Statusi i Albanit
Për t'i sqaruar lexuesit i cili është i pavetëdijshëm për Statusin e Albanit, citati në vijim është një shkëputje e shkurtë nga biografia e tij siç është dhënë nga pasuesit e tij në njërën nga përkthimet e librave të Albanit me titullin 'Adaab uz Zufaaf' (Adabet e Martesës dhe Dasmës): Muhamed Nasirudin Albani është lindur në qytetin e Shkodrës, kryeqyteti i Shqipërisë në 1914. Derisa ai ishte i ri, prindërit e tij shpërngulën me të në Damask, Siri. Qysh në moshë të re ai ishte magjepsur pas Shkencave të Hadithit dhe që atëherë asnjëherë nuk u ndal duke kërkuar njohuri. Më vonë atij iu dha Rangu i profesorit të Hadithit në Universitetin Islamik të Medinës. Me kohën ai bëri emër tek dijetarët dhe studentët për njohuritë dhe shkrimet e tij. Ai ka shumë nxënës të mirënjohur dhe ka vizituar vende kudo nëpër Lindjen e mesme dhe Evropë.
Ai ishte detyruar të emigroj prej Sirisë në Jordani. Haditheve profetike u bëri shërbim të madh, ka hequr shumë mund për t'i verifikuar dhe renditur transmetimet autentike prej atyre të pavërtetave dhe të fabrikuarave. Ka botuar shumë broshura dhe libra, disa prej tyre në disa vëllime - në çështjet të rëndësisë së lartë për Muslimanët - dhe ka kontrolluar plotësisht shumë nga librat e famshëm të Hadithit - Sunenin e Tirmidhiut, Ebu Davudit, En-Nesaiu dhe Ibn Maxhes, së bashku me "Xhamiu-Sagiir" dhe "Mishketul Mesabih" e Sujutiut. Ai është dijetari më i shquar i Hadithit dhe shkencave të ngjashme të kohës së tij.
Është kjo fjalia e fundit e cila është shumë e pambështetur, dhe kryesisht është bindja imagjinare e pasuesve të tij të udhëzuar gabim në pjesë të ndryshme të botës. Pasi që vetëm Allahu e din kush është "dijetari më i shquar i Hadithit dhe shkencave të ngjashme të kësaj kohe". Këtë e them ngase ka edhe të tjerë të cilët shumë mirë mund të jenë 'dijetari më i shquar'. Një gjë që mund të vërehet prej biografisë së tij më sipër, është se Albani mesa duket nuk ka pasur kurrfarë Autorizimi (Ixhaze) në Hadith nga asnjë dijetar i mirënjohur i Hadithit.
Unë kam lexuar edhe biografi të tjera të Albanit, dhe u kam kërkuar edhe përkrahësve të tij në Angli (shënim: autori i këtij teksti jeton dhe vepron në Angli - përkthyesi) që të më japin emrin e Mësuesit të Hadithit të Albanit, por asnjëri nuk e posedonte. Siç shihet Albani i "mësoj" vet vetes së tij shkencën e Hadithit duke kaluar shumë orë në librarinë e famshme të Damaskut - el-Mektebetuz-Zahirijeh. Në biografinë e shkruar në parathënien e punimit të tij - "Sifah salah en-Nabi", po ashtu shkruante që ai ishte: "I influencuar nga artikuj të revistës 'el-Manaar'". Revista e sipërpërmendur redaktohej nga Muhamed Reshid Ridah (vdiq 1935)!
Albani nuk ka bërë thjesht një sasi të vogël gabimesh të falshme, por në fakt goxha mbi 1200, të cilat janë të falshme vetëm nëse ai vetë i pranon gabimet e tij duke u penduar para Njerëzve të Dijes, poashtu edhe para besimtarëve të sinqertë të cilët janë mbështetur në "Klasifikimet e Hadithit" nga ai. Kundërshtimet e zgjedhura nga "Tanaqadat el-Albani el-Wadihat" janë nxjerrur vetëm nga Vëllimi i parë dhe i dytë, për hir të gjatësisë së tekstit, dhe kudo që haset simboli *, korrespondon me referencën origjinale në botimin në arabisht. Lexuesi duhet të dijë se sa herë që diçka paraqitet në kllapa (), atëherë këto zakonisht janë fjalët e mia dhe jo ato të Shejh Sakkafit.
Po ashtu duhet cekur se Vëllimi i I-rë i origjinalit përmban 250 Hadithe, në të cilat Albani ka thënë Sahih (një Hadith i vërtetë) në njërën prej librave të tij dhe pastaj e ka kundërshtuar veten duke thënë Daif (një Hadith i dobët) në një libër tjetër të tij, ose gabime dhe kundërshtime të ngjashme. Vëllimi i II-të përmban 652 Hadithe të të njëjtit përshkrim si më sipër, ose kundërshtime të ngjashme në rixhale (biografia e transmetuesit të Hadithit) të Senedit (zinxhiri i transmetuesve) të Haditheve në fjalë.
Në disa raste (p.sh. Vëllimi 2, fq. 63-64), Shejh Sakkaf tregon se si një transmetues i Hadithit bëhet 'i besueshëm' kur Albani dëshiron të përdorë një Hadith për të vërtetuar diçka në favor të bindjes së tij, por bëhet 'i pabesueshëm' kur Hadithi i përdorur nga një person që Albani është duke e kundërshtuar, një gabim jashtëzakonisht i turpshëm për cilindo dijetar të ndershëm. Këto libra nga Shejh Sakkaf tashmë kanë bërë shumë për të hequr qilimin nën 'Selefizëm' në Jordani dhe madje edhe në Arabinë 'Saudite', ku vetëm vëllimi i parë ka pasur hiq më pak se gjashtë ribotime në një vit të vetëm! Këto libra janë aq të kërkuara saqë çdo 'Selefi' (ose anti-Selefi) i cili di të lexojë arabisht dëshiron t'i blejë.
Unë ju pyes ju, sa herë duhet që një student i paaftë si Albani të kundërshtoj veten e tij para se ai të humb të drejtën (kompetencën) prej dijetari? A mund ju të gjeni madje dhjetë kundërshtime në veprat e memorizuesve të Hadithit (Hafidhëve), ata të cilët kishin memorizuar së paku 100 000 Hadithe me senedet e tyre? Dijetarët e mëdhenj si Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Ibn Hanbeli, Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Nesaiu, Darakutni, Hakimi, Askalani e kështu me radhë (Mëshira e Allahut qoftë mbi ta). Besimtari mendjehollë duhet të dijë që Albani nuk i ka pasur në memorien e tij as afër 100 000 Hadithe, në fakt me sa e dimë ne nuk ka askush që është Hafiz i Hadithit në ditët e sotme! Nëse është, atëherë ne ju themi të dalin në shesh dhe ta vërtetojnë, e Allahu e di më së miri!
Gjatë rrugës së ekzaminimit të Haditheve të ndryshëm, Shejh Sakkaf i krahasoj ato me vlerësimet e shkruara të Albanit. Si përfundim Shejh Sakkaf filloi përpilimin e gabimeve të Albanit. Ai hasi në kundërshtime, supozime të pabazuara, hulumtime të pamjaftueshme dhe shtrembërimin e thënieve të cituara nga imamët e dijetarët e mëdhenj Islam. Ai në veçanti ishte i brengosur me faktin që shumë studentë dhe të rinj të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme ose nuk kanë fare, thjeshtë nuk janë duke u lodhur për të hulumtuar Hadithet e klasifikuara nga Albani, janë duke u mashtruar në injorancë të verbët, edhepse vetë këta njerëz janë ata që janë duke thirrur fortë dhe me potere për të braktisur Teklidin (e përkthyer si "pasim i verbër" nga armiqtë, por në realitet është pasimi i diturive të dijetarëve të kualifikuar dhe të verifikuar të Muxhtehidëve Mutlak [një dijetar plotësisht i pavarur i kalibrit më të lartë] siç janë Imamët Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Ibn Hanbel (Mëshira e Allahut qoftë mbi ta) dhe të ngjashëm, si dhe dijetarëve të cilët ndoqën dhe përhapën një shkollë të caktuar të Fikhut [Medhheb] për pjesën më të madhe të historisë Islame, Teklid në gjuhën e thjeshtë do të thotë të ndjekurit e njërës nga katër shkollat ekzistuese të Fikhut). Këta njerëz duket se kundërshtojnë vetveten, si dhe shfaqin hipokrizi kur sillen dhe e bëjnë prioritet të sulmojnë pasuesit e Medhhebeve Hanefi, Maliki, Shafi ose Hanbeli, edhepse ata vetë janë duke praktikuar Teklid (pasimin e verbër) ndaj një personi (Albanit)!
Duke pasur në mendje Hadithin e transmetuar nga Ebu Seid el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të) nga Pejgamberi (s.a.v.s.): "Kush sheh një vepër të keqe, le ta largojë atë me dorën e tij, e nëse jo me dorë, atëherë le të mundohet me gjuhën e tij, e nëse as këtë nuk mund ta bëjë, atëherë atë vepër le ta urrejë me zemër. Kjo është shkalla më e ulët e besimit", [shih Sahih Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Nesaiu - siç është shënuar në Targheeb We'l-Tarhib nga el-Hafiz Mundhiri, v. 1258, Rahimehumullah].
Madje edhe më qartë nga Imam Derimi (Rahimehullah) i cili transmeton se Zijad Ibn Hudair (Rahimehullah) ka thënë: "Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) më tha mua: A e di çka mund të shkatrroj Islamin?" Unë thashë: "Jo." Ai tha: "Shkatërrohet nga gabimet e dijetarëve, argumentet e hipokritëve rreth librit (të Allahut), dhe konkludimet e udhëheqësve të devijuar", (shih Mishketul Mesabih, 1/269, Trans. A.H. Sidiki).
Në mënyrë që të ruajmë rininë e sodit nga rënia në herezi, Shejh Sakkaf ka nisur një kërkim për të ekspozuar një person të tillë i cili konsideron veten e tij në mesin e dijetarëve të mëdhenjë të Hadithit si Imam Buhariu dhe Muslimi (Rahimehumullah), në atë masë saqë njëri nga ndjekës i tij i mashtruar e konsideron atë në gradën e Emir ul-Mu'minin fil Hadith, Shejhul Islam el-Hafiz Ahmed Ibn Haxher el-Askalani (Imami Shafi i cili është autori i komentimit më të famshëm të Sahihut të Buhariut dhe shumë librave të tjerë, v. 852[h.]/1449, Rahimehullah).
Lexuesi i nderuar, për Shejh Sakkafin mund të fitoj përshtypjen se ai ka një sjellje jo-tolerante dhe të vrazhdë në disa prej komenteve të tij të cilat i ka bërë pasi e ka zbuluar ndonjë gabim nga Albani. Unë nuk kundërshtoj stilin e tij të kundërshtimit, pasi që shumë dijetarë që i janë Frikësuar Allahut kanë qenë të pakompromis në të kaluarën kur ka qenë fjala për urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja siç është thënë në Kur'an dhe Sunet (p.sh. në kundërshtimin ndaj sekteve heretike si Havarixhët, Mu'tezilët, Shiat, ...), për aq sa paralajmërojnë masën e popullit nga pranimi i të pavërtetave të Heretikëve dhe "dijetarëve" të tjerë të ngjashëm. Mund të jetë që Shejh Sakkaf e konsideron Albanin novator, sikurse edhe mësuesi i tij i ndjerë - Shejh Ghimari (Rahimehullah) që e konsideroj të tillë.
Janë transmetuar shumë Hadithe që na urdhërojnë të mos i përkrahim dhe t'i luftojmë heretikët. Për shembull, Ibrahim ibn Mejsera transmeton se Pejgabmeri (s.a.v.s.) ka thënë: "Ai i cili tregon respekt për një shpikës (novator) ai në fakt ndihmoi në prishjen e Islamit", (Bejhekiu - shih Mishkatul Mesabih, 1/189, Botimi anglisht).
Shpresoj që lexuesi i respektuar do të lexoj këtë pjesë të shkurtë pune me syhaptësi dhe me mendje të hapur, sidomos ata të cilët kanë qenë lexues dhe përkrahës besnik të librave dhe vendimeve të Albanit. Unë sinqerisht shpresoj që nga ky punim do të përfitojnë të gjithë ata që e lexojnë atë dhe lutemi që Allahu ta pranojë si punë të mirë dhe vetëm për kënaqësinë e Tij. Unë dëshiroj gjithashtu të falënderoj të gjithë ata vëllezër që më kanë ndihmuar në përpilimin e kësaj pune, sidomos atij që më pajisi me librat e Shejh Sakkafit.
Allahu na faltë për të metat dhe gabimet tona. Amin.
Përpiluar nga: Sejfidin Ahmed ibn Muhamed
Përktheu: Fatih IBRAHIMI
_________________________
Shkëputur nga Artikulli: "Nasirudin Albani i vërtetë".