Akuzohej për terrorizëm, Artan Kristo dënohet me pesë vjet heqje lirie



Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e gjykimit për "terroristin" shqiptar Artan Kristo. Kristo është përballur sot me togat e zeza në e cila vendosi masën e gjykimit me 5 vjet burg. Artan Kristo është akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe propogande terroriste. Gjyqi u shoqërua me masa të forta sigurie. Kristo u gjykua nga treshja e gjyqtareve Kastriot Selita, Rexhep Bekteshi dhe Arjan Alicka, ndërsa akuza është përfaqësuar nga Prokurori Edmond Kaloshi dhe avokat mbrojtës Ilia Ilia. Prokurori i ceshtjes kërkoi 5 vjet e 6 muaj heqje lirie për Kriston.

"Terroristi" shqiptar me mbiemrin e krishterë, Artan Kristo, është ndjekur për muaj të tërë nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror. Vëzhgimi dhe përgjimi i tij është kryer në mënyrë konstante duke monitoruar si jetën reale ashtu edhe atë virtuale të ndërtuar në forume të ndryshme nën emrin Muhamed Abdulla Al Albani.

Informacionet e para të marra nga SHISH-i tregonin se ai mund të ishte pjesë e një celule terroriste. Madje ai mund të kishte lidhje me rrjetin e terroristit më të madh të botës, Osama bin Laden. Pas muajsh të tërë ndjekjeje dhe përgjimi, SHISH arriti të përfundojë dosjen për Kriston. Të gjitha materialet iu dorëzuan prokurorisë së Tiranës më datë 27 gusht 2009. Por materialet e SHISH-it kanë vetëm vlerë referuese dhe prokurorisë iu desh të mblidhte prova të tjera në lidhje me aktivitetin e njeriut të dyshuar si terrorist.

Hetuesit kanë monitoruar aktivitetin virtual të Kristos në disa faqe online dhe aty ka rezultuar se ai kishte tejkaluar elementët që të shpien në veprën penale të nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste. Aktiviteti i Artan Kristos ishte zhvilluar në tre faqe online, www.forum-islamik.com, www.udhezimedhedrita.net dhe www.albselefet.net. [*]

"Ky kallëzim është bërë si rrjedhojë e disa pamjeve video të shfaqura në faqen e internetit www.albselefet.net. bazuar në atë që kemi parë dyshojmë se shtetasi Artan Kristo synonte mbështetjen ose kryerjen e veprave për qëllime terroriste. Duke klikuar në këtë faqe interneti, konkretisht tek rubrika "videos", shfaqen dy video të tij me titullin "A ka Xhihad në botën islame sot?". Në këto video shfaqet i arrestuari Kristo dukë bërë thirrje për Xhihad, të cilin e konsideron si obligim deri në ditën e gjykimit, për të shkuar në luftë me qëllim për të vrarë, për të shkatërruar vendet dhe për të ngritur islamin. Ai bën thirrje në këtë fjalim për t'u përgatitur besimtarët myslimanë me sa të kenë mundësi, që të ndihmojnë Islamin me Xhihadin e fjalës, të dorës e të shpatës, të bombës e çdo lloj mjeti tjetër që të ketë kur të vijë koha", - thanë hetuesit e çështjes.

Ata i kanë cilësuar këto fjalime si nxitje të urrejtjes fetare që rrezikojnë përçarjet sociale dhe mbarëvajtjen fetare brenda komunitetit mysliman si dhe midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. "Xhihadi është obligim deri në ditën e gjykimit. Të shfrytëzojmë kohën, vendin, të shfrytëzojmë pasurinë, të shfrytëzojmë mundësitë tona, pasi të kemi realizuar ecurinë në aspektin fetar. Atëherë padyshim se bota do të na nënshtrohet, do t'i nënshtrohet botës islame, nëse realizon këtë çështje ... Xhihadi është obligim, si në Palestinë, Afganistan, Irak, apo më herët që duhet të jetë në Andaluzi të Spanjës, ku kanë vdekur muhaxhedinë myslimanë, kanë luftuar për islamin dijetar, hoxhallarë, popull, gra e fëmijë, ku edhe janë masakruar në Andaluza të Spanjës", - është një pjesë nga pasazhet e Kristos.

"... Në Xhihad shkohet për të vrarë, nëse shkon për të vrarë ata qafirë që bëhen pengesë në shtetin islam, është bërë pengesë për shoqërinë islame, për drejtësinë, për shumë gjëra, ta heqësh qafe atë qafir, duhet të shkosh për të vrarë jo për tu vrarë ... Nuk jemi kundër Xhihadit, duhet ta kuptojnë këto të Bin-Ladenit që nuk jemi kundër Xhihadit, jemi pro. Ne i lutemi Allahut që të vijë një ditë e të na mundësohet edhe neve Xhihadi që ta ndihmojmë këtë islam, si me dorë, shpatë, e bombë kur të vijë koha", - thuhet ndër të tjera në fjalët që "imami" Kristo shqipton në pamjet e këtyre videove para një grupi të rinjsh të Rrushbulli në Durrës.

Gjithashtu, sipas dosjes, rezulton se Kristo, prej një kohe të gjatë bën propagandë radikale islamiste, të llojit salafit-tekfirist me një grup të vogël të rinjsh nga Rrushbulli e Golemi në Durrës, duke dhënë këshilla fetare tepër radikale për besimtarët myslimanë në faqet e internetit www.forum-islamik.com.

Këto akuza, vetë "imami" Kristo dhe avokati i tij mbrojtës i kanë cilësuar si një kurth i organizuar nga agjentët e SHISH-it. Madje ata pretendojnë se gjithçka është ndërtuar nga Shërbimi për t'i bërë presion Kristos që ai të rekrutohet dhe të shndërrohet në agjent për të treguar gjithçka që ndodh në botën islame shqiptare.

Institucioni i akuzës i është drejtuar zyrës së Gjendjes Civile në Shkozet të Durrësit, duke i kërkuar verifikimin e gjendjes civile të të dyshuarit për "akte terroriste" Artan Kristo, i njohur ndryshe edhe me emrin fetar Muhamed Abdulla Al Albani, pasi rezulton se ka dy gra.



Përgatiti: shekulli, dhjetor 2010.



_________________________

[*] - Kujdes, webfaqet që përmenden në ketë artikull dhe të ngjajshe me to, janë webfaqe Vehabiste, gjithashtu edhe imami Artan Kristo është nga Vehabistët, (Stafi).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...