Çka po festojmë, kënd po e pasojmë?



Të nderuar vëllezër besimtarë

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë.

Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.


Vëllezër të dashur

Hutbeja e sotme titullohet: Çka po festojmë, kënd po e pasojmë?

Shumë të rinj dhe të reja muslimane, por mjaftë edhe më të moshuar, tashmë kanë filluar të mendojnë se ku dhe si do ta bëjnë festimin e Vitit të Ri, si do ta nderojnë Shën Nikollën, e pastaj ta festojnë edhe Ditën e Shën Valentinit.

Cili është hapi ynë i fundit në pranimin e parimeve dhe traditave fetare të huaja? Një nga arsyetimet më të shpeshta që ne dëgjojmë është dëshira që të jemi në përputhje me postulatet moderne.

Çka do të thotë të jesh modern?

Ta lësh besimin tënd dhe bindjet tuaja, ta festosh Baba Dimrin dhe Shën Valentinin, të bësh veprime të pamoralshme, ta ekspozosh trupin lakuriq?

Në të vërtetë, është konfirmuar hadithi i Pejgamberit s.a.v.s., që e transmeton nga Ebu Seid el-Hudri r.a., ku thuhet: "Ju do t'i ndiqni zakonet e popujve para jush, pëllëmbë për pëllëmbë, krah për krah, deri atje sa që sikur ata të hyjnë në një vrimë hardhuce, edhe ju do të hynit pas tyre"! "A janë ata hebrenjtë dhe të krishterët?" - pyetëm ne. "Po kush tjetër?", u përgjigj Muhamedi s.a.v.s..

Natyrisht, ne duhet t'i respektojmë edhe fetë tjera edhe zakonet e ndryshme. T'i respektojmë, por jo edhe t'i përvetësojmë dhe t'i ndjekim ato. Është e çuditshme dhe hipokrite të besosh në një Zot, të jesh pjesëtar i Islamit, ta shprehësh dashurinë për Muhamedin s.a.v.s., ndërsa në të njëjtën kohë, t'i festosh festat që nuk kanë kurrfarë baze në fenë tonë, mu ashtu siç është hipokrite ta dëshmosh Islamin, kurse ta refuzosh dhe të tallesh me shaminë, duke e konsideruar si akt primitiv dhe të prapambetur, që lidhet vetëm për kohën e Pejgamberit s.a.v.s..

Si udhërrëfyes na është lënë Kur'ani, por edhe sunneti i cili na jep shpjegim dhe udhëzim për çdo veprim.

Sahabët - shokët e Pejgamberit s.a.v.s., gjithmonë kanë qenë të vetëdijshëm për faktin se dashuria ndaj Pejgamberit s.a.v.s. nuk bazohet vetëm me fjalë. Para së gjithash, ajo është e kushtëzuar me ndjekjen e rrugës së tij dhe me zbatimin praktik të këshillave, të udhëzimeve dhe mesazheve të tij në të gjitha aspektet e jetës.

Ta duash Pejgamberin s.a.v.s., do të thotë, ta imitosh dhe ndjekësh atë, në raportin e tij me Allahun, në moralin dhe sjelljet e tij, në veprimet e tij gjatë kryerjes së detyrave fetare dhe të aktiviteteve të përditshme siç është: kremtimi i festave, ngrënia, pirja, gjumi, tregtia, marrëdhëniet me prindërit, me të afërmit, me jomuslimanët etj..

Është e papranueshme që të deklarojmë se e duam Pejgamberin s.a.v.s., ndërsa me atë rast ta neglizhojmë dhe ta injorojmë sunnetin, dhe si udhërrëfyes të marrim (jo) vlera tjera, të pranuara dhe të marra nga ata që nuk e njohin si pejgamber të Zotit.

Në një hadith që e shënon Muslimi thuhet se në një rast një njeri në prani të Pejgamberit s.a.v.s. po hante (ushqim) me dorën e majtë, dhe Pejgamberi s.a.v.s. e urdhëroi që të hante me dorën e djathtë siç e kërkon sunneti, por ai nga krenaria dhe arroganca refuzoi ta dëgjonte.

Ai thjesht tha: "Unë nuk mundem"! Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. i thotë: "Mos mundsh"!

Pas kësaj lutjeje, këtij njeriu iu paralizua dora dhe ai më nuk mund ta çonte deri te goja!

Çka do t'i thoshim ne Pejgamberit s.a.v.s. për shumë dukuri dhe praktika të përmendura më lartë, të cilat janë në kundërshtim me sunnetin e tij?

Natyrisht se ne nuk mund të jemi të përkryer, sepse kjo nuk është karakteristikë e njerëzve. Mirëpo, ne duhet për çdo ditë të nxjerrim udhëzime nga thesari i Pejgamberit s.a.v.s., në mënyrë që ta zbukurojmë dhe ta përmirësojmë personalitetin, karakterin dhe veprimet tona. Si të tillë do t'i sjellim të mira edhe shoqërisë, por edhe vetvetes, sidomos në Ditën e Gjykimit, kur edhe një vepër e vogël mund të jetë vendimtare, në momentin kur Allahu do ta pyes xhehenemin: يَوْمَ نَقُولُ لِجَهَنَّمَ هَلِ امْتَلَأْتِ وَتَقُولُ هَلْ مِن مَّزِيدٍ - "A je mbushur? E, ai thotë: A ka ende?", (Kaf, 30).

Hasan el-Basriu i mençur ka thënë: Po si të mos qaj? Nëse në dyert e kësaj xhamie do të shfaqej një prej shokëve të Pejgamberit s.a.v.s., tek ne nga Islami nuk do të vërente asgjë tjetër përveç kësaj Kibles sonë, ku ne kthehemi në namaz!

Dëshirat boshe e kanë shkatërruar botën.

Çka është kjo? Po shoh njerëz, por nuk po e shoh mendjen e tyre, po e dëgjoj zërin, por nuk po e shoh mikun. Bota ka hyrë në fe, pastaj ka dalë prej saj. Ata e dinë se çka është mirë, por mirë nuk punojnë. Ata e dinë çka është e ndaluar, por e veprojnë atë. Fenë e kanë vetëm në gjuhë!


Vëllezër të dashur

Mos të lejojmë të jemi pjesë e kësaj kategorie të njerëzve.

Le ta ndjekim rrugën e drejtë, rrugën e Pejgamberit s.a.v.s. dhe t'i ndërtojmë veprimet tona sipas sunnetit.

Le të jemi nën flamurin e Muhamedit s.a.v.s..

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t'i përballojmë!

Fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e kanë përcjellë dritën e Islamit! Fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë!



Përshtati: Miftar AJDINI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...