PD - Fjalimi futja e lëndës 'Edukata Fetare' në Shkolla



Fjalimi i nënkryetarit Jeton Svirca deputetit i Kuvendit të Kosovës gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për Arsim Parauniversitar në seancën plenare, 08.07.11.

Në emër të grupit parlamentar Koalicioni për Kosovë të re:

I nderuar kryetar,
I nderuar kabinet qeveritarë,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.

Tani jemi duke e bërë leximin e parë të projektligjit për Arsimin Parauniversitar qëllimi i të cilit është që të rregullojë edukimin, arsimin dhe aftësimin parauniversitar nga niveli 0 deri në 4 i ISCED-it duke përfshirë arsimin dhe aftësimin e fëmijëve dhe të rriturve që marrin kualifikime në këto nivele.

Duke e përshëndetur paraqitjen e këtij projektligji për miratim në Kuvendin e Kosovës, Grupi parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re njëkohësisht ka edhe disa vërejtje serioze në këtë projektligj që kanë të bëjnë me nenet: 2, 3.7, 4.3, 5.3, 22.3, 23.2, 28.3, 28.7, 33.8, 34.4, dhe nenin 34.5.

Vërejtje e përgjithshme është se projektligji ekskluzivisht merret me çështjet e arsimimit dhe ngritjes profesionale ndërkaq komponenta edukative është dukshëm e lënë anash; si ilustrim fjala edukim përmendet vetëm 4 herë në tërë tekstin ligjor, që konsiderojmë se është e papranueshme duke pasur parasysh dukuritë e shumta negative në mesin e rinisë shkollore si rezultat i mungesës së komponentës edukative në procesin mësimor.

Përfshirja e të rinjve nën moshën 18 vjeçare në vepra kriminale është në rritje e sipër. Statistikat tregojnë se të miturit në Kosovë gjatë një periudhe 12 muajshe (korrik-2006, qershor-2007) kishin kryer mëse 4723 vepra penale. Hulumtimi i Nëntë i Kombeve të Bashkuara mbi Trendet e Krimit (2003-2004), tregon se shkalla e krimeve të kryera nga të miturit në Kosovë, është dukshëm më e lartë se ajo në shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2009 thuhet se: "Në Kosovë më se njëzet mijë veta përdorin drogën. Përdoruesit kryesisht janë student dhe fëmijë të moshës adoleshente".

Një dukuri tjetër e shëmtuar që është prezent në Kosovën e pas luftës, është rritja e numrit të vajzave që abortojnë në moshën e re, 15-26 vjeçe.

Në periudhën e pas luftës jemi dëshmitar të shtimit dramatik të numrit të tentimeve të vetëvrasjeve dhe të vetëvrasjeve në Kosovë, veçanërisht në mesin e të rinjëve. Njëri prej faktorëve, në mesin e shumë të tjerëve, të cilët drejtëpërdrejtë kontribuojnë në paraqitjen e kësaj dukurie shqetësuese është humbja e stabilitetit psikologjik të të rinjve si rezultat i krizës së thellë të familjeve tona të cilat të ballafaquara me rrethanat e krizës ekistenciale nuk po arrijnë të ushtrojnë edhe rolin e domosdoshëm edukativ për fëmijët. Në situatën kur nga veprimtaria edukative hjek dorë edhe sistemi publik shkollor atëher është e qartë se rinia e jonë i është lënë edukimit kaotik që ushtrohet nëpërmjet internetit dhe në kafeteri. Pasojat janë të qarta. Dhuna në shkollat tona nga dita në ditë është në rritje, deri kur do të mbyllim sytë para këtij realiteti të vrazhdë, deri kur do të lejojmë që të nxënësit tonë të vriten dhe të lëndohen në objektet shkollore?

Grupi parlamentar për Kosovë të Re konsideron se ka ardhë koha që ky trend shkatërrimtar të ndërpritet nëpërmjet fuqizimit të rolit edukativ të shkollave tona në nivelin parauniversitar nëpërmjet zbatimit të lëndës së edukatës fetare në sistemin publik arsimor parauniversitar.

Argumenti se zbatimi i mësimit fetar në shkolla nuk është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që e përcaktojnë Kosovën si shtet laik/sekular është plotësisht i paqëndrueshëm. Parimi i ndarjes së institucioneve fetare nga proceset e vendim-marrjes shtetërore i cili qëndron në themelet e konceptit kushtetues të laicitetit ose sekularitetit të shtetit nuk ka të bëjë asgjë me çështjen e zbatimit të lëndës së edukatës fetare në shkollat publike, sepse për këtë çështje në mënyrë ekskluzive dhe përfundimtare vendosin vet institucionet shtetërore.

Sikur këto pohime të ishin të argumentuara atëherë si mund të shpjegohet fakti i zbatimit të lëndës së edukatës fetare në Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, Britani të Madhe dhe shumicën e madhe të shteteve të Bashkësisë Evropiane si lëndë e obligueshme ose zgjedhore? A thua këto shtete nuk janë shtete sekulare apo laike si Kosova?

Pra, zbatimi i lëndës së edukatës fetare në shkolla është praktikë gjërë e zbatuar në shtetet e Bashkësisë Evropiane dhe në asnjë mënyrë nuk është në kundërshtim me dispozitat Kushtetuese. Me këtë rast Grupi parlamentar Koalicioni për Kosovë të Re përkrah parimin se zbatimit të lëndës së edukatës fetare në shkolla duhet siguruar edhe njohuritë themelore për të gjitha religjionet relevante përveç atij për të cilin përcaktohet nxënësi dhe prindërit e tij në mënyrë vullnetare.

Koalicioni për Kosovë të re insiston që kjo çështje të zgjidhet ekskluzivisht në pajtim me praktikat më të mira të shteteve të Bashkësisë Europiane ku synojmë të integrohemi me sistemin autokton të vlerave tona kombëtare dhe kulturore.

Përkitazi me këtë, grupi parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re thekson nevojën për ndryshimin ose largimin e nenit 3.7 të projektligjit dhe plotësimin e projektligjit me 3 nene të reja duke paralajmëruar amandamente konkrete në këtë drejtim.

Këto amandamente do të bazohen në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, konkretisht në nenet: 3.2, 7.1, 8, 16.1, 16.3, 19.2, 21.1, 21.3, 22, 23, 24, 38.2, 38.3, 47.2, 54, 55.5, 56.2. Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut (1948), Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Fundamentale (1950), Udhëzuesin e OSBE-së për mësimdhënien e fesë dhe besimeve në shkollat publike, dhe Ligjin për të Drejtat dhe Liritë Fetare, si dhe në shumë konventa të tjera relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat afirmojnë dhe garantojnë të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes, besimit dhe fesë duke përfshirë këtu edhe të drejtën e personave për të "manifestuar fenë e tyre" në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe atë përmes mësimit.

Bazuar në këto të drejta themelore të njeriut dhe të fëmijëve për liri të fesë dhe besimit gjatë procesit arsimor në një varg shtetesh lënda fetare zbatohet si një prej lëndëve mësimore në shkollat publike, si në: Gjermani, Austri, Izrael, Britani të Madhe, Spanjë, Belgjikë, Irlandë, Finlandë, Danimarkë, Norvegji, Hungari, Poloni, Itali, Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë etj. Përvoja te rëndësishme pozitive përkitazi me zbatimin e lëndës së edukatës fetare në sistemin publik të arsimit mund të shihen edhe në shkollat e Luginës së Preshevës, ku lënda fetare zbatohet me vite të tëra si lëndë fakultative me vijueshmëri të lartë mbi 85% pa asnjë problem.

Për fund, grupi parlamentar i Koalicionit për Kosovë të re apelon te të gjitha grupet parlamentare që të përkrahin amandamentet të cilat grupi ynë do t'i propozojë në Komisionin funksional dhe që me këtë të ndihmojmë rininë tonë që në shkollat tona publike të pajiset me edukatë të shëndoshë e cila do tu ndihmojë të ballafaqohen me më shumë sukses me sfidat e mëdha të realitetit jo të volitshëm ekonomik dhe social që i rrethon. Jemi të bindur se në këtë mënyrë do të eliminojmë edhe shkaqet e dukurive shkatërrimtare për shtetin e Kosovës si: prostitucioni, trafikimi i njerëzve, narkomania, huliganizmi në shkolla, alkoholizmi, vetëvrasjet, e deri te korrupsioni institutcional si shprehje kulminante e rrënimit të shëndetit etik dhe moral të një shoqërie.

Largimin e lëndës së edukatës fetare nga shkollat publike e ka bërë regjimi komunist dhe ka ardhë koha e fundit që edhe në këtë aspekt të shënojmë ndarje me këtë ideologji dhe sistem shkatërrimtar për qenien tonë kombëtare dhe shtetërore.

Të nderuar deputet!

Mësimi i fesë në kudër të sistemit të arsimit publik, ka edhe një komponentë shumë të rëndësishme për momentin aktual politik të vendit tonë e kjo është mundësia e indoktrinimit të nxënësve tanë me ideologji të huaja që nuk kanë bazë në traditën e familjeve tona duke hapur rrugë për forma të ndryshme të manifestimeve dhe organizimeve ekstreme fetare, që nuk përkasin me realitetin e fesë.

Më kërkesën për zbatimin e lëndës së Edukatës Fetare në sistemin publik të arsimit, në asnjë mënyrë nuk duam që nga sistemi publik i arsimit të nxjerrim klerikë fetar, por duam që nxënësit tanë, bijtë dhe bijat tona të mësojnë parimet themelore etike dhe morale që burojnë nga besimi në Zotin e madhërishëm që paraqet njërën prej vlerave më të mëdha të qytetërimit tonë.

Lënda e edukatës fetare në kurrikulumet e shkollave publike, duhet të shihet edhe si mënyrë e shkëlqyer për thellimin e harmonisë, paqes, tolerancës dhe zhvillimit ekonomik; si dhe duhet të realizohet në mënyrë të drejtë, duke zvogëluar në minimum mundësinë e indoktrinimit dogmatik të nxënësve.

Ju ftojmë që ta zgjedhim këtë në formën më të mirë të mundshme, pa e politizuar, pa e polarizuar, pa e paragjykuar, por me qetësi, profesionalizëm e eksperiencë të kryejmë detyrën tonë.

Nuk shoh as një arsye që dikush të ketë frikë nga mësimi i fesë në kuadër të sistemit publik, se, sa më të arsimuar që të jemi, aq më të kulturuar, aq më të integruar, aq më tolerant, aq më objektiv, e aq më të dashur e më të respektuar do jemi.

Të nderuar deputet!

Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se praktikat më të mira evropiane përkitazi me këtë çështje.

Ju faleminderit.



Fjalimi nga: Jeton Svirca, korrik 2011.
Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...