Islami radikal kundër interesave të shqiptarëve
Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, tha se besimtarët myslimanë, brenda dhe jashtë vendit, janë të shqetësuar nga veprimet kundërligjore dhe të pakontrolluara, të cilat ushtrohen nga individë radikalë vehabistë në Maqedoni, në disa institucione fetare të vendit.
Rexhepi me këtë rast kërkoi ndërhyrjen e institucioneve përkatëse si dhe mbështetjen e partive politike në luftën e Bashkësisë Islame kundrejt veprimeve radikale të vehabistëve në Maqedoni.
"Besimtarët myslimanë, brenda dhe jashtë vendit, janë të shqetësuar dhe u bëjnë ftesë partive politike shqiptare, Qeverisë, institucioneve shtetërore si dhe të gjitha subjekteve të akredituara në Maqedoni, në veçanti Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asaj të Unionit Evropian me seli në Shkup, që të përkrahin institucionin e Bashkësisë Fetare Islame dhe të marrin masa të duhura kundër këtyre individëve radikalë, qëllimi i të cilëve është dëmtimi i Islamit si fe, njëherësh rrënimi i imazhit të popullit tonë dhe pengimi i të njëjtit për integrimin në NATO dhe në Unionin Evropian", deklaroi kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi.
Ai shprehu kështu edhe kërkesën e kryemyftinjve dhe imamëve të Maqedonisë që veprojnë në vendet evropiane dhe SHBA.
Ndaj kësaj kërkese menjëherë ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, me ç'rast ka theksuar se mes dikasterit të policisë dhe Bashkësisë Islame janë zhvilluar një varg takimesh muajin e fundit, ku në hollësi është trajtuar problemi në fjalë.
"Ministria e Punëve të Brendshme në vazhdimësi është duke ndjekur situatën sa i përket predikimit të Islamit radikal në vend dhe do të reagojë në momentin që do të ketë dëshmi konkrete, duke i nxjerrë para organeve ligjore personat e caktuar, që janë të involvuar në predikimin e Islamit radikal", tha zëdhënësi i dikasterit të policisë, Ivo Kotevski.
Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Demokracia e Re, kanë dënuar paraqitjen e grupeve radikale vahabiste në Maqedoni, duke nënvizuar se veprimi i tyre paraqet kërcënim për imazhin e shoqërisë shqiptare.
"Jam thellë i bindur se interesi i shoqërisë shqiptare tani dhe në të ardhmen, nga forcat relevante të komunitetit ndërkombëtar shihet larg formave radikale të çfarëdo lloji, kryesisht të asaj që quhet formë ekstremiste dhe radikale islame", tha deputeti i partisë shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, Sulejman Rushiti.
Edhe deputeti i BDI-së, Tahir Hani, tha se partia e tij angazhohet për eliminimin e kurtheve, për të identifikuar shqiptarët e Maqedonisë me veprime radikale.
"Republika e Maqedonisë, si një shtet multi-fetar dhe multi-etnik, shumë shpejt mund të çojë në prishjen e raporteve ndëretnike dhe atyre politike që janë shumë të rëndësishme për vendin. Prandaj, çdo lëvizje që është në kundërshtim me vijën politike të Maqedonisë dhe të shteteve të rajonit, duhet të mënjanohet dhe të mos jetë prezente në Maqedoni", u shpreh Hani.
Përgatiti: rel, shtator 2010.