Sulltan Abdylhamiti ndërmjet Çajupit dhe Pashko Vasës



Jam sulltan, mbret i vërtetë, shok të tjerë s'kam në jetë, gjakëtor e zemërderr, nga frika më bëjnë nder!
Egërsirë si ariu, hëngra dhe mish njeriu!, (Andon Zako Çajupi - fragment nga poezia "Sulltani").

Ndonëse midis tyre ka edhe familje kristiane, shqiptarët që si popull gjenden në Evropë, janë vëllezërit tanë myslimanë te të cilët mund të kemi besim në çdo rast, (Sulltan Abdylhamiti "Kujtimet e mia nga politika", Logos-A, Shkup, 2010).

Këto ditë në opinionin shqiptar është ndezur një debat që nuk po lë imun edhe intelektualët më indiferentë shqiptarë. Në fakt, pas vizitës që bëri ministri turk Omer Dinçer në Prishtinë dhe pas kërkesës së tij që tekstet shkollore të pastrohen nga urrejtja antiosmane e antiturke, janë ngritur etërit e kombit të ligjërojnë për këtë projekt "fashizoid" turk, ndërsa disa historianë, që megjithëse vetë kanë probleme themelore të pazgjidhura të historisë sonë, dalin madje me "interpretime shkencore" po ashtu se sa "fashizoide e terroriste" ka qenë Perandoria Osmane ndaj shqiptarëve. Dhe, si zakonisht nëpër këto interpretime, fajtori për të gjitha të pabërat tona janë turqit. Madje, aq larg ka shkuar kjo sa nëse ndokush e pyet ndonjë nga këta "etër të shqiptarisë" se pse e kemi këtë mot kaq të nxehtë sivjet, ata edhe për këtë janë të gatshëm ta fajësojnë ministrin e jashtëm turk Davutogllu. Se, po ta pyesim se pse Enver Hoxha për gjysmë shekulli e shkatërroi Shqipërinë, është e sigurt përgjigjja se fajet i ka Taip Erdogani. Për të gjitha dështimet tona fajet i ka vetëm Turqia. Bile, as Serbia e Greqia s'kishin pasur asnjë faj. Ato me pahir na kanë bërë dëm. Se ne shqiptarët, që kurrë s'gabojmë dhe s'kemi asnjë faj - kjo më është e ditur.

Dhe, derisa këto ditë po mendoja a të shkruaj a jo, a ia vlen a jo, m'u kujtuan disa momente, që pakkush po i përmend në opinion, ndërsa janë shumë të rëndësishme, sepse pa to mozaiku që dëshiron ta krijojnë këta opinionistë mbetet i cunguar dhe del vërtet ajo pasqyrë që pretendohet të krijohet.

Mbi këtë shkrim i vura dy fragmente të cilat këtu më poshtë dua t'i shpjegoj. I pari është nga poezia "Sulltani" (e shkruar për Sulltan Abdylhamitin II) e Andon Zako Çajupit, e cila për vite me radhë, qëkur kam qenë unë nxënës i fillores, nga vitet e '80-ta e deri në ditët tona, vazhdon të qarkullojë nëpër tekstet e letërsisë shqipe, ndërsa fragmenti i dytë është një thënie e vetë Sulltan Abdylhamitit II për shqiptarët, që e nxora nga libri "Kujtimet e mia nga politika", të cilin në gjuhën shqipe vitin e kaluar e solli SHB "Logos-A" nga Shkupi.

Arsyeja që e solla poezinë "Sulltani" këtu është si shembull i asaj se çka në fakt ka kërkuar ministri turk i Arsimit që të ndryshohet në tekstet shkollore shqipe. Arsyen e pranisë së kësaj poezie në tekstet shkollore të letërsisë shqipe as unë kurrë s'e kam kuptuar dhe as sot nuk mund ta kuptoj: kjo poezi nuk ka kurrfarë vlere edukative, estetike e poetike. E vetmja arsye që mbetet për praninë e kësaj poezie në letërsinë shqipe është vetëm ajo ideologjike - të krijohet urrejtje patologjike ndaj Perandorisë Osmane. Atributet gjakëtor e zemërderr, egërsirë ose edhe cilësimet kanibaliste hëngra dhe mish njeriu, asgjë pos urrejtjes dhe frikës nuk ndjellin te një fëmijë i shkollës fillore. Ndërkaq përfitimi i kësaj është që sot: për shkak të këtyre teksteve dhe shumë të tjerave që s'ka hapësirë të jepen këtu, është krijuar kjo urrejtje psikopatologjike ndaj Perandorisë Osmane. (Kujtoni vetëm pak sa të ndjeshëm janë treguar shqiptar kur dikush ua ka fyer figurat e mëdha të kombit dhe mund ta marrim me mend se si ndjehen turqit në këtë rast).

Ndërkaq arsyeja pse e solla fragmentin e Kujtimeve të Sulltan Abdylhamitit është që ky fragment të shërbejë si shembull i asaj se sa pak shkenca shqiptare e njeh të kaluarën e vet. Ose, që të shërbejë si shembull se tabani mbi të cilin është ndërtuar historia shqiptare, sigurisht nuk është edhe mbi këto të dhëna. Derisa Sulltan Abdylhamiti vetë shprehet me shumë simpati ndaj shqiptarëve, një shqiptar i këndon me aq urrejtje e fyerje atij, ndërsa nxënësit shqiptarë për një shekull detyrohen ta mësojnë këtë poezi nëpër shkolla.

Dhe, për të mos e zgjatur më shumë me punën e fragmenteve, se ata që dinë të mendojnë, sigurisht tash kanë mundësi ta shohin mozaikun më të plotë, do t'i referohem edhe titullit të këtij teksti. Shqiptarët edhe sot e konsiderojnë për ideolog të shqiptarisë Pashko Vasën. Sidomos për poezinë e tij "Oh moj Shqypni, e mjera Shqypni". Madje, kjo poezi është përdorur gati se si një himn i nacionalizmit shqiptar. Dhe, në këtë mënyrë e lartësojnë emrin e Pashko Vasës, njëherazi duke i konsideruar si tradhtarë të gjithë ata shqiptarë që kanë bashkëpunuar me Perandorinë Osmane. Me këtë rast e anashkalojnë të vërtetën e madhe se Pashko Vasa në fakt është Vaso Pashë Shkodrani, guvernator i përgjithshëm i Sulltan Abdylhamitit në Liban. Pra, një i krishterë shqiptar (të mos të flasim për myslimanët që kishin arritur deri në majën e piramidës si sadriazemë/kryeministria - vetëm sulltan shqiptar nuk ka pasur), një ideolog i nacionalizmit shqiptar, është pasha i Sulltanit, të cilin sot kaq egërsisht mësohemi ta urrejmë nëpër shkolla. Edhe në këtë pikë, ata që dinë pak matematikë e logjikë, sigurisht e nxjerrin barazimin e saktë - a ishte Vaso Pasha tradhtar apo Sulltan Abdylhamiti nuk ishte ashtu si na kanë mësuar neve në shkollë?

Dhe, në fund për shkrimet që sot mbijnë si kërpudha pas shiut me qëndrime patologjike antiosmane e antiturke. Pa thënë më shumë për arsyet shkencore, pa folur për faktin se mbi çfarë burimesh arkivore është krijuar historia shqiptare, pa thënë asgjë më tepër se pse shqiptarët akoma hezitojnë ta studiojnë Arkivin e Stambollit, pa thënë asgjë më shumë as për periudhën osmane prej Tanzimatit e këndej - veçmas atë xhonturke, që duhet dalluar me periudhën paraprake, pa thënë asgjë se ku është mbajtur Lidhja e Prizrenit e çfarë shkruan në nenet e saj fillestare, e pa thënë asgjë më shumë për Imam Vehbi Dibrën e pavarësisë së shtetit shqiptar etj., nuk e kuptoj, ama vërtet nuk e kuptoj se në mullirin e kujt çojnë ujë shkrimet e këtilla. Nëse për asgjë tjetër, shqiptarët sot janë shumë të lidhur me shtetin turk vetëm për arsye politike. Turqia është ajo që e njohu Kosovën ndër shtetet e para (për shembull, Vatikani shumë "i dashur" i Rugovës ende nuk e ka njohur), Turqia ka lobuar dhe vazhdon të lobojë më shumë se Shqipëria për shtetin e Kosovës, i pari zyrtar që erdhi në Kosovë pas ngjarjeve të 25 korrikut ishte pikërisht Bulent Arënçi, zv. kryeministri turk, i cili me vizitën e tij la të kuptohet se Turqia nuk përton ta përsërisë Gazimestanin e 1389-tës nëse preket veriu, Turqia kurrë nuk ka shfaqur pretendime territoriale ndaj tokave shqiptare dhe, e vërteta më e madhe, SHBA-të, për të bërë baraspeshë në Evropë përballë BE-së, në këtë rast Greqisë dhe shteteve sllave, me veprimet e tyre sikur i japin krah Turqisë, ndërsa shqiptarët në atë rast janë me "mikun e mikut tim". Dhe, gjithë kjo ndodhë në kohën kur BE-ja heziton me Kosovën, Serbia pa drojë shfaq pretendime territoriale ndaj Kosovës, ndërsa Greqia përjarget për jugun e Shqipërisë. Prandaj vërtet shtrohet pyetja se kujt i shërbejnë këta njerëz? Nëse shqiptarët sot hasmërohen edhe me shtetin turk, barazimi del se duhet të bien ose në prehrin grek ose atë serb. Me pak logjikë edhe ky barazim është i qartë.

Pa e zgjatur edhe më, të themi edhe vetëm se patriotë të vërtetë nuk janë ata që flasin fjalë të mëdha, po patriotë të vërtetë janë ata që dinë ta bëjnë veprën më të mirë në kohën e dhënë për popullin e tyre. Shumica e politikanëve tanë e kanë marrë vesh mirë këtë mësim, por jo edhe disa opinionistë e historianë folklorikë e sherxhinj. Fatkeqësisht!



Autor: Zekerija IBRAHIMI, gusht 2011.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...