisë për shqiptarët e Kosovës. Gjatë kësaj kohe nuk është kursyer asgjë nga pushtuesit serbë dhe bullgarë. Përshkrimet e autorëve të huaj për gjenocidin dhe kulturocidin e ushtruar mbi popullin shqiptar janë marramendëse.

Qytetarët e vjetër të Prizrenit, transmetojnë informacionet e të parëve në lidhje me pushtimin e Prizrenit nga bullgarët, duke e përshkruar si një pushtet jashtëzakonisht barbar, ku njerëzit kanë vdekur nga uria dhe, në mungesë të ushqimit kanë hangër lëvozhgat e drunjëve. Sipas tyre, minarenë e xhamisë e kanë shkatërruar pikërisht bullgarët, në vitin 1917. Në të vërtetë, kjo vërtetohet edhe në bazë të një dokumenti arkivor, i cili nuk ka qenë i ditur deri vonë. Studiuesi Marenglen Verli, sjell raportin e majorit turk "Subhi", që mban titullin "Informacion për reprezaljet e ushtrisë bullgare ndaj popullsisë shqiptare në zonën e tyre të pushtimit, gjatë luftës së parë botërore", e që flet drejtpërdrejt për rrënimin e minaresë. Në këtë raport sekret, datë 25 maj 1917, Majori jepte informacione të zgjeruara, e në mesin e të tjerave, ai e thotë edhe këtë: "Kur hynë në Prizren bullgarët thyen gati të gjitha dyqanet dhe i grabitën. Shembën në Prizren minarenë e xhamisë së Kalasë dhe bën grabitje. Komandanti i lajmëruar s'mori asnjë masë". [12]

Që nga ajo kohë, pra nga viti 1912, përkatësisht 1917, xhamia dhe minareja e saj kanë vazhduar të qëndrojnë të rrënuara përtokë. Le ta themi edhe këtë se në ato vite të shkatërrimit, mbijetojat e mureve të xhamisë, megjithatë kanë qenë të larta. Mirëpo, si një hapësirë e pambrojtur, këto mure i nënshtrohen rrënimit të mëtutjeshëm përtokë. Sipas transmetimeve të njerëzve të kohës, besohet se shkatërrimi rapid i xhamisë dhe Kalasë në përgjithësi bëhet sidomos gjatë viteve '30-ta të shekullit XX, kur gurët e çmueshëm të xhamisë, merren dhe shfrytëzohen për ndërtimin e objektit të gjimnazit "Gjon Buzuku" në Prizren, dhe objektit ndihmës pranë tij. Për më keq, kjo bëhet shkak që edhe qytetarët e tjerë të marrin gurë për nevojat e tyre private. Dhe, gradualisht, niveli i mureve është ulur gjithnjë e më shumë. Sipas një fotografie të vitit 1969, mbijetojat e mureve kanë qenë më të larta se ç'janë aktualisht. Fatkeqësisht, ky degradim i xhamisë dhe kalasë ka vazhduar edhe pas hyrjes së Kalasë nën kujdesin shtetëror, në vitin 1948, për të vazhduar deri në vitin 2009, kur fillojnë punimet e restaurimit, të cilat janë duke vazhduar edhe gjatë vitit 2017.



Autor: Mr. Orhan BISLIMAJ



_________________________

[1] - Ky punim është vazhdimi i tretë i punimit: "Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në Kala", i botuar në revistën "Dituria Islame".
[2] - Shih: Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren "Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij", përgatiti Ismail Rexhepi & Sadik Mehmeti, botuar në revistën Edukata Islame - revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.81/2006, fq.183-186.
[3] - Resul Rexhepi - Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, Prishtinë, 2010, fq.38.
[4] - Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq. 270.
[5] - Faik Miftari, Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?, sipas: http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/ publikuar më datë: 08.11.2016, data e citimit: 10.11.2016.
[6] - Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq. 265.
[7] - Noel Malcom, Kosova ..., po aty, fq. 269.
[8] - Marenglen Verli, "Orientimi i reformës agrare kolonizuese të mbretërisë jogusllave mbi fshatarësinë shqiptare myslimane dhe pasojat e saj", kumtesë e botuar në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992), Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 1995, fq.467.
[9] - Abib Ahmedi, Theranda - Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.127.
[10] - Shih: Resul Rexhepi - Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, po aty, fq.38.
[11] - Historiani nga Prizreni, prof. Afrim Topqideri, thotë se kjo foto i përket vitit 1917 dhe është zbuluar në arkivin e Shkodrës. Shënim nga biseda me Afrim Topqideri, datë: 19.10.2016.
[12] - Arkivi Qendror i Shqipërisë, Fondi i Komitetit të Kosovës, viti 1917, dos.25, dok.50744, cituar sipas: Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova - historia e një aspirate, Tiranë, 2007, vëll.I, fq.189.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...