Dialog i imagjinuar në mes të profesorit vehabist dhe studentit vehabist
Babai tërë jetën e tij kishte ëndërruar që fëmija i tij të shkollohej në Medinen e ndriçuar. Në vendin ku kishte jetuar Muhamedi a.s., në vendin ku kishin jetuar sehabet. Erdhi momenti dhe djali e kreu medresenë, i erdh edhe lajmi se djali ishte regjistruar në Universitetin e Medines. Me mallëngjim e dërgoi djalin në Medinen e ndriçuar.
Pasi i përfundon djali studimet, i bënë gati rrobat për tu kthyer në vendlindje, por para se të përshëndetet e zhvillon një dialog me shejhun e tij Vehabist:
Shejhu Vehabist: Tani i ke përfunduar studimet. Kur të kthehesh në vendin tënd thuaj: "Ne jemi ehlus suneti vel xhemati", "Ne thërrasim në TEVHID", "Ne jemi kundër shirkut dhe bidatit", "Ne jemi grupi i shpëtuar" dhe "vetëm menhexhi (planprogrami) i ynë është i drejtë".
Studenti Vehabist: Gëzohet dhe e tund kokën në shenjë pohimi (i përulet) (Edhe pse nuk është e argumentuar që Muhamedi a.s. e ka tundur kokën në shenjë miratimi apo pranimi gjatë një bisede me ndonjërin prej sehabeve. Por shejhu nuk e qortoi për një veprim të tillë. Edhe pse nuk ka argument që kështu të ketë vepruar Muhamedi a.s.).
Shejhu Vehabist: Pasi që të kthehesh në vendlindje do ta fillosh punën si Dai (thirrës islam).
Studenti Vehabist: Jo, jo. Pasi që të kthehem në vendlindje do ta filloj punën si imam (hoxhë) dhe menjëherë pasi që ta pranoj detyrën mund të ndodh ndonjë rast vdekjeje dhe do të më duhet t'ia fali namazin e xhenazes edhe atij i cili nuk është falur gjatë jetës së tij.
Shejhu Vehabist: Namazin e xhenazes mos ja fal atij i cili nuk ka falur namaz gjatë tërë jetës së tij.
Studenti Vehabist: Por, nëse është babai ose nëna ime.
Shejhu Vehabist: Edhe nëse është babai ose nëna jote.
Studenti Vehabist: Po kështu kanë vepruar djemtë e komunistëve. Kur i tërë xhemati ia falte namazin e xhenazes babasë së tij, ata ndaleshin para derës së xhamisë dhe nuk hynin në xhami.
Shejhu Vehabist: Po, pasi që nuk është falur vet sa ka qenë gjallë, nuk ka se si ti falet namazi i xhenazes pasi që të ketë vdekur.
Studenti Vehabist: Pastaj pas shtatë ditëve do të thirrem të këndoj mevlud.
Shejhu Vehabist: Po, si të këndohet mevlud me rastin e vdekjes së familjarit. Kjo është bidat.
Studenti Vehabist: Por, ata këndojnë mevlud edhe me rastin e ditëlindjes së Muhamedit a.s..
Shejhu Vehabist: Jo, jo! Nuk lejohet të këndohet mevlud, sepse aty kërcejnë, pinë alkool dhe këndojnë salavate me xhematë.
Studenti Vehabist: Jo, jo shejh, alkool nuk pinë. Por, shërbehet ushqim dhe ëmbëlsira. Kurse në mes të Mevludit ngrihen në këmbë si shenjë respekti ndaj Muhamedit a.s..
Shejhu Vehabist: Po ata qenkan duke e adhuruar Muhamedin a.s., ndërsa Muhamedi a.s. ka vdekur dhe kjo është e ndaluar.
Studenti Vehabist: Ata gjatë këndimit të mevludit këndojnë salavate për Muhamedin a.s. me xhemat.
Shejhu Vehabist: Si është e mundur që këndojnë salavate me xhematë (në kor) për Muhamedin a.s..
Studenti Vehabist: Salavatet janë të përmendura në Kur'an: "Vërtetë Allahu dhe melaqet dërgojnë salavate për pejgamberin. O ju të cilët keni besuar, dërgoni salavate për të …", (El-Ahzab).
Shejhu Vehabist: Por nuk përmendet këndimi i salavateve në Mevlud.
Studenti Vehabist: Po edhe në mënyrë individuale muezini këndon salavate pas ezanit të çdo namazi dhe pas ezanit të namazit të xhumasë.
Shejhu Vehabist: Po edhe në mënyrë individuale pas ezanit është e ndaluar sepse ajeti nuk e përmend se salavatet këndohen pas çdo ezani dhe pas ezanit të namazit të xhumasë.
Studenti Vehabist: I nderuari shejh, po si të veproj unë sepse tek ne kur ta falin namazin e farzit ngrihen dhe e falin sunetin menjëherë.
Shejhu Vehabist: Kur ta vazhdojnë faljen e sunetit pas faljes së farzit, ti rri ulur, e kur të ulen ata, ti ngrihu dhe fale sunetin sepse nëse e ngjall një sunet të Muhamedit a.s. ti do të hysh në xhenet. E sunet është që menjëherë pas farzit t'i bësh tesbihët dhe atë vetmas, e pastaj të ngrihesh dhe ta falësh sunetin.
Studenti Vehabist: Por kështu unë do të shkaktoja çrregullim në rendin dhe rregullat e xhamisë, sepse tek ne ka rregull dhe qetësi shpirtërore deri sa xhemati është në xhami.
Shejhu Vehabist: Të falësh sunetin menjëherë pas farzit është bidat dhe ti nuk je duke krijuar çrregullim, janë duke krijuar çrregullim ata të cilët e falin namazin sunet menjëherë pas namazit farz.
Studenti Vehabist: I nderuari Shejh. Pas namazit do të më duhet që të bëjë tesbihin me xhematë.
Shejhu Vehabist: Tesbihu së bashku me xhematë është bidat dhe çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të shpie në zjarr të xhehenemit dhe tesbihi me xhemat është haram.
Studenti Vehabist: Po edhe duanë në fund të namazit e bëjnë së bashku.
Shejhu Vehabist: Kjo është bidat.
Studenti Vehabist: Gjatë muajit të Ramazanit, pas jacisë i falinë edhe nga 20 rekate namaz të teravisë.
Shejhu Vehabist: Po kjo është e ndaluar dhe bidat, sepse duhet të falen vetëm 8 rekate.
Studenti Vehabist: Po namazi i natës prej 8 rekateve me xhemat a nuk është bidat, sikurse teravitë, dhikri dhe tesbihi me xhemat pas namazit?
Shejhu Vehabist: Namazi i natës e zëvendëson namazin e teravisë, se teravia me xhemat është bidat.
Studenti Vehabist: Por, në Qaben e madhëruar dhe këtu në Medinen e ndriçuar i falin nga 20 rekate të namazit të teravive, kjo a nuk është bidat?
Shejhu Vehabist: Ti mos fol për Mekën dhe Medinen, se në xhamitë tjera përpos Mekes dhe Medines i falin nga 8 rekate dhe ti mos fal teravi por vetëm 8 rekate namaz nate (jo teravi).
Studenti Vehabist: I nderuari shejh, tek ne ka teqe dhe njerëzit po i vizitojnë varret dhe teqet.
Shejhu Vehabist: Kjo është e ndaluar, kjo është shirk (idhujtari) dhe këto varre dhe teqe duhet rrënuar.
Studenti Vehabist: Por, këtu në Medine pas kryerjes së haxhit po vijnë dhe po e vizitojnë xhaminë e Muhamedit a.s. dhe gjatë vizitës po shkojnë edhe te varri i Muhamedit a.s., a nuk është edhe kjo teqe dhe a duhet të prishet edhe kjo, pra kubeja e gjelbër mbi varrin e Muhamedit a.s.?
Shejhu Vehabist: Ne i kemi prishur mijëra kube mbi varre, i kemi prishur mijëra teqe dhe na ka mbetur vetëm kjo kube por edhe kjo duhet të prishet, sepse kubeja e gjelbër mbi varre quhet teqe dhe duhet të hiqet.
Studenti Vehabist: Por prapë se prapë mbesin varret (varri i Muhamedit a.s., i Ebu Bekrit r.a., dhe i Omerit r.a., të cilat gjenden brenda xhamisë së Pejgamberit s.a.v.s.).
Shejhu Vehabist: Po edhe kjo duhet të bëhet, pra duhet të hiqet varri i Muhamedit a.s. nga xhamia e Muhamedit a.s., pasi është shirk sepse po e madhërojnë varrin dhe për të mos e lejuar shirkun duhet ta heqim edhe varrin e Muhamedit a.s. nga xhamia e Muhamedit a.s..
Studenti Vehabist: Ne jemi vend i varfër dhe shumë studentë janë të zgjuar dhe nuk kanë mjete financiare të shkollohen.
Shejhu Vehabist: Ti kur të shkosh në vendlindje do të japësh bursa, këto mjete do të sigurohen nga zekati për student.
Studenti Vehabist: Të japim bursa?! Por, për fakultetin ekonomik a mund të jepet bursa?
Shejhu Vehabist: Jepni bursa për dituri, se studentët kanë nevojë për bursa.
Studenti Vehabist: Pasi ta përfundoj fakultetin, ai i cili e ka kryer fakultetin ekonomik, duhet të punoj në Bankë komerciale apo depozitive.
Shejhu Vehabist: Ti thuaj atij (të cilin e ke financuar të kryej fakultetin ekonomik) e ke të ndaluar të punosh në Banka sepse është haram sikurse të ketë bërë prostitucion me nënën e vet.
Studenti Vehabist: Po nëse punon në ndonjë firmë apo punë tjetër.
Shejhu Vehabist: Po edhe kjo është haram sepse ato firma kanë marrë mjete financiare me kamatë në banka komerciale apo depozitive.
Studenti Vehabist: Po a të japim bursa për ata të cilët janë në fakultetin juridik?
Shejhu Vehabist: Jepni bursa se studentët kanë nevojë për bursa.
Studenti Vehabist: Kur ta përfundojnë duhet të punojnë në gjyqe laike.
Shejhu Vehabist: Pasi ta përfundojnë fakultetin juridik, ti thuaju se e kanë të ndaluar të punojnë në gjykatë dhe në prokurori sepse ai gjykon me ligj tjetër pos ligjit të Allahut.
Studenti Vehabist: Por, ne jetojmë në shtet laik.
Shejhu Vehabist: Po edhe shteti laik është haram dhe është bidat.
Studenti Vehabist: Po kjo po i bie se në çdo çështje duhet t'i kundërshtoj dhe se çdo gjë qenka bidat sepse ne jetojmë në shtet laik dhe kjo po i bie se ne po jetojmë në bidat (shtet laik).
Shejhu Vehabist: Bidati është më i keq se kufri sepse për kufrin shejtani i thotë se ti je pajtuar me pabesimin tënd dhe e lë të lirë, ndërsa shejtani i thotë bidatgjiut: vazhdo edhe më tutje se e ke me të drejtë, ti duhesh ta forcosh bidatin tënd.
Studenti Vehabist: Po kjo po i bie se në çdo çështje duhet t'i kundërshtoj dhe që të mos jem prej tyre (popullit tim).
Shejhu Vehabist: Po, ti duhet ta lëshosh mjekrën dhe të dallohesh prej tyre, sepse kush i përngjet një populli, ai është prej tyre e kështu që ti nuk je prej tyre dhe ne duhet të dallohemi prej tyre sepse vetëm ne jemi grupi i shpëtuar dhe ky është qëllimi ynë, ky është menhexhi (planprogrami) ynë, në mënyrë që ta pastrojmë fenë, sepse kush e pastron fenë hyn në xhenet. Vetëm menhexhi (planprogrami) ynë është i drejtë. Ti vazhdo dhe bëj daëve. Kështu kemi vepruar në të gjitha vendet islame të cilat kanë qenë vende socialiste. Kështu kemi vepruar me Algjerinë dhe kemi vazhduar me Afganistanin dhe Çeçeninë. Kështu kemi vepruar me pranverën Arabe në Egjipt dhe e kemi vazhduar me Sirinë dhe Irakun. Në bazë të kësaj ideologjie ne bëjmë përçarje dhe vazhdimisht themi se "është e ndaluar dhe haram përçarja në mesin e muslimanëve". Për shkak të bidatit dhe shirkut të tyre ne vrasim bidatgjinj, ua shkatërrojmë shtëpitë, lagjet dhe qytetet sepse i kanë mbushur me bidate dhe janë bërë shtete laike dhe kësisoj neve na është lejuar gjaku i tyre, pasuria e tyre dhe nderi i tyre
Autor: Dr. Musli VËRBANI