Mirë se vjen muaji i shumëpritur Ramazan
Njëra prej të mirave të panumërta që na ka favorizuar Allahu Dhurues e Bamirës, është edhe Ramazani, muaj i bekuar për myslimanët. Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë në kalendarin islam. Ky është muaji kur ndahen e drejta nga e shtrembra, e mira nga e keqja, rruga e drejtë me devijimin. Ramazani vjen me rrjedha kuptimesh dhe emocionesh, që ujisin zemrat e thara dhe të etura, duke e favorizuar botën e brendshme të njerëzve për kuptime dhe koncepte të reja. Në ditët, orët dhe minutat e këtij muaji të bekuar, zemrat arrijnë kaq thellësi shpirtërore dhe bëhen aq të kthjellta, sa që njerëzit kurrë nuk dëshirojnë të largohen nga atmosfera e kësaj paqeje. Pikërisht këtë nënkupton edhe fjala e Profetit Muhammed (s.a.s.) kur thotë: "Sikur ta dinin njerëzit se ç'është muaji i Ramazanit do të dëshironin që i gjithë viti të ishte Ramazan".
Në muajin e Ramazanit njeriu furnizohet për të gjitha ditët e vitit, për këtë arsye Profeti (a.s.) para se të fillonte muaji i Ramazanit i tubonte shokët dhe u fliste për vlerat e këtij muaji. Ky është një muaj i bekuar ku jetohen me emocion katër kushte të Islamit. Në këtë muaj adhurimet shtohen (namazi, dhikri, sadakaja, Kur'ani, meditimi etj.) dhe këndimi, leximi e studimi i Kur'anit duhet të dominojë më shumë se kurrë. Myslimanët e parë e shtonin këndimin e Kur'anit në Ramazan. Po të jetë se drita e Kur'anit dhe qytetërimi që sjell ai, të depërtonte në shpirtin e kësaj bote të ngulfatur nga problemet e shumta e të shumëllojshme, me siguri fati dhe ardhmëria e njerëzimit do të ndryshonte tërësisht, sepse parimet që sjell Islami janë në gjendje të caktojnë diagnozën e sëmundjeve dhe të krizave të sotme të botës dhe të gjejnë mjekimin e duhur. Profeti Muhammed (s.a.s.) në lidhje me agjërimin dhe Kur'anin thotë: "Edhe agjërimi, edhe Kur'ani, ditën e Kiametit do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: Zoti im! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme, pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij! Edhe Kur'ani kështu do të thotë: Zoti im! Unë kënduesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi, jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij! Pas pranimit të këtyre lutjeve të agjërimit dhe Kur'anit, do të pranohet edhe ndërhyrja e tyre në favor të besimtarit", (Ahmed b. Hanbel, el-Musned).
Gati çdo natë në Ramazan është shumë më e thellë se netët e tjera dhe me dimensione të përtejme; ndërsa ditët me atë maturinë dhe ngjyrat goditëse ndjehen si një atmosferë sinjifikuese e vullnetit dhe durimit. Shpirtrat e agjërueshëm, sikur përgatiten çdo natë për një takim të ri, të emocionuar deri në ngazëllim, të sjellshëm në masë dhe të edukuar deri në habi, trokasin në dyert e mëshirës dhe shpresës. Në fytyrat e tyre shfaqen njëherësh modestia me seriozitetin, siguria me brengën, sundon të qenit që e mënjanon bindshëm të dukurit. Zemrat u rrahin me dashuri, para së gjithash për të Dashurin e vetëm të zemrës së tyre, e më pas, po për hir të Tij, për çka Ai ka krijuar
Kush të dojë, edhe në Ramazan madje, le të ulet e të ngrihet me smirë e urrejtje, kush të dojë të turbullohet përballë të vërtetave të besimit dhe Islamit, kush të dojë le të mallkojë dritën, kush të dojë t'i shpallë luftë mirënjohjes, tolerancës; ndërsa neve Ramazani, me gjithë dritën dhe forcën magjepsëse që zotëron, na pëshpërit me zërin shpresëdhënës pasuritë tona shpirtërore, traditën tonë të hershme; na pëshpërit dhe shpirtrat tanë të uritur i ngop me sofrat e begata, ndërsa përballë shpirtrave të errët, qëndron i hapur dhe, duke i shkrirë urrejtjet e armiqësitë vazhdon të na freskojë me flladin e Xhenetit.
Me të vërtetë që ky muaj është një pastrim për njeriun nga ndotësitë e mëkateve që ka bërë gjatë gjithë vitit, pasi agjërimi në Ramazan është si një dush shpirtëror, në të cilën njeriu hyn një herë në vit, për të larë njollat e mëkateve të tij, e për të dalë prej tij më pas krejtësisht i pastër! Këtë thotë edhe hadithi i Pejgamberit (a.s.): "Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe bindje, i falen të gjitha mëkatet e tij", (Buhari-Muslim).
Mbarë myslimanët, të rinj e të vjetër, gra e burra, të pasur e të varfër, të shëndetshëm e të sëmurë, drejtues e të drejtuar, nëpunës e tregtarë, vijnë e bashkohen në klimën zbutëse, formuese e të magjishme të Ramazanit ... e me një përzemërsi, pastërti e ngrohtësi ndajnë së bashku një lumturi që vetëm krijesat qiellore e njohin. Madje, në të shumtën e rasteve, ai ka një ndikim të pabesueshëm edhe mbi masat e njerëzve që duken të pafatë, të mjerë e të shkretë. Është e pamundur të mbetesh indiferent përballë Ramazanit që përfshin çdo gjë! Ramazani, sidomos zemrat e hapura ndaj pafundësisë, i magjeps aq shumë, ndikon aq thellë, saqë vetëm atë dëgjojnë, atë mendojnë dhe atë ëndërrojnë!
Për të vëmendshmit e këtij muaji, iftaret përmbushen me ndjenjën e adhurimit dhe thuajse bashkëngjiten me teravitë; syfyret ndërthuren me namazin e natës dhe marrin pjesë prej afrimit me Mëshirëplotin. Rrugët mbushen me udhëtarët e xhamive, faltoret oshtijnë si Qabja me tekbirë; rrugët, pazaret sikur kthehen në faltore, dhe faltorja vetë shndërrohet në Qabe. Çdo zë, çdo lëvizje, çdo hap dhe çdo veprimtari në këtë muaj, na kujton Ramazanin në mënyrën e vet. Ndërsa ne mundohemi ta përjetojmë atë thellë në gjoksin tonë, ai, me momentet më të zjarrta na dhuron dashuri, përkushtim dhe emocion ... duke i ofruar shpresë e vullnet etjes së zemrës sonë, ai i rikthen gëzimin syve të përlotur dhe buzëqeshjen fytyrave të brengosura.
Prandaj, ne nuk duam aspak që Ramazani të largohet, ne nuk duam por, sikurse çdo gjë që vjen duhet të ikë kur t'i vijë koha, edhe ai, si një i ftuar gëzimsjellës vjen e pasi qëndron njëfarë kohe largohet ... dhe pas tij, vjen Bajrami si kurorëzuesi i vetëm i gjithë pasurive të këtij muaji magjepsës ... .
Autor: Bujar Spahiu