Ana e errët e Vatikanit, një histori dhe orgji pas mureve të shenjta
Aty ku ra një perandori, u ngrit një tjetër perandori. Por nëse e para ishte perandori lufte e pushteti ushtarak, e dytë ishte një perandori shpirtërore. Cila është historia e Vatikanit, shtetit brenda shtetit, pushteti i të cilit në sferën ndërkombëtare s'krahasohet aspak me masën e tij territoriale. Gazeta "Tirana Observer" iu sjell një speciale të rrallë.
Historia
Perandori Kaligula (37-41) nisi ndërtimin e cirkut në këtë zonë, i cili u përfundua më pas nga Neroni "Circus GAii et Neronis", i quajtur thjesht Cirku i Neronit. Obelisku i Vatikanit fillimisht u mor nga Heliopolis nga Kaligula, për të dekoruar cirkun e tij dhe është mbetja e fundit e dukshme. Kjo zonë u bë pjesë e martirizimit të shumë të krishterëve pas zjarrit të madh të Romës në vitin 64. Ky është vendi ku u kryqëzua dhe Shën Pjetri. Përballë cirkut ishte një varrezë e ndarë nga rruga "Cornelia".
Varret dhe mazoleumet, si dhe altaret e zotave paganë të të gjitha llojeve u ndërtuan dhe qëndruan aty deri përpara ndërtimit të Bazilikës Konstantiniane të Shën Pjetrit në gjysmën e parë të shekullit të katërt. Mbetjet e këtij nekropoli të lashtë kanë dalë në dritë në mënyrë sporadike, gjatë rinovimeve të ndryshme nga papë të ndryshëm nëpër shekuj, me frekuencë më të lartë gjatë Rilindjes, deri sa nisën gërmimet sistematike me urdhër të Papa Piut XII nga viti 1939-1941.
Në vitin 326, kisha e parë, Bazilika Konstantiniane u ndërtua në zonën, ku arkeologët e shquar italianë pranojnë se është varri i Shën Pjetrit. Që atëherë, zona filloi të bëhej më e populluar, por më së shumti nga shtëpi të lidhura me aktivitetin e Shën Pjetrit. Një pallat që filloi të qeveriste rajonet përreth dhe nëpërmjet strukturës papnore qeverisnin një pjesë të madhe të gadishullit italian për më shumë se një mijë vjet, deri në mesin e shekullit të 19-të, kur pjesa më e madhe e shteteve papnore u formuan mbretërinë e re të Italisë. Në këtë kohë, Vatikani nuk ishte banesa e zakonshme e papëve, por pallati "Lateran" dhe më vonë ai "Quirinal", ndërkohë që rezidenca, nga viti 1309-1377 ishte në Avinjon, Francë.
Në vitin 1870, zotërimet e papës u përballën me një situatë të pasigurt, kur Roma u aneksua nga forcat, të cilat kishin bashkuar pjesën tjetër të Italisë. Nga viti 1861-1929 statusi i papës konsiderohej si "Çështja Romake". Ato nuk shqetësoheshin në pallatin e tyre dhe kishin një farë statusi, duke përfshirë të drejtën për të dërguar dhe pritur ambasadorë. Por ato nuk e njihnin të drejtën e mbretit italian për të qeverisur në Romë dhe refuzuan të largoheshin nga Vatikani derisa çështja u zgjidh, në vitin 1929. Shtetet e tjera vazhduan ta njohin në rang ndërkombëtar Selinë e Shenjtë, si një njësi sovrane. Në praktikë, Italia nuk bëri asnjëherë përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e Selisë së Shenjtë, brenda mureve të Vatikanit.
Sidoqoftë, shumë prona të kishës në vende të tjera u konfiskuan, duke përfshirë dhe pallatin "Quirinal", dikur banesa zyrtare e papës. Papa Pio IX, udhëheqësi i fundit i shteteve papnore pretendonte se pasi Roma u aneksua ai ishte "i burgosur në Vatikan". Kjo situatë u zgjidh më 11 shkurt 1929 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Italisë. Traktati u nënshkrua nga Benito Mussolini, në emër të mbretit Victor Emmanuel III dhe Sekretari Kardinal i Shetit, Pietro Gasparri si përfaqësues i Papa Pio XI. Traktati përcaktonte pavarësinë e Shtetit të Vatikanit dhe i jepte katolicizmit status special në Itali. Në vitin 1984, një marrëveshje e re mes Selisë së Shenjtë dhe Kishës modifikoi disa kushte të vjetra, duke përfshirë pozicionin e katolicizmit si besim shtetëror në Itali.
Sistemi politik
Qeveria e Vatikanit ka një strukturë unike. Papa është sovrani i shtetit. Autoriteti legjislativ zbatohet nga Komisioni Peshkopal i Vatikanit, një trup kardinalësh të caktuar nga Papa, për një periudhë pesë-vjeçare. Pushteti ekzekutiv është një duart e presidentit të këtij komisioni, i asistuar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Zëvendëssekretari i Përgjithshëm.
Marrëdhëniet e jashtme të shtetit i janë besuar Sekretariatit të Selisë së Shenjtë dhe shërbimit diplomatik. Sidoqoftë, papa ka pushtet të plotë ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor mbi Vatikan. Ai është aktualisht i vetmi monark absolut në Evropë. Gjithashtu, ka departamente specifike që merren me shëndetësinë, sigurinë dhe telekomunikacionin.
Marrëdhëniet diplomatike
Vatikani është një territori i njohur kombëtar sipas ligjit ndërkombëtar, por është Selia e Shenjtë që kryen aktivitetin e marrëdhënieve diplomatike në emër të tij. Vatikani, thuajse nuk ka shërbim diplomatik vetjak. Ambasadat e huaja në Selinë e Shenjtë janë të vendosura në qytetin e Romës. Influenca e madhe në çështjet botërore është në përpjesëtim krejtësisht të zhdrejtë me masën fizike të Vatikanit.
Ekonomia
Ekonomia unike, jo komerciale mbështetet financiarisht nga kontributet e katolikëve në gjithë botën, me shitjen e stampave postare dhe relikeve turistike, tarifave për vizitimin e muzeve dhe shitjen e botimeve. Të ardhurat dhe standardet e jetesës së punonjësve janë të krahasueshme, ose disi më të mira se ato të homologëve të tyre që punojnë në qytetin e Romës. Vatikani ka gjithashtu bankën e tij "Istituto per le Opere di Religione".
Popullsia dhe gjuhët
Thuajse gjithë banorët e Vatikanit jetojnë brenda mureve të Vatikanit ose shërbejnë në ambasadat e Selisë së Shenjtë nëpër botë. Popullsia e Vatikanit përbëhet nga dy grupe: kleri, pjesa më e madhe e të cilit është në shërbimin e Selisë së Shenjtë dhe disa zyrtarë të shtetit, si dhe rojet zvicerane.
Shumica e tre mijë punëtorëve, të cilët përbëjnë forcën punëtore të Vatikanit jetojnë jashtë Vatikanit dhe janë shtetas italianë përgjithësisht. Si rezultat, gjithë banorët e Vatikanit janë katolikë. Vatikani nuk ka asnjë gjuhë zyrtare. Në legjislacion dhe komunikim zyrtar përdoret gjuha italiane. Në Gardën Zviceriane përdoret gjuha gjermane, ndërkohë që faqja zyrtare e internetit të Vatikanit është në italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht.
Dy kampet që luftojnë kundër njëri-tjetrit, pastrimi i parave të pista nga banka e Vatikanit
Kisha Katolike numëron 265 Papë në historinë e saj 2000 vjeçare, por jo të gjithë pasardhësit e Pjetrit ishin shenjtorë. 30 vdiqën si martirë, katër në mërgim ose në burg, gjashtë u vranë, njëri madje në krevat nga burri i të dashurës. Përsëri e gjithmonë dëgjojmë për thashetheme dhe skandale, madje edhe për krime.
Vatikan, Vatikrim, Vatileaks: a është zemra e Kishës Katolike në fakt një gropë gjarpërinjsh? A janë në Romë në pushtet forca të errëta, që lajnë duart me çdo Papë, që nuk u përshtatet atyre? Gjithmonë e më qartë zbulohet një betejë e hidhur për pushtet në Kolegjin e Kardinalëve. Ka dy kampe, që punojnë kundër njëri-tjetrit, natyrisht të mbuluar, por të ndarë në aleanca dhe intriga.
Edhe gjatë drejtimit të Papa Benediktit XVI, ato u përpoqën që të shtyjnë përpara interesat e tyre. Menjëherë pas zgjedhjes, Benedikti vendosi në postet kyçe njerëzit e besuar, si për shembull Tarcisio Bertne. Ai mori përsipër si Sekretar i Shtetit politikën dhe diplomacinë.
Beteja mes të besuarve të Papës dhe kundërshtarëve të tij shpërfaqet hapur nga kriza në bankën e Vatikanit, IOR. IOR menaxhon një pasuri gjigande, rreth 10 miliard euro, mes tyre pasuri të patundshme në mbarë botën. Kaq shumë para janë padyshim të rrezikshme edhe për njerëzit e Kishës. Pas thashethemeve të këqija për pastrim parash dhe kontakte me mafien, Papa dërgoi në vitin 2009 ekspertin e ekonomisë, Ettore Gotti Tedeschi për të rregulluar gjërat në IOR.
Por mbikëqyrja dhe rregullat e tij për transparencë injorohen shpesh dhe në vitin 2012 ai jep dorëheqjen, pas përplasjeve me Bertonen. Ditën tjetër fluturon nga detyra mazhordomi Paolo Gabriele. Paolo kishte hyrë vjedhurazi në dhomën private duke marrë materiale nga tavolina e Papa Benediktit XVI. Pasi kontrollonte me sy disa herë, futej pa zhurmë brenda, duke bërë punën e tij. Lexonte letrat private, studionte dokumentet sekrete, hapte sirtarët. Dokumentet më të rëndësishme i fotografonte. Pastaj i vendoste sërish të gjitha letrat në vendet e tyre me kujdes dhe largohej nga dhoma.
Paolo Gabriele është dënuar, por punëdhënësit e tij mbeten të panjohur për publikun deri më tani. A i ka treguar ai ato për policinë? A i njeh Benedikti emrat e tyre? Letrat që ai kishte vjedhur flisnin kryesisht për makinacionet e dyshimta të Bankës së Vatikanit. Ajo bankë që dikur ishte implikuar në një komplot të dyshimtë për vrasje. Dhe thashethemet nuk reshtin.
Një plan për të hetuar pastrimin e parave duket se i ka kushtuar edhe jetën Papa Gjon Palit të Parë. Ishte 29 shtator 1978, ora pesë e mëngjesit. Murgesha që kujdesej për Papën, Motër Vincenza, futet në dhomën e gjumit të tij. Ajo ishte e shqetësuar pasi një natë më parë, Papa, që kishte vetëm 33 ditë në detyrë, ishte ankuar për kollë dhe dhimbje. Përpara syve i shfaqet Papa, i shtrirë në krevat, me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë dhe me një dokument në dorë, por ai është i vdekur pas një ataku kardiak. Kështu shkruhet në certifikatën e vdekjes. Por për shkak se familja dhe Vatikani e refuzuan një autopsi, lulëzuan teoritë konspirative.
Anglezi David Yallop shkruante në vitin 1984 se Papa ishte helmuar, pasi kishte rënë në gjurmë të makinacioneve të korruptuara të Bankës së Vatikanit. Si vrasës, ai akuzonte kardinalin francez Jean-Marie Villot. Ai e kishte vrarë Papën, që donte ta shkarkonte, me një helm në pije. Vetë Kardinali do deklaronte më vonë se Papa kishte marrë më shumë mjekim nga sa duhej. Është një nga këto krime që tregon se jo vetëm në Mesjetë, por edhe sot në Vatikan ka skandale, afera dhe lojëra për pushtet, që nuk e lënë të qetë shtetin e vogël. Ndoshta janë pikërisht këto që i kanë shterur fuqinë Papa Benediktit XVI. Fuqi që tani i mungon.
Papa i vrarë në krevatin e dashnores
Është errësirë kur konti kthehet në kështjellën e tij, dy orë me kalë larg nga Roma. Negociatat me Vatikanin kishin përfunduar shpejt dhe konti i devotshëm mezi priste të kthehej tek gruaja e tij e re. Në kështjellë është qetësi, por nga dhoma e gruas dëgjohen rënkime të lehta. I alarmuar, i zoti i shtëpisë hap derën dhe sheh: Bukuroshja e tij nuk është vetëm në krevat. I tërbuar nga zemërimi, me gjithë fuqinë e tij godet në kokë personin që ishte në krevat.
Kur drita e llambadarit bie mbi fytyrën e të goditurit, ai mbetet pa frymë: mëkatari është vetë shenjtëria e tij, Papa Gjoni XII, sundimtar i Romës, përfaqësues i Zotit në Tokë dhe kreu i krishterimit. Shërbëtorët nxitojnë për ta vendosur të dëmtuarin në krevat. Një mjek vjen me shpejtësi. Por Papa nuk jetoi më shumë se një javë. Ndërsa vetëdija nuk iu kthye as gjatë kësaj kohe.
* * *
Sot është një sensacion kur një Papë paraqet dorëheqjen. 1100 vjet më parë ishte diçka normale, vetëm se shumica e pasardhësve të Pjetrit nuk hiqnin dorë vullnetarisht nga detyra: vetëm në 20 vite mes viteve 896 dhe 916 janë 12 Papë të zhdukur, të mbyllur në manastir ose nën tokë. Por këta mëkatarë nuk janë asgjë me periudhën e Mesjetës. Në shekullin e 10-të në Vatikan ekzistonte një gjendje që historianët e përshkruajnë me terma si "pornokraci" apo "regjimenti i kurvave".
Në fokus është e bukura dhe e keqja Marozia (892-932). Ajo kishte tre dashnorë dhe një nga ta u bë Papë: Serxhio III. Që në moshën 22 vjeçare ajo kishte kontrollin mbi shtetin kishtar. Edhe nëna e motra e saj ishin dashnore të njerëzve të fuqishëm. "Ajo filloi me kujdes të përdorte Papët e madje t'i vriste", shkruan një kronist i kohës. Të gjithë kandidatët vinin nga familjet e përçara fisnike të Romës. I preferuari i Marozia-s, Serxhio III, vrau tre Papë. Madje vendosi një rekord të tmerrshëm: në përplasjet për zgjedhjen e Papës, përkrahësit e tij zhvarrosën Papën Formosus, të vdekur përpara 11 muajsh, e vendosën kufomën e tij në një bankë të akuzuarish, e dënuan, e gjymtuan dhe e hodhën në Tiber. Me vendimin për paraardhësin e tij të vdekur, Papa vrasës mund të legjitimonte sundimin e tij.
* * *
Në këtë kohë Vatikani ishte si një bordello. Kardinalët bënin festa dhe orgji. Por kur Marozia kërkoi që të bëhej perandoreshë, i biri i saj, Alberich, nuk e pranoi. Ai nis një luftë kundër mamasë së tij dhe e flaku atë në burg, ku vdiq në mjerim, pa i mbushur akoma 40 vjet. Pesë Papët e tjerë janë marionetat e Alberich. Duke vdekur, ai vendosi djalin e tij 16 vjeç në fron si Papa Gjoni XII: ai bëhet më i keqi i të gjithëve, një simbol i Papës së padenjë. Historianët e quajnë atë një nga personazhet më të mjerueshëm dhe më të neveritshëm që ka luajtur rol ndonjëherë në Kishë. Papa ftonte miqtë e tij në orgji masive në Vatikan dhe paguante qindra prostituta me thesaret e Kishës. Peshkopi Liutprang i Kremonës ka shprehur keqardhje për vrasjet, gjymtimet, tradhtitë, incestin, simoninë, bixhozin, dëshmitë e rreme dhe blasfemitë në këtë kohë. Uria për pushtet e Marozia bëri që më vonë të thuhej se dikur kishte qenë një Papë femër, "Xhoana".
Borgiat-orgji, helmime dhe inceste pas mureve të shenjta
Vatikani është në gjumë të thellë, por në banesën e Papës shkëlqejnë dritat e shandanëve të çmuar. Salla e mbingarkuar me vepra arti gjëmon nga të qeshurat dhe gromësimat e të dehurve: kreu i krishterimit ka miq.
Miqtë e shquar janë priftërinj, peshkopë e kardinalë. Zonjat në fakt nuk janë dhe aq të nderuara. Ato vijnë nga bordellot e Romës. 25 prostitutat më të bukura janë rezervuar për Papën. Ata çiftëzohen në sy të të gjithëve duke ndërruar vazhdimisht partnerët deri në orët e para të mëngjesit.
Në kohët më të errëta të Kishës, Vatikani nuk është vetëm një shpellë kusarësh, por edhe një çerdhe e paudhësisë: Papa Aleksandri VI (1431-1503) e ktheu vendin e shenjtë të krishterimit në vendin më imoral në botë. "50 prostituta të pashme, jo të zakonshme, por nga ato që thirreshin kurtizane, ishin aty", theksonte Johannes Burckard, peshkopi i Ostias, pretonotar i Selisë së Shenjtë dhe Mjeshtër i Ceremonive në kurinë romake. "Pasi hanin darkë, fillimisht ato kërcenin me rroba në trup dhe më pas zhvisheshin. Më vonë shpërndaheshin lajthi dhe kurtizanet e zhveshura zvarriteshin nëpër dysheme dhe i mblidhnin ato me buzë".
Papa është mësuesi i tyre më me përvojë: ai është fisniku spanjoll Rodrigo Borgia, i derës së famshme. Bashkëkohësit e përshkruajnë si një burrë të pashëm dhe një pushtues të papërmbajtshëm. Ishte i madh, i fuqishëm dhe me sytë e përgjumshëm.
Që në moshën 25 vjeçare, Rodrigo u bë kardinal dhe u zhyt në jetën e egër. Përmes pasurisë gjigande që kishte prej tokave, ai u bë i famshëm për qejfin e shfrenuar.
Kur ishte 61 vjeç, Rodrigo Borgia kishte grumbulluar mjaftueshëm pasuri sa për të blerë kolegjin e kardinalëve dhe për t'u zgjedhur Papë. Rivalët i heq nga rruga duke i helmuar. Në këtë mënyrë bien edhe bastionet e fundit të devotshmërisë dhe moralit.
Menjëherë sapo zgjidhet Papë, nis një tregti të fuqishme me objektet dhe parimet fetare. Me shumë dëshirë ai nis që të shkëmbejë mëkatet përkundrejt pagesës: kështu, një fisniku italian ai i shet për 24 mijë copa ari të drejtën kishnore për të bërë seks me të motrën.
E dashura e tij, Giulia Farnese është 16 vjeç, por është e martuar, kur fle për herë të parë me të. Si falënderim, ai ia bën të vëllain kardinal. Në atë kohë romanët e quanin bukuroshen "gruaja e Krishtit", kurse vëllain e saj "kardinali i p ...". Ai ngjizi një numër fëmijësh me gratë e panumërta me të cilat shkonte.
Tre prej fëmijëve të tij kanë hyrë në histori: Cesare, Giovanni dhe famëkeqja Lucrezia Borgia (1480-1519). Djemtë përdorin pushtetin e babait për të gjetur bukuroshe. Vajza ia jep veten atij. Më vonë Lucrezia Borgia shkon në krevat edhe më vëllain e saj, Cesare.
Historiani Ferdinand Gregorovius e quan atë femrën më fatkeqe në historinë moderne. Vajza e Papës rritet e bukur mes murgeshave. "Ajo është mesatare për gjatësi, por ka forma të këndshme", shkruan një bashkëkohës. "Ka hundë të prerë bukur, flokët e artë, gojën e madhe, dhëmbët e bardhë dhe të shndritshëm, qafën e hollë dhe të bukur, gjinjtë e formuar mrekullueshëm". Babai i saj e marton atë tre herë në mënyrë të kalkuluar me njerëz të fuqishëm. Kur u fejua për herë të parë ishte 11 vjeç. Burri i saj vdes nga helmimi, për të cilin janë të famshëm Borgiat. Burrin e dytë e vret vëllai Cesare, që kishte një fëmijë ndërkohë me motrën e tij.
Por Lucrezia nuk është vetëm e bukur, por edhe e zgjuar. Ajo bëhet përfaqësuesja e Papës dhe drejton Selinë e Shenjtë derisa zhvendoset me burrin e tretë, Dukën e Este-s në Ferrara. Fundi i babait të saj të pashenjtë është njësoj si jeta: Pas një feste të tepruar, trupi i tij u fry dhe më pas u bë i zi. Thashethemet thoshin se ai vdiq ngaqë e mori djalli. Kurse shkencëtarët thonë se ai ra viktimë e helmit të tij. Cesare është po kaq përbindësh sa babai. Ai vret vëllain e tij, Giovanni, nga xhelozia pasi ai kishte gjetur një bukuroshe ekzotike nga Spanja për Papën. Lucrezia promovon artistët e shkencëtarët, jep për të varfrit dhe të sëmurët, i jep të shoqit tetë fëmijë, vdes gjatë lindjes së të nëntit dhe më pas nderohet si një e shenjtë, ndërkohë që vendi pikëllohet.
Historia e Vatikanit përmes shekujve, nga teksti i censuruar te templarët
Vatikani, sekrete përvëluese nga dhomat e errëta
Arkivi i fshehtë i Vatikanit ruan një pasuri unike në botë. Në 85 kilometrat e rafteve të tij, në fakt, janë vendosur dorëshkrimet origjinalë që kanë shënuar historinë e Kishës, por jo vetëm, duke filluar nga shekulli VIII: bëhet fjalë për dekrete shkishërimi, proces verbalë (për procese si ai kundër Templarëve), privilegje perandorakë e shumë të tjerë.
Ndodh, ndonjëherë, që të mundësh të rijetosh kohëra të largëta nga dëshmitarë okularë dhe pa artificin e realitetit virtual. Një rast i jashtëzakonshëm, pikërisht në këtë kuptim, shfaqet këto kohë nëpërmjet dokumenteve sensacionalë të ekspozuar për herë të parë për publikun në Muzetë Capitolini të Romës, në Campidoglio: që nga Dictatus Papae i Gregorit VII tek dekreti i dëbimit për Frederikun II, që nga aktet e procesit kundër Templarëve francezë deri tek miratimi i rregullit të San Francesco d'Assisso, që nga Privilegium i Ottonit I deri tek origjinali i Concordato di Worms, nga Unam Sanctam e Bonifacit VIII deri tek akti i shkishërimit të Martin Luterit.
Ekspozita epokale që mban emrin Lux in arcana, përmban 100 dorëshkrime të çmuara me burim Arkivin e Fshehtë të Vatikanit dhe parashtron ngjarjet e mëdha të historisë së Kishës, nga Mesjeta deri në Nëntëqindën. Vetëm disa studiuesve të përzgjedhur, për qëllime kërkimesh shkencorë, u ishte lejuar në të kaluarën të admironin këta tekste. Askush, në fakt, nuk kishte mundur ndonjëherë të konsultonte dokumentet në të ashtuquajturën "periudhë e mbyllu", pra nga 1939 deri në ditët tona, edhe këta të shfaqur në itinerarin e ekspozitës.
Zgjedhja e vendit të ekspozimit ka një domethënie simbolike të veçantë: Lindja e Muzeve Capitolini në fakt i detyrohet një Pape, Sisto IV i cili në vitin 1471, i dhuroi disa thesare të rëndësishme artistike dhe arkitektonikë qytetit të Romës. Me iniciativë të vetë Sisto IV papët kishin filluar të ruanin në një vend të sigurtë dokumentet e historisë së Kishës, shumë kohë përpara krijimit të Arkivit të Fshehtë, duke u lënë kështu pasardhësve një pasuri shumë të madhe dëshmish të drejtpërdrejta.
Ekspozita është e ndarë në seksione tematikë. Çdo dorëshkrim është i shoqëruar nga materiale multimedialë, të nevojshëm për të inkuadruar kontekstin e gjerë historik. Mund të thellohesh më tej me ndihmën e teknologjive të reja duke shkarkuar, për shembull, një aplikacion në smartphone apo në tablet. Pothuajse të gjithë seksionet kanë dokumente të shumtë të periudhës mesjetare, që po i paraqesim në mënyrë të detajuar dhe në mënyrë kronologjike. Është si të shfletosh, që nga fillimi, faqet e një libri magjik, autorët e të cilit janë aktorët protagonistë të historisë së rrëfehet.
Teksti i censuruar
Analiza e shkrimeve që i përkasin epokës së Mesjetës fillon me një formular letrash papnore të shekullit VIII që shkaktuan skandal në mjediset eklesiastike. Teksti, me emrin Liber diurnus Romanorum Pontificus, sjell një dënim formal të shprehur nga Këshilli i Tretë i Kostandinopojës i vitit 680, kundër papës Onorio I, i konsideruar përgjegjës se kishte favorizuar, ndonëse në mënyrë indirekte, përhapjen e monotelizmit (tezë heretike që pohonte praninë në Krisht të vetëm vullnetit hyjnor). Ai dënim përbënte një pikëmbështetje të rëndësishme për ata që kontestonin parimin e pagabueshmërisë së Papës dhe mbizotërimin e linjës së tij politika ndaj vendimeve të këshillave. Ja përse publikimi i formularit, i transkriptuar në vitin 1646 nga një studiues gjerman pas një serie rrethanash misterioze, u bllokua nga censura eklesiastike. Në 1700 origjinali gjeti vend në Arkivin e Vatikanit dhe vetëm në 1889 u bë i mundur publikimi.
Një prej "xhevahirëve" të ekspozitës i përket shekullit X dhe sjell një epokë dobësie të papëve kundrejt perandorisë: bëhet fjalë për pergamenin shumë të bukur ngjyrë të purpurt e me gërma të arta që përmban tekstin e Privilegium të Ottone I. Me këtë akt Papa, në një moment të parë, mori prej perandorit gjermanik njohjen e parë të pronave të Kishës në gadishullin italian.
Marrëveshje e befasishme
Papa i atëhershëm, Giovanni XII kishte lidhur një miqësi të fortë politike me Ottone, sepse i trembej ekspansionizmit të Mbretit Berengario II i Ivreas. Por, pak kohë më vonë, Giovanni bëri një marrëveshje të befasishme me të birin e Berengarios, Adalberto, duke u përpjekur që të ndërtonte një bllok antigjerman me mbështetjen e Kostandinopojës dhe mbretërisë së Hungarisë. Ottone, i irrituar nga tradhëtia, arriti me nxitim të madh në Romë në vitin 963 dhe dëboi papën: që nga ai moment e tutje, perandori do të mund të ndikonte në zgjedhjen e papës, duke rezervuar pushtetin për të vërtetuar zgjedhjen. Kopja kaligrafike që kemi sot i përket vitit 963.
Më pas, udhëtimi të çon në një epokë kur rolet mes Kishës dhe perandorisë duken krejt të përmbysur. Të paktën sipas pohimeve të Dictatus Papae të Gregiorio VII, kopja e të cilit që i përket vitit 1075 ndodhet në seksionin "Tiara e Corona". Me 27 aksiomat që përmban teksti, papa shpallte supremacinë e tij absolute mbi çështjet spirituale dhe gjithashtu mbi ato tokësore, duke i rezervuar Kishës së Romës të drejtën për të rrëzuar perandorët.
Vite të trazuar dhe vendimtarë
Një vëllim shumë i trashë pergamenësh në lëkurë risjell vitet e trazuar e në terr të papatit të Giovanni VIII. Është një kopje e rregjistrit të tij origjinal, transkriptuar në shekullin Xi nga dy murgj në Montecassino të ngarkuar nga Abati Desiderio, që në të ardhmen do të bëhej Papa Vittore III. Nga ata shënime Desiderio kish për qëllim të nxirrte elementë të dobishëm për të rindërtuar fakte të spikatur të biografisë së Giovanni VIII, që sipas tezës së "Annali" të Fuldas kish qenë viktimë e një komploti dhe ishte vrarë brutalisht. Ndjehet ende, në disa shekuj distancë, atmosfera e ngjarjes së madhe, po të vëresh nga afër pergamenin origjinal të Concordato di Worms të vitit 1122, me të cilin i jepej fund "luftës për poste". Firmosur nga sovrani gjermanik Henriku V dhe nga Papa Callisto II, marrëveshje i jepte vetëm Kishës të drejtën e emërimeve eklesiastikë të peshkopëve, ndërkohë që perandorit i takonte ajo feudale. Dokumenti që ka mbijetuar deri sot është kopja që Henriku V i dërgoi Callistos.
Plaçkitja e Zara
Shekulli i XIII për Kishën u hap në mënyrë të trazuar. Në vitin 1202 Papës Innocenzo III iu desh të marrë masa të ashpra kundër besimtarëve që po merrnin pjesë në kryqëzatën e IV. Të hipur në anije veneciane, ushtarët e krishterë kishin kuptuar që nuk kishin mjaftueshëm para për të paguar udhëtimin në Tokën e Shenjtë: kështu që, kishin plaçkitur një qytet të Adriatikut, Zara, duke kryer mizori të parrëfyeshme në një qytet që binte nën juridiksionin e mbretërisë katolike të Hungarisë. Innocenzo III, sapo mori lajmin, nxorri një dekret shkishërimi kundër atyre që kishin marrë pjesë. Ky regjistër pergamenik e ruan të paprekur hieratikizmin e vet dhe të habit për ashpërsinë e disa rreshtave. Disa vite më vonë, pasardhësi i Innocenzo, Onorio III sanksionoi zyrtarisht lindjen e Urdhërit të Fretërve të Vegjël të San Francesco d'Assissi. Dokumentit i shtohet edhe dekreti Solet annuere, që përmbante plot 12 kapituj që i përkisnin jetës së komuniteteve franceskanë. Dokumenti, edhe ai një regjistër pergamenik, është një prej dëshmive më të rëndësishme që përmban seksioni fillestar i ekspozitës.
I të njëjtës periudhë është një dokument që përmban një masë të ashpër kundër heretikëve, i firmosur nga Gregorio IX, statutet Capitula contra Patarenos, botuar në mars 1236. Papa, viktimë e kundërofensicës së mbështetësve të Frederikut II, ishte detyruar të largohej nga Roma në 1228. Por ishte kthyer pak kohë më pas, nën brohoritjet e popullit, në vijim të disa kataklizmave natyrore që romanët i kishin interpretuar si shenjë e një ndëshkimi hyjnor.
Luftë herezive
Gregorio u gjend menjëherë përballë disa emergjencave, mes të cilave përhapja e pakontrolluar e herezive të patarinëve (lëvizje në brendësi të kishës milaneze). Për t'i luftuar, u frymëzua pikërisht nga një Kushtetutë e vjetër e armikut të tij Frederiku II, Cum ad conservandum, që jepte dënim me vdekje për herezinë, apo tortura të tmerrshme. Lindën kështu statutet e përmendur tashmë Capitula contra Patarenos që u jepnin gjykatave laike detyrat e represionit. Kopja e statuteve e ruajtur prej harresës falë Arkivit të Fshehtë të Vatikanit mban datën 7 mars 1236 dhe iu dërgua prej Papës Urdhërit Domenikan, shumë aktiv në atë shekull në praktikën e inkuizicionet.
Lufta mes Frederikut II dhe Kishës përshkoi papate të ndryshëm, por në mënyrë të vecantë ajo e Gregorio IX dhe Innocenzo IV. Këtij të fundit i takoi të firmosë rrëzimin e perandorit, që ishte shkishëruar prej kohësh. Dhe e bëri në vitin 1245, në fundin e Këshillit të Lionit I, me dekretin më të lashtë papnor që ka mbërritur deri në ditët tona, edhe ky mes dokumenteve më pikantë të ekspozitës.
Përpara kremtimit të Këshillit francez, Innocenzo IV mblodhi dhe publikoi plot 91 dokumente të firmosur nga sovranë të ndryshëm, mes të cilëve rezultonte edhe emri i Frederikut II, që vendosnin të drejtat dhe pushtetet e kishës. Ishte një mënyrë për të demonstruar që perandori kish marrë prerogativa politikë që nuk ishin konform kompetencave të tij. Përmbledhja e këtyre dokumenteve, që mban emrin Transunto di Lione, përmbante 17 dekrete. Sot kanë mbetur vetëm shtatë prej tyre, dhe njëri (identifikuar me shenjën A.A., Arm.I-XVIII 95) paraqet 28 vula. Edhe numri i vulave, fatkeqësisht rezulton i reduktuar krahasuar me kopjen origjinale që kishte plot 40 të tilla.
Në pragjet e konklavës
Një letër e shkruar në vitin 1250 nga kalifi i Marokut Abu Hfs Umar al-Murtada drejtuar Papës Innocenzo IV dëshmon për ekzistencën e një marrëdhënie të mirë diplomatike mes njërit prej krerëve më të fuqishëm islamikë dhe Kishës së Romës në atë periudhë. Pergameni përmban një kërkesë të Kalifit sa i përket zgjedhjes së peshkopit të ri për t'u dërguar në dioqezën "e toleruar" marokene në Fez. Al-Murtada vlerësonte shumë peshkopin në ikje, Lope, dhe kërkonte një zëvendësues po aq të aftë. Papa, pas një reflektimi të vëmendshëm, vendosi të konfirmojë Lopen për detyrën delikate, duke kënaqur kalifin. Dokumenti përfaqëson një prej kontakteve të fundit të ngrohtë mes papatit dhe autoriteteve politike të Marokut, përpara një periudhe të gjatë ftohjeje mes dy palëve që zgjati deri në shekullin XIX.
Zgjedhja e një prej pasardhësve të Innocenzo IV, Gregorio X ishte shumë e vuajtur dhe solli një seri të pafundme votimesh të kardinalëve që në atë rast ishin mbledhur në Viterbo dhe ishin ndarë mes filofrancezëve dhe italianëve. Konsultimet vazhduan kaq gjatë saqë bezdisën banorët e qytetit që, pasi pritën disa vite për "tymin e bardhë", vendosën të marrin iniciativën. U futën me forcë në Pallatin e Papëve, duke marrë peng disa kardinalë. Pavarësisht kërcënimeve, këshilli i kardinalëve vazhdoi edhe disa muaj përpara se të orientonte votat e veta tek një kandidat, kleriku Tedaldo Visconti, që në vitin 1271 mori emrin Gregorio X.
Tre vjet më vonë, Papa i ri, për të shmangur përsëritjen e votimeve të pafund, nxorri Ubi periculum, një kushtetutë që reduktonte privilegjet e prelatëve gjatë votimeve. Veç kësaj vendosi që konsultimet do të kryheshin në një vend të mbyllur, në mungesë të kontakteve me jashtë. I shpallur gjatë Këshillit të Lionit II në 1274, ky dekret solli praktikën e konklavës dhe në momentin e parë hasi në rezistencën e kardinalëve. Në kopjen që ka mbijetuar deri sot vërehen 27 vulat që vërtetojnë aprovimin e dokumentit nga prelatë të shumtë të pranishëm në këshillin francez.
Një patriark jo i lumtur
Një pergamen i prillit 1277, i firmosur nga arkivisti i patriarkatit të Kostandinopojës, Joannis Vekkos, tregon një histori të çuditshme. Autori, që ishte kundër hipotezës së një bashkimi të ri mes Kishës së Romës dhe asaj të Kostandinopojës, përfundoi në burg për shkak të pozicioneve të tij përçarës, që atëherë kundërshtoheshin nga perandori Michele VIII Paleologo. Arkivisti, në burg, ndryshoi qëndrim dhe u bë mbështetës i bashkimit të dy Kishave. Pasi u bë patriark i Kostandinopojës, deklaroi publikisht se Bizanti duhej të shkrihej sërish me krishtërimin perëndimor dhe i shkruajti Papës Giovanni XXI. Në letër, që ka mbërritur në gjendje të mirë deri sot, spikat firma e Vekkos, në krah të një kryqi të vogël. Ëndrra e tij u shkatërrua disa vite më vonë, kur në fronin e Bizantit hipi perandori Andronico II, i cili ishte kundër procesit të afrimit me papatin. Dhe për patriarkun u rihapën dyert e burgut.
Një dokument me 11 vula dylli të kuq i komunikoi Celestino V zgjedhjen e tij si Papë. Letra zyrtare, e dërguar më 11 korrik 1294, zgjidhte situatën e radhës të impasit në tratativat mes kardinalëve për zgjedhjen e Papës së ri. Celestino modest, mblodhi kardinalët që ia jepnin mesazhin në gjunjë. Nuk ndihej i gatshëm që të merrte përgjegjësi kaq të madhe dhe e pranoi me shumë hezitim detyrën. Pas vetëm 4 muajsh, dorëzoi mandatin në duart e kardinalëve. Krejt ndryshe ishte pasardhësi i Celestinos, Bonifacio VIII, që botoi në vitin 1302 manifestin e teokracisë papnore të Mesjetës: Unam Sanctam, që teorizonte në mënyrë edhe më të vendosur supremacinë e Kishës mbi perandorinë edhe në cështjet e kohës. Në kopjen origjinale, të ekspozuar tashmë, shfaqet shpesh herë në tekst një frazë me ngjyrë të kuqe: "Declaratio quod subesse romano pontifici est omni humanae creaturae de necessitate salutis" (nënshtrimi ndaj papatit roman është i domosdoshëm për shpëtimin e çdo krijese njerëzore). Bonifacio VIII donte të theksonte se cila ishte ideja kryesore e argumenteve të tij.
"Rrëzimi" i templarëve
Seksioni "Heretikë, kryqëzata dhe kalorës" ka si protagonistë dy dokumente të nxjerrë nga procesi kundër Templarëve të Francës. I pari, një pergamen i vitit 1308 përmban proces verbalin e marrjes në pyetje të pjesëtarëve më të rëndësishëm të Urdhërit, kryer nga të dërguarit e Papës Clemente V. Kalorësit, e arrestuar nga Mbreti Filipi i Pashëm dhe të mbyllur në Kështjellën e Chinon, siguruan në atë rrethanë shfajësimin, në këmbim të rrëfimit të krimeve. Papa donte me çdo kusht nënshtrimin e Templarëve ndaj gjykimit laik dhe procedurave të inkuizicionit francez, por hasi në vullnetin e Filipit që pretendonte ndëshkime ekzemplarë.
Procesi, në fund, u mbështet nga Papa në 1309, por megjithatë ai nuk arriti të shpëtojë të akuzuarit. Shumë dëshmi shprehnin me vendosmëri që Urdhëri nuk kish lidhje me krerët e fajësuar, duke e përkeqësuar paradoksalisht situatën. U profilizua në fakt një tërheqje në masë për nga rrëfimet që templarët francezë kishin bërë përpara gjykatësve të Inkuizicionit dhe të dërguarve të Papës, me rrezikun që të ndeshnin në krimin e rëndë të Relapsit. 54 kalorës, për shkak të tërheqjes së tyre, përfunduan në turrën e druve, të dënuar nga një këshill provincial. Ekzekutimi shtyu pjesëtarë të tjerë të Urdhërit që të rrëfenin spontanisht përpara magjistratëve, duke konfirmuar fajin e tyre mes mijëra dyshimeve. Plot 231 nga këto deklarata në një pergamen të gjatë 60 metra, shfaqen sot përpara publikut në një hapësirë të madhe.
Një prej akteve të lindjes së Universitetit të famshëm të Cambridge është një dekret papnor (Inter singula) i vitit 1318, i ruajtur në mënyrë të përsosur. Giovanni XXII e nxorri me kërkesë të mbretit anglez Eduardi II, që i kërkonte kishës njohjen e të gjithë privilegjeve të dhënë në mënyrë të përkohshme universitetit, në mënyrë të veçantë statusin e Studium generale (domethënë i hapur për studentët e të gjithë botës). Sipas legjendës, Universitetin e Cambridge e themeluan disa studentë në arrati nga Oxfordi pas dënimit të padrejtë me vdekje të disa shokëve të tyre të shkollës, për shkak të një vrasjeje misterioze.
Simptomat e ndarjes së Perëndimit
Fillimi i Ndarjes së Perëndimit, që mundoi shumë Kishën duke filluar që nga shekulli XIV, e pati prologun me dëbimin e Urbani VI nga froni i Pjetrit. I zgjedhur në vijim të një presioni të fortë popullor, që kërkonte zgjedhjen e një pape italian pas një serie të gjatë papësh francezë, ai humbi për disa muaj besimin e kardinalëve për shkak të karakterit të tij shumë zemërak. Për kardinalët, ngjitja e papës së ri ishte favorizuar prej akteve të dhunës dhe kërcënimeve, kështu që duhej zhvlerësuar. Ekspozita romane përmban deklaratën e anulimit të zgjedhjs së Urbano VI. Në vijim kardinalët vendosën që të zgjedhin një tjetër francez, Clemente VII, i cili pas pak kohësh u largua për në Avignone. Urbano VI qëndroi në Romë dhe Kisha përjetoi periudhën e saj më të dhimbshme, e ndarë mes papëve dhe antipapëve.
Për një periudhë të shkurtër kohe, në shekullin XV, krishtërimi perëndimor dhe ai lindor u gjendën sërish të bashkuar. Në korrik të vitit 1493, me iniciativë të perandorit bizantin Giovanni VIII Paleologo, Roma dhe Kostandinopoja u pajtuan, duke firmosur letrën e paktimit Laetentur coeli. Në bazë të marrëveshjes ishte nevoja e Bizantit për t'u rrethuar nga aleatë të fortë kundër rrezikut otoman. Në atë kohë u prodhuan 300 kopje origjinale të këtij akti, me qëllim që të informoheshin shumë shtete të krishterë për ngjarjen e madhe. Sot kanë mbetur vetëm 18 ekzemplarë, një prej të cilëve ruhet në Arkivin e Fshehtë të Vatikanit.
Në shekullin XV, përpara lindjes së Arkivit, dokumentet e lashtë papnorë ruheshin në Bibliotekën e vjetër Apostolike. Kur Sisto IV vendosi që të transferonte disa privilegje të rëndësishëm dhe diploma të historisë në Kishën në Castel Sant'Angelo, ngarkoi bibliotekarin e tij, Bartolomeo Saçhi, i quajtur Platina, që t'i kopjonte. Puna zgjati disa vite dhe përfundoi në vitin 1480, me dorëzimin tek Papa të Liber privilegiorum Romanae Eçlesiae, tre vëllime më më shumë se 1000 faqe, një kryevepër që mund të admirohet në seksionin "Floriri dhe boja" të ekspozitës.
Nga Barbarossa tek Lucrezia Borgia
Mes dokumenteve mesjetarë me një interes të veçantë, kujtojmë një diplomë të Frederico Barbarossa, një vëllim me aktet më të lashtë zyrtarë të Kishës së Tivolit të shekullit XII, regjistrin e hyrjeve dhe daljeve të Dhomës Apostolike të shekullit XIII, dokumentin më të lashtë në letër në gjuhën mongole i vitit 1279, një biografi e vitit 1469 në gjuhën romane mbi Santa Francesca Romana dhe letra e Lucrezia Borgia drejtuar babait, papës Alessandro VI.
Për Papën Borgia janë ekspozuar edhe dekreti Inter Cetera, që vendoste ndarjen e tokave të Botës së Re mes spanjollëve dhe portugezëve, dhe një sistem kompleks për të koduar mesazhet. Meritojnë të përmenden edhe dokumentet modernë dhe bashkëkohorë të përzgjedhur nga organizatorët e ekspozitës: mes më interesantëve janë proces verbalët e gjyqit të Galileos, akti i shkishërimit të Martin Luterit, letra që shpall konvertimin e perandoreshës Helena e Kinës në krishtërim, akti i heqjes dorë nga froni i Kristinës së Suedisë, si dhe një letër zyrtare e "shkruar" mbi një lëvore mështekne nga ana e indianëve të Amerikës, drejtuar Leonit XIII.
Autor: Josef NARY