Dispozita e Sheriatit mbi Mevludin



Hyrje

Të nderuar të pranishëm!

Tema për të cilën po diskutojmë, është një temë që ka jo vetëm peshë dhe rëndësi të veçantë për myslimanët, porse me vete bartë edhe një dozë të fuqishme të ndjeshmërisë së saj, sepse krahas faktit se është shumëdimensionale, ajo ndërlidhet me çështjet e besimit dhe edukimit shpirtërorë të besimtarëve islam.

Dijetarët islam nëpër kohë, përfshirë këtu edhe dijetarët e trevave tona shqiptare, trajtimit të kësaj teme i janë qasur me seriozitetin më të madh, duke bërë përpjekje që të arrihet deri te dispozita e vërtetë rreth kësaj çështje. Andaj, që në fillim të theksojmë, se në trajtimin e temës së Mevludit dhe dispozitës së saj, dijetarët eminent islam debatuan në detaje dhe duke elaboruar në mënyrë shkencore argumentet autentike islame, shumica dërrmuese e tyre, përfunduan me konkluzën se Mevludi - ceremonia e Mevludit është një rrugë e mirë kurse dispozita e tij është Mendub, me përjashtim të një numri të vogël të dijetarëve islam që Mevludin e kundruan krejtësisht nga një këndë tjetër, dhe përfunduan me dispozitën e ndalimit të Mevludit.

Megjithatë, pika e cila bashkon të gjithë dijetarët rreth ceremonisë së Mevludit, është realiteti se ceremonia e Mevludit në këtë formë si praktikohet sot në botën islame, nuk ishte e njohur në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. as në kohën e Hulefai-Rashidinëve e as në kohën e Selefit të Ndershëm (Selefus-Salih). Ndoshta, pikërisht këtu është edhe pika e referimit ku dijetarët islam nuk janë unanim në dispozitën e tij, sepse ky veprim ishte një risi në praktikën e muslimanëve.

Në anën tjetër, me qenë se vlefshmëria e Sheriatit islam në të gjitha kohët dhe vendet, kërkon nga dijetarët islam që të zgjidhin dukuritë dhe risitë që lindin me kohën, dhe të përcaktohet dispozita e Sheriatit islam mbi risinë.

Nisur nga ky parim i shenjtë, dijetarët islam në vazhdimësi bënë përpjekje maksimale për zgjidhjen e çështjeve që paraqiteshin me kohën. Për zgjidhjen e çështjeve dijetarët zbatuan metodologjinë shkencore në mënyrë që risinë e paraqitur e vendonin mbi fundamentet e përgjithshme në harmoni me parimet e Sheriatit, ku bëhet peshimi i premisave të përgjithshme, andaj nëse risia harmonizohej me formën, esencën dhe qëllimin e Sheriatit, atëherë konstatohej se risia është çështje e ligjësuar dhe legjitime, dhe njëkohësisht konsiderohej adhurim dhe afrim te Allahu i Madhërishëm, e nëse risia nuk pajtohet me esencën e Sheriatit dhe qëllimet e tij, atëherë kjo risi refuzohet dhe nuk konsiderohet nga veprimet islame.

Në vazhdim do të bëjmë përpjekje që për sqarimin e kësaj dispozite, të paraqesim mendimet e dijetarëve islam, argumentet e tyre dhe ajo që është shumë me rëndësi mënyrën e argumentimit dhe në fund dispozitën e përfituar nga e tërë kjo.


Mevludi, rrugë e mirë, e jo bidat

Mendoj se është në interes të përgjithshëm që fillimisht të paraqesim një konkluzë shumë elegante dhe të fuqishme të një numri bukur të madh të dijetarëve islam, e cila doli si rezultat i hulumtimeve dhe studimeve të thella në këtë lëmi, fillimisht paraqesin dilemën se Mevludi a përfshihet në radhët e bidateve, apo ndoshta ka ndonjë element ndikues që e përjashton Mevludin nga radhët e bidateve?!. Këtë tezë fuqimisht e elaboron dijetari bashkëkohorë Dr. Muhamed Seid Ramadan el Buti, i cili duke u mbështetur në argumente shumë të fuqishme vërteton se Mevludi si risi nuk përfshihet në kategorinë bidateve porse kjo risi konsiderohet si rrugë e mirë e hapur në interes të islamit dhe të muslimanëve. Argumentet ku mbështetet ky mendim, është hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. i cili ka thotë: "... çdo bidat është në humbje (dalalet)". Mënyra e argumentimit që e zbaton Buti për të ardhur te vlerësimi se çdo risi nuk është bidat, është se Pejgamberi s.a.v.s. ka përdorur shprehjen "Kul-lu" e që usulistët janë unik se kjo shprehje është gjithëpërfshirëse pa asnjë përjashtim, e që nënkupton se çdo veprim i cili klasifikohet si bidat, me automatizëm vlen dispozita e dalaletit. Risitë të cilat klasifikohen në radhët e bidateve sipas këtij mendimi janë ato risi, të cilat kanë të bëjnë me çështjet esenciale të besimit islam apo të shtyllave fundamentale islame dhe që njëkohësisht konsiderohen pjesë përbërëse të Islamit. Këtë e vërtetojnë po ashtu me hadithin e Pejgamberit s.a.v.s.: "Kush shpikë një risi në çështjen tonë (fenë tonë) që nuk është pjesë e saj, është e pa pranuar - e refuzuar". Nga ky hadith qartë vërehet se motivi i refuzimit të risisë që konsiderohet bidat, është shpikja apo risia që bëhen në esencën apo themelet e fesë, e që më pas konsiderohet pjesë e përbërëse dhe e pa ndashme e fesë, ngase Ligjvënës është vetëm Allahu, dhe askush nuk ka të drejtë të shtojë apo pakësoj diçka në themelet dhe esencën e Islamit.

Kurse veprat sjelljet dhe risitë tjera, që burojnë nga njeriu dhe nuk perceptohet e as që mendohet dhe besohet se këto veprime janë pjesë përbërëse të esencës së Islamit apo shtyllave të tij, porse përmes tyre është për qëllim arritja dhe realizimi i qëllimit të caktuar që është në interesin e përgjithshëm shoqëror, qoftë nga jeta fetare apo nga jeta e kësaj bote, nuk konsiderohen bidate. Veprimet e tilla, konsiderohen si mjete ndihmëse legjitime për të realizuar interesin e përgjithshëm fetar dhe jetësor, andaj edhe në bazë të hadithit të Pejgamberit s.a.v.s. konsiderohen si rrugë të mira dhe të dobishme për të cilat Pejgamberi s.a.v.s. thotë: "Kush e hap një rrugë të mirë në Islam, ai ka shpërblimin e tij për këtë rrugë si dhe shpërblimin e atyre që pasojnë të veprojnë në këtë rrugë pa iu pakësuar shpërblimi ...". [1]

Dijetarët në fjalë, Mevludin e ranguan në këtë përfshirje të hadithit, sepse askush nga besimtarët islam, deri më sot Mevludin nuk e trajtoi si çështje esenciale të besimit, apo si pjesë përbërëse e shtyllave islame, porse trajtimi gjithnjë ishte dhe ngeli vetëm si rrugë dhe metodë për t'u afruar te dashuria e Allahut të Madhërishëm dhe të Dërguarit të Tij.

Të kësaj kategorie ekzistojnë edhe një sërë risi tjera që nuk ekzistonin në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., si p.sh.: themelimi i mediumeve elektronike dhe të shkruara që shfrytëzohen maksimalisht për thirrjen islame, organizmi i kongreseve, takimeve dhe sesioneve shkencore dhe organizime tjera që janë në interes të Islamit dhe të muslimanëve. Nga veprimet e mira në Islam konsiderohen edhe manifestimet që i organizojnë muslimanët në raste të veçanta, si p.sh. fillimi i vitit të rij hixhrij, që simbolizon ngjarjen e emigrimit të Pejgamberit s.a.v.s. nga Meka në Medinë, shënimi i ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit, shënimi i çlirimit të Mekes, betejës së Bedrit e pse jo edhe shënimi i përkujtimit të lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. përmes ceremonisë së quajtur Mevlud, kur dihet fare mirë fakti se ky manifestim në vete përmban dobi të shumta për muslimanët duke filluar nga leximi i Kur'anit, salevateve, ligjëratave e deri te lutja e përbashkët.

Pra, vërtetë të gjithë e dinë se tubimi i njerëzve në ceremoninë e Mevludit është një risi që nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., mirëpo a është argument i mjaftueshëm dhe a ka fuqi argumentuese shkencore dhe racionale që vetëm ky fakt ta bëjë që Mevludi të trajtohet si bidat dhe si i tillë të ndalohet nga përdorimi. Sigurisht se ky argument është i pa mjaftueshëm dhe nuk ka peshën e duhur për ndalimin e një veprimi të tillë si Mevludi, që është aq i dobishëm për muslimanët.


Mevludi, bidat i mirë - (Argumentet për lejimin e manifestimit të mevludit)

Edhe pjesa tjetër e dijetarëve islam që pranuan Mevludin si bidat - risi, bidatin e ndanë në dy lloje, bidat i mirë dhe bidat i keq, ndërsa Mevludin radhitën nga bidatet e mira.

Në vazhdim do të paraqesim analizat e disa dijetarëve eminent islam rreth Mevludit dhe argumentet e tyre për lejimin e manifestimit të lindjes së Pejgamberit s.a.v.s..


Argumenti i parë

Dijetari i famshëm Ibni Haxheri, për Mevludin dhe ceremoninë e tij ka thënë: Në bazë të studimeve që i bëra në këtë lëmi, arrita që këtë veprimtari ta argumentoj me argumente të vërteta. Imam Buhariu dhe Muslimi në koleksionet e tyre kanë regjistruar hadithin e transmetuar nga Ibni Abasi r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. kur kishte emigruar nga Meka në Medinë, atje kishte gjetur çifutët e Medinës duke agjëruar Ditën e Ashurës (dita e dhjetë e muajit Muharrem). Kur Pejgamberi s.a.v.s. kishte vërejtur se ata agjërojnë, i kishte pyetur për shkakun e agjërimit, e ata ishin përgjigjur: "Këtë ditë e agjërojmë sepse kjo ditë është ditë e mirë, këtë ditë Zoti i kishte shpëtuar Beni Israilët (Musain a.s.) nga armiku i tyre (dhe e kishte fundosur Faraonin) ndaj dhe për këtë Musai a.s. kishte agjëruar". Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Unë kam më shumë të drejtë (prioritet) për Musain se sa ju, atëherë agjëroi ai dhe i urdhëroi muslimanët të agjërojnë". [2]

Nga hadithi qartë kuptohet legjitimiteti i agjërimit, në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Madhërishëm për një ngjarje të rëndësishme islame, siç ishte rasti i shpëtimit të Musait a.s. dhe fundosja e Faraonit. Nëse ngjarjen e vështrojmë nga aspekti historik, vërejmë se ajo kishte ndodhur menjëherë pas emigrimit, pra kur akoma agjërimi nuk ishte bërë farz për muslimanët, dhe ky lloj i adhurimit për ata konsiderohej risi, por megjithatë Pejgamberi s.a.v.s. pasi mësoi për motivin, jo që vetëm nuk e kundërshtoi këtë risi të adhurimit për Ummetin e tij, por edhe vet ai personalisht agjëroi, dhe njëkohësisht urdhëroi besimtarët islam të agjërojnë këtë ditë në shenjë falënderimi për shpëtimin e Musait a.s.. Ky manifestim në këtë formë për shënimin e kësaj ngjarje madhështore për shpëtimin Musait a.s. përsëritet në të njëjtën ditë për çdo vit, bile këtë nuk e abrogoi as obligueshmëria e agjërimit të muajit të Ramazanit.

Dijetarët islam, për të argumentuar legjitimitetin juridik të ceremonisë së Mevludit, duke u mbështetur në motivin e përbashkët mes këtyre dy ngjarjeve që nuk mund të kontestohet nga askush, tërhoqën paralele mes ceremonisë së Mevludit dhe kësaj ngjarje për mes argumentit të kijasit - analogjisë ose argumentit që përdorën usulistët që quhet Mefhumul-Muvafek, argument ky që përdoret për të kuptuarit e shprehjeve.

Nëse dita e shpëtimit të Musait a.s. ishte ngjarje madhështore, atëherë ngjarja e lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. më 12 Rebiul ev-vel do të ishte edhe më madhështore, sepse Musai a.s. ishte shpëtimtar vetëm i popullit të tij, kurse Pejgamberi s.a.v.s. ishte dhe do të jetë shpëtimtarë i të gjithë popujve përfshirë edhe popullin e Musait a.s. Në anën tjetër, nëse Pejgamberi s.a.v.s. shpëtimin e Musait a.s. e manifestoi me agjërim në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Madhërishëm, atëherë Allahu përmes pejgamberllëkut të Muhamedit s.a.v.s. shpëtoi popuj të tërë në jetën e kësaj bote, kurse në jetën e botës tjetër (ahiretit) përmes tij do të shpëtojnë popujt e të gjithë pejgamberëve duke filluar nga Ademi a.s. e deri në ditën e fundit të botës.

Pra, për këtë arsye konsiderohet se motivi është edhe më i madh për gëzim, hare dhe manifestim për lindjen e Muhamedit s.a.v.s. si shpëtimtarë dhe mëshirë për të gjitha botët në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Madhërishëm.


Argumenti i dytë

Argumentin tjetër që përdorë Imam Sujutiu për legjitimitetin e ceremonisë së Mevludit është transmetimi që e rregjistron Imam Bejhekiu nga Enesi r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. kishte therrë një kurban ('akika) për veten e tij pas pejgamberllëkut, edhe pse transmetohet se gjyshi i tij Abdul-Mutalibi kishte therur kurban për të, ditën e shtatë të lindjes së tij, kurse therrja e kurbanit për lindje nuk përsëritet herët tjera. Ky veprim i Pejgamberit s.a.v.s. komentohet si veprim falënderues ndaj Allahut të Madhërishëm, për lindjen e tij si mëshirë për të gjitha botët. Në anën tjetër, edhe për ne është mirësi (mustehab) që të shprehim gëzimin e lindjes së fëmijëve tanë duke therur kurbane për ta, shpërndarë ushqime, lëmosha dhe forma tjera të afrimit.

Gjithashtu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Madhërishëm kishte therur kurban dy desh për nipat e tij Hasanin dhe Husejnin r.a. Me këtë veprim i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për Ummetin e tij kishte ligjësuar manifestimin e lindjes së fëmijëve të tyre meshkuj apo femra, kurse manifestimi për lindjen e Pejgamberit s.a.v.s. është edhe më prioritare dhe një sunnet i ndershëm.


Argumenti i tretë

Manifestimi i Mevludit në këtë formë që organizohet sot, ka filluar të zbatohet që nga shekulli i shtatë hixhrij, andaj, nëse e marrim parasysh faktin se që nga ajo kohë e deri më sot, që nënkupton zbatim shtatë shekullorë për këtë formë të manifestimit të Mevludit dhe në anën tjetër për këtë formë kanë qenë të bashkuar i tërë Ummeti i Muhamedit s.a.v.s. andaj me lehtësi përfitohet argumenti për lejimin e tij, e këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit s.a.v.s.: "Umeti im nuk bashkohet (unifikohet) në çështje të humbura (dalalet)". Nëse hadithin e kundrojmë dhe shkoqisim sipas disiplinave shkencore të Usuli fikhut, përfundojmë në rezultatin se hadithi shprehimisht (mefhumul muvafik) vërteton se Ummeti im, që ka për qëllim dijetarët nuk bashkohen në dalalet, kurse rezultati i të kundërtës së asaj që nënkupton shprehja (mef'humul muhalef) e hadithit nënkupton se Ummeti im bashkohen vetëm në punë të lejuara islamikisht. Andaj do të ishte jo korrekte dhe jo islame e aq më pak racionale që të akuzoheshin dijetarët e shtatë shekujve bashkërisht me popujt e tyre, për veprime jo islame dhe veprime të ndaluara islamikisht.


Argumenti i katërt

Të gjithë muslimanët e në krye të tyre dijetarët islam janë të mendimit se festimi i lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. - Mevludi është vepër e mirë, kurse Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Atë që e mendojnë muslimanët për të mirë, te Allahu është e mirë".


Argumenti i pestë

Me rastin e festimit të lindjes së Pejgamberit s.a.v.s. besimtarët islam shfaqin gëzimin, harenë dhe dashurinë ndaj Allahut të Madhërishëm dhe Pejgamberit s.a.v.s., e në anën tjetër dashuria ndaj Pejgamberit është kusht i vlefshmërisë së besimit-imanit.


Argumenti i gjashtë

Pejgamberi s.a.v.s. për dallim nga ditët tjera e veçoi ditën e hënë, dhe për dallim nga ditët tjera këtë ditë e kishte traditë të agjëronte. Kur e pyetën për arsyen e agjërimit pikërisht të kësaj dite, ai u përgjigj: "Kjo është dita kur unë në të linda, dita kur u gradova si i dërguar (dhe dita kur mu shpall Kur'ani)", (Muslimi). Mendoj se ky hadith nuk donë kurrfarë shpjegimi ngase është shumë i qartë.


Argumenti racional

Edhe pse dispozitat islame nuk mund të mbështeten vetëm mbi argumentin racional, e në rastet konkrete kur ekzistojnë edhe shumë argumente tjera autentike islame, edhe argumenti racional jep frytin e vet.

Të gjithë ata që kanë lexuar diçka nga jeta dhe biografia e Muhamedit s.a.v.s. kur kanë lexuar për lindjen e Pejgamberit s.a.v.s. kanë vërejtur se ditën e lindjes kanë ndodhur disa veprime apo më mirë t'i quajmë ashtu siç i quajtën autorët e Mevludeve "Alamete", të mëdha në botë të cilat vërtetojnë se diçka ka ndodhur. Në mesin e tyre ishin afrimi i yjeve, shuarja e zjarrit të persianëve, prishja dhe rrënimi i pallatit të mbretit persian, shembja e kullave tjera, shpërndaja dhe përhapja e dritës si dhe shumë alamete tjera janë shenja të gëzimit për lindjen e shpëtimtarit të botës njerëzore. Andaj, do të ishte irracionale që të gjitha krijesat tjera të gëzohen për lindjen e Muhamedit s.a.v.s. e të mos gëzohej besimtari islam për këtë dritë të njerëzisë.

Të nderuar pjesëmarrës!

Në fund, duke pasur parasysh të gjitha këto argumente që u parashtruan shkurtimisht në këtë punim dhe shumë argumente tjera të pa përmendura fare, edhe një herë përfundojmë se Mevludi është një rrugë e mirë kurse dispozita e saj është mendub.

Vallahu e'alem!



Autor: Mr. Taxhedin BISLIMI



_________________________

Kumtesë e lexuar në Sesionin shkencor "Mevludi tek shqiptarët", 29, prill, 2009., Prishtinë. Organizuar nën patronatin e B. Islame të Kosovës.

Literatura e konsultuar:

- Ibni Hisham, "Es-siretu en-nebevije", Daru Ihjai-eturathil-arabij, Bejrut-Liban.
- Imam Xhelaludin Abdurrahman Es-Sujuti, El eshbahu ven-nedhairu", Darul- kutubil-ilmijeti, Bejrut, Liban.
- Dr. Vehbe Ez-Zuhejli, "Usulul fikhil el Islamij", Darul-fikri, Damask, Siri.
- Abdullah Siraxhudin, "Sejjiduna Muahamedun resulull-llah", Alepo-Siri.
- Ibni Halife, "Hadhihi akidetu es-selefi vel halefi fi dhatil-lahi teala ve sifatihi ve efalihi vel xhevabu es-sahih", Shtypshkronja Zejd b. Thabit, Damask, Siri.

_________________________

[1] - Muslimi.
[2] - Përmbledh Buhariu nr. 1865. Shkëputur nga libri "Pesë shtyllat e fesë". Grup autorësh.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...