Agjërimi - një dhuratë e madhe hyjnore



Rrallëherë në histori trupi ka pasur përparësi dhe ka dominuar ndaj shpirtit sikurse në ditët tona. Vështirë që ndonjëherë pasioni dhe dëshirat e pakontrolluara të kenë pasur lirinë sikurse e kanë sot. Sa më shumë që njeriu prosperon në planin material, aq më shumë ai molepset dhe asfiksohet shpirtërisht, duke u bërë skllav i prodhimit dhe konsumit. Ai trajtohet si kafshë si nga ana e biologëve ashtu edhe nga ana e filozofëve, kurse mendësia materialiste e kundron thjesht si një vegël dhe makinë lëvizëse.

Shpeshherë njeriu i bën padrejtësi vetes dhe e dëmton atë duke iu nënshtruar pasioneve dhe dëshirave trupore të tij. Ai largon dobinë dhe të mirën me veprime të pamenduara mirë. Nën cytjet e djallit egoizmi, urrejtja dhe pangopësia po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën e tij. Për rrjedhojë në shumë shpirtra njerëzorë sundon boshllëku dhe zbrazëtia.

Ndërkaq çdo dispozitë islame që vjen nga Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëmëshirshëm janë për të mirën e njeriut. Ato synojnë pastrimin e njeriut dhe të shpirtit të tij nga çdo njollë, si dhe pajisjen e karakterit të tij me virtyte dhe cilësi pozitive. Agjërimi, padyshim, është i dobishëm për trupin dhe shëndetin e tij dhe motivon të falënderuarit e Allahut.

Sikurse ujërat e tokës, përrenjtë, vijat dhe lumenjtë që ndjekin një linjë drejt derdhjes në dete dhe së bashku formojnë oqeanet e pamatshme të botës, njëlloj edhe dispozitat islame synojnë që njeriu të ecë drejt vullnetit, mëshirës dhe kënaqësisë së Zotit.

Adhurimet që i ka obliguar Islami kanë për qëllim që ta mësojnë muslimanin të jetojë jetë të vërtetë dhe të pajiset me moral të mirë pavarësisht kushteve dhe rrethanave, larg mëkateve që zemërojnë Krijuesin.

Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në edukimin moral të njeriut dhe formimin e personalitetit të tij. Pejgamberi a.s. thotë: "Essijamu Xhunnetun" (Agjërimi është mbulesë, pengesë) që do të thotë është pengesë nga gjynahu e gabimi dhe mburojë nga zjarri i xhehenemit.

Prandaj me të drejtë Ramazani konsiderohet muaji i devotshmërisë, i ngritjes shpirtërore dhe afrimit me Zotin, në të cilin çdo vepër shpërblehet shumëfish, e veçanërisht agjërimi që bëhet vetëm në emër të Zotit. Në një hadith kudsi Allahu xh.sh. ka thënë: "Për çdo vepër të mirë do të jepet shpërblimi dhjetëfish e më shumë, kurse agjërimi është i Imi dhe Unë do të shpërblej për të (në mënyrë të veçantë)".


Dukuritë negative

Dukuritë negative kanë vërshuar shoqërinë tonë për shkak se njohuritë fetare janë shumë të përcipta e sipërfaqësore. Familja jonë është në rrezik. Shoqëria jonë sot ballafaqohet jo vetëm me varfëri ekonomike, por ajo po përjeton edhe mjerim të madh moral. Kultura dhe tradita fetare, që e kanë mbajtur familjen të shëndetshme dhe e kanë mbrojtur nga ndikimi i kulturave të huaja dhe nga infektimi i dukurive negative, kanë filluar të zbehen dhe sot asaj i kanoset rreziku i shthurjes dhe zvetënimit.

Prandaj, Ramazani është rast i volitshëm që të evitojmë çdo gjë që është në kundërshtim me mësimet islame dhe që zbeh vlerat e mirëfillta në familjet tona. Ramazani duhet të shfrytëzohet si një përvojë e papërsëritshme që të përmirësojmë gjendjen tonë jo të mirë morale sepse "Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç'kanë në vetvete", (Er Ra'd: 11).

Secili përgjegjës i familjes duhet të kujdeset për familjen e tij veçanërisht në këtë muaj duke i nxitur ata të agjërojnë, të dinë rregullat e tij, të pendohen, të falen, të lexojnë Kur'anin dhe të shtojnë veprat e mira. Secili duhet të kultivojë tek ata ndjenjën se bindja ndaj Allahut është rruga e suksesit dhe shpëtimit në dynja dhe Ahiret.

Ramazani është muaji i pendimit, i dhikrit dhe adhurimit të Allahut në çdo çast dhe i shtimit të veprave të mira. Në të filloi zbritja e Kuranit fisnik, me të cilin Muhammedi a.s. u urdhërua nga Allahu që t'i ftojë njerëzit në fenë e vërtetë - në Islam. Ai është muaji i mirësive dhe i begative, muaji i shpërblimeve dhe dhuratave të pamasa: "Kush e kalon muajin e Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke besuar fort dhe duke shpresuar shpërblim të mirë (vetëm nga Allahu), atij do t'i falen mëkatet e mëhershme", (Buhariu dhe Muslimi).

Ramazani është si mysafir i veçantë që gëzon zemrat dhe shpirtrat tanë duke sjellë me vete begati dhe mirësi të pamasë. Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij falje prej gjynaheve dhe fundi lirim nga dënimi i zjarrit. Në këtë muaj Allahu ofron favore dhe shpërblime të shumta për agjëruesit. Secili individ duhet të përgatitet që ta shtojë intensitetin e ibadetit të tij dhe t'i pakësojë sa më shumë shprehjet dhe veset e këqija.

Gjatë Ramazanit kalitet shpirti dhe trupi prandaj ai konsiderohet një shkollë hyjnore ku individi dhe shoqëria pajisen me mësimet e tij të vlefshme sikurse janë: bindja, vullneti, këmbëngulja, qëllimi fisnik, pastrimi i vetes dhe sinqeriteti.

Agjërimi i pastron zemrat që janë vend i dashurisë, mëshirës dhe guximit dhe kultivon tek muslimani cilësinë e vigjilencës së vazhdueshme të Allahut. Ai është lartësim i shpirtit dhe ngritje drejt dëlirësisë. Ai fisnikëron shpirtrat, që janë vend i përkushtimit, devotshmërisë, nderit, moralit dhe virtyteve njerëzore: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat", (El Bekare: 183).

Agjërimi është një gjendje e veçantë dhe përmbajtje jo vetëm nga ushqimi e pija, duhani, marrëdhëniet intime por edhe nga shpifja, gënjeshtra, shikimi i ndaluar dhe nga çdo gjynah. Prandaj agjërimi më shumë duhet të ndihet me zemër dhe shpirt se sa të njihet dhe kuptohet me logjikë e arsye.


Aspekti social

Vlera dhe rëndësia e Ramazanit ngërthen jo vetëm aspektin fetar dhe moral por edhe atë social. Agjërimi i kuptuar drejt si një institucion social zhvillon altruizmin dhe dashurinë tek njeriu dhe edukon ndjenjën e vetëmohimit dhe sakrifikimit. Ai zhvillon ndjenjat për nevojat e të tjerëve dhe nxit në bërjen e hajrateve. Islami dëshiron të ndërtojë një njeri që sakrifikon të mirat materiale dhe jetën e tij për të mirën e shoqërisë. Pikërisht për këtë, krahas agjërimit, në këtë muaj të bekuar është bërë obligim (vaxhib) edhe sadakai-fitri dhe preferohet dhënia e zekatit të obligueshëm, si dhe ndihma e të varfërve.

Shoqëria islame nuk guxon të ketë mjerim social dhe dallime klasore. Egoizmi dhe individualizmi i skajshëm duhet të jenë të panjohur për muslimanin. Muhammedi a.s. ka thënë: "Nuk është musliman i vërtetë ai që ka barkun plot, kurse fqinji përkrah tij është i uritur." Prandaj, të gjithë muslimanët gjatë këtij muaji janë më të devotshëm, më dorëlirë dhe më modestë.

Kusht për një jetë të virtytshme dhe të moralshme është harmonia e brendshme mes instinkteve të nevojshme dhe synimeve morale: "Allahu nuk ka nevojë për njeriun që e braktis ushqimin e pijen, e nuk e braktis fjalën e keqe dhe veprën e ligë!", (hadith, Buhariu).

Agjërimi është një dhuratë e madhe hyjnore dhe burim i virtyteve të larta. Ai është e kundërta e rrymave të kohës së sotme, sepse filozofirat materialiste që dominojnë në Lindje dhe Perëndim e njohin tokën, por nuk e njohin qiellin, e njohin trupin por nuk e njohin shpirtin, e njohin dynjanë por nuk e njohin ahiretin.

Duke mposhtur epshet që nxisin në mosbindje dhe gjynah, duke u liruar nga gjërat materiale dhe nga robërimi nda tyre, agjëruesi bëhet rob i vërtetë i Allahut. Njeriu me durimin e urisë e të etjes zgjon forca të brendshme duke zotëruar dëshirat e ulëta, sikurse janë shpërthimi i epsheve, zemërimit dhe grykësisë. Duke agjëruar, njeriu nuk e shkatërron epshin e tij, por e mban nën kontroll atë. Agjërimi është një metodë perfekte për zhvillimin e virtyteve individuale dhe për kontrollin e vetvetes. Ai synon ta pasurojë shpirtin dhe zemrën me sinqeritet, mëshirë, mirësi dhe humanizëm.

Pejgamberi a.s. i përgëzonte shokët e tij më ardhjen e muajit fisnik dhe u thoshte: "U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët. Në të është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, kush privohet nga e mira e saj është privuar (prej shumë të mirave)". Sigurisht se besimtari gëzohet me hapjen e dyerve të xhenetit, mbylljen e dyerve të xhehenemit dhe me lidhjen e shejtanëve.

Muhammedi a.s. ka thënë: "Edhe agjërimi, edhe Kurani, Ditën e Ringjalljes do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: O Zot! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme. Pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij"! Edhe Kur'ani do të thotë: "O Zot! Unë lexuesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi: Jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij"!

O Allah! Na bëj prej atyre që e meritojnë këtë ndërmjetësim!



Autor: Mr. Ajni SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...