Vehabistët shqiptarë - nga 'hipnotizimi nga përsëritja'
Rrugët e vehabizmit, është thënë shpesh, i hap edhe padija. Orteku i ligjëratave radikale ka vërshuar në të gjithë Kosovën, ai shpeshherë po bëhet haptas, që nga bisedat e thjeshta e deri tek rastet e hidhura të varrimeve; ai bëhet në rrugë, në internet, në rrjete sociale, në xhami e jashtë saj, bëhet gjithë agresivitet, duke synuar atë që në Universitetin e Kembrixhit e quajnë "hipnotizimi nga përsëritja". Dhjetëra imamë janë përhapur si prushi nëpër Kosovë. Disa nga këta imamë janë njerëz të shkolluar në botën arabe, në disa nga universitetet e njohura teologjike, sidomos në Jemen, dhe shumica e tyre, kjo duhet pranuar tashmë, kanë sjellë në Kosovë, bashkë me dijen e tyre, edhe radikalizmin e besimit islam.
Pak kohë më parë, një i ri shqiptar nga Kosova, pak më shumë se 25-vjeçar, njeri që kishte nisur studimet në vendin e tij, bëhet njëri ndër kamikazët selafistë dhe në Bagdad vret 50 njerëz të tjerë. Rruga e Blerim Hetës, e nisur nga Varoshi i Ferizajt do të përfundojë në një rrugë të largët, por mes gjithë kësaj që ka ndodhur, mes lindjes së tij në një qytet gjerman, rikthimit, pasionit për librat dhe psikologjinë, për gjuhën angleze dhe gjermane, janë disa stacione, të cilat, edhe pse nuk duam t'i pranojmë, kanë të bëjnë me jetën e gjithë qytetarëve të Kosovës.
Pyetja e parë që mund të bëhet është se si ky djalë i ri, lindur e rritur në një familje të edukuar shqiptare, e cila deri kësaj dite nuk ishte dëgjuar për asnjë ndasi apo mëri ndaj të tjerëve, papritmas shfaqet në rolin e një kamikazi masiv, duke e bërë të gjithë këtë me vetëdije dhe duke i lënë nënës së tij thirrjen e fundit: "Nesër do të takohem me Allahun". Cila forcë e devijoi nga e zakonshmja, nga ajo që kishte përditësuar jetën e tij, duke marrë një kahe krejt tjetër, e cila, sa ishte e rrezikshme dhe mizore për të, edhe më shumë se aq do të ishte mizore për të tjerët, por që do i bënte një dëm të madh vendit të tij?
Blerim Heta është njëri ndër dhjetëra, mos qindra djem të viseve të Kosovës, sidomos nga zonat rurale, që tashmë janë pjesë e Armatës së Sirisë së Lirë, e strukturave Al-Nusra, Front i lidhur ngushtë me Al Qaedën, apo me strukturat ilegale të "Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit - ISS", i njohur edhe si "Deuleja". Tashmë nuk është sekret për askënd, e po ashtu edhe e besueshme për të gjithë, se, shqiptarë nga Kosova, Maqedonia apo edhe shteti shqiptar, janë pjesë e lëvizjeve fondamentaliste, më shumë vehabiste e selafiste, dhe se këto lëvizje tashmë, diku haptas e diku fshehtas, kanë qytetarinë e tyre të njohur.
Grumbullimi rreth imamëve të dyshimtë dhe fondet milionëshe
Shpeshherë është thënë se rrugët e mjerimit i kanë dërguar njerëzit drejt lëvizjes vehabiste, dhe kjo ka të vërtetat e saj. Janë mjaft organizata joqeveritare të huaja, islamike ose jo islamike, të cilat veprojnë në Kosovë, dhe përmes ndihmave humanitare, shpërblimeve monetare, përhapin edhe rrymat e forta agresive të besimit islam, krejt ndryshe me traditën shekullore të këtij besimi në të gjithë hapësirën shqiptare. Mjerimi ka pasur të drejtën e tij të gllabërimit të disa shpirtrave të rrënuar, por nuk është vetëm kjo. Besim Heta, për shembull, kamikazi i Bagdadit, nuk ishte një njeri i hekakeq, siç thuhet zakonisht për skamnorët, por në një familje në gjendje të mirë ekonomike, me njerëz në botën e jashtme, sidomos në shtetin gjerman, me të ardhura të mjaftueshme për të patur një jetë normale. Për më tepër, ai vetë, më shumë se një vit e gjysmë, kishte qenë i punësuar tek kampi amerikan në Ferizaj, dhe kishte pasur të ardhura mjaft të larta.
Rrugët e vehabizmit, është thënë shpesh, i hap edhe padija. Orteku i ligjëratave radikale ka vërshuar në të gjithë Kosovën, ai shpesh herë po bëhet haptas, që nga bisedat e thjeshta e deri tek rastet e hidhura të varrimeve, ai bëhet në rrugë, në internet, në rrjete sociale, në xhami e jashtë saj, bëhet gjithë agresivitet, duke synuar atë që në Universitetin e Kembrixhit e quajnë "hipnotizimi nga përsëritja". Dhjetëra imamë janë përhapur si prushi nëpër Kosovë. Disa nga këta imamë janë njerëz të shkolluar në botën arabe, në disa nga universitetet e njohura teologjike, sidomos në Jemen, dhe shumica e tyre, kjo duhet pranuar tashmë, kanë sjellur në Kosovë, bashkë me dijet e tyre, edhe radikalizmin e besimit islam.
Mirëpo, kthehem përsëri tek rasti i Blerim Hetës. Ai nuk ishte një djalë i paditur. Kishte mbaruar shkollën e mesme, pra ishte më i shkolluar se shumë imamë të vetëshpallur, ishte regjistruar në universitetin publik e më pas edhe në universitete private, dëshironte të studionte psikologji fillimisht, më pas gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane. Të dyja këto gjuhë të huaja, ai i fliste, por më pas, për një periudhë të shkurtër, dëshira e tij studimore për gjuhën perëndimore do i linte vendin inatit fillimisht, mërisë pastaj dhe armiqësisë më së fundi ndaj "djajve amerikanë". Në pak javë, i gjithë mentaliteti i këtij njeriu ndryshoi rrënjësisht, u mbyll në vetvete, u bë i huaj për familjen e tij, librat e psikologjisë i lanë vendin ligjëratave radikale, në Kosovë e jashtë saj.
Kur disa kohë më parë unë shkrova se pas këtij ndryshimi në psikologjinë dhe botëkuptimin e shumë njerëzve në Kosovë, qëndrojnë edhe shërbimeve të specializuara serbe, jam i bindur se mjaft dashamirë do e kenë parë këtë si një rrjedhë e mëtejshme e mllefit që kanë shqiptarët e Kosovës, natyrisht jo të gjithë, ndaj çdo gjëje që vjen nga Serbia, dhe dëshirës që çdo të keqe të ja gjejnë një burim jashtë vetes, mundësisht në Serbi. Më pas, jo nga unë, u bënë të njohura burime të tjera, të cilat këtë lëvizje e lidhnin edhe me ndikimin e shërbimeve të fshehta ruse. Tashmë është i njohur fakti se kohët e fundit mjaft nga këto struktura po lëvizin nëpër Kosovë, por mjerisht nuk janë të vetmet. Kosovën, përgjithësisht trevat shqiptare, i kanë parë si zonë të transplantimit të ideve radikale edhe shërbime të tjera, sidomos të disa vendeve arabe. Përmes emisarëve të tyre janë shfaqur në Kosovë edhe përfaqësues të Rojeve të Revolucionit iranian, degë salafiste turke dhe jemene, ndonjëra nga të cilat ka rrënjët e veta edhe në qeveritë e vendeve përkatëse.
Njerëz të autorizuar prej tyre, që më së shumti jetojnë në Austri, të përqendruar në disa xhami në Vjenë dhe në Grac apo të koncentruar rreth shoqatave humanitare, në lidhje me dy liderë të njohur selafistë, Jusuf Barcic dhe Muhammed Fadil Porca, kanë filluar të bëjnë rrugën e Kosovës dhe të jenë pjesë e rretheve islamike të mbledhur rreth Shefqet Krasniqit apo Irfan Salihut në Kosovë, rreth Bekir Halimit apo Omer Bajramit në Maqedoni. Në 20 vitet e fundit, shoqatat e cituara salafiste me qendër në Austri dhe që po lidhen tani edhe në Kosovë, pas lëvizjes salafiste vehabiste në Bosnjë, kanë përqendruar në fondet e tyre rreth 600 milionë euro, të cilat më pas i kanë përdorur për rritjen e lëvizjes së tyre ekstremiste.
Kosova, "shtrati i butë" i vehabistëve?!
Në Kosovë ata kanë gjetur një shtrat të butë, do të thoja, edhe nga që për shumë kohë këtu kanë ndodhur dy fenomene të veçanta: nga njëra anë, Shërbimi Informativ i Kosovës është ngritur me shumë vonesë, ai nuk ka pasur as kohën e duhur dhe as njerëzit e duhur për të ngritur sistemin e tij efikas. Shuarja e Shërbimit Informativ të Kosovës, të drejtuar nga Kadri Veseli, shërbim i cili u paragjykua pa i parë vlerat e tij dhe heshtja ndaj këtij paragjykimi nga shërbimet e tjera të cilat deri asaj dite e kishin pasur partner, krijoi një vakum të jashtëzakonshëm, që i la hapësirë rritjes së lëvizjes vehabiste. Jo rastësisht rritja e këtij sekti ekstrem daton pas shuarjes së Shërbimit Informativ të Kosovës, dhe periudha deri në ngritjen e një sistemi shtetëror, që ishte në fakt një periudhë heshtje, lejoi krijimin e strukturave të rritura t lëvizjes selafiste e vehabiste.
Nga ana tjetër, në Kosovë, kjo është e ditur, ka pasur disa shërbimeve informative të shteteve të huaja. Disa të njohura e shumë të panjohura, të cilat e kanë ndjekur këtë lëvizje, por më së shumti në raport me vendet e tyre. Kjo ka sjellë fragmentarizmin e optikës së rritjes së kësaj lëvizje, ka sjellë copëza, por jo të tërën. Është fakt se, duke e krahasuar me të përgjithshmen, lëvizja salafiste vehabiste në Kosovë, nuk ka primatin në besimin islam. Por, është po ashtu se ajo, nga njëra periudhë në tjetrën, ka rritjen e saj. Tani ajo ka dalë nga zonat rurale dhe po shtrihet edhe në qytete, dhe në disa raste nuk dihet më se kush e drejton bashkësinë Islame të Kosovës, të zgjedhurit, me ndjenja të zakonshme e ritme normale të besimit apo radikalë të pazgjedhur por që ushtrojnë ndikimin e tyre. Në mendimin e shumë njerëzve, as ngjarjeve të pazakonta, ndjehet dyzimi në se kryetar i kësaj bashkësie është Naim Tërnava apo Shefqet Krasniqi, imami i xhamisë së madhe në Prishtinë.
Dualizmi ka shkuar edhe më tej, nëse në disa qendra të besimit islam, xhami apo të tjera, mendimi i njohur islam, i traditës sonë liberale, është i pranueshëm, në disa të tjera ai po përpiqet të zbohet, në mos me të mirë, përmes lutjeve, atëherë përmes dajakut. Në Kosovë, pas luftës, përmes fondeve humanitare të vendeve arabe, ndoshta më shumë janë ndërtuar xhami se sa shkolla të reja. Fillimisht kjo ishte një praktikë e mirëpritur, sepse të gjitha vendet fetare ishin djegur nga ushtria dhe policia serbe. Fakti se pas këtyre ndërtimeve erdhën edhe emisarët radikalë dëshmon se gjithçka kishte qenë një parapërgatitje që lëvizja salafiste të ketë një avangardë të saj në shtetet ballkanike, krahas asaj në Bosnjë, ku tani janë të njohur mbi 90 mijë vehabistë dhe salafistë dhe ku mbi 20 për qind e pjesës tjetër të popullsisë besojnë në këtë lëvizje pa qenë pjesë e saj. Kosova, por edhe shteti shqiptar, nuk është në këtë përpjesëtim, por proporcioni po ndryshon përditë nga pak.
Demonstrimet që janë zhvilluar disa herë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, tregon se ka një rritje të agresivitetit të kësaj rryme fetare, e cila herë pas here në Kosovë, merr edhe ngjyrime politike, pr pikërisht ky agresivitet dhe pandëshkueshmëria e tij, kanë pasur jehonë tek njerëzit, më shumë se dhjetëra ligjërata nëpër xhami e medrese. Duke qenë një popull që përgjithësisht besojmë tek forca, si pjesë e zgjidhjes së problemeve, shumë të rinj, qoftë edhe pa dashur, agresivitetin e lëvizjes vehabiste e shohin si dëshmi e forcës së tyre dhe e pafuqisë së shtetit për të vendosur rregullat e tij. Kjo është njëra nga shtysat më të ndjeshme ndaj saj, dhe, le të mos e gënjejmë veten: është një fenomen i ri, i cili po shfaqet tek ne, dhe , i cili, nëse lejohet të ketë këtë proporcion rritje, mund të jetë njëra nga dështimet tona, të politikës, të jetës së përbashkët dhe të bashkëjetesës.
Autor: Ramiz LLADROVCI, prill 2014.
_________________________
(Autori është deputet në Parlamentin e Kosovës.)