Rreziku i tekfirizimit



Ekzistojnë ankesa dhe akuza për disa organizma të mendimit dhe fetvasë. Subjekti i këtyre ankesave është nxitimi për t'i tekfirizuar grupet dhe personat kundërshtarë të cilët besojnë në shehadetin se: "nuk ka Zot tjetër por Allahut dhe Muhammedi s.a.v.s. është i dërguari i Tij".

Kur studiojmë kulturën klasike dhe moderne të islamit shohim se sa arkaik është problemi i tekfirizimit ... Po ashtu shohim se sa e lashtë është metoda dhe nxitimi në tekfirizimin e grupeve dhe individëve kundërshtarë ... .

Imam Ebu Muhammed Gazaliu (1058 - 1111) në kohën që jetoi kishte diskutuar për këtë fenomen. Gazaliu, njëri prej kolosëve të Ash'aritëve, duke tërhequr vërejtjen e tekfirizimit të disa grupeve ndaj grupeve dhe individëve tjerë, thotë: "Disa grupe aq larg shkojnë dhe aq shumë e teprojnë në tekfirizimin e të tjerëve sa që çdo individ dhe grup jashtë grupit të tyre e shpallin qafir dhe jobesimtar. Sepse të gjitha grupet tekfirizojnë grupin tjetër kundërshtar dhe thonë se ai po e përgënjeshtron Pejgamberin. Për shembull një dijetar apo pjesëtar i sektit Hanbeli tekfirizon një dijetar apo pjesëtar Ash'arit në lidhje me çështjen e Istiwas. Po ashtu në anën tjetër një Ash'arit tekfirizon një Hanbelit rreth çështjes së "përngjasimit të Zotit me krijesat tjera" (Mushebbih) dhe thotë se ata po e përgënjeshtrojnë të dërguarin e Zotit. Në anën tjetër, ash'aritët tekfirizojnë mutezilitët në çështjen e Cilësive të Zotit dhe për disa çështje tjera të diskutueshme. Kurse mutezilitët duke mohuar mveshjen e disa Cilësve Zotit, tekfirizojnë ash'aritët".

Kështu që Imam Gazaliu duke shtruar këto fanatizma dhe teprime në tekfirizimin e tjerëve, mohon atë se vetëm një grup posedon apo di të gjitha të vërtetat. Ai shkruan: "Kur analizojmë me drejtësi dhe seriozitet këtë çështje shohim se grupi i cili të vërtetën (hakun) e sheh vetëm në një grup të caktuar dhe tekfirizon grupet tjera, por ai grup është më larg nga e vërteta se të gjithë grupet tjera. Duhet të ikim dhe të kemi kujdes që të mos i konsiderojmë të dalë nga feja (kafir) personat që kanë pranuar Shehadetin dhe që nuk kanë kryer ndonjë veprim që devijon këtë fjalë dhe në asnjë mënyrë të mos i fyejmë muslimanët që nuk janë të një mendimi me ne. Vetëm individët injorantë dhe pa edukatë islame nxitojnë të tekfirizojnë dhe të ofendojnë grupet tjera ...".

Për Imam Gazaliun është ndryshe të përgënjeshtrosh Muhammedin a.s., e cila është një blasfemi, dhe të interpretosh fjalët dhe veprat e tij, qofshin këto edhe interpretime të ndryshme nga njëra tjetra.

Imam Gazaliu këtë çështje e ndriçon duke sjellë shembuj nga Mutezilitët dhe Mushebihët. Ai shkruan: "Me gjithë dallimet dhe divergjencat e tyre, Mutezile dhe Mushebihe pranojnë dhe aprovojnë fjalët dhe veprat e Pejgamberit ... Por ata gabojnë në interpretim (te'vil) gjë e cila hyn në principin e ixhtihadit. Në këtë rast është i ndaluar tekfirizimi i tyre dhe argumenti i saj është ky: Dihet personat dhe grupet që nuk e pranojnë dhe e shtrembërojnë fjalën dhe veprën e Pejgamberit në tekst dhe me vetëdije e mohojnë tërësisht atë, ata konsiderohen të dalë nga islami. Por këto grupe (Mutezile dhe Mushebihe) e pranojnë Profetin dhe gabimi i tyre në interpretim dhe lexim të fjalëve dhe veprave të tij, nuk mund të jetë shkak për daljen e tyre nga feja. Dhe ne nuk guxojmë që t'i tekfirizojmë ata. Prandaj dhe për arsye se kanë pranuar dhe kanë thënë "La ilahe illallah" tregon se ata nuk mund të tekfirizohen. Për t 'i nxjerrë nga ky 'imunitet' duhet të kemi ndonjë argument dhe dëshmi të fortë e të qartë ...".

Gazaliu gjithashtu e konsideron të gabuar nxitimin në tekfirizim pa patur ndonjë argument dhe dëshmi serioze. Në lidhje më këtë ai thotë: "Disa individë nxitohen në interpretimin e tekstit dhe shumë shpejt bazohen në mendimet e tyre të pavarura. Por edhe në këtë rast askush nuk ka të drejtë të shpejtojë që t'i shpallë ata jobesimtar. Kështu që duhet shikuar se interpretimi i tyre i gabuar në çfarë kushte është bërë, dhe a ka të bëjë me shtyllat e islamit apo me ndonjë çështje dytësore apo më pak vlefshme".

Më pastaj Imam Gazaliu duke i ndarë shtyllat kryesore të besimit islam dhe çështjet sekondare dhe më pak të rëndësishme, shkruan: "Qëndrimet janë të ndara në dy lloje; një pjesë e tyre kanë të bëjnë me shtyllat e besimit, kurse gjërat tjera janë çështje dytësore. Shtyllat e besimit janë tri: Besimi në Zot, besimi në Pejgamberin dhe besimi në Ditën e Gjykimit. Çështjet tjera jashtë tyre futen në çështjet dytësore dhe më pak të rëndësishme. Nuk ekziston tekfirizim për çështjet sekondare dhe për çështjet që nuk kanë lidhje me tri shtyllat e besimit. Por në këto çështje sekondare e kemi një çështje ekstra (e veçantë) dhe ajo është mohimi apo përgënjeshtrimi i një ligji apo vendimi i sjellë me hadithe të forta dhe të besueshme".

Gazaliu këto fjalë margaritarë me të cilat ndalon tekfirizimin e të gjithë grupeve dhe individëve që pranojnë Shehadetin, i përfundon në këtë mënyrë: "Sa më shumë duhet të largohemi dhe distancohemi nga tekfirizimi i të tjerëve. Është gabim i madh të konsiderohen të pafe dhe jo besimtar individët që drejtohen kah kibla për të falur namazin dhe haptazi pranojnë Shehadetin. Gjaku dhe pasuria e tyre nuk është hallall për muslimanët".

Këto fjalë perla të Gazaliut sot më shumë se çdo herë tjetër duhen lexuar, analizuar, publikuar, mësuar dhe interpretuar dhe t'i japim fund këtij fenomeni kaq të shëmtuar që po rrezikon muslimanët dhe botën islame.



Autor: Dr. Muhammed Ammara

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...