Kot që je musliman, nëse nuk je pjesëtar i xhematit tim!



Rrallë herë muslimanët kanë qenë të ndarë si sot. Shembullin më të dëmshëm të ndarjes mes muslimanëve sot e gjejmë në Siri dhe Irak. Aty kemi dy grupe të muslimanëve të tubuar rreth lëvizjeve xhihadiste IDISH dhe Al-Kaida. Jemi dëshmitarë se sa mizorë janë anëtarët e lëvizjeve të përmendura me njëri-tjetrin. Pse ata vriten me njëri-tjetrin dhe i presin kokat njëri-tjetrit me tekbire, pse përgjithësisht përplasen? Kur i lëmë mënjanë detajet e parëndësishme të kësaj ndarjeje, do të shohim se IDISH dhe Al-Kaida luftojnë kundër njëri-tjetrit për shkak të përkatësisë partiake, gjegjësisht, për prestigj. Për shembull, IDISH-i thonë se ne i vrasim anëtarët e Al-Nusra-s sepse, kinse, ata i kanë sulmuar të parët dhe sepse ata nuk duan të japin betimin për emirin e këtyre, mirëpo, edhe Al-Nusra i kanë arsyet e ngjashme.

Krejt kjo është çështje e interesave partiake, se kush do të jetë kryesori në një territor të caktuar. Ka mjaft shembuj që tregojnë se shumë muslimanë sot janë të gatshëm që për interesat e partisë dikë ta kërcënojnë apo ta shpallin jobesimtar, e madje edhe ta vrasin për këtë. Mjafton që dikush të thotë se IDISH nuk e ka pushtuar ndonjë qytet në Irak, por këtë e kanë bërë fiset sunite, në mënyrë që mbështetësit e IDISH-it menjëherë ta shpallin si munafik, jobesimtar dhe ta kërcënojnë me plumb në ballë. Pra, ju nuk keni nevojë të thoni asgjë kundër Islamit, mjafton vetëm të mos jeni dakord me çdo gjë që vepron ai IDISH-i dhe menjëherë të shpalleni jobesimtar.

Për fat të keq, ideologët e këtij fenomeni të rrezikshëm në mesin e muslimanëve, me shkathtësi po i përdorin mjetet moderne të komunikimit për të kryer fushata të gjera kundër kundërshtarëve të tyre. Sot, shumë muslimanë janë të infektuar me këtë virus, ata janë të gatshëm me sy të skuqur ta vrasin muslimanin tjetër sepse ai nuk po pajtohet me ta dhe se lëvizja e tyre është gjëja më e rëndësishme për muslimanët e sotëm. Disa, madje shkojnë aq larg, sa që përkatësinë në lëvizjen e tyre e vendosin para shehadetit. Kot ti që beson në Allahun, shkon në xhami, agjëron, jep zekat, krejt bëhet e parëndësishme në qoftë thua se IDISH-i nuk e ka mirë, menjëherë je bërë jobesimtar të cilit duhet prerë kokën.

Përkatësia partiake e pasionuar me ekskluzivitet muslimanët i çon në një të ardhme të pa sigurtë. Deri më tani shumë koka të muslimanëve kanë ra për shkak të përkatësisë partiake. Edhe pse "ensarët" (banorët e Medinës, ndihmësit e Pejgamberit savs) dhe "muhaxhirët" (banorët e Medinës, të cilët kishin emigruar nga Meka në Medinë) ishin kategori të sheriatit të cilat i ka konfirmuar Kurani, edhe pse përkatësia e njërës palë edhe e tjetrës palë ishte privilegj dhe begati, megjithatë, kur janë përdorur për qëllime të gabuara, në konteste ndër-fisnore, Pejgamberi s.a.v.s., referencën në përkatësi të njërit apo grupit tjetër, e ka karakterizuar si 'praktikë pagane'. Po çfarë do të thoshte, atëherë, Pejgamberi savs, për ata të cilët besnikërinë (betimin) ndaj lëvizjeve të tyre, ndaj organizatave, ndaj "shteteve" e konsiderojnë si kusht themelor për vlefshmërinë e besimit të dikujt dhe për mbrojtjen e jetës dhe të nderit.

Gjithashtu, nuk është shënuar që ensarët dhe muhaxhirët, gjatë jetës së Pejgamberit (savs) dhe pas vdekjes së tij, të kërkojnë nga njerëzit në zonat e ripushtuara që përkatësinë e tyre në Islam ta dëshmojnë me përkatësi të njërës prej atyre dy grupeve, që të betohen për besnikëri, se heqin dorë nga këta apo ata. Ishte e mjaftueshme besnikëria e tyre ndaj halifit dhe bashkësisë muslimane, si dhe kryerja e detyrave të parapara.



Autor: Ezher BEGANOVIQ
Përktheu dhe përshtati: Miftar AJDINI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...