Kryesia e bashkësisë islame denon sulmin ndaj Osman ef. Musliut



Dje në xhaminë e fshatit Zabeli i Ulët, KBI i Drenasit, është sulmuar fizikisht kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Drenasit Osman ef. Musliu. Kryetari kishte shkuar në xhami për ta falur namazin e xhumasë dhe njëherit për ta prezantuar imamin e propozuar nga këshilli në fjalë për këtë xhami pasi që vendi i punës së imamit ishte vakant nga se kohë më parë kishte ndërruar jetë imami i mëparshëm. Mirëpo, me të hyrë në xhami, ai sulmohet nga disa persona, ku dyshohet të ketë pasur pjesëmarrës edhe nga fshatra tjerë.

Kryesia e Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës e dënon ashpër sulmin fizik ndaj kryetarit të këshillit të BI-së të Drenasit dhe e konsideron këtë veprim kriminal. Njëherit, këtë sulm fizik Kryesia e BI-së e konsideron atak ndaj organeve dhe institucioneve të BI-së dhe titullarëve të saj.

Kryesia e BI-së kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë që ndaj kryesve të kësaj vepre t'i ndërmerr masat më të ashpra ligjore, për më tepër kur titullari është sulmuar kur ka qenë duke ushtruar detyrën e tij. Këtë akt, pavarësisht motiveve, e bënë edhe më të shëmtuar fakti se sulmi ka ndodhur brenda në xhami dhe në kohën e kryerjes së namazit, me se nuk kanë respektuar së paku shenjtërinë e saj.

Aktet e tilla për Kryesinë e BI-së janë të papranueshme dhe kërkojmë nga organet kompetente që të tilla raste ti parandalojnë duke i identifikuar shkaktarët e tyre dhe duke i vu para drejtësisë.



BIK, janar 2009.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...