Kurbani (nga aspekti juridik)



Ç'është kurbani?

Kurbani është një kafshë e posaçme që pritet me nijet ibadeti për t'iu afruar rahmetit (mëshirës) së All-llahut Fuqiplotë.

Prerja e një kurbani të këtillë në ditët e Bajramit të Kurbanit është vaxhib (obligim nën farzin e mbi sunnetin. Hadithi: "Kush posedon pasuri dhe nuk ka therrur kurban, mos t'i afrohet vendit tonë ku falim namazin e Bajramit") për personin i cili është musliman, i lirë (jo i robëruar ose jo i burgosur), në vendlindje (e nuk është mysafir larg vendlindjes mbi 83 km dhe ku do të qëndrojë më pak se 15 ditë) dhe i pasur. I pasur quhet personi i cili përpos nevojave të veta elementare dhe përpos borxheve ka pasuri sa e arrin shkallën e nisabit (nisab = është kufiri prej ku muslimani fillon të quhet pasanik dhe obligohet të japë zeqatin dhe sadakatu'l-fitrin. Kjo shumë ështe 85 gr. ar ose 1.128 € (për vitin 2008), që do të thotë se personi i cili mbi nevojat elementare të tij ka kaq pasuri e më tepër, ai obligohet me zeqat e me kurban).

Nëse një person gjatë 3 ditëve të Kurban Bajramit kishte mundësi materiale të therte kurban por nuk theri dhe më vonë u varfërua, ky person vazhdon të mbetet borxhli për kurbanin, prandaj nëse nuk pret kurban gjatë këtyre 3 ditëve, mbasandaj ai duhet atë kurban ose kundërvlerën e tij t'ua japë sadaka (lëmoshë) fukarave. Nëse një person kishte mundësi të presë kurban po nuk preu po edhe nuk dha sadaka, atëherë ky duhet të lërë testament (vasijjet, me gojë) që pas vdekjes së tij të paguhet një kurban nga pasuria që ka lënë pas vetes. Trashëgimtarët e kanë vaxhib ta plotësojnë këtë testament të të vdekurit nëse ai ka lënë pasuri pas vete, e nëse jo atëherë trashëgimtarët janë të lirë të zgjedhin për po ose jo. Ndërkaq aspak nuk mund ta kuptoj sjelljen e disa muslimanëve të cilët vetë janë të obliguar të presin kurban dhe nuk e presin këtë kurban për vete po për babën ose nënën që kanë vdekur. Këta muslimanë duhet ta dinë se ata të vdekurit nuk janë të obliguar të presin kurban, po të gjallët.


Lloji i kafshëve për kurban dhe të metat e tyre

Për kurban mund të priten vetëm dhentë, dhitë, lopët, buallicat dhe devetë. Dhentë e dhitë duhet t'i kenë mbushur nga një vit, ose 7-8 muaj por që janë të ushqyera mirë sa të mos dallohen nga nënat e tyre. Lopët e buallicat duhet t'i kenë mbushur nga 2 vjet të plota, kurse devetë nga 5 vjet.

Për kurban nuk mund të priten pulat, gjelat, patat, etj., po as edhe kafshët e egra të cilave u hahet mishi. T'i presësh këto me nijet kurbani është mekruhi tahrimen (gjë e papëlqyeshme afër haramit).

Dhentë e dhitë secila prej tyre vlen vetëm për një person. Kurse një lopë, buallicë a një deve vlejnë prej 1-7 persona. Mirëpo me këtë rast është kusht që të gjithë këta pjesëmarrës në kurban të jenë muslimanë, të kenë hise në të dhe nijetin të gjithë ta kenë për kurban. Ortakët pastaj mishin e kurbanit e ndajnë duke e matur me kandarë e jo me sy (kutrum).

Për kurban duhet të zgjidhet kafsha e shëndoshë dhe e ushqyeshme, e jo e dobëta dhe e sëmura.

Kurban mund të pritet edhe kafsha që është syçakërr (që shikon shtrembër), e çalë (që shqepon pak sa mund të ecë vetë deri te vendi ku do të pritet), e zgjebosur, e çmendur (e hutuar), e lindur pa brirë, me brirë pakëz të thyer, me veshë të shpuar apo të çarë për së gjati, me veshë të prerë pakëz në maje të tyre, me disa dhëmbë të rënë (shumicën e dhëmbëve i ka), pa organin gjenital apo edhe e tredhur. Të gjitha këto janë të lejueshme, mirëpo më mirë është të mos i ketë as edhe këto të meta.

Kurban nuk mund të pritet kafsha e verbër (qorre) në një ose të dy sytë, me shumicën e dhëmbëve të rënë, me veshë të prerë ose më tepër se gjysma të këputur, me njërin ose të dy brirët e thyer deri në rrënjë, me bisht të prerë ose të këputur më tepër se gjysmën, me sisa të prera ose të këputura në maje të tyre, e lindur pa veshë ose pa bisht, shumë e dobët sa s'i ka mbetur palcë në asht (koc) ose e çalë (topalle) shumë sa s'mund të ecë deri te vendi ku do të pritet.

Nëse një person që është i obliguar të presë kurban e blen një kafshë të shëndoshë, mirëpo para se ta presë gjymtohet (bëhet sakat) me njërën prej atyre të ndaluarave që i përmendëm më lart, ky person duhet të presë tjetër kurban të shëndoshë e jo këtë që u bë sakat. Mirëpo, nëse një fukara që s'e kishte borxh të presë kurban po që e bleu dhe pastaj u bë sakat, ky nuk duhet të presë tjetër kurban, ky mund ta presë ashtu siç është. Po kështu, nëse vdes (cofë) kurbani i zengjinit pa u prerë, ai duhet të blejë tjetër kurban, kurse i varfëri nuk duhet të blejë kurban tjetër.

Nëse një kafshë që është blerë për kurban pjell (lind) para se të pritet, bashkë me të pritet edhe e vogla, sepse ajo është e lidhur me nënën dhe hahet mishi i të dyjave. Nëse të voglën nuk e pret por e shet, ato para duhet dhënë sadaka.


Koha e prerjes së kurbanit

Koha e prerjes së kurbanit është dita e parë, e dytë dhe e tretë e Bajramit të Kurbanit. Koha e prerjes së kurbanit fillon me faljen e namazit të Bajramit dhe deri në perëndimin e diellit në ditën e tretë të Bajramit. Është mekruh që kurbani të pritet gjatë netëve të Bajramit. Nuk quhet kurban nëse është prerë ditën e arifes, përveç nëse është menduar se atë ditë ka qenë ditë Bajrami e del se ka qenë ditë arifeje, atëherë mundet.

Nëse një person ka blerë kurban por nuk e preu gjatë këtyre 3 ditëve të Bajramit, ai atë kafshë duhet ta japë sadaka. Nëse pas këtyre ditëve nuk e ka kafshën që e bleu për kurban, përsëri vlerën e asaj kafshe duhet ta japë sadaka dhe nuk e lë për ta prerë një tjetër vitin e ardhshëm. Vitin e ardhshëm do të presë tjetër nëse obligohet të presë.

Me kurban obligohet pra personi i cili gjatë këtyre 3 ditëve të Bajramit i plotëson kushtet e parapara që i përmendëm në fillim.

Kurbanin e kthejmë kah kibla dhe pasi themi "Bismil-lahi All-llahu Ekber" e therim duke ia prerë zorrën e ushqimit, të frymëmarrjes dhe dy venat kryesore që kalojnë përmes qafës. Është mirë me këtë rast të lexohet ky ajet kur'anor: "Inne salati ve nusuki ve mahjaje ve mematii lil-lahi rabbil-alemine la sherike leh" - "Vërtet namazi im, ibadetet e mia (kurbani im), jeta ime dhe vdekja ime janë për All-llahun, Zotin e botëve, i Cili nuk ka shok", (el-En'am:162).

Kurbanin duhet ta presë vetë personi që e ka obligim prerjen e tij, por nëse ai nuk ka mundësi vetë ta presë, mund ta autorizojë dikë tjetër në vend të tij dhe që të dy duhet të bëjnë "Bismil-lah" me rastin e prerjes së tij.

Mishi i kurbanit është më mirë të ndahet në tri pjesë: një e treta ndalet për familjen, një e treta u shpërndahet fqinjëve të pasur e të papasur, myslimanë a jomyslimanë, dhe një e treta u ndahet nevojtarëve të tjerë. Nëse personi vetë ka më tepër nevojë për gjithë mishin, ai mund ta ndalë edhe të tërin për vete.

Lëkura e kurbanit nuk guxon të shitet, ajo jepet sadaka ose përdoret për nevoja shtëpiake.

Prej ditës së Arifes në namazin e sabahut e deri në namazin e ikindisë së ditës së katërt të bajramit, pas çdo namazi farz është vaxhib këndimi i tekbirit (një herë). Nëse harrojmë ta bëjmë sapo të japim selamin e farzit, duhet ta këndojmë atëherë kur të na kujtohet. Tekbiri shqiptohet kështu: "All-llahu ekeberull-llahu ekber. La ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber. All-llahu ekberu ve lil-lahil hamd".



Përgatiti: Mr. Rejhan NEZIRI



_________________________

Përshtatur nga libri: "Büyük Islam Ilmihali" i autorit Ömer Nasuhi Bilmen.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...