Popullsia e Çamërisë dhe besimi i tyre mysliman



Që në fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, më 1912, ushtria greke invadoi Çamërinë. Me mijëra çamë, luftuan për mbrojtjen e Janinës për pesë muaj rrjesht duke bërë heroizma të padëgjuara. Lufta e Bezhanit, që njihet nga shqiptarët me emrin lufta e "pesë puseve" i shkaktoi grekëve humbje të rënda. Ushtrinë greke e drejtonte vetë mbreti i Greqisë Kostandin, i ndihmuar nga një repart special francez. Në një telegram që i drejtonte myftiu i Filatit, Mehmet Zeqiraj, Ismail Qemalit më 1 dhjetor 1912 i njoftonte, se e gjithë Çamëria ishte në agoni dhe i kërkonte ndihma në armë dhe në njerëz.

Në mars të 1913, Janina ra në duart e grekëve. Një terror i padëgjuar shpërtheu mbi popullsinë muslimane. Shumë familje muslimane çame u larguan nga Janina të tmerruar duke u vendosur në trojet shqiptare të papushtuara, ose në Turqi. Vetëm në krahinën e Parathimisë grekët masakruan 72 krerë të krahinës, midis tyre edhe myftiun e qytetit, Dalan Prënjasi. U shtuan presionet për ndërrimin e fesë islame, për ndalimin e festave islame, për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe në zyrat e administratës, shtimin e taksave dhe shumë masa të tjera me pikësynim largimin e popullatës çame muslimane nga trojet e tyre.

Konferenca e fuqive të mëdha në Londër, më 1913, që u konsakrua me Protokollin e Firences në gusht të po atij viti, ia dha krahinën e Çamërisë shtetit grek. Brenda kufirit shqiptar mbetën shtatë katunde çame me kryeqendër Konispolin. Ky ishte coptimi më radikal që iu bë trevave të Çamërisë. Pazarllëqet e shtetit grek vazhduan, për shpërnguljen e çamëve nga trevat e tyre duke nënshkruar marrëveshjen e 14 majit 1914 me shtetin Turk. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, mbi 10000 çamër muslimanë u shpërngulën me forcë në Turqi dhe 1000 familje çame për t'i shpëtuar persekutimit grek, u vendosën brenda kufirit shqiptar. Mbas përfundimit të luftës greko-turke u nënshkrua marrëveshja e Lozanës më 1922, që parashikonte këmbimin e minoritetit turk në Greqi, me grekët e Azisë së Vogël. Qeveria greke me paturpësinë më të madhe i quante çamët muslimanë minoritet turk, duke iu mohuar kështu identitetin kombëtar shqiptar.

Çamët refuzuan të bëhen plaçkë tregu në këtë pazar të ndyrë. Duke hasur në kundërshtimin energjik të tyre qeveritarët grekë vunë në përdorim thikën dhe dhrahminë. Të ndjekur me armë dhe me mashtrime, shpërngulën me lot në sy nga vatrat e tyre rreth 30000 çamër. Ata u vendosën në Anadoll, e sidomos në krahinën e Izmirit. Çamët, që mbetën brenda kufijve të mbretërisë greke, iu nënshtruan represioneve të panumërta. Kjo shtypje mori përmasa të pakrahasueshme kur më 1936, në krye të shtetit grek u vendos diktatori Joan Metaksai. Në këtë kohë në Çamëri filloi një proces i egër helenizmi. Filloi zëvendësimi i emrave të katundeve me emra greke. Kështu p.sh.: 'katundi i Varfaj u quajt Parapetamo, Picari u quajt Aites, Spadari-Trikos, etj.'.

U ndërruan dhe emrat e lumenjve, fushave, maleve dhe çdo gjë që mbante emra shqip u zëvendësua me fjalë greke. U ndalua mësimi i fesë islame nëpër mejtepe dhe medrese. U ndalua komunikimi në gjuhën shqipe në gjykata, në ushtri dhe në zyrat qeveritare. U vendosën taksa shumë të larta dhe ua morën një pjesë të pasurisë së patundshme. Nga kisha greke, predikohej hapur se ata çamër që do të konvertoheshin në orthodhoksë do gëzonin të gjitha të drejtat dhe do të përjashtoheshin nga taksat. Çamet i rezistuan edhe kësaj stuhije greke, duke ruajtur fenë islame, e cila ishte bërë pjesë e identitetit kombëtar të tyre.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, qeveria greke e Metaksait mori një sërë masash represive kundër popullsisë çame muslimane. Rreth 2000 të rinj çamër u mobilizuan në repartet e punës të ushtrisë greke. Ata detyroheshin të bënin një punë prej skllevërish në hapje llogoresh dhe ndërtime ushtarake. 4000 burra muslimanë çamë, u internuan në kampet e përqëndrimit të Kretës dhe të Mitilinit gjatë muajve shtator-tetor të vitit 1940. Rreth 500 prej tyre gjetën vdekjen nga trajtimi mizor i autoriteteve greke.

Një fat tragjik pati myftiu i Filatit, Mehmet Zeqiraj, i lindur në Filat më 1865 një nga dijetarët më të shquar të trevës së Çamërisë. Për shumë kohë kishte qenë drejtori i medresesë së Filatit dhe kryemyftiu i gjithë Çamërisë. Gëzonte një autoritet dhe simpati në të gjithë popullatën çame. Në moshën 75 vjeçare, në shtator të 1940, arrestohet nga qeveria greke dhe internohet në kampin Kaqino afër Pireut. Me urdhër të kryeministrit Metaksa, merret nga kampi dhe dënohet me vdekje nga një gjykatë ushtarake greke. Pushkatohet publikisht në Paramithi, më 30 tetor 1940.

Gjatë tërheqjes së ushtrisë greke nga trevat çame edhe në maj të 1941, ushtria greke vrau rreth 300 çamë dhe grabiti me mijëra kokë bagëti. Largimi i pushtetit të urryer grek u prit me hare nga popullata myslimane çame. U la i lirë përdorimi i gjuhës shqipe, u hapën shkollat, xhamitë dhe medresetë. Çamëria nuk u bashkua me Shqipërinë, por atje u vendos një administratë ushtarake italiane. Duhet theksuar se flamuri kombëtar shqiptar në disa qytete çame, u hoq nga pushtuesit italianë me nxitjen e autoriteteve kolaboracioniste greke.

Hoxhallarët dhe dijetarët çamë ishin të parët që propagandonin për bashkimin me Shqipërinë dhe ndihmuan për formimin në Filat, të një force ushtarake çame prej 2000 vetash, nën komandën e Nuri Dinos dhe Dine Kalos. Kjo forcë, kishte për qëllim mbrojtjen e trevave çame, por u kufizua vetëm në Filat dhe Gumenicë. Si gjithmonë edhe në këtë periudhë muslimanët çamë nën mësimet e dijetarëve dhe hoxhallarëve, treguan një tolerancë për t'u lavdëruar ndaj armiqve të tyre. Në asnjë rast nga hoxhallarët çamë nuk ka patur thirrje për urrejtje dhe hakmarrje ndaj ortodoksëve grekë. Në të kundërt, janë strehuar në shtëpitë e hoxhallarëve çamë, shumë grekë dhe familjet e tyre që ndiqeshin nga okupatorët. Po kështu janë strehuar në shtëpitë e muslimanëve çamë me dhjetëra familje hebreje të ikur, nga Janina, Korfuzi dhe ishujt e Qefalonisë.


Pranvera e lirisë Çame vazhdoi vetëm 3 vjet (1941-1944)

Në fillim të 1944, forcat shoviniste greke, të udhëhequra nga gjenerali Napoleon Zerva dhe të armatosura gjer në dhëmbë, filluan përgatitjet e ethshme për të sulmuar trevat çame. Këto forca vepronin simbas urdhërave që merrnin nga qeveria greke në emigrim, me seli në Kajro. Përballë kësaj force agresive ndodheshin reparte të vogla çame muslimane të armatosura keq dhe të paorganizuara.

Më 27 Qershor 1944, 5000 forcat greke të komanduara nga vetë gjenerali Zerva, filluan sulmin masiv kundër fshatrave dhe qyteteve çame. Grekët me bajoneta, çanin barqet e grave shtatzëna dhe hidhnin në flakë të gjallë fëmijë dhe pleq. U dogjën xhami, shkolla dhe gjithçka që identifikonte kombësinë shqiptare. Në një xhami në qytetin e Parathimisë u dogjën të gjallë rreth 40 gra dhe fëmijë që kishin shkuar atje për të gjetur strehim. U dogj medreseja e qytetit dhe të gjitha xhamitë në qytet dhe në fshat. Grekët vranë myftiun e Parathimisë, dijetarin Hasan Efendiun së bashku me hoxhallarët Mulla Çafaja, Haxhi Shehun dhe hafiz Esat Ademin.

Vetëm në krahinën e Parathimisë dhe Margëllëçit në datën 27 qershor u vranë 782 veta. Forcat zerviste me thika ndër dhëmbë dhe ura të ndezura në duar, u vërsulën si ujq të tërbuar, drejt veriut, duke e kthyer Çamërinë në një tokë të djegur. E vetmja rezistencë e armatosur u bë në vendin e quajtur Munin, gusht 1944 ku 72 çamë luftuan heroikisht për 24 orë kundër 5 batalioneve zerviste të përbërë prej 2500 vetash. Të 72 çamët ranë në fushën e betejës duke i shkaktuar forcave greke 400 të vrarë dhe 600 të plagosur. Napoleon Zerva që drejtonte nga një majë kodre, në fund të betejës i deklaroi korrespondentit të B.B.C. se muslimanët çamë i kishin asgjësuar lulen e ushtrisë së tij. Masakrat greke vazhduan në Gumenicë dhe Filat, duke shkaktuar 2400 të vrarë dhe një numër të madh të plagosurish.

27 Qershori i 1944-ës me vendim të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, ka hyrë në historinë e Shqipërisë si dita e genocidit të popullsisë çame. Forcat greke, vazhduan masakrat dhe plaçkitjet prej 27 qershorit deri më 1 nëntor të 1944-ës. Gjatë kësaj kohe, ata vranë përveç Hasan Efendiut, myftin e Parathimisë, edhe Izet Cukarin, myftin e Pargës, Qamil Abazin, myftin e Margëlliçit dhe shumë hoxhallarë të tjerë.

Në katundin Drizë të Margëlliçit, grekët dogjën të gjallë, hoxhën e fshatit së bashku me djalin e tij 11-vjeçar. Zervistët dogjën me qindra shtëpi dhe grabitën krejt gjënë e gjallë, që llogaritet në 400.000 dele, dhi, lopë dhe mushka. 22.000 çamë të ndjekur nga fërshëllimat e plumbave me foshnja në duar dhe me një bohçe në krah, hynë në kufirin e Shqipërisë si muhaxhirë të mjeruar. Ata lanë mbrapa pasurinë e tyre të vënë gjatë brezave që llogaritet me vlerë, 4 miliardë dollarë. Shtëpitë, ullishtet, kopshtijet, pyjet dhe zabelet iu dhanë grekëve dhe vllehëve të shpërngulur nga zona e Gramozit, gjatë luftës civile 1945-1949.

Autoritetet greke nuk e ndalën dorën e tyre edhe ndaj varreve të çamëve muslimanë. Me buldozerë, ata rrafshuan të gjitha varret, kudo që ishin. Mbi Çamërinë gjatë shekujve, frynë erërat e ftohta të ortodoksisë greke, por uragani i tmerrshëm i 1944- ës, i çrrënjosi çamët, nga trojet e tyre etnike. Përgjegjësi indirekte për këtë genocid, mbajnë edhe fuqitë aleate, të cilët nuk lëvizën as gishtin. Me qëndrimin e tyre ata inkurajuan shovinistët grekë, për të kryer masakrën çame. Aktualisht në Çamëri, zyrtarisht nuk ka mbetur asnjë çam i besimit musliman. Atje mund të gjesh vetëm ca rrënoja të xhamive dhe medreseve, që kanë ekzistuar para vitit 1945.

A është e gjithë kjo panoramë mynxyrash,një shkelje flagrante e të drejtave thelbesore të njeriut?

Sigurisht që po. Europa duhet të tregojë me gisht banditët dhe të zbatojë as më shumë e as më pak,vetëtem Traktatet (të drejtave të njeriut, të fqinjësisë, paqes, etj.).



Autor: Alba HARUNI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...