BFI: Ramadani të largohet



Ramadan Ramadani vazhdon të ligjërojë të premteve në xhaminë "Isa Beu" në Shkup, edhe përkundër vendimit të gjykatës themelore Shkupi 2, që ai të largohet nga kjo xhami.

I kontaktuar nga TV ALB Ramadani thotë se vazhdon të kryejë detyrën e ligjëruesit në xhaminë "Isa Beu" pasi pret vendimin e gjykatës së Apelit ku edhe është ankuar pas shqiptimit të vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 2.

Nga Myftinia e Shkupit janë në pritje të vendimit të gjykatës së Apelit, nga e cila presin zgjidhje përfundimtare të ndërhyrjes ilegale të Ramadanit në "Isa Beu".

Myftiu Ibrahim Shabani thotë se me konfirmimin e vendimit paraprak do të kërkojnë largimin e Ramadan Ramadanit nga xhamia. "Ne presim për momentin që Gjykata e Apelit po ashtu të verifikojë vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit 2 dhe që ky vendim të bëhet i plotfuqishëm. Me bërjen e vendimit të plotë fuqishëm me siguri atëherë Bashkësia Islame, Myftinia e Shkupit do të ndërmerr masa juridike, procedurale që i njëjti person të largohet apo të shpuret nga xhamia e cila është pronë e bashkësisë islame dhe e myftinisë së Shkupit, nëse ka nevojë edhe atë procedurën e dhunshme të largohet nga xhamia", Ibrahim Shabani, myfti i Shkupit.

Bashkësia Islame është e vendosur të vendos rregull në këtë objekt fetar, ku vetëm para disa muajve, përfaqësues të saj u sulmuan nga përkrahësit e Ramadanit. Myftinia e Shkupit ka paralajmëruar se menjëherë pas largimit të imamit jolegal, do të shpallë konkurs publik për një imam të ri. "Do të shpallim konkurs, do të ketë dhe do të shohim kush do ti plotësoje kushtet e një teologu apo një hatibit, imamit, vaizit i cili do ta kryeje detyrën. Ajo është procedurë e pastajshme", tha Ibrahim Shabani, myfti i Shkupit.

Myftinia e Shkupit vitin që shkoi kishte paditur Ramadan Ramadanin për uzurpim të xhamisë "Isa Beu", duke mos lejuar që Myftinia e Shkupit të kryejë detyrat e saj brenda kësaj xhamie. Më 1 dhjetor të vitit 2010, Gjykata Shkupi 2 shpalli fajtor Ramadan Ramadanin për prishje të rendit dhe shkelje të normave juridike, duke urdhëruar që ai të largohet nga xhamia "Isa Beu" brenda 8 ditëve.



Përgatiti: tvalb, janar 2011.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...