Selefitë e Wahhabitë
Është kjo rryma fetare Selefije, e konceptuar aktualisht si rryma më ekstreme dhe më jotolerante e praktikimit të fesë islame: "të tillë, e identifikojnë teologët fetarë që praktikojnë shkollën fetare islame të quajtur Hanefi". Megjithatë, ithtarët e kësaj lëvizje nuk pëlqejnë të quhen wahhabi. Ata parapëlqejnë emrin Selef, në vend të Wahhab.
Albert Haziri-Zejdi, 29 vjeçar nga Gjilani i diplomuar në Universitetin e Zerkasë në Jordan, llogaritet ndër përfaqësuesit më të përgatitur të Selefistëve, apo wahhabistëve në Kosovë. Alberti, i cili kohë më herët ndërroi emrin në Zejdi, tregon arsyet përse ata nuk pëlqejnë të quhen wahhabi.
"Ngase nuk jemi të atillë: Muhammed ibn Abdul-Wahhabi është vetëm një nga dijetarët e mëdhenj islam i cili ka bërë përmirësime të mëdha në popull nga aspekti fetar, dhe, asgjë tjetër. Por, ata të cilët nuk na duan neve dhe thirrjen tonë, mundohen që t'i largojnë njerëzit nga ne duke i gënjyer se ne jemi wahhabistë. Në realitet, persona të tillë nuk ekzistojnë", thotë Alberti, autor i "Qëndrime Selefite në disa Çështje Metodologjike", libër ky i rrallë në Kosovë rreth kësaj çështjeje.
Lëvizja wahhabite u paraqit në rajonin jugor arab të Naxhd-it, Arabia Saudite, nga fundi i shekullit 18, nën udhëheqjen e Muahmed ibn Abd al-Wahhab. Asokohe, lëvizja menjëherë u dënua nga elita politike dhe fetare e cila e kuptonte ibn Abd al-Wahhabin më tepër si kërcënim për rendin e vendosur në Lindjen e Mesme Osmane. "Sipas doktrinës së ibn Abd al-Wahhabit, secili që nuk ndiqte mësimet e tij konsiderohej takfir (jobesimtar). Lëvizja filloi të shtrihej, e bashkë me të edhe jotoleranca ndaj bashkësive të tjera fetare".
Ndërsa, sipas kuptimit gjuhësor, "selef", siç quajnë vetveten "wahhabitë", do të thotë i parë, paraardhës. "Në literaturën burimore islame, termi selef emërton dijetarët e periudhave të para dhe burrat e mëdhenj të islamit të së kaluarës. Kështu e shpjegon Resul Rexhepi", Këshilltar i Lartë në Bashkësinë Islame të Kosovës.
"Kemi të bëjmë më tradicionalistë të cilët mund të merren si më ekstremë në praktikimin e disa momenteve të caktuara të islamit, sepse edhe tek Sunitët (pjesa dërrmuese e myslimanëve shqiptarë) bëhet fjalë për tradicionalistë, edhe pse parimorë, ndryshe prej Selefive që nuk mund të konsiderohen parimorë. Pra, bëhet fjalë për tradicionalistë që ndjekin mësimet e dijetarëve të parë dhe mjaftohen me anën e jashtme të shprehjeve, ose teksteve kuranore, haditheve, dhe i pranojnë ashtu siç janë", thotë Rexhepi. "Për të Selefi apo Wahhabi paraqet të njëjtin fenomen". "Nuk ka ndonjë dallim esencial mes wahhabive dhe selefive, bëhet fjalë për të njëjtin fenomen", sqaron Rexhepi, këshilltari i Bashkësisë Islame.
Por, edhe Sadullahut dhe dy shokëve të tij u duket e padrejtë të quhen wahhabi. "Nuk jemi wahhabi dhe ky term është i padrejtë. Pikësëpari, duam të quhemi myslimanë, porse myslimanë Selefi, ashtu siç kanë qenë në kohën e Pejgamberit", thonë që të tre.
Sadullahut, derisa lëmon mjekrrën tashmë disa centimetra të gjatë, nuk i kujtohet saktë se kur i ishte bashkuar kësaj rryme. Kishte qenë një kliente serbe e cila e kishte aktivizuar logjikën e të menduarit si një mysliman i vërtetë. "Gjatë një bisede, një kliente serbe që kishte ardhur në dyqanin tim, më tregoi se gjërat që i blente atë ditë ishin për t'ia shënuar të 40-tat nënës së vdekur. Pra, kjo më shtyri të mendoj, meqë edhe ne në Kosovë mbajmë të 40-at për një të vdekur, kjo më bëri të mendoj se kjo nuk ka lidhje me fenë islame", tregon Sadullahu për çastin kur kishte filluar të mendonte "si një mysliman i vërtetë".
Vitet '90 dhe ardhja në Kosovë
Por, këshilltari i Bashkësisë Islame, e sqaron kohën e paraqitjes së parë të wahhabive në Kosovë. "Më herët, as që ka qenë i njohur si fenomen i pranishëm në Kosovë. Ka filluar të paraqitet gjatë këtyre 20 viteve të fundit - veçanërisht pas luftës në Kosovë", thotë Resul Rexhepi.
Sipas tij, kjo rrymë ka arritur në Kosovë përmes studentëve shqiptarë që kishin studiuar në Arabi Saudite, sidomos në Universitetin e Medinës. "Por, nuk përjashtohet as ndikimi i disa organizatave që kryesisht kanë ardhur nga Arabia Saudite, por edhe të organizatave te vet kosovarëve që veprojnë këtu dhe që janë ithtarë të këtij fenomeni".
Edhe përgjigjja e Zejdit jep pakashumë periudhën e njëjtë kohore të paraqitjes së kësaj lëvizje. "Nuk jemi lëvizje, por vetëm praktikues të traditës së pastër profetike. E praktikimi i saj ka filluar në vitet '90", thotë Zejdi.
Për ithtarët e kësaj rryme, prania e tyre duhet të kuptohet shpëtim për islamin në Kosovë. Për një pjesë tjetër, kjo lëvizje paraqet rrezikun më të madh për formën tradicionale të praktikimit të islamit në Kosovë, të vjetër gati gjashtë shekuj.
Derisa zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, autoritet ky më i larti islamik në vend, janë paksa të rezervuar në identifikimin e së vërtetës rreth kësaj lëvizje, një pjesë e të rinjve që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me wahhabitë e thonë troç se çfarë duan të arrijnë në Kosovë përfaqësuesit e kësaj lëvizje.
Njëri ndër ta është Gj.B., nga një qytet afër Prishtinës, i cili po ashtu nuk deshi të identifikohet. Thotë se ndjehet i kërcënuar nga pjesëtarët e lëvizjes wahhabi të Kosovës. Express disponon me audio-deklaratën e Gj.B., i cili merret si një ndër teologët e gjeneratës së re në Kosovë. Gjatë viteve '90 ai kishte përfunduar medresenë në Prishtinë, për të vazhduar tutje studimet në vendet arabe.
Thotë të ketë qenë i joshur nga wahhabitë qysh më 1995, duke qenë asokohe nxënës i Medresesë. "Më 1995 u përpjekën të më fusin në lojë, po shkoja me ta në Prizren ku kishin organizuar iftar. Atje i pashë se si të hollat, të mbështjella në zarfë, ua dhanë pjesëmarrësve. Por, jo edhe neve. Na lanë jashtë meqë ishim më të rinj. Por, më 1997, për herë të parë më ofruan para, jo drejtpërdrejt, por përmes një njeriu tjetër i cili m'i ka ofruar paratë në emër të tyre. Bëhej fjalë për 300 marka gjermane. Nuk i pranova të hollat, dhe kur e kuptuan se nuk dua t'i marr filluan të arsyetohen se janë ndihma për nxënës", tregon Gj.B..
Resul Rexhepi rrëfente për përkrahjen që kjo lëvizje ka nga disa organizata, Gj.B. dëshmon për ofertën që i ishte bërë. Një bindje e ngjashme është mjaft e përhapur edhe në opinion, bindja se wahhabitë mbështeten financiarisht nga organizata arabe. Për Zejdiun nga Gjilani, janë këto fjalë që i propagandon Bashkësia Islame e Kosovës.
"Kjo nuk është e vërtetë dhe më vjen shumë keq që kjo gënjeshtër për herë të parë publikisht ka dalë nga disa anëtarë të BI të Kosovës. Ndoshta, ka mundësi të joshet një i ri kosovar materialisht - por dhjetëra, qindra, mijëra njerëz?!", pyet Zejdi. Për të, kjo është e pamundur.
Ai thotë se të rinjt dhe të rejat pasojnë traditën profetike nga bindja dhe besimi. "Kjo gënjeshtër nuk është gjë tjetër veçse luftë e armiqve të këtyre praktikuesve të traditës profetike nga frika se këta po shtohen", thotë Alberti.
Autor: Ilir Mirena
_________________________
Shkëputur nga Artikulli: "Përçarja e gjelbërt".