Dëshmia e Ummetit për medh'hebet



Kemi shpjeguar shumë herë më parë se Medh'hebet janë shkolla juridike islame sunite të ndërtuara mbi themelet e legjislacionit islam, që për përfitimin e dispozitave islame nga argumentet autentike islame, shfrytëzojnë parimet, rregullat, metodologjinë dhe logjikën shkencore. Ky fakt është jo vetëm i argumentuar, por edhe i dëshmuar tanimë shekuj me radhë, në të gjitha kohët dhe vendet ku kanë jetuar dhe jetojnë dijetarët islamë dhe myslimanët.

Medh'hebe të dëshmuara historikisht nga dijetarët islamë dhe myslimanët, apo më mirë me thënë nga Ummeti islam, krahas medh'hebit hanefi, janë edhe tre medh'hebet e tjera si ai maliki, shafii dhe hanblei. Vetëm këto katër shkolla juridike islame janë përfaqësues të denjë të Ehli Sunnetit në sferën e jurisprudencës islame. Për të mos i ngelë borxh lexuesit vlen vetëm të theksojmë se më herët kishte edhe medh'hebe tjera të nga Ehli Sunneti, por fatkeqësisht me kalimin e kohës ato nuk arritën t'u mbijetojnë sfidave të kohës, andaj ose u treten tërësisht ose nuk u zhvilluan me kohën.

Ne qëllimisht përmendëm nocionin dëshmi, sepse dëshmia në legjislaturën dhe literaturen islame përbën një kapitull voluminoz. Dëshmia është pjesë e pandashme e jetesës së Ummetit islam, sepse implementohet thuajse në të gjitha poret e jetës, kurse në aspektin shkencor islam ka rol vendimtar në shumë veprime që ndërlidhen me njeriun, si nga sfera e adhurimeve (ibadeteve), nga sfera e së drejtës penale islame, nga sfera e së drejtës civile, nga sfera e së drejtës familjare, ashtu edhe nga sfera e së drejtës pronësoro juridike, etj. etj.. Nocioni dëshmi është vendimtar edhe në sferën e besimit, sepse vetëm përmes dëshmisë arrin të hapësh portën e imanit në Allahun xh.sh. Një dhe të dërguarin e Tij.

Pra, kur themi se dijetarët islamë dhe myslimanët nëpër shekuj kanë dëshmuar për këto shkolla juridike islame, nuk aludojmë aspektin e ekzistimit historik të këtyre shkolla, sepse këtë e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë edhe jomylsimanët, por me nocionin dëshmi është për qëllim vlefshmëria e këtyre shkollave si në aspektin fetar ashtu edhe atë shkencor si dhe përfaqësimi i Ehli Sunnetit nga këto shkolla. Kur jemi këtu, duhet të potencojmë faktin se vërtetimi i një vepre përmes dëshmitarëve obligon implementimin e plotë të pasojave apo të të mirave të asaj vepre, varësisht nga natyra e veprës. Si shembull, vepra e vetme e cila kërkon numrin më të madh të dëshmitarëve është vepra penale e amoralitetit për të cilën patjetër duhet dëshmuar katër dëshmitarë, e nëse arrihet kjo, atëherë ekzekutimin e sanksionit nuk ka të drejtë askush ta pengoj, as gjykatësi as halifja e askush tjetër, sepse ekzekutimi i këtij sanksioni është obligim. Kështu janë edhe veprimet e tjera qofshin nga sfera penale, civile, pronësoro juridike apo nga adhurimet.

Atëherë, nëse askush nuk ka të drejtë të kontestojë veprën e dëshmuar, apo vlefshmërinë e veprës së dëshmuar, prej nga sot na dalin në skenë disa njerëz dhe me plotë mburrje e krenari kontestojnë vlefshmërinë e shkollave juridike islame, për të cilën nuk kanë dëshmuar vetëm një, dy, tre apo katër njerëz, por për këtë ka dëshmuar i tërë Ummeti islam shekuj me radhë, që përbënë miliona njerëz, në mesin e tyre përfshirë edhe mijëra e mijëra dijetarë të mirëfilltë islam! A nuk është kjo thjesht vetëm një tendencë e errët për të shkaktuar çrregullime dhe përçarje në mesin e myslimanëve? A nuk është kjo thjesht një tentativë e errët për të varrosur të kaluarën tonë islame që duhet të na shërbejë si model për ndërtimin e ardhmërisë sonë të ndritshme? Si është e mundur islamikisht, apo qoftë edhe logjikisht, të konceptohet propaganda e jomedh'hebizmit kur ata ftojnë në largim nga ndjekja e një medh'hebi, në mënyrë që të bëhen anëtarë të Ehli Sunetit, sepse, sipas tyre, këta medh'hebistët nuk na qenkan nga Ehli Sunneti?! Si është e mundur që dëshmia e tërësishme e Ummetit, se këto katër medh'hebe janë përfaqësues të Ehli Sunnetit, të jetë më e dobët se sa dëshmia e një grupi njerëzish me ide vehabiste nën petkun e Ehli sunnetit se kinse këta janë sunni, e të gjithë të tjerët nuk i takojnë sunnizmit. A thua vallë, Ummeti tërësisht është i çmendur që dëshmon për vlefshmërinë e këtyre shkollave, apo ky grup njerëzish që shtiren se janë të mençur?!

Të nderuar lexues, çështja e medh'hebeve nuk është çështje që i takon vetëm të kaluarës, nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, ajo është aktualitet, jetojnë me ne dhe ne jetojmë me to, e edhe pasardhësit tanë do të jetojnë me to. Ky është realiteti, e të tjerat mposhten me kalimin e kohës.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se shkollat juridike islame (medh'hebet) nuk kanë mbijetuar në saje të humanizmit dhe tolerancës së të tjerëve, siç po pretendon dikush të plasojë këtë ide. Këto shkolla juridike islame mbijetuan dhe do të mbijetojnë pavarësisht se dikujt i vjen mirë apo jo, vetëm në saje të këtyre fakteve që janë:

- Këto shkolla janë të ngritura mbi burimet autentike islame që janë Kur'ani, Sunneti, Ixhmai dhe Kijasi, si dhe mbi burime të tjera sekondare, ngase nuk ka burim më të shëndosh se ajo që buron nga i Gjithëdijshmi dhe i Gjithëfuqishmi.

- Mbijetuan sepse u ndërtuan, u zhvilluan dhe u kultivuan mbi parimet dhe principet e shëndosha islame dhe shkencore me një metodologji të mirëfilltë dhe të qartë shkencore.

- Mbijetuan sepse kultivuesit e këtyre shkollave, gjithnjë në pikë të parë kishin interesin e së vërtetës, sepse ata edhe shpirtërisht edhe fizikisht ndienin veten si shërbëtorë dhe bartës të amanetit hyjnor. Ata çështjet i peshonin përmes vlerave të besimit të shëndoshë, dhe kur nuk u thyen nga këto vlera, pavarësisht çmimit që paguan për të.

- Mbijetuan sepse kultivuesit e këtyre shkollave shtjellimin e vlerave dhe dispozitave fetare islame, i kuptuan vetëm si vlera dhe dispozita të shenjta ku synohet universaliteti e jo interesi vetanak i individit. Ata asnjëherë, jo që nuk bënë, por as që menduan të bëjnë ndonjë kompromis në dëm të vlerave të Islamit dhe në dobi të interesit të përkohshëm të jetës së kësaj bote.

Meqë këto shkolla janë ndërtuar mbi këto baza, atëherë, kjo është garanci shumë e fuqishëm se këto shkolla do të vazhdojnë së funksionuari dhe do të tejkalojnë edhe këtë sfidë të quajtur vehabizëm, sepse këto shkolla me këto kritere të fuqishme islame e shkencore kanë mposhtur edhe shumë sfida të tjera më të fuqishme se sa kjo që po quhet jomedh'hebizëm.



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...